Basha në Bruksel/ BE mbështet opozitën, nuk pajtohet me të inkriminuarit në Kuvend

0
108

Erneta Shevroja

 basha ne mbledhjen e be angela merkelKryeopozitari ka marrë mbështetje nga BE-ja për mbikëqyrjen e Parlamentit dhe dekriminalizimin e tij

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, zhvilloi dje disa takime të rëndësishme me drejtues të lartë të Bashkimit Evropian. Ndërsa pritet që Brukseli të dalë me një deklaratë bashkëpunimi mes shumicës dhe opozitës shqiptare, drejtuesit e lartë të BE-së kanë mbajtur një qëndrim të prerë lidhur me infiltrimin në administratë dhe në Kuvend të personave me precedentë penalë. Kryedemokrati Basha, sipas njoftimit të zyrës së shtypit të PD-së, ka marrë mbështetje të plotë për pretendimet e deritanishme lidhur me instrumentet për mbikëqyrjen parlamentare si dhe do të adresonte çështjen e dekriminalizimit të Parlamentit Shqiptar. Basha ka shprehur shqetësimin edhe lidhur me mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, cenimin e pavarësisë së institucioneve etj.

 

Basha

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mori pjesë dje, me ftesë të Kancelares Angela Merkel, në kongresin e 27-të CDU-së që u zhvillua në Këln. Gjatë zhvillimit të kongresit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar me drejtues të lartë të grupit të djathtë të Parlamentit Evropian si të CDU-së, të Partisë Popullore Evropiane dhe të institucioneve të tjera të BE-së. Mes të tjerëve, kryetari i PD-së ka pasur edhe një takim me Kancelaren gjermane Merkel, e cila u rikonfirmua për herë të tretë në krye të CDU-së. Mësohet se në këto takime “bashkëbiseduesit kanë theksuar se cenimi i pavarësisë së institucioneve, moszbatimi i vendimeve të gjykatave dhe sjellja në kundërshtim të hapur me normat e shtetit ligjor janë të papranueshme për vendet demokratike dhe veçanërisht për vende që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së”. Drejtuesit e lartë të grupimit të djathtë të Parlamentit Evropian dhe drejtues të tjerë të BE-së kanë “shprehur mospajtimin e tyre të plotë për infiltrimin në administratë dhe në Kuvend të personave të inkriminuar, të cilët përdorën dhunën dhe kërcënimet për të sulmuar opozitën në parlament, me skenarë të orkestruar”.

 

Angazhimi i PD-së

Mes të tjerash, kryeopozitari Basha është shprehur se pavarësisht prej qëndrimeve indiferente ndaj kërkesave të opozitës nga ana e shumicës, partia që ai drejton do të jetë e angazhuar për normalizimin e jetës parlamentare. Kështu, mësohet se Basha ka thënë se pavarësisht prej “krizës së rëndë parlamentare dhe të demokracisë në vend si rezultat i veprimeve të dyshes Rama-Meta, Partia Demokratike është angazhuar fuqishëm për të gjetur rrugët e rikthimit të kushtetutshmërisë dhe normalizimit të jetës parlamentare”. Po ashtu kryeopozitari është përgjigjur edhe lidhur me pretendimet e shumicës se nuk është në dijeni të kërkesave që ka parashtruar PD-ja prej gati më shumë se 5 muajsh. “Pavarësisht përpjekjeve të opozitës, për fat të keq, dyshja Rama-Meta ka refuzuar deri tani çdo angazhim në këtë drejtim, duke pretenduar herë se nuk ka dijeni për çështjet e ngritura nga opozita e herë se kushtet e opozitës tashmë qenkan plotësuar”, – ka thënë Basha. Ai ka vijuar se pavarësisht nga kërkesat, ka një mungesë reflektimi dhe vullneti nga drejtuesit e qeverisë për të përmirësuar situatën. “Kjo mungesë reflektimi nga drejtuesit e shumicës është një tregues i mungesës së deritanishme të vullnetit politik nga kryeministri Rama për të marrë përgjegjësinë që i takon për këtë situatë të krijuar në vend”, – mësohet të ketë thënë Basha. Bashkëbiseduesit e grupimit të majtë dhe të djathtë të Parlamentit Evropian kanë diskutuar propozimet e Partisë Demokratike për një marrëveshje politike shumicë-opozitë, që do t’i jepte fund shkeljes së Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe mohimit të instrumenteve të mbikëqyrjes parlamentare si dhe do të adresonte çështjen e mprehtë të mekanizmit që promovon krimin deri në Kuvendin e Shqipërisë. Në këtë kuadër, kreu i opozitës ka vlerësuar dhe ka mirëpritur angazhimin e përfaqësuesve politikë të së djathtës dhe të majtës në Parlamentin Evropian, të cilët duke vlerësuar me shqetësim situatën politike në Shqipëri kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në adresimin e krizës parlamentare në vend. Gjithashtu, një temë tjetër që është diskutuar ishte intensifikimi i bashkëpunimit mes PD-së dhe CDU dhe takimeve të Bashës me drejtues të lartë të kristian-demokratëve gjermanë. Kryetari i PD dhe drejtues të CDU dhe Fondacionit “Konrad Adenauer” kanë diskutuar për bashkëpunimin dhe mbështetjen për Partinë Demokratike dhe rolin e saj në integrimin evropian të Shqipërisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency