Banda e tritolit/ Prokuroria lexon akuzat në Gjykatë, irritohet i pandehuri Sinanaj

0
132

Alma Çuka

 julian sinanaj ne gjykateRrëzohet kërkesa e tre të pandehurve për gjykim të shkurtuar. Dosja nuk mund të veçohet, për shkak se ngjarjet kanë lidhje njëra me tjetrën, zyrtarizohet nisja e gjykimit

 Gjykata e Krimeve të Rënda, pas dy seancave të shtyra për shkaqe subjektive, nisi dje seancën e parë gjyqësore kundër shtatë të pandehurve, akuzuar për kryerjen e disa krimeve në të ashtuquajturën “banda e tritolit”. Gjykata u rrëzoi kërkesën për t’u proceduar me gjykim të shkurtuar tre të pandehurve Albin Mexhaj, Ilir Karçini dhe Andon Mëhillaj. Sipas Gjykatës, dosja është tepër voluminoze, aktet e saj nuk mund të veçohen, për aq kohë sa ngjarjet kanë lidhje njëra me tjetrën dhe krimet janë kryer në bashkëpunim. Prokurori i Krimeve të Rënda lexoi akuzat për secilin nga të pandehurit që ndodhen në bankën e të akuzuarve. Përfaqësuesi i akuzës lexoi me radhë faktet kundër të pandehurve. Plot 15 akuza janë në ngarkim të protagonistit kryesor të kësaj çështjeje, të akuzuarit si vrasës me pagesë Julian Sinanaj. Më pas, me 7 akuza do të përballet në gjykim bashkëpunëtori i drejtësisë Ndriçim Gjokona, ai që zbuloi këtë bandë dhe mundi të parandalonte në kohë vrasjen e biznesmenit të hidrokarbureve P. Bare. Sipas Prokurorisë, hetimi ndaj tyre ka nisur në janar të vitit 2014, pas disa atentatesh me armë zjarri dhe lëndë plasëse që ndodhën ose mbetën në tentativë në Vlorë dhe Tiranë. Në përfundim të këtyre hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë të pandehur 7 persona, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Në total, këtyre personave Prokuroria për Krime të Rënda u atribuon 38 akuza.

 

Reagimi i Sinanajt

I pranishëm në sallën e gjyqit ishte edhe protagonisti kryesor i kësaj bande, njeriu që ka kryer disa shpërthime të telekomanduara, Julian Sinanaj, i cili nuk e ka përmbajtur veten para trupit gjykues, teksa dëgjonte prokurorin, duke lexuar kërkesën për gjykim. Julian Sinanaj i kujtoi prokurorit se ndodhej i arrestuar, për shkak të krimeve që ka kryer dhe ka pranuar, për aq kohë sa ka fituar edhe të drejtën për të qenë i mbrojtur nga drejtësia. Por, Julian Sinanaj ka ngritur zërin dhe ka kundërshtuar me forcë akuzën, teksa ajo lexoi nga dosja se në momentin e arrestimit, të pandehurit, përveç një pistolete “TT”, i janë kapur edhe dy granata. Sinanaj është acaruar duke i thënë prokurorit se kjo gjë nuk ishte e vërtetë, pasi në momentin e arrestimit ai ka pasur vetëm një pistoletë dhe se akuza po shtrembëronte faktet, madje po dilte jashtë kornizave ligjore, duke qenë se ai tashmë është person i mbrojtur nga drejtësia. “Unë jam kapur me një pistoletë “TT”, dhe jo me granata. Prokuroria është duke shkelur të drejtat e njeriut. Mos mbuloni krimin e organizuar. Unë jam bashkëpunëtor i drejtësisë dhe kjo gjë duhet respektuar”, – ka thënë Julian Sinanaj, vrasësi me pagesë, para Gjykatës.

 

Akuzat për Julian Sinanajn

Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Julian Sinanaj, 31 vjeç, akuzohet për 15 vepra penale. Konkretisht, për “Vrasje me paramendim për interes” kundër shtetasit Sokol Veizi, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit Erjon Mëhillaj, Genis Mëhillaj, Ndriçim Gjokona, vepër penale e parashikuar nga nenet 78/2 i K. Penal e 28/4; “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2; “Sigurimi i Kushteve dhe i mjeteve materiale” për të kryer vrasjen e shtetasit M. L. (inicialet janë të ndryshuara), vepër e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit Genis Mëhillaj, Erjon Mëhillaj, Ndriçim Gjokona, dhe në bashkëpunim me të pandehurin Marjon Mitro, vepra penale të parashikuar nga nenet 80 e 28/4 të K. Penal; “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 K. Penal; “Vepra me qëllime terroriste”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurin Andon (alias Erjon) Mëhillaj, që kanë shkaktuar shkatërrimin serioz të pronës private, si dhe kanë synuar vrasjen e ish-drejtorit Përgjithshëm të ALUIZNI-t, z. Ardian Kollozi, vepra të parashikuara, neni 230 germa “a” dhe ”m” të K. Penal; “Prodhim dhe mbajtje pa leje të lëndëve plasëse”, neni 278/1 i K. Penal; “Vrasje me paramendim për interes” të shtetasit Agron Çela, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurin Andon (alias Erjon Mëhillaj), parashikuar si krim nga neni 78/2 i K. Penal; “Mbajtje pa leje në ambiente publike të armëve luftarake”, neni 278/4 i K. Penal; “Vepra me qëllim terroriste” mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim me Marjon Mitron që ka synuar vrasjen e shtetasit Besnik Dervishi ish-prefekt i Qarkut të Vlorës, neni 230-22-25 germa “a” të K. Penal; “Prodhim, mbajtje dhe shitje të lëndëve plasëse”, konkretisht të lëndës plasëse që është vendosur në automjetin e z. Besnik Dervishi neni 278/3; “Prodhim dhe mbajtjes pa leje në ambiente publike të armëve e municionit luftarak” që i janë sekuestruar gjatë kontrollit personal në momentin e arrestimit shtetasit Julian Sinanaj, armë që janë blerë tek Albin Mexha, parashikuar nga neni 278/4 i K. Penal; “Sigurim i kushteve dhe burimeve të tjera materiale për të kryer vrasjen” të shtetasit Pirro Bare, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me shtetasit Genis Mëhillaj, Ndriçim Gjokona dhe në bashkëpunim me shtetasin Ilir Karçini, vepra penale të parashikuara si krim nga nenet 80 e 25 e 28/4 të K. Penal; “Prodhim dhe mbajtje pa leje në sasi të mëdha, më shumë se një herë të armëve, municionit luftarak lëndëve plasëse”, neni 278/5 i K. Penal; “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, neni 333 ”a” i K. Penal dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, neni 28/4 e 334 K. Penal.

 

Akuzat për Andon Mëhillajn

Prokuroria ka ngritur përfundimisht 6 akuza për Andon (alias Erjon) Mëhillaj, 39 vjeç. Konkretisht, Mëhillaj akuzohet për “Vrasje me paramendim për interes” kundër shtetasit Sokol Veizi, vepër penale e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, me të pandehurit Julian Sinanaj, Genis Mëhillaj, Ndriçim Gjokona, vepër penale e parashikuar nga nenet 78/2 i K. Penal e 28/4; “Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale” për të kryer vrasjen e shtetasit M. L. (inicialet janë të ndryshuara), vepër e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit Julian Sinanaj, Genis Mëhillaj, Ndriçim Gjokona dhe në bashkëpunim me shtetasin Marjon Mitro, vepra penale të parashikuar nga nenet 80 e 28/4 te K. Penal; 3); “Vepra me qëllime terroriste”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurin Julian Sinanaj që kanë shkaktuar shkatërrim serioz të pronës private, si edhe kanë synuar vrasjen e ish-drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t, z. Ardian Kollozi, vepra të parashikuara, neni 230, germa “a” dhe “m” të K. Penal; “Vrasje me paramendim për interes” të shtetasit Agron Çela, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurin Julian Sinanaj, parashikuar si krim nga neni 78/2 e 28/4 të K. Penal; “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” neni 333/“a” i K. Penal; si dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, neni 28/4 dhe 334 i K. Penal.

 

Akuzat për Ndriçim Gjokonën

Për të pandehurin Ndriçim Gjokona, i cili ka përfituar edhe statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Prokuroria ka ngritur 7 akuza. Konkretisht, 31-vjeçari akuzohet për “Vrasje me paramendim për interes” kundër shtetasit Sokol Veizi, vepër penale e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit Andon (alias Erjon) Mëhillaj, Genis (alias Gentjan) Mëhillaj, Julian Sinanaj, parashikuar nga nenet 78/2 i K. Penal e 28/4 të K. Penal; “Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale” për të kryer vrasjen e shtetasit M. L. (inicialet janë të ndryshuara), vepër e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit Genis Mëhillaj, Erjon Mëhillaj, Julian Sinanaj dhe në bashkëpunim me shtetasin Marjon Mitro, vepra penale të parashikuar nga nenet 80 e 28/4 të K. Penal; “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 K. Penal; “Prodhimi dhe mbajtje pa leje në ambiente publike të armëve e municionit luftarak” që i ka blerë tek shtetasi Albin Mexha dhe i janë dorëzuar Julian Sinanajt, parashikuar nga neni 278/4 i K. Penal; “Sigurimi i kushteve dhe burimeve të tjera materiale për të kryer vrasjen” të shtetasit Pirro Bare, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me shtetasit Genis (alias Gentjan) Mëhillaj, Julian Sinanaj dhe në bashkëpunim me shtetasin Ilir Karçini, vepra penale te parashikuar si krim nga nenet 80 e 28/4 të K. Penal; “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, neni 333 “a” i K. Penal; si dhe “Kryerje e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, neni 28/4 e 334 K. Penal.

 

Akuzat për Marjon Mitron

Sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, 42-vjeçari Marjon Mitro akuzohet për 3 vepra penale. Konkretisht akuzohet për “Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale” për të kryer vrasjen e shtetasit M. L. (inicialet janë të ndryshuara), vepër e kryer në bashkëpunim me të pandehurit Julian Sinanaj, Genis (alias Gentjan) Mëhillaj, Andon (alias Erjon) Mëhillaj, Ndriçim Gjokona, vepër penale e parashikuar nga nenet 80 e 25 të K. Penal; “Vepra me qëllime terroriste” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim me Julian Sinanajn, që kanë synuar vrasjen e shtetasit Besnik Dervishi, ish-prefekt i Qarkut të Vlorës, neni 230-22 -25 germa “a” të K. Penal; si dhe “Prodhimi, mbajtja në ambiente publike dhe shitje të lëndëve plasëse” konkretisht të lëndës plasëse që është vendosur në automjetin e Besnik Dervishi neni 278/4.

 

Akuzat për Albin Mexhajn

Ndaj të pandehurit 29-vjeçar Albin Mexhaj rëndon vetëm një akuzë, ajo e “Trafikimit të armëve dhe municionit luftarak”, ku në tri raste u ka shitur armë dhe municion luftarak të pandehurve Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona, duke konsumuar kështu veprën penale të parashikuar nga neni 278/a 1 i K. Penal.

 

Akuzat ndaj Ilir Karçinit

Ndaj biznesmenit 45-vjeçar Ilir Karçini rëndon vetëm një akuzë, ajo e “Sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale” për kryerjen e vrasjes së shtetasit Pirro Bare, vepër kjo e kryer në bashkëpunim me të pandehurit Julian Sinanaj, Genis Mëhillaj dhe Ndriçim Gjokona parashikuar nga neni 80 e 25 i K. Penal.

 

Akuzat për Genis Mëhillajn

Prokuroria ka ngritur 5 akuza për të pandehurin Genis (alias Gentjan) Mëhillaj, 44 vjeç, konkretisht për “Vrasje me paramendim për interes” kundër shtetasit Sokol Veizi, vepër penale e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit Julian Sinanaj, Andon (alias Erjon) Mëhillaj, Ndriçim Gjokona, vepër penale e parashikuar nga nenet 78/2 i K. Penal e 28/4 të K. Penal; “Sigurim i Kushteve dhe i mjeteve materiale” për të kryer vrasjen e shtetasit M. L. (inicialet janë të ndryshuara), vepër e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit Julian Sinanaj, Andon Mëhillaj, Ndriçim Gjokona dhe në bashkëpunim me shtetasin Marjon Mitro, vepra penale të parashikuara nga nenet 80 e 28/4 të K. Penal; “Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale” për të kryer vrasjen e shtetasit Pirro Bare, vepër e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal me të pandehurit Julian Sinanaj, Ndriçim Gjokona dhe në bashkëpunim me shtetasin Ilir Karçini vepra penale të parashikuara nga nenet 80 e 28/4 të K. Penal; “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” neni 333 germa “a” i K. Penal; si dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, neni 28/4 dhe 334 i K. Penal.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency