Konstatimi/ Dhuna në familjet shqiptare, në përmasa të larta, 250 vendime në 11 muaj

0
144

 Alma Çuka

Gjykata e Tiranës në të gjitha rastet ka aplikuar masën e dënimit me burg. Në një numër fare të vogël, personave të akuzuar u është pezulluar masa e dënimit për një periudhë 18-mujore

 dhuneDhuna në familjet shqiptare duket se nuk është zmbrapsur nga ndryshimet e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, ku u sanksionua qartë rritja e marzhit të dënimit për të gjithë personat që kryejnë një vepër të tillë. Ky fakt konstatohet fare lehtë nga statistikat zyrtare të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më e madhja në vend. Dhoma penale dhe ajo civile e kësaj Gjykate, shqyrtojnë paralelisht dy kategori të veprës penale që lidhen ngushtë me dhunën në familje. Nga të dhënat që referon Gjykata e Tiranës, bëhet me dije se në 11 muaj, janë marrë në shqyrtim dhe gjykata ka dal me vendim për 250 persona akuzuar për veprën penale “dhunë në familje”. Në të gjitha rastet, vendimet kanë qenë me burg. Masa e dënimit për çdo person shkon deri në 2 vite burg. Ndërkohë rezulton një numër fare i vogël të dënuarish që kanë përfituar pezullimin e dënimit për një periudhë 18-mujore. Gjatë kësaj periudhe ata ndiqen nga Shërbimi i Provës.

 

Rastet

Çështjet me objekt dhunën në familje janë të shumta në Gjykatën e Tiranës. Tre ditë më parë u dënua shtetasi Ilir Deliu, i cili sipas vendimit përveçse kishte dhunuar bashkëshorten dhe terrorizuar fëmijët, kishte dëmtuar edhe objektet në banesë. Këtë person gjykata e dënoi për të dy veprat penale me 9 muaj burg dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar që në këto vepra pranohet pothuaj nga të gjithë të pandehurit, ai u dënua me 6 muaj burg. Veprën penale e kishte kryer në vazhdimësi, por bashkëshortja arriti ta denoncojë në gusht të këtij viti, kur pa se gjendja në vend që të përmirësohej, po vështirësohej më tepër. Të njëjtin veprim kreu edhe bashkëshortja e të pandehurit Maksim Zito, pasi u dhuna fizikisht dhe në trupin e saj u konstatuan dëmtime të karakterit me mjete të forta. I pandehuri u dënua me 9 muaj burg dhe pasi pranoi gjykimin e shkurtuar me 6 muaj burg. Vihet re se në të gjitha rastet kur bashkëshortët kallëzohen në polici nga bashkëshortet e tyre, tregohen të penduar. “Ndihem i penduar për gjithçka kam bërë. Nuk e di as vet se si ka ndodhur”. Kjo frazë është e shkruar pothuaj në të gjithë vendimet e gjykatës.

 

Urdhrat e mbrojtjes

Por jo të gjitha gratë e dhunuara arrijnë të çlirohen nga “prangat” e bashkëshortëve. Policia nga ana e saj raporton shifra që janë më të larta se sa ato që paraqiten në Gjykatë. Me qindra gra i telefonojnë Policisë së Shtetit për ndihmë, pas dhunës që bashkëshortët ushtrojnë ndaj tyre. Kërkojnë mbrojtje, por që në fakt mbetet vetëm kërkesë në fjalë. Policia e shtetit bënë me dije se ka referuar në Gjykatë një numër relativisht të lartë të grave të dhunuara dhe që kërkojnë urdhër mbrojtje. Kjo sipas policisë është një fazë shumë e rëndësishme, e cila duhet të mbaj dy bashkëshortët në distancë deri në zgjidhjen e martesës. Por jo në të gjitha rastet arrihet marrëveshja. Statistikat pranë Gjykatës së Tiranës, dhoma civile flasin për një numër të madh të grave që kërkojnë urdhrin e mbrojtjes. Në 11 muaj 839 gra i janë drejtuar Gjykatës për mbrojtje. Pasi janë marrë në shqyrtim një pjesë e mirë janë pushuar dhe vetëm një numër i vogël janë pranuar. Bëhet e ditur se vetëm  240 kërkesa të depozituara nga gratë e dhunuara janë pranuar, 536 janë pushuar dhe 32 janë rrëzuar. Burime nga Gjykata argumentojnë për “Standard” se shkaqet e pushimit të kësaj kategorie janë të shumta.

 

Arsyet

Fillimisht gratë e dhunuara fizikisht dhe psikologjikisht nga bashkëshortët për një periudhë të gjatë, i drejtohen policisë. Kjo e fundit i referon më pas çështjet në Gjykatë, kur kërkohet edhe lëshimi i një vendimi për mbrojtjen e gruas së dhunuar. Por kemi konstatuar që në shumicën e rasteve gratë të cilat më parë i ishin drejtuar policisë, tërhiqen në gjykatë. Sipas gjyqtarëve që shqyrtojnë këtë kategori padish, arsyet janë të ndryshme, por gratë e dhunuara në një numë ri vogël i bëjnë publike. Disa nuk paraqiten në Gjykatë edhe pse kanë dijeni për seancën gjyqësore. Disa të tjera duke qenë në presionin e bashkëshortit, tërhiqen dhe një pjesë pranon se është pajtuar dhe kanë arritur të zgjidhin mosmarrëveshjet. Por jo në pak raste ka ndodhur që dhuna në gratë që janë tërhequr për shkak të kërcënimeve që kanë marrë nga bashkëshortët është rikthyer. Ka dhe nga ato gra të cilët tërhiqen për hir të fëmijëve dhe të detyruara nga prindërit e tyre.

 

 Lezhë/ Tritol në banesën e një polici të burgjeve, vetëm dëme materiale

 Një punonjës i policisë së burgjeve është ndjerë i kërcënuar si pasojë e një sasi eksplozivi të vendosur në banesën e tij. Burime të policisë lokale bëjnë me dije se sasia e eksplozivit ishte vendosur në katin e katërt të një apartamenti në Lezhë. Ai ka shpërthyer por, por fatmirësisht pa të lënduar, vetëm dëme materiale. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit, ndërsa objekt i sulmit ka qenë Paulin Deda efektiv i burgut të Shën Kollit në Lezhë. Lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e poshtme të derës së shtëpisë dhe në momentin e shpërthimit 4 pjesëtarët e familjes Deda kanë qenë në gjumë. Efektivi i burgut të Shën Kollit Paulin Deda e lidh ngjarjen me detyrën e tij pasi edhe më parë ka pasur kërcënime, por që asnjëherë nuk i kishte marrë seriozisht. Ende nuk ka asnjë person të shoqëruar për ngjarjen. Ekspertet  nga Tirana do të përcaktojnë sasinë dhe llojin e tritolit që është vendosur

 

Korçë/ Mesazh kërcënues dhe tritol në garazhin e makinës

 Një mesazh tronditës dhe një sasi tritoli e gjetur në garazhin e familjes, ka shokuar familjen e një 29-vjeçari në fshatin Miras të Korçës. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë, bëjnë me dije se 29-vjeçari me iniciale N. H. ka njoftuar blutë pasi ka gjetur në garazhin e tij një kallëp tritoli me fitil e detonator, si dhe një zarf me mesazh kërcënues për të dhe familjen e tij. “Ne do të vrasim. Do të shuajmë familjen, ti je spiun i policisë”. Këto kanë qenë fjalët kërcënuese në adresë të të riut që kanë alarmuar familjen e tij dhe kanë çuar më këmbë policinë e Korçës. Grupi hetimor ka kryer të gjitha veprimet në vendin e ngjarjes, ndërsa eksplozivi dhe zarfi me mesazhin kërcënues është dërguar në laboratorin kriminalistik për të ju nënshtruar analizave. Sipas burimeve të policisë, paraprakisht mendohet se kjo ngjarje ka lidhje me prerjen e paligjshme të druve. 29-vjeçari rezulton transportues i lëndës drusore, ndërsa si autorë të kësaj ngjarje, dyshohen banorë të zonës të përfshirë në prerjen e paligjshme të druve. Policia po punon për zbulimin e autorëve.

 

 Gjirokastër/ Ndalohen 65 klandestin sirianë Antigone, kishin hyrë nga Greqia

Efektivët e policisë së Gjirokastrës kanë ndaluar në komunën e Antigonesë 65 klandestin sirianë. Burime zyrtare bëjnë të ditur se specialistët e Sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në policinë e Gjirokastrës, kanë marrë informacion se një grup klandestinësh po lëviznin në fshatin Arshilengo. Menjëherë është organizuar operacioni dhe janë ndaluar 65 klandestinët sirianë, mes tyre 5 gra dhe 2 fëmijë. Klandestinët kishin hyrë ilegalisht nëpërmjet kufirit jeshil me shtetin grek dhe kishin si destinacion Malin e Zi. Ndërkohë policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me Specialistët e Sektorit të Migracionit po punojnë për rikthimin e tyre në shtetin grek, pasi klandestinet dispononin leje qëndrimi në Greqi.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency