Problematikat e sektorit/ Adrian Çela, një “mission impossible” në krye të OSHEE-së?

0

Ervin Kaduku

Loading...

 Problematika e vështirë e një sektori të lënë në harresë nga shteti, në duar të një administratori të guximshëm…

Matesa-te-energjise-elektrike-256x191 Adrian Çela mund të konsiderohet pa ngurrim si zyrtari më kurajoz në administratën apo ndërmarrjet shtetërore shqiptare. Të pranosh drejtimin e kompanisë së shpërndarjes në nivelin aktual të borxheve, mospagesave, vjedhjeve dhe gjendjes teknike të infrastrukturës së linjave përcjellëse dhe nënstacioneve, madje kur Kryeministri “siluron” një nga njerëzit më të afërt të tij në Bashkinë e Tiranës, kur ai ishte kryetar, kjo do të nënkuptonte të merrje përsipër një “mission impossible”. Një mision, të ngjashëm me atë që ju kërkua në mitologji Herkulit nga mbreti Avgji, për të pastruar hauret ku mbante kafshët, që nuk ishin pastruar prej vitesh.

Qeveria duket se ka shumë pak resurse për të dhënë në favor të ndryshimit teknologjik të OSHEE-së, duke nisur nga ato financiare. Të cilat drejtuesit e kompanisë duhet t’i gjejnë vetë. Nga ana tjetër, është edhe marrëveshja e lidhur nga kjo qeveri me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që u lidh duart kompanive shqiptare të sektorit të energjetikës me pronar shtetin, e cila ndalon praktikën e deritanishme për subvencionimin, apo garantimin e mëtejshëm nga shteti të huave që këto kompani mund të sigurojnë nga bankat.

Është e vërtetë se Banka Botërore dha një fond prej 150 milionë dollarësh në favor të të gjithë sektorit energjetik shqiptare, por të mos harrojmë se janë jo kaq, por 150 milionë euro humbjet e gjithanshme të sektorit në një vit. Dhe mbi 1 miliard dollarë llogaritet gropa financiare e sektorit në gjenerim, transmetim dhe shpërndarje. Gjykata e Tiranës është përmbytur nga kërkesat për urdhra ekzekutimi kundër KESH-it apo OSHEE-së, për detyrime të prapambetura e të papaguara në vite.

Përvoja e deritanishme e Adrian Çelës, sidoqoftë, jep mundësinë që ta projektosh drejt segmentit “rozë” perspektivën e tij në krye të ndërmarrjes më të vështirë, financiarisht dhe teknikisht, në Shqipëri. Kjo, nisur nga mënyra se si ka administruar ai deri tani në sektorët që i janë ngarkuar.

 

Karburantet

Jo më kot, ai është përzgjedhur më parë për të drejtuar një tjetër sektor “kokëfortë”, si ai i kontrollit të karburanteve, detyra kryesore e Inspektoratit Qendror Teknik, drejtues i të cilit me detyrën e kryeinspektorit ka qenë Çela. Edhe këtu, ai ka qenë partizan dhe zbatues i masave drastike, që deri diku kanë sjellë qasjen e ndryshme të subjekteve që trajtojnë hidrokarbure me shumicë dhe pakicë në vend, çka është ndjerë edhe nga konsumatori.

“Nuk mund të vazhdojmë në këtë situatë, ku numri pikave të karburanteve në Shqipëri ka arritur në 1.400 të tilla, ndërsa vendet fqinjë, si Maqedonia, kanë vetëm 200 pika”, – u shpreh pak kohë më parë ish-kryeinspektori Çela, duke shtuar se do të vendosen standarde evropiane për hapjen dhe mbajtjen e pikave të karburanteve. Po të merret parasysh dendësia e popullsisë dhe kriteret teknike, numri pikave të karburanteve që i duhen vendit, sipas specialistëve, mund të ulet deri në 50 për qind. Ndërkaq, Inspektorati Qendror Teknik është i vendosur të zbatojë ligjin duke mos lejuar tregtimin e naftës dhe gazit jashtë standardeve, shtoi ai. Në fakt, është rritur shumë numri i subjekteve të penalizuara në gjithë territorin e vendit, me gjoba që shkojnë deri në 100 milionë lekë të vjetra. Kjo, për shkelje të ndryshme, duke filluar nga mungesë dokumentacioni, mosrespektim të standardit në përqindjen e squfurit, si dhe për mosrespektim të standardeve për pikën e flakërimit. Ndërsa me pikat e tregtimit të gazit të lëngshëm, problemet kryesore që janë goditur nga administrata e drejtuar prej tij lidheshin me mosplotësimin e kushteve teknike për ushtrimin e aktivitetit, duke u kthyer në vatra rreziku për jetën e njerëzve.

Një risi e Çelës: Ende pa u miratuar një ndryshim përkatës në ligj, Inspektorati Qendror Teknik ka bërë publike emrat e kompanive me shkelje. “Ne mendojmë se ky është sanksioni më i mirë. Pra, kur publiku e ndëshkon me braktisje një subjekt, pasi mëson abuzimet e tij me cilësinë dhe standardet”, u shpreh në një intervistë për median Adrian Çela. Ndërkohë, ai u përball edhe me një tjetër problem të trashëguar. Gjobat e vendosura nga Inspektorati nuk janë titull ekzekutiv, siç janë faturat e OSHEE-së. Ka pasur kompani debitore sepse nuk kanë paguar gjoba deri në 100 milionë lekë, por shifra bëhet më e madhe, po t’i shtojmë edhe gjobat e papaguara, që janë rreth 300 milionë lekë. Një pjesë e kompanive i kundërshtuan në gjykatë një pjesë të vendimeve, por IQT sërish mori masa drastike, duke bllokuar edhe aktivitetin, ndërsa një pjese të debitorëve nuk ju ofroi më shërbime.

 

Bashkia

Çela ka shërbyer edhe si numri 2 i administratës bashkiake në qytetin më të madh në Shqipëri pas Tiranës. Kjo, me vetëm 15 policë bashkiakë për të kontrolluar zbatimin e vendimeve të Këshillit Bashkiak. Ai ka qenë i ngarkuar pikërisht me sektorin më të vështirë, atë të mbledhjes së taksave vendore dhe kontrollin e shpenzimeve të tyre. Në fund të tetorit 2012, ai e ndjeu vështirësinë e një propozimi të Ministrisë së Financave që mbledhjen e taksës së biznesit të vogël ta bënte administrata tatimore qendrore, e më pas t’i kalohet buxhetit të njësive vendore respektive. Çela u shpreh në atë kohë se “propozimi është kthim prapa” në kohën kur taksën e biznesit të vogël e mblidhte vetë qeveria, përmes administratës së saj tatimore, por duhet të pranohet në kushtet kur nuk i ka të gjitha kompetencat që ka administrata tatimore”. Megjithatë, edhe ndryshimet e shpeshta të legjislacionit, Çela ka ditur t’i menaxhojë më së miri.

 

OSHEE

“Luftë me mullinjtë e erës”? Aspak. Me të marrë detyrën e re, administratori i përgjithshëm i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike pa hezitim ka nisur nga puna. Dhe rezultatet nuk mungojnë. Formula e re për pagesat e prapambetura, rrjedhojë e vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të OSHEE-së ka nisur të aplikohet në shkallë vendi. Zyrat e shërbimit ndaj konsumatorit do të rrinë të hapura edhe të shtunën, edhe të dielën, me dy turne deri në orën 22:00. Adrian Çela ka deklaruar publikisht se, si administrator i OSHEE-së, ka një objektiv të qartë: “Të çoj përpara performancën e kësaj kompanie, e cila është marrë në një gjendje që tashmë të gjithë e dimë. Kjo performancë nuk synon vetëm të rrisë të ardhurat e kompanisë, por të ulë shpenzimet e qeverisë në këtë sektor. Janë 150 milionë euro, të cilat shpërdorohen çdo vit përmes vjedhjes së energjisë. Ato para, fare mirë mund të shpenzohen për shkolla, kopshte, rrugë e shërbime të tjera sociale…” Administratori i OSHEE ka informuar gjithashtu se vetëm në tri ditë janë lidhur 4.131 aktmarrëveshje për pagimin me këste të detyrimeve. Në këto ditë, kanë përfituar edhe 1.122 familje të tjera, të cilave, pas pagesës së menjëhershme të detyrimit të tyre të prapambetur, u është zbritur me 80% detyrimi i kamatëvonesës.

Megjithatë, mbetet shumë punë për të bërë. Humbjet kanë arritur në nivelin e 37.8% nga 48% që ishin një vit më parë, ndërsa të ardhurat shtesë në arkën e OSHEE përllogariten në rreth 70 milionë dollarë. Por humbjet duhet të shkojnë nën 10% dhe vjedhjet duhet të shkojnë në zero. Ndërkohë, Çela duhet të zgjidhë edhe një problem tjetër madhor: Operatori ka një histori të gjatë abuzimesh me konsumatorët e rregullt. Janë të shumta rastet e mbifaturimeve që nuk kanë marrë përgjigje, apo dëmtimi i pajisjeve shtëpiake për shkak të luhatjeve të tensionit. Marrëdhënia mes konsumatorëve dhe operatorit të shpërndarjes duhet të funksionojë mbi bazat e etikës tregtare, ashtu siç edhe përshkruhet në kontratë. Për të gjithë këtë problematikë, akti i pranimit nga Adrian Çela i pozicionit më të vështirë aktualisht si drejtues i një kompanie në prag falimenti, është me të vërtetë kurajoz…

 

Loading...