Nafta/ Kompanitë tregtojnë karburante mes tyre,  çmimi ulet, por shkon drejt oligopolit

0
140

karburantNë tregun vendas, çmimi i naftës po bie lehtësisht, për shkak të një tregu që po shkon drejt monopolit. Kompanitë tregtojnë karburante mes tyre, dhe përcaktojnë çmime të përafërta, sipas hetimit paraprak të Autoritetit të Konkurrencës.

Çmimi i karburantit ne pikat e shitjes ka vijuar rënien e lehte edhe ditët e fundit, duke u tregtuar në pikat e karburantit me 172, deri në 169 lekë për litër.

Me uljet që shënuar javët e fundit, çmimi në vend ka zbritur 8% krahasuar me fillimin me vitit ndërsa në tregun evropian rënia është mbi dy herë më e madhe, pra 15%.

Këto çmime ende të ngurta, vijnë për shkak të një tregu gati monopol, ku vetëm tre kompani importojnë realisht, dhe të gjitha të tjerat furnizohen prej tyre, duke përcaktuar pothuajse të njëjtin çmim shitje në pikat e karburantit. Këtë e vë në dukje Autoriteti i konkurrencës, në një hetim paraprak të kryer për katër vite rresht në tregun e karburantit. Autoriteti vëren se kompanitë e importit dhe tregtimit, ruajnë lidhje periodike mes tyre, përmes shitblerjes brenda vendit. Ato kanë varësi mes tyre pasi në periudha të ndryshme kthehen në blerës dhe shitës me shumicë për njëra-tjetrën.

Ndërmarrjet që zotërojnë tregun me shumicë aplikojnë çmime të njëjta ose me diference shumë të vogël mes tyre, sipas Autoritetit.

Që tregu po shkon drejt monopolit vërehet edhe nga të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme te Tatimeve, ku rezulton se vitin e kaluar, tri kompanitë kryesore zotëronin rreth 85% të tregut të karburanteve.

E gjithë kjo situatë pengon uljen reale të çmimit, i intereson edhe arkës së shtetit. Sa më i lartë çmimi, aq më të larta të ardhurat nga totali i taksave mbi karburantin.

 

 Transaksione jashtë vendit, detyrim deklarimi për mbi 30 mijë euro/vit

Të gjitha bizneset që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri dhe janë degë të kompanive të huaja do të duhet të deklarojnë në tatime çdo transaksion mbi 50 milionë lekë në vit, si detyrim që lind nga ligji për transferimin e çmimit, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve..

“Nëse subjekti ka realizuar transaksion shitje apo blerje (pa kompensimin e shitjeve me blerjet) me palët e lidhura, shuma, e të cilave e kalon kufirin e 50 milionë lekëve në vit detyrohet të plotësojë dhe dorëzojë formularin në drejtorinë rajonale tatimore ku është i regjistruar. Ky deklarim bëhet deri me 31 mars për vitin e shkuar, së bashku më pasqyrat financiare dhe bilancin e shoqërisë”, – thuhet në njoftimin zyrtar.

Tatimet kërkojnë që plotësimi i transaksioneve me palët e lidhura duhet të jetë i saktë për secilën kategori transaksioni.

Transferimi i çmimit është në thelb është tërësia e transaksioneve, që realizojnë kompanitë në vendin tonë me kompanitë mëma që kryhen përgjithësisht nga shoqëritë multinacionale me vendndodhje të veprimtarive të biznesit në shtete të ndryshme, në formën e një filiali degë apo selie të përhershme.

Transferimet e çmimit që ndërmerren nga kompanitë multinacionale kanë si qëllim transferimin e fitimeve nga një vend në një tjetër. Kjo ka bërë që të gjitha shtetet, si ato të zhvilluara dhe vendet kandidate për t’u anëtarësuar në BE dhe tjera jashtë këtij organizmi, ta shohin më shumë vëmendje trajtimin nga ana fiskale e këtyre transaksioneve, duke përshtatur në mënyrë të vazhdueshme legjislacionin në këtë fushë. Shqipëria sapo e ka miratuar ligjin për transferimin e çmimit, i cili ka hyrë në fuqi vetëm pak kohë më parë.

 

 Katërfishohet eksporti i verës

 Pavarësisht nga mungesa e mbështetjes nga ana e qeverisë, industria e verës ia ka dalë mbanë që të rrisë ndjeshëm eksportin në vendet kryesisht evropiane, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shifrat zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë për 9-mujorin e parë të vitit tregojnë një rritje të ndjeshme të eksportit të verës, nga 85 hektolitër që ka qenë gjatë vitit 2013, në 395 hektolitër, duke u katërfishuar.

Eksporti i këtij produkti për 2014 ka arritur në vlerën e 6.3 milion lekëve. Vera është një ndër produktet agroindustriale që ka pasur performancën më të mirë për 9 muajt e parë të vitit, çka tregon që fermerët kanë zgjeruar hapësirat e mbjella dhe i kanë kushtuar rëndësi prodhimit të rrushit me cilësi të lartë.

Është theksuar shpesh edhe nga vetë prodhuesit se për të hyrë në tregjet e huaja duhet një kualitet i lartë prodhimi dhe duket se ky kriter është përmbushur me sukses. Prodhuesit kanë ngritur si shqetësim se në vendin tonë ka mungesë tregu për shitjen e verës dhe shpesh qytetarët shqiptarë janë paragjykues mbi prodhimet “Made in Albania”, edhe pse kushtojnë shumë më lirë se ato të importuara.

Nga ana tjetër, duket se të huajt po e preferojnë gjithnjë e më shumë këtë produkt shqiptar. Por duket se edhe importi ka vijuar të rritet çka tregon se qytetarët shqiptarë e konsumojnë gjerësisht verën e importuar. Vihet re se për 9-mujorin, janë importuar rreth 17 hektolitra verë nga 15.8 hektolitra që janë importuar në vitin 2013.

Për të mbështetur këtë industri, në paketë fiskale për bujqësinë, është parashikuar rishikim i akcizës së verës dhe rimbursim për industrinë vendase, ndërsa vetë prodhuesit kanë kërkuar heqjen e kësaj takse.

 

Evropianët, më optimistë për ekonominë

 Besimi në Eurozonë u përmirësua gjatë dhjetorit, pasi investitorët janë më shumë optimistë për të ardhmen, për shkak të pritshmërive se Banka Qendrore Evropiane do të fillojë blerjen e aseteve të vendeve anëtare vitin e ardhshëm.

Indeksi i grupi i kërkimeve të tregut, Sentix, që mat moralin e investitorëve në Eurozonë, u rrit në -2.5 në dhjetor nga -11.9 që ishte në nëntor. Analistët parashikonin një përmirësim të lehtë, deri në -10.5 pikë. Rritjen më të madhe e regjistroi nën-indeksi që mat pritshmëritë e investitorëve, që rezultoi në 12 pikë nga -2 që ishte në nëntor.

Kjo ishte rritja e tretë më e madhe mujore në historinë 12-vjeçare të këtij indeksi. Vëzhgimi i Sentix sugjeron se perceptimi i investitorëve për gjendjen e ekonomisë u përmirësua gjatë Dhjetorit, por po qëndron në territor negativ.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency