Me ujqër e shpendkeq maje mali

0
155

Gani MEHMETAJ

vincent van gogh the good samaritan Ulërima e lukunisë së ujqërve dëgjohet në majë të malit: e zvargur, e frikshme dhe vajtuese. Era e bartë valë-valë. Nata është me bardhësi polare të argjendtë si e porositur për lugetër. Hëna e plotë rri pezull mbi varret austro-hungareze dhe mbi telat me gjemba. Duket si të mos lëvizte fare.

Ushtari Ilir

Zot, sa më trishton kjo ulërimë. Bishat presin sa të lodhemi, të na zërë gjumi apo të shtangemi nga të ftohtit. Do të na shqyejnë një nga një. Të bëj natën në mes lukunisë së ujqërve, çfarë budallai. Kisha mundësi të ikja nëpër bjeshkë para se të më merrnin ushtar. Por s’ma mbante. Doja të isha luajal, të merrja pasaportën sipas rregullave. Dhe më zunë si miun në çark. Nuk e thonë kot: trimi vdes një herë, frikacaku shumë herë. Unë po vdes çdo çast (Dëgjohet fëshfërima e dikujt që vjen me kujdes.) Ndal! Kush është? (pëshpërit ).

Ushtari Ishtvan

Jam unë, ushtari Ishtvan.

Ushtari Ilir

Ule kokën se ta heqin me snajper sa çel e mbyll sytë.

Ushtari Ishtvan

( ul kokën edhe më, duke u afruar ) Nuk do të më kenë gjatë në këtë vend të mallkuar, të ushtrojnë qitjen në mua.

Ushtari Ilir

Pse çfarë do të bësh?

Ushtari Ishtvan

Do t’ia mbath në këtë çast. Erdha të ta tregoj një dhiare malore nga mund të shkosh, kur të mbushet mendja. Por mos shko në grup!

Ushtari Ilir

Mos u nis tash! Është punë me rrezik, prit sa të zbardhë dita!

Ushtari Ishtvan

Nuk i dihet çka zbardh dita. Nata mbulon shumë gjëra të tjera më të mëdha sesa trupin tim, prandaj më mirë është të nisem tash dhe mëngjesi të më gjej në ndonjë vendbanim e jo në mes bishash e qitësish.

Ushtari Ilir    

Mbase ke të drejtë, por unë mendoj se nata këtu na mbulon, kurse dita na nxjerr lakuriq. Fundja, do të dorëzohemi si të ndihet gjallë dikush nga Mbrojtja Territoriale.

Ushtari Ishtvan

Apo lugetërve, sepse këtu për fantazma e tmerre flitet.

Ushtari Ilir

Kanë frikë e janë të tensionuar. U faniten hijet.

Ushtari Ishtvan

Kujdes, të gjithë janë në delirium nga lajmet që dëgjojnë në radiot e tyre të vogla.

Ushtari Ilir

Dhe kjo gjë po bëhet me rrezik.

Ushtari Ishtvan

 Ik sa s’është bërë vonë! Largohu nga ky vend i mallkuar! Është një rrugë malore, këtu sipër (bën me dorë lart) nëpër të cilën shkoja tinëz rojave në shitoren e katundit, për të blerë mish të terur derri e raki. Nuk e di askush. Mbathja menjëherë si të largohem unë, po nuk më gjuajtën me snajper. Por mos kalo nga vendrojat, sepse janë çmendur dhe të bëjnë sallatë. Më bëj rojë derisa të kaloj hendekun.

Ushtari Ilir

(shikon rrotull) Rrugë të mbarë! (Ushtari Ishtvan shkon rrëshqanë derisa e përpinë lisat, kurse ushtari Ilir mbulohet me pelerinën e vet, gjysmë i shtrirë në hendek. Ia beh ushtari Senad.)

Ushtari Senad

Kush ishte ai që u zhduk në mal?

Ushtari Ilir

Ushtari Ishtvan, ia mbathi.

Ushtari Senad

 I lumi ai! Shpëtoi. Me neve çdo të bëhet? Pse s’ikim?

Ushtari Ilir

Është mirë të presim edhe ca e të dorëzohemi si të zbardhë. Natës ia kam frikën.

Ushtari Senad

Më beso, do të çmendem. Zëri i Lejles më ndjek nëpër tërë malin. Më thërret, e njoh mirë zërin e saj. Ndihmomë! më thotë.

Ushtari Ilir

Rri urtë se s’ka asnjë femër në horizont, as zë femre s’dëgjohet, të bëjnë veshët. Ujqër e shpendkeq sillen vërdallë.

Ushtar Senadi

Ia njoh pejzat e zërit, e ndiej që është e shqetësuar, kërkon ndihmë. Ajo kërkon mbrojtjen time. Diçka e kërcënon. E di si më thotë? ”Senad, ejaaa!” dhe më bëhet sikur i ka shtrirë duart e brishta drejt meje.

Ushtari Ilir

Dëgjo, ushtar Senad, të paktën ti mblidhe mendjen, bëhu i arsyeshëm. S’ka asnjë zë dhe asnjë thirrje nga mali. Është mashtrim i mendjes, e ke nga lodhja e tensioni, edhe nga uria. Janë mirazhe.

Ushtari Senad

(fillon të marrë zjarr) Mendjen e kam në rregull. Mos u brengos ti për kokën time. E di se Lejla është në hall, e ndiej këtë. Ata do të bëjnë kërdinë. Ata janë kafshë.

Ushtari Ilir

 Me dëgjo mua të paktën një herë!

Ushtar Senad

Nuk e kuptoj sesi nuk i dëgjon zërat, shumë zëra përzihen njëri me tjetrin si zërat e radiostacioneve, kur i ndërhynë në valë tjetrës. Dëgjohen klithma, ka edhe të shtëna pushke, por zërin e Lejles e dëgjoj qartë, madje e dëgjoj edhe kur ma thotë emrin. Ajo më grish, ndërsa unë rri e shoh yjet në qiellin mbi varret austro-hungareze, që i ruaj thuajse s’kam punë më të mençme në botë. Ruaj këtë depo të mallkuar në vendin e mallkuar për ushtrinë e mallkuar që na e hëngri shpirtin. Do të na e hajë kokën të gjithëve kjo luftë e ky vend.

Ushtari Ilir

(i frikësuar me fanitjet e Senadit) S ’ka sesi të dëgjosh zëra që udhëtojnë me qindra kilometra. E di ti sa është larg Bosnja, nga këtu?

Ushtari Senad

Ka, ka mundësi, engjëjt udhëtojnë me mijëra kilometra dhe ta përcjellin zërin që ti e do. Por ti s’ke veshë të dëgjosh dhe as sy të shikosh. Asnjë nga ju nuk shihni çfarë po ndodh dhe çka na pret. Na ka futur djalli në gojë dhe do të na përtypë me siklet. Do të na përpijë të gjithëve.

Ushtari Ilir

Mblidh mendjen, bëhu i arsyeshëm! Hiqu djajve e fanitjeve!

Ushtari Senad

 Kur mblidhet shumë gjak i keq s’ka më arsye. Hataja do të bëhet, dëgjomë mua! Lumenj gjaku do të rrjedhin.

Ushtari Ilir

Zor ta pengojmë unë e ti këtë shpërthim të së keqes, prandaj mblidh mend, mos i dil në rrugë së keqes. Shpëto, po munde!

Ushtari Senad

(me sy të çakërritur i kthehet Ilirit) Medet ç’na gjeti! Ata po sulen! Ndal, ku shkoni?

Ushtari Ilir

 Janë hijet e malit, era i lëviz duke i përzier me dritën e hënës, mos u bëj i marrë.

(Në pamjen irreale dëgjohet jehona e largët e zërit femëror: Senad, ejaaa! Senad, mos më lër vetëm.)

Ushtari Senad

(me zë triumfues) E dëgjon zërin e Lejles?

Ushtari Ilir

Është jehona e malit, s’ka asnjë zë vajze.

Ushtari Senad

Ti s’ke veshë, ti je i shurdhër! (i drejtohet malit) Pritëm se erdha, Lejlaaaa!

Oshtima e zërit të tij e përshkon malin, duke vazhduar valë-valë tutje luginës.

Derisa Iliri përpiqet ta ndalojë, duke e kapur për këmbësh, Senadi tashmë është ngritur me rrëmbim, i hakërrohet dhe e përplas me forcë në tokë me shqelma. Para se të niset me vrap drejt pyllit, bajonetën e ka hapur për sulm.

*Fragment nga “Nata e fantazmave”, triptik me një monodramë, që këto ditë do të dalë nga shtypi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency