Standard.al

Kur mbetesha vetëm me ty

eduard hopper room in new york“E di se punimet e këtij libri kanë mjaft errësi e që vazhdojnë të jenë të tilla edhe pas leximit të vëmendshëm…” Midis subkoshiencës dhe horizontit të hapur prej dritës së mendimit poetik, Zef Zorba na ka lënë të vetmin vëllim poetik, “Buzë të ngrira në gaz”, të shkruar në fshehtësi në diktaturë dhe pa botimin dhe ribotimin pas saj

 

Zef Zorba

         Në vend të hyrjes

I errët ky shteg. Nuk mundem

rrugën me gjetë pa dritën

tande. (Çka më sëmbon?)

 

Në cep të greminës,

që joshë e ngujon,

a nuk e sheh si po lëkundem

 

         Kujtime

Kot ëndërrime na duken.

Zemra u beson

shpirtnave

që natën gufojnë

prej gurësh

të Rmajit

 

netësh si kjo.

 

         Kashta e kumbarës dikur

Mu në palcë

Pikëllimi i kujtimeve tuaja

O rrugët e errëta.

 

Mbi avulli të blera përgjatë

Kashta e Kumbarës dikur

Si tandë pezullohej e lehtë,

Dekor për kremtime entusiaste;

 

Kur njohja kish nisur posa me lindë

e mitet kishim pranë,

të qartë

 

e qielli desh kapej me dorë.

 

Kur mbetesha vetëm me ty

               (Dimër, 1946)

Kur mbetesha vetem me ty,

o zemra ime,

netësh të mbarsura me stuhi,

mërgime kujtesash në atë dhomën e gjatë

pa dritë

 

Anë-mbanë ndërtesa golle se ç’kumbonte

sajimesh

që një mbas një

ndeheshin palë e palë

mbi mua, kapitur gjumi në shpinë

 

me më ba dëshirash një trupore pjalmi

mortore

 

        Eja me ne

Derën teksa e çele,

por drita brenda nuk hyri.

Në pikëllimin e dhomës së murme

gazi yt mërgohet i plogët;

të zverdhet fytyra kujtimesh

si ditë e trishtë nëntori.

(Ah, ata sy të vakët

ku ndehen tash agime t’mekura!)

 

Derën teksa e çele,

por terri jashtë nuk doli.

Me vozitje të ngathët

mendimet shakull po të struken

ndër varret larg, pirgje shtrigane,

që zemrën ta kanë zatetë

e nuk të lane

 

me pa me sy,

gojën m’e çelë në këngë.

 

Ti s’don të jetosh me ne.

A sheh si pika e zhegut

dëshirat na i përcëllon?

Si thahemi dushk për një pikë dashuri

kur diku tutje nise e flakëron

vetëtima vetmitare?

(Sa kem kaluar kësi shtigjesh!)

 

Ngeshem nuk bën me vdekë.

E di? Dimrash që shkuan

sa mbetën rrugësh prej nesh:

i kaltërti thëllim

ua ngrinte buzën në gaz.

Ti qan. Të vika era mort:

ai që ti doje të la qyqare.

 

Eja, eja me ne.

Brejmë hekur ne me dhëmbë,

kërkojme,

pëlcasim,

– lajnë faqet tona lot e gjak ?

ani, kërkojmë.

 

Dhe e dijmë: ku shuhet melankolia

e heshtet mjerimi,

atje zë fill jeta vigane,

jeta pa kob,

flakë, ëndërrtare,

me dëshirë paqe të thepisur,

dëshirë e vrazhdët për dreq.

 

Gjëmon hare prej gjoksesh tona

mbuluar me plagë.

 

            Përtej…

Kjo botë (ruajna Zot) e rrëshqitura!

Mbi ledhë të fildishta

rreth dielli thik,

e na lëbyren të ngulitur

përtej…

e mbesim shtang.

 

             Hej, zemërplasura!

Shuhet me rrahje të rralla, të mekura

kënga kujtuese e kombonëve e

mbyllet me gaz qesti të vajzave

mbetë zemërplasura

 

Sepse nuk ka kuptim me vdekë

qind herë në ditë

 

           Lule-crrule

Mbi trotuar

trokasin

porsi tak-tuke

takat e tua të larta

kur kthehesh ti – elegante –

prej takimit.

Një sy-bojqielle

– ndër duar një tavë me speca –

shtangon e mpirë

e të han me sy.

Unë prej tavernës ju vërej

e rakia s’ma shuan mëllenn

që frymën në fyt ma zen

vajzukja:

një lule me crrule

e ti:

një crrule me lule.

 

        Raki e lirika

         – Baladë –

 O ndoshta angushtia, o veç nevoja

për hapësi më të madhe se dhomat,

të Djelash mbasdite na shpie në rrugë…

…e rruga qenkesh plym me njerëz që enden

poshtë e përpjetë, e njëri tjetrin shohin

shtrembër, pa fek ndër sy (sikur këqyren

statujat prej porcelani me kukullat

n’vitrinat e Mapos, në prak të Vitit tëRi)

 

Por ne vrojtimin tresim lart

ku rrezet e perëndimit përhudhen

akrobatike çati më çati;

rreze ato, të vetmet që ne kapim

pa cingërime t’ashpëra – frekuencat

 

tona mbi artin, estetikën, fjalën

e zorshme. E bota edhe mund të qeshet

për ne, kur shetitorja ka kaq femra

të bukura, me veshje prej najloni,

ku ijet valë-e-valë e ritmikisht

i përkundin; kur shihen asi burrash

të rëndë e me kostume gri të hapët

që të përshëndesin me ulje qepallash

(por që ka vlerë sa një shpërblim vjetor!)

Fytyra të përditshme… O ndonjë

turist që hulumton për ekzotikë

Arrën e Madhe, Tepen, Bezistanin

o skelën e liqenit me pulbardhat,

e që me një teleobjektiv njëqind

centimetrash, prej kulmit të Turizmit,

jep e merr të fotografojë së largu

Shpellën e Korbit në Cukal, o majën

e Veleçikut.

 

“Eh,po…”-ia bëre ti

e më nuk fole, pse për tjera fjalë

nuk paskërka nevojë as ironia.

 

Por s’u durova unë: “E pse nuk dalim

prej këtij vorbulli? Në qoshen e terraces

së Kafes, te parmaku, qenka bosh

një tavolinë.”- Dakord – ma miratove

ti… dhe ndenjëm.

 

Dikur erdh kamerierja

me gryksen blu, ku hëna dhe neoni

sajonin farfuritje të argjendta;

por pa gaz në buzë (e madje kujtova

mos, automat, ekspresi po na qasej;

a më kupton? Ekspresi vezëllues

që t’i lbyrë sytë, e mbrapa çfryn e qan.)

 

Nejse… Mbi tavolinën brune tonë

vendosi katër gota me raki…

Ti je i përmbajtur, unë aspak: bërtita:

“Duam dy raki, jo katër! dy raki…

e dy lirika…! – “Çfarë?!…” – shkrepi rrufe

e ra mes sheshit sa një obelisk,

pika çuditëse e saj… E trimijë

zemra shtanguan në vend, e dyfish sy

terrin zhbiruan përmbi çatitë, kush pati

dorën në xhep, te goja shpejt e çoi

një britmë për me ndalue. Më në fund,

me zë si gramafon, përsipër grykses

laraska çakarriti: “S’kemi.”

“Desha

me grusht t’i bija tavolinës (gotat

me pije do t’i kish përflakur në erë

siprina prej plastmasi) por ma ndale

doren ti, e mirë e bëre: “Nuk prish pune-

i the e sorra shkoi. Pastaj buzëqeshur

më fole si nën zë: “Mbase lirikat

janë brenda në raki…” Unë zura kryet

me grushta: si të mos kish ndodhur gjë

vozitja xixëlluese stërkeqej

(dhe e quejtkan “gjallëri”) e po harbonte

sërishmi nëpër bulevard, njësoj

me ankth, me po atë ëndërr që s’ia thonë

as vetes: frikë e mërtisur me qeshje

stereotipe manikinash parafine,

me xhupa blu, me organtina,

si ficka verdh… e sy pa kokërdhokë…

(Sikur asi Shtatori, kur karvanet

tona të mjerësh, përmes tyre i zvarritnin

e ata bënin kinse s’po na shihnin.

Pak kush na ndoqi – ndoshta s’u kuptuam

por sidoqoftë, u ftohëm që ngahera…)

 

Ti more një raki në dorë e unë

një tjetër. Në dy gotat mbi tavolinë

notonte nga një yll i bardhë, e dridhej,

e vezullonte….

 

Nuk e çuam rakinë,

por ulëm gotat: yjet u bënë katër.

“Ah, – thirra i shpërbërë – ah, si nuk vjen

sërish kamarierja, të na sillte

dhe njëqind gota tjera me raki.

ta mbushnim tavolinën plot me yje!…”

Ti prap ma miratove, por: “Ç’t’i bëjsh…”

the, dhe e përcolle fialën me nënqeshje.

Mbetem si dy qyqarë…

 

E kush e di

gjer kur kryevarë do të kishim ngelë

të mos na qasej papritur ai çifti

i huaj, i atyre që fotografonin

majat. Na erdhën pranë e po na lutnin:

“Can ëe join you in your table?”

 

Dhe u ulën

në dy karriget bosh. “Amerikanë?”-

ti ju drejtove.” No, nein, non, njet, no…”

shpejt u përgjigjën.

 

Ishte ajo si plazem.

Në flokët e lëshuar, si penda e korbit,

notonin marramendas blutë e Jonit,

e u vinte era mollë e manaferrë…

Faqet me duar mërtiste, por shkëlqenin

porsi fildish pas gishtash; e dy sytë

– dy buçila që shkëlqejnë mes borës, dy

ekrane stereoskopike ku shfaqen

me ankime saksofoni e tokë e qiell. –

“Shiko – më the – se ku i paska gjetur

lulet e jargavanit, edhe pse

tash në Korrik s’ka lule jargavani;

si në frymëmarrje i ndihet qartë dihatja

e ndeshjes në stadium, o një përqethje

vajzash që zgjat veç një të qindtë sekondi.”

 

Kish bluzën bojë orizi e gjithandej

me guaska, verdh e blu e manushaqe.

 

 

Ai vinte i hollë e i gjatë, madje më i gjatë

se çdo shejtnor i El Grecos. Pa ndërprerje

thithte llullën e tymi ia mbështillte

kokën për rreth, si brenda një aureole

të bërë me pluhur “spray” varaku t’imtë

që sytë ia mbushnin me shkëndija, e fjalën

ia tingëllonte si në ani kozmike,

qofshin për lutje, o për një gjemb mersine,

e për pajtim të foshnjës kur kjason,

o kur për valën flet që rërën lmon

me ëmbëlsi.

(Fragment)

 

 

 

Comments are closed.