Standard.al

Keltët pushtues! Gjurmë gjaku te shqiptarët sot

Keltët pushtuesFragment nga “Shqipëria e epërme” në përkthimin e Piro Mishës, botimet IDK, një rrëfim magjepsës, tronditës, pse jo dhe dramatik, që sjell të gjallë një botë sa epike e heroike, aq dhe të prapambetur, primitive e të pamëshirshme, ku asgjë s’është ashtu siç duket e, ç’është kryesorja, shpesh mjaft të ndryshme nga shëmbëllimet romantike që kemi për historinë. “Periudha ilire (që nga rreth vitit 700 p. k. deri në 230 p. k.) – Në viset që tashmë njihen si Mali i Zi, Shqipëria e Epërme, Hercegovina dhe Bosnja dihet se banonte një popull i rreptë fisnor që njihej me emrin ilirët. Rreth vitit 300 p. e. r ata u pushtuan nga keltët, të cilët ka mundësi të kenë lënë gjurmë të thella tek njerëzit e sotëm, duke e ua përzierë gjakun me atë kelt”

 

Edith Durham

Lumi i madh i jetës s’rrjedh njëlloj për të gjithë. Vende-vende ai zvarritet i mefshtë nëpër ca rrafshina të mërzitshme, të mbushura me monumente të një të shkuare të mugullt të cilët ngrihen brigjeve, aty ku ai s’ka forcë t’i përmbysë. Në të tjera vende, ai vërshon rrëmbyeshëm, duke latuar shtretër të rinj, teksa fshin të vjetrit. Ose shpërthen nëpër moçalishtet e krijuara përtej rrjedhës së tij dhe derdhet tej, i mbushur plot rrëzalla dhe hedhurina nga të gjitha kohët.

Moçalishte të tilla të jetës njerëzore gjen në shumë qoshe të Evropës, por sidomos në Lindjen e Afërt. Për njerëzit që banojnë në këto vise koha thuajse s’ka lëvizur. Kur vjen mes tyre, udhëtari nga Perëndimi ndjen brenda vetes një si drojë, sepse i mbushur plot kujtime të vagullta nga agimi i racës së vet, i thotë vetes: “Kështu thua të sillesha dhe unë mijëra vjet të shkuara; kështu i zija dhe unë pritë armikut; kështu vallë të kem menduar e të jem sjellë dhe unë në agim të Kohës!”

Shqipëria e Epërme përbën pikërisht një nga këto qoshe. Them Shqipëria e Epërme, sepse për nga kushtet që ekzistojnë aty, ajo ndryshon shumë nga Shqipëria e Jugut, ndërsa në fakt ky libër merret vetëm me pjesët me të egra të Shqipërisë së Epërme.

Sado e habitshme që mund të duket, historia e Shqipërisë, një rrëfenjë e komplikuar me mjaft interes, mbetet ende për t’u shkruar. Tashmë dihet mirë se cilat janë pretendimet e grekëve, bullgarëve dhe serbëve në gadishullin ballkanik, njëlloj si ajo që dëshiron Austria, Rusia dhe Italia. Por gjithnjë ka qenë e modës që të drejtat dhe pretendimet e banorëve më të vjetër të këtyre viseve, shqiptarëve, të shpërfillen, ndaj dhe çdo plan i deri më sotëm për të reformuar dhe rindërtuar Lindjen e Afërt ka dështuar.

“Kostandinopoja, – të thotë shqiptari, “është çelësi i Lindjes së Afërt, dhe Shqipëria është çelësi i Kostandinopojës.”

Historia e çdo populli është një epikë e madhe, që për ta shkruar kërkon një punë që shkon përtej mundësive të mia. Skica e shkurtër e mëposhtme tregon vetëm kalimthi peripecitë që kanë ndikuar në fatin e popullsisë së Shqipërisë së Veriut, por megjithatë, s’ia kanë dalë të nënshtrojnë individualitetin e saj kokëfortë.

Periudha ilire (që nga rreth vitit 700 p. k. deri në 230 p. k.) – Në viset që tashmë njihen si Mali i Zi, Shqipëria e Epërme, Hercegovina dhe Bosnja dihet se banonte një popull i rreptë fisnor që njihej me emrin ilirët. Rreth vitit 300 p. e. r ata u pushtuan nga keltët, të cilët ka mundësi të kenë lënë gjurmë të thella tek njerëzit e sotëm, duke e ua përzierë gjakun me atë kelt.

Periudha romake – Luftëtarë të rreptë dhe piratë të regjur, ilirët bënë që mbi ta të sulej (në vitin 230 p. e. r) një ekspeditë ndëshkuese romake dhe pas një lufte të gjatë, më në fund Iliria u kthye në një provincë të Romës. Genti, i fundmi mbret i ilirëve, u mund dhe u zu rob në Shkodër në vitin 169 p. e. r. Vendi duhet të ketë pasur një popullsi të dendur, sepse romakëve iu desh shumë kohë për ta pushtuar. Anë e mbanë Bosnjës dhe Hercegovinës gjenden me mijëra varre parahistorikë nëpër ca varreza të mëdha – të ngjashme me to janë gjetur në Serbi, në Mal të Zi, si dhe në Shqipërinë e Epërme. Në to kanë gjetur shumë sende bronzi dhe hekuri që paraqesin mjaft interes, sepse zbukurimet e gjendura në to vazhdojnë të përdoren, ose janë përdorur deri tash vonë nga fshatarët e Bosnjës, të Serbisë, Shqipërisë, madje dhe të Bullgarisë

(Fragment nga kapitulli i parë “Shqipëria e Epërme”)

 

 

Comments are closed.