Flasin ish-dhjetoristët: Të rinjtë të guxojnë

0
146

Ish-studentët e Dhjetorit dhe të rinjtë ndanë mendimet për situatën aktuale

lulzim basha fotoTë pranishëm në forumin në Qytetin Studenti ishin dhe ish-studentë, që në vitin 1990 ishin pjesë e Lëvizjes së Dhjetorit. Në forum atë përcollën mesazhet e tyre, kryesisht për të rinjtë. Ata u bënë thirrje studentëve të pranishëm në sallë, por edhe jashtë sallës, të jenë më aktivë dhe të guxojnë e të protestojnë për të drejtat e tyre sa herë që u cenohen.

 

Ish-dhjetoristët

Ish-dhejtorist, Arben Imami u shpreh se shoqëria shqiptare i rikthehet atij viti për arsye se Lëvizja e Dhjetorit ka qenë si akt i themelimit të Shqipërisë moderne. “Çdo popull në momentet më të vështira historike, por jo vetëm në ato momente, në të gjithë jetën e tij, thelbin e jetës së tij, të jetës politike të përbashkët, i drejtohet aktit të themelimit. Siç i drejtoheshin romakët themelimit të Romës, siç i drejtoheshin athinasit themelimit të Athinës, ashtu i drejtohen themelimit të tyre amerikanët me Kushtetutën e tyre. Duhet të vijmë të gjithë këtu si një vend i bekuar për të kuptuar se cilat janë themelet tona”, – deklaroi Imami. Demokrati Eduard Selami, një nga themeluesit e Partisë Demokratike, kujtoi disa momente të asaj kohe. “Frika ishte e madhe, – tha Selami, – por shpresa për një të ardhme më të mirë për vendin ishte ajo që mbyste ndjesitë e frikës. Dhe ata që vranë frikën në fillim ishin studentët. Dhe nëse ka një nga meritat e shumta dhe ka shumë dëshmitarë këtu në sallë që Azem Hajdari ka, ishte vërtet ai që e vrau frikën dhe çante i pari. Unë mendoj se mënyra më e mirë për të vrarë frikën është ta zëvendësosh atë me shpresën dhe kjo u bë. Dhe frika u la tej dhe pas saj ishte shpresa për një Shqipëri më të mirë, shpresa për një Shqipëri më të lirë, shpresa për një Shqipëri si gjithë Evropa”, – tha Selami, i cili u bëri thirrje të rinjve të jenë aktivë, pasi nuk do të kishte shërbim më të madh për Lëvizjen e Dhjetorit, sesa rinia e sotme të jetë aktive. Bislim Ahmetaj dha po ashtu komentin e tij lidhur me të kaluarën e vitit `90, të tashmes dhe së ardhmes. Ai kërkoi më shumë angazhim nga shoqëria që të mos përmendet emiri i diktatorit Enver Hoxha. “Në këtë përvjetor të 24-t, më shumë se kurrë më parë, është përmendur emri i diktatorit dhe fjala burg nga dyshja Rama-Meta apo nga ata që ne kishim menduar se i kishim rrëzuar përfundimisht në dhjetor të `90-ës. Që të mos përmendet më emri i diktatorit, duhet angazhimi dhe sinteza e tre brezave, intelektualët e viteve `90, studentët e vitit `90 dhe brezat studentorë të këtyre viteve”, – deklaroi Bislim Ahmetaj.

 

Të rinjtë

Të rinjtë, pjesë e forumit “Drejtë Lirisë”, u ndalën tek problemet me të cilat përballen sot. Ata thanë se tarifat e reja të vendosura nga qeveria janë të papranueshme nga studentët.

Piktori Ardian Isufi kujtoi proverbin latin se më shumë dije të bën më të lirë. “Pra, liria vjen nëpërmjet kulturës dhe emancipimit të saj. Deri dje arti dhe estetika e tij është parë si një fenomen i izoluar. Sot, në fakt, arti është një formë e re, një formë e artit të angazhuar ku studentët dhe të rinjtë duhet patjetër ta gjejnë vetveten. Sot publiku ka një gjithëpërfshirje dhe arti në vetvete jep dhe çështje të reja siç janë çështjet e përfaqësimit dhe të politikës, çështjet sociale dhe shoqërore të cilat të gjitha bashkë tregojnë dhe bëjnë një gjithëpërfshirje komplekse”, – tha Isufi. “Sot jemi 24 vite më mbrapa dhe shikojmë që demokracia dhe liritë e të drejtat themelore kanë në mënyrë të shpejtë një degradim vërtet të frikshëm”, – tha Fabian Topallaj, duke përmendur të drejtën e cenuar nga qeveria për arsimin e lartë apo edhe dhunën që ka ushtruar policia ndaj studentëve të Shkencave të Natyrës, vetëm se protestuan për kushte më të mira laboratorike.

Një opinion dha edhe pedagogia Merlinda Hoço. Ajo tha se demokracia është e lidhur fortë me dijen dhe, sipas saj, dija sot është e kërcënuar. “Por ka edhe një burim tjetër shumë të rëndësishëm që i ushqen këto të dyja dhe i mban gjallë dhe ajo është dija. Tarifat e studimit janë rritur për çdo student të nivelit bachelor dhe master, të cilët duan të investojnë në dije. Po në fund të ditës në çfarë përkthehet kjo? Kjo përkthehet në libra më pak, përkthehet në burim informacioni më pak. Nga ana tjetër kuotat janë ulur. Një pjesë e mirë e studentëve, nuk kanë mundësi ekonomike që ta vazhdojnë këtë studim, arsimim apo thellim të dijes”, – tha Hoço.

Belind Këlliçi, kreu i departamentit për të përndjekurit dhe ish-pronarët, u shpreh se Partia Demokratike është e vetmja që ofron alternativën evropiane dhe që mirëpret të rinjtë që duan dhe aspirojnë të kontribuojnë për vendin e tyre. “Nuk besoj se ka të ri sot që nuk ushqen një ndjenjë keqardhje për sistemin të cilin dyshja qeverisëse Rama-Meta ka instaluar në vend, në qeverisje e në administratë. Të gjithë e shohim se ka shefa, drejtorë dhe deputetë që kanë një të kaluar kriminale. Besoj se kjo nuk është aspak aspirata mbi të cilën u ngjiz lëvizja e 24 viteve më parë në këtë sallë dhe në mënyrë absolute nuk mund të jetë kjo aspirata e të rinjve sot”, – tha Këlliçi.

Një problem tjetër që u soll nga të rinjtë e Partisë Demokratike ishte fakti që sot 1 në 2 të rinj kërkojnë të largohen nga Shqipëria. “Dua t’ju kujtoj rastin e dy të rinjve shqiptarë, që u dogjën të gjallë në kërkim ose në përpjekjen e tyre për të ndërtuar jetën në Angli. Ky është një fakt rrëqethës, që tregon se të rinjtë akoma mundohen të largohen nga Shqipëria, nga familja e tyre dhe gjejnë këto mënyra kaq ekstreme që ne mendonim se i kishim lënë pas. Të dhëna të reja tregojnë që në vitin 2014, dhe këto janë të dhëna zyrtare, janë rreth 5000 shqiptarë që kërkojnë azil në vendet perëndimore që janë vende Shengen dhe jo Shengen”, – u shpreh Besart Kadia.

 

 8 Dhjetori në Durrës, lule tek statuja e John Lenonit

Në qytetin e Durrësit, Dita e Rinisë është festuar nën tingujt e këngëtari amerikan John Lenon, tek busti i të cilit janë u vendosën buqeta me lule. Dje, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i shoqëruar nga të rinj durrsakë, nën tingujt e kitarës që luante muzikë të Lenonit vendosi një tufë me lule të statuja e tij. “Sot është 8 Dhjetori dhe është një përkujtimore, dita e vdekjes së John Lenonit, por që është një ditë e lidhur më atë që ne sot festojmë, pra Ditën e Rinisë, sepse pikënisja e revoltës së viteve `90 nisi atë ditë kur një grup intelektualësh, studentësh, donin të përkujtonin 10 vjetorin e vdekjes së John Lenonit dhe nga aty nisi revolta e madhe qytetare, studentore kundër atij regjimi”, – tha Dako.

 

Çollaku: Dhjetoristët të përçarë, dhuratë për komunistët

 Kreshnik Çollaku, ish-student i Dhjetorit të vitit `90, sot shef i politikës së jashtme në PD, ka përkujtuar 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë, duke u shprehur se dhjetoristët kanë festuar të përçarë dhe kjo, sipas tij, është një dhuratë që u jepet komunistëve. “Para 24 vitesh, – u shpreh Çollaku, – nuk mund të imagjinohej kjo që po ndodh sot, beteja për të treguar se kush është më antikomunist. Dhjetoristët që kremtojnë të ndarë e përçarë ditën e tyre. Në atë dhjetor të `90-ës ne studentët ishim bashkë me një mision dhe një betejë. Çdo gjë ishim të përgatitur të përballonim dhe të rrezikonim jetët për misionin që i vumë vetes, misionin për t’u çliruar vetëm nga robërimi komunist. Të vetmen gjë që nuk do kishim imagjinuar ishte kjo çka sot ndodh, gara dhe lufta për t’i treguar njëri-tjetrit kush është më antikomunist, duke u bërë një dhuratë të pamerituar komunistëve dhe trashëgimtarëve të tyre”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency