1954/ Studimi italian, Pse vëllezërit Frashëri braktisën programin politik, në një shtet Shqipëria?!  

0
169

VellezeritFrasheriKuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Janë 11 vjet letërkëmbim me fratin pukjan që e gjeti firmëtarin krutan në një gjendje të vështirë shpirtërore “pa familje, por me uzdajë se nji ditë e shoh, veçse pa miq përgjithmonë”. “Standard” nis publikimin çdo fundjavë të letrave

Nuk resht ky letërkëmbim midis Mustafa Krujës dhe fratit françeskan, At Paulinit, për polemikat e kohës, ndonëse të izoluar tërësisht nga jeta e përditshme shqiptare, duke u ndodhur në emigrim, këto dy personalitete vazhdojnë në gjurmime historike. Kërkimet prej të dyja palëve mbërrijnë në të dhëna apo dilema që edhe një institucion me ekspertë e të paguar, nuk do arrinte të kishte këtë sqimë sqaruese e shpjeguese.

Në këtë letër prifti pukkan, at Paulini trajton dy nga ccështjet që lidhet me gjenezën dhe shtetin në një shqiptar. E para është një rikthim në argumentin e shqipes prej ilirishtes, referuar një libri ccek që fliste për prejardhjen rreth 400 pr Krishtit, në anën tjetër një botim historik italian flet mbi programin politik të vëllezërve Frashëri për Shqipërinë. Kështu, në vëllimin e katërt të serisë së letërkëmbimeve të Mustafa Krujës me miq e bashkëpunëtorë, personalitete të jetës politike e kulturore të Shqipërisë të fushave të ndryshme, të botuara nga “OMSCA-1”, ky konsiderohet më i ploti e ndoshta më interesanti për lexuesin, mbasi paraqet një letërkëmbim mes dy personalitetesh krejt të ndryshëm nga mosha e nga formimi, por me një ndihmesë të çmuar në kulturën kombëtare që, nëpërmjet bisedës së tyre letërore, marrin në shqyrtim e ftillojnë ndodhi e tema të ndryshme të historisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të shkuar. Njëri ishte një protagonist i jetës politike, por edhe i asaj kulturore, njëri nga firmëtarët e Dokumentit të Pavarësisë, pjesëmarrës në shumicën e ngjarjeve që shënuan historinë e shtetit shqiptar në tridhjetë vitet e para të qenies së tij. Tjetri ishte një frat françeskan, një ish-mësues historie në liceun “Illyricum”, që e kishte bërë hulumtimin e kësaj lënde qëllimin kryesor të jetës së tij, krahas atij të shërbyesit të fesë.

I ndante një ndryshim moshe prej njëzet vitesh, por i bashkonte dëshira e studimit të thellë, dashuria për vendin e tyre, ngulmimi në kërkimin e së vërtetës historike, shpresa, e mbetur vetëm në kufijtë e termit, për të parë një Shqipëri demokratike e dinjitoze. Letërkëmbimi filloi një ditë prilli të vitit 1947, kur Atë Paulini, që jetonte në Bolzano, në një kuvend ku kryente detyrën e meshtarit, merr vesh se në Ortisei, një lokalitet turistik i Trentinos, një nga vendet më të bukura të Italisë, banonte Mustafa Kruja, një emër i njohur i jetës shqiptare. Vendos t’i shkruajë për të vendosur një lidhje me të. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e katërt, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, çdo fundjavë publikon disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

 

***

Graz, me 1 maj 1954

Shum i dashuni Mik,

Të falem nderës per urime qi më dergojshi si Ti, si Motra jote per Pashkë: letra e jote më rá në dorë me 23, megjithse e shkrueme me 14. Mejherë po të pergjegji per shka rrin nder kllapa. Pveta shi profesorin, per të cilin kam porositë Abetarin. Qe prá çka shenjojn germat nder kllapa:

s.v Khios = sub voce = nen fjalen Khios gjên ti ata per të cilen flet auktori.

  1. E. s.v. Picenum: Realenzyklopädie sub voce Picenum = nen fjalen Picenum në fq. 1190.

Prap s.v. Agulla und Dôrion= sub voce= nen fjalen Agulla e Dôrion.

Plinius (n.n. III 71) . Plini ka shkrue nji veper me titullin naturalis historia në 37 libra. Prá:

Plinius, naturalis historia, liber III fq 71.

Vepren e Lambertz-it e porosita. Kushton 100 shilinga e dishka, e njado shilinga ka me kushtue posta me t’a nisë prej Graz-it. Vetë e porosita mejherë per arsye se ajo kopja e ême ka pasë ngjatë nemose 6 muej ase nji vjetë me më mërrijtë. Libri âsht shtypë në Leipzig në zonen ruse; do të porositej at herë neper nji zyre komuniste të Vjenës e prandej e kupton edhe Ti arsyen e vonesës. Ket herë, veç, e kam porositë neper nji librarí tjeter e kjo më thotë se Harrassoëitz-i i Leipzig-ut (te i cili âsht shtypë vepra e Lambertzit) âsht çue e dalë në zonën prendimore e gjindet në Ëiesbaden, bashkë me Brockhaus e me ndonji tjeter Botues famet botnore, qi lán Leipzig-un e duelen n’ânen e botës kû sundojnë njerzt. Pra kjo kopja e porositun per Tŷ nuk ka me ngjatë gjithaq sá ngjati kopja e eme. Tash kemi me pá. Pare ké me mujtë me m’i dergue per kadalë, ashtu si i pate dergue nji herë tjeter, per at librin tjeter, dmth neper djalin t’And prej Ameriket. Kanë me shkue kund 4 1/2 dollar.

Tash nji pvetje. Në fund të nji librit me titull LA NAZIONE ALBANESE  të shtypun me 1917 prej Eugenio Vaina, gjindet recenzjoni i nji librit tjeter, po të ktij E. Vaina, me titullin ALBANIA CHE NASCE.  Në recenzjonin e ktij librit shkruen Recenzori A. Baldacci kto fjalë:

“L’Autore ha viaggiato, ha visto l’Albania e per questo terra e popolo gli sono famigliari : pare un albanese che narra e scrive. Ed è scrittore sobrio e consigliere prudente, perché conosce il bene e il male dell’ argomento difficile e delicato che tratta ; è scrittore che sostiene con calma e fermezza le sue idee non mai preconcette ; si appasiona al racconto quando sono in ballo i diritti del paese di cui parla e gli si affacciano dinazi quelli d’Italia così vivi e grandi; tutto egli giudica d’accordo con la storia e con il buon senso che non è maestro minore di quella, e non esclude che il programma un dì classico e poi abbandonato di Abdyl bey e Sami bey Frasceri – programma federalista e cantonale – non si abbia a riprendere oggi serenamente in esame dall’ Europa ed applicarlo. Il programma politico dei due Frasceri poggiava sopra unità, libertà ed indipendenza ed è peccato che sia perduto”. (“Autori ka udhtue, e ka pa Shqipninë, prandej tokën dhe popullin e saj i njeh mirë : duket si nji shqiptar qi kallzon e shkruen. Ȃsht shkrimtar i thjeshtë e këshilltar i matun, sepse njeh të mirën e të keqen e çâshtjes së vështirë e të brishtë qi shqyrton ; âsht shkrimtar qi mbron me qetsí e vendosmëní idetë e tij qi nuk janë kurrë paragjykuese ; rrëmbehet nga tregimi kur bâhet fjalë për të drejtat e Vendit për të cilin flet e i shfaqen para sysh ato t’Italisë, kaq të gjalla e të mëdhaja ; gjykon gjithshka n’ujdí me historinë e me urtësinë, qi nuk âsht mësuese mâ e vogël se e para dhe nuk përjashton mundësinë qi programi, dikur klasik e mâ vonë i braktisun i Abdyl Beut e i Sami Bej Frashërit – nji program federalist e kantonal – të  mund të merret në shqyrtim sot qetësisht nga Evropa e të zbatohet. Programi politik i dy Frashërllinjvembështetej mbi bashkimin, lirinë dhe pavarësinë dhe âsht mëkat qi ka humbun.”)

Kto kjén fjalët e Baldaccit në ket recenzjon. A din ti me më diftue ndoj gjâ mâ gjatë mbí ket programin klasik të dy Frasherlive? Mbi fjalët e nenvizueme prej mejet m’ep ndonji spjegim mâ të gjatë, po e pate të mundun e më difto edhe, se kû gjindet i parashtruem ky program i Frashervet.

Sá per vepren tjeter të Hans Krahe tash po interesohem me pvetë e me e porositë edhe ktê.

Per sot nji herë po e kpus, tue t’urue shndet e jetë e njimî të mira. Shum shndet edhe Motres s’Ate.

Miky yt

  1. P. MargjokajO.F.M.

 

 Graz, me 10 Maj 1954

 

I dashuni Mik,

Pak kohë mbas letres së kalueme, po jam i ngushtuem me të shkrue persrí. E qe per ç’arsye.

Ai profesori, per të cilin Të pata lypë abetarin, âsht kah boton nji liber, në të cilin shkoqitet gjânë e gjatë problemi shqiptár. Ky profesor âsht linguist e ka pasë gati fjalorin etymologjik të gjuhës shqipe, por me perzanjen e gjermanve prej Çekoslovakijet, i ka mbetë atje e sigurisht do të két marue ndokund në ndonji furrë a stufë. Ne ket librin qi ka profesori në botim e siper, ai e paraqet popullin shqiptar me nji histori fort të madhnueshme. Mendimi i tij âsht ky : n’ Europen qandrrore ka pasë sundue deri në vjeten 400 p. Kr. populli shqiptar e ky ka pasë zhvillue deri në kulm kulturen e hekurit. Vetë fjala hekur, si mbas profesorit, âsht fjalë thjeshtë shqiptare; latint kanë marrë prej fjalës shqipe hekur fjalen e tyne securis, qi me gjasë don me thânë cakicë. Edhe nji fjalë tedeshke, qi ka të bâjë me shkrimjen e hekurit, të cilen vetë tash per tash nuk po e dij, pse nuk âsht nji fjalë e perdorun zakonisht, ky profesori e bjen të rrjedhun prej shqipes. Ky profesori i dallon Shqiptarët prej Illirësh. Shqiptarët kanë kenë, prá, deri në vj. 400 nji popull i madh, me nji kulturë të naltë e Keltët kjén ata qi dermuen popullin shqiptár. Si mbas ktij profesori, Venett janë kenë Shqiptarë. Fjala Venet rrjedh prej vend. Njekso e tjera pohime ka ai profesori në librin e vet. Kemi me pá se çfarë pershtypje ka me bâ në boten shkencore ky liber mjaft revolucjonar në ket pikpamje.

Tash vjen masllahati. Shpija botuese e librit në fjalë, kishte me dashtë me i bâ reklam librit perpara, pse ksi librash nder kohë të tashme nuk i blén kush. Ata kishin me dashtë qi Ti të nenshkruejsh njeket levdatë qi po shef ktu në gjuhë hinglize:

“It is a gratification, surprising and simultanuously satisfying to face the specimens of ones oën tongue reproduced in this research in faultless ëay – finally, an exceptional time. This is not the case e. g. even in the essays of the author’s countryman, the late N. Jokl and ëorse yet till the neëest linguistic compendia. I explicitely point to this defect on the scholarship’s body. This alone may ëitness the author’s seize ëho missed for the draft of his book any native students’ audience and aide as the predecessor had. So ëe meet a summing-up the original forces of a most erudite scholar. His ëide linguistic sphere enables far-reaching scientific results”. (  Ang. : “Ȃsht kënaqësi dhe në të njâjtën kohë befasuese me ndeshë me modelet e gjuhës sate të përmênduna në mënyrë të pacenshme në këtë studim, çka përbân nji përjashtim. Kjo âsht rasa, për shembull, e syzimeve të bashkatdhetarit t’autorit, të ndjemit Norbert Jokl ose, apo përmbledhja mâ e re. Ia kam vue në dukje krejt qartë këtë shmangie trupit akademik. Besoj se kaq mjafton me vue në pah kândvështrimin e autorit i cili nuk e pa të nevojshme me marrë parasysh mendimin e studentave të gjuhës amtare sikurse kishte veprue pararêndësi i tij. Kështu,  kemi përpara, idetë dhe mendimet e nji shkencëtari të mirëfilltë. Dijet e tija të gjâna gjuhësore bâjnë të mundun  arritjen  e disa rezultateve të dukshme shkencore.” )

Kjo levdatë ka me u shtypë në kopertinë qi Tedeshkt kanë zakon me u vû librave të lidhun. Un hinglizshen nuk e kuptoj aq mirë, porse, si m’a ka spjegue ai profesori, në ket levdatë i bâhet nji e shame Jokl-it e naltohet teper auktori i librit.

Mendimi i êm âsht, qi Ti mos ta nëshkruejsh aspak ket copë pustull. Edhe bân mirë e m’i shkruej mue dy rreshta a frengisht ase hinglizshe ase gjermanisht, tue më thânë qi ti nuk mundesh me dhânë kurrnji gjykim, as të mirë as të keq, perpá pasë pá kurr me sŷ manuskriptin. Edhe kta rreshta t’uej m’i shkruej damas prej letres shqip, pse Ti do të dijsh se ai profesori e zotnon gjuhen shqipe e prandej ndoshta don me lexue edhe ata shka  Ti shkruen shqip. Po deshte, angllatise letren shqip në mndyrë qi ai t’a marrë vesht mirë gjithçkafen. Sido kjoftë, ata dy-tre rreshta në njanen nder gjuhë të rreshtueme sypri, mos e lên pa m’i shkrue, qi t’i shofë edhe shpija botuese, po kje nevoja. Po deshte pernjimend me dhânë ndonji gjykim t’andin, ashtu vetem sá per hater të Zotit, at herë veç bâne in termini totalmente generali, qi mos të dalë as levdim as shamje. Por mâ mirë e mâ, si Të thásh sypri. Apor si Të duket Tý mâ mirë. Un Të njof, e prandej e dij se Ti nuk nep nji gjykim perpá pasë kurrnji baze. Ai profesori ka shkrue njimend shpesh herë artikuj mbi Shqipní e perherë me sympathí, porse ket librin qi ka tash në shtyp nuk e ké pá kurr me sŷ, e prandej nuk di se si mund të gjykohet.

Mjerisht letres i erdh fundi e nuk po mundem me Të bâ kurrnji pvetje, me gjithse kishte me pasë ndonji.

Shum shndet prá, e shpresoj se per së shpejtit ké me më pergjegjë, sidomos ksaj letres së dytë.

Shum shndet e urime e të fala si Tý si edhe Motres.

 

           I yti  P. P. MargjokajO.F.M.

 

 Ramleh, 14. V. 1954

Fort i dashuni mik,

Mâ së pari po të falem nderës për decifrimin e shkrolave me anën e atij profesorit të shquem qi ke mik. Qe ça don me thânë me banuem në nji vend kulture! Sidomos për ne të mjerët, … i dotti della poverissima Albania!  Kam shkruem ka herë në Romë me e nisun n’adresën tande Abetarin për profesorin. Shpresoj të ketë mbërrîmë deri tash.

Të falem nderës edhe për librin e Lambertzit. Por para se t’a nisish prej Grazi ke me më lajmuem e me pritun përgjegjen.

Recensjon’ i Baldaccit në librin e Vainës po më duket i pështjellët. Flet nji herë për nji programë Frashrijotësh mbi Shqipninë tue thânë ndër kllapa “programma federalista e cantonale” e mbandej menjiherë mâ poshtë: “Il programma politico dei due Frashëri poggiava sopra unità, libertà ed indipendenza”. Tash në gjuhë politike e kostitucjonale federalizëm e “unità” janë dý fjalë djametralisht të kundërta. Me sa dij un, jo të dy Frashrijotët e pêndës, por vetëm njâni, Samiu, ka shtruem nji programë politike për nji Shtet shqiptar; por ka nja 40 e sa vjet qi e kam kënduem e pra t’a merr mêndja se s’mund t’a mbaj mênd në se program’ i tij – në: “Shqipnija: ç’ka qênë, ç’âsht e ç’do të jetë” – ka qênë federaliste apo unitare.

Kur t’a marrsh Lambertzin, ndoshta tash i a ngarkoj Kërçikut barrën me t’i paguem shpenzimet, mâ lehtë se me t’i dërguem prej Amerike.

Edhe un po e pres kuvêndin ksi shtegu mâ shkurt se ti, tue të përshndetun me gjithë zêmër.

 

 MKruja

 

Ramleh, 5 qershuer 1954

I dashuni mik,

E kam marrë me kohë letrën tânde qi i përket veprës së të ndershmit profesor… mikut t’ând (s’ma ke shkruem kurrë emin e tij). Do t’më falësh për vonesën e përgjegjes. Tjetrës qi më pate shkruem para ksaj i kam qênë përgjegjun e shpresoj t’a keshë marrë.

Mbas atyne pak fjale qi po më shkruen ti mbi veprën e sipërpërmêndun, s’ka dyshim qi ajo, me theorin’e re, krejt origjinale, mbi origjinën t’onë, paska për të bâmë bujë të madhe në botën e shkencavet. Mue personalisht po më krenueka, se nji theorí t’atilë e kam pasë parashtruem edhe vetë në gazetën Albanie Libre. Nuk di në se e ke pasë kënduem.

Sa për nënshkrimin prej anës s’eme t’atyne pak rreshtave anglisht qi më ke dërguem, po më vjen përnjimênd tepër keq qi e shoh veten në pamundsí me ju kënaqun, si tý, ashtu edhe Auktorin. Jam qyshë tash enthusjast për atë vepër, si thashë, edhe për arsye personale. Po si mund deshmohet, për mirë sidhe për keq, mbi nji vepër pa e pasë kënduem aspak? Vêni dorën në zêmër t’uej, ju lutem, e thomni nëse kishi me e bâmë ju vetë nji punë kso doret. Vjen mbasandej e i shtohet reklamës edhe nji pengim i veçantë, jo veç për mue, por për secilin Shqiptar: âsht ajo pikë qi prek Joklin. Ti e din fare mirë se ç’nderim e çëmim të madh kanë të gjithë Shqiptarët intelektualë për atë albanolog. Askush prej nesh s’do të guxonte as s’do të deshironte me e folë nji fjalë të keqe për tê sŷmbyllas. Asnji çudí qi vepr’e mikut t’ând t’i qesë poshtë si anakronizma të kapërcyeme gjithë ça ka shkruem Jokli mbi Shqiptarët e gjuhën shqipe. Por këta don kohë e nji shoshitje të gjânë të veprës së re prej anës së kompetentavet. Un vetë jam ende sod, siç kam qênë gjithmonë, nji admirues e, si Shqiptar, mirnjohës i Joklit. Uroj qi gjithë admirimi i im, gjithë mirnjohja e ime për tê nesër të kthehet kah miku i yt. Se këta do të donte me thânë qi për kombin t’onë do të ketë dalë përfushë nji dritë së vërtete mâ e shkëlqyeshme.

Me kaqë e, si përherë, me shëndetet e mija të përzêmerta.

M.Kruja

 

 Graz, me 10 Qershuer 1954

Shum i dashuni Mik,

Sot mjesditë e mora letren e dashtun t’Uejen. Dje mora edhe Abetarin prej Romet. Ju falem nderës si për Abetar si edhe per leter. Sod nade u pava me Profesorin, por letra më rá në dorë në mjesditë. Njandej kah mbramja tash po i telefonoj e po i komunikoj pergjegjen tande negative. M’a merr mendja se ai as nuk pret nji pergjegje pozitive, pse deri tash asnjiherë nuk më ka pvetë a ka ardhë a jo pergjegja. Se shka ka me thânë shpija botuese e librit të profesorit, atê nuk mundem me e dijtë e as nuk m’ intereson fort. Shpija botuese e profesorit gjindet në Ëien, e prandej larg prej ktej. Edhe at letren tjeter e pata marrë.

Emni i profesorit, të cilin endè nuk t’a paskam diftue, âsht Karl Treimer. Ky më ka porositë me të thânë qi mos u ep randsí librave të Hans Krahe, pse ky nuk âsht Linguist. Ai më ka shenjue njeket liber mbi Illir qi gjindet në botim e siper në Ëien. Auktor i ktij librit, me titull “DIE ILLYRISCHE SPRACHE” , âsht Prof. Anton Meyer, profesor universitetit në Zagreb. Ky liber do të mbarohet së botuemit vjetin e ardhshem, pse duket se po kenka liber i madh e i trashë. Edhe mue tashmâ m’ âsht mbushë mendja se vetem Linguistat mund të zhvillojn problemet krejt të vshtira të popullit të vjeter shqiptar a ilir. Por mjerisht linguista po ka pak e aspak. Kishte me u dashtë mâ parë e mâ dalë, qi gjuha shqipe të kishte nji fjaluer të plotsuem, mbi të cilin të munden me u bazue studjozat e Linguistikës. I shkreti Gustav Meyer ka pasë në dispozicjon 5000 fjalë e mbi ket sasí të vogel fjalësh ka bazue krejt asercjonet e veta. Deri sá gjuha shqipe mos të két nji fjaluer komplet, teper vshtirë kanë me e pasë studjozat studimin e linguistikës, per sá i perket shqipes. Sá per ilirishte, duket se nuk po paska kurrgjâ, mbi të cilen me u bazue, veçse duhet me u bazue në gjuhen shqipe. Ky profesori Treimer mendon se shqipja âsht tjeter e ilirishtja tjeter. Mund mâ teper profesori Treimer mrrîn me thânë se Ilirët nuk janë aspak Indoeuropjan, por kanë banue Europen para se me ardhë ktû Indoeuropjant. Mesá dij vetë, nder Shqiptarë nuk kemi kurrnji linguist taman të formuem, pse nji linguist shqiptar do të dijte me doemos nji morí gjuhësh: latinisht, italisht, slavisht, tyrqisht, grekisht e nder gjuhë botnore, nemose gjermanisht. Linguistika per Shqipní âsht nji gjâ teper luksuoze. Kishte me u dashtë qi nji qeverí e kujdesshme të dergonte disá djelmoça me zéll e me vullndesë të njimendtë me studjue e ktyne mandej në Shqipní me u sugurue jetesen në nji akademí gjuhsore. Por do të presim shum kohë, deri sa të vertetohet ata shka po andrroj vetë.

Prej Australijet nji mik i Yti, êmnit Jashar Hysa, më ka lypë neper mjet të Mark Marlekajt, adresen tande n’ Egjipt, pse don me t’ shkrue leter. Vetë i a kam dergue mejherë adresen e shpresoj se per s’shpejti ka me të shkrue.

Njani blê i Lambertzit më ka mrrijtë, por po pres edhe arritjen e blênit tjeter. Çuditem pse nuk më kanë ardhë të dy blêjt periherë.

E me shndet si po jeni? E kúr po kaloni n’Amerikë?

Un gjindem mirë me shndet, e deri sa njeri të jét mirë me shndet, duhet të jét mirë me të gjitha.

Letra maroi e prap po më duhet me e lânë edhe kso here pa kurrnji pyetje.

Shum shndet e të mira si Tý si dhe Motres s’Ate.

Miku i Yt

  1. Paulin Margjokaj O.F.M.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency