Drejtësi/ KLD rrëzon ministrin e Drejtësisë, kërkohet rritje page për gjyqtarët

0
121

Alma Çuka

 kld2Prezantohen dy anëtarët e rinj të KLD-së, emëruar nga Parlamenti, Albana Shtylla dhe Vangjel Kosta. Shtyhen disa emërime dhe vlerësohen pesë gjyqtarë. Mbledhja, me dyer të mbyllura

 Pas më shumë se dy muajsh heshtjeje, Këshilli i Lartë i Drejtësisë u është rikthyer mbledhjeve me dyer të mbyllura. Në mbledhjen e radhës, e cila kishte një rend dite të ngjeshur, ishte i pranishëm edhe Presidenti i vendit, njëherësh dhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bujar Nishani. Fillimisht, mbledhja u çel me pranimin e dy anëtarëve të rinj të zgjedhur nga Parlamenti, Albana Shtylla dhe Vangjel Kosta, pas largimit po me votat e Kuvendit të dy anëtarëve të zgjedhur nga ish-mazhoranca e djathtë, Elvis Cefa dhe Lulzim Lelçaj. Mësohet se në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura ka pasur debate të mëdha, të cilat fillimisht kanë qenë me Ministrin e Drejtësisë Nasip Naço, të cilit i kanë rrëzuar propozimin për të transferuar në një gjykatë të nivelit të ulët për dy vite një gjyqtar.

 

Deklarata e Presidentit

Në mbledhjen e KLD-së mësohet se një nga pikat kryesore të debatit ka qenë performanca e gjyqtarëve e parë kjo në këndvështrim me pagën e tyre. Bëhet me dije se kreu i shtetit ka premtuar para anëtarëve të KLD-së se do të komunikojë me qeverinë për të bërë të mundur rritjen e rrogës për gjyqtarët e shkallës së parë dhe ata të Apelit. “Kam bindjen më të palëkundur se në sistemin tonë gjyqësor ka një shumicë gjykatësish profesionistë dhe me integritet, gjykatës, që e kanë lidhur tërë jetën e tyre profesionale me këtë sistem, qytetarë të ndershëm të këtij vendi, që e duan emrin e mirë dhe besojnë në vlerat e trashëgimisë. Ne kemi një detyrë, por edhe një mundësi ta bëjmë këtë model dominues të sistemit. Ne çdo ditë flasim për rëndësinë jetike që ka sistemi i gjyqësorit. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë që në themel të sistemit janë vetë njerëzit, janë gjykatësit që i kthejnë ligjet, parimet, procedurat në një mekanizëm, që vepron. Dua të kujtoj këtu, mes të tjerash, një shembull pozitiv, që kemi në sistemin tonë gjyqësor, Gjykatën e Krimeve të Rënda, atë të Shkallës së Parë dhe të Apelit, një trupë gjyqësore, që ka aplikuar me profesionalizëm një politikë penale kurajoze ndaj individëve dhe grupeve me veprimtari të rëndë kriminale. Këta gjykatës, por edhe të gjithë të tjerët duhet të jenë të sigurt në parimin e vijueshmërisë së detyrës si një nga parimet bazë të pushtetit gjyqësor. Vlerësimi i kontributit të gjykatësve tanë, por edhe një formë e investimit në integritetin e tyre, kërkon një politikë pagash më të përmirësuar për ta. Personalisht do të jem në komunikim intensiv me qeverinë dhe Kuvendin e Shqipërisë për të realizuar një nivel pagash më të lartë për gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe të Apelit”, tha Nishani.

“Ana tjetër e medaljes, po aq e rëndësishme, është besimi i qytetarëve tek sistemi. Një numër jo i vogël praktikash të çështjeve gjyqësore, në shkelje të hapur të parimeve të dhënies së drejtësisë, në injorim të hapur të procedurave të parashikuara në ligj, të nëpërkëmbjes së solemnitetit dhe dinjitetit, që kërkon sistemi gjyqësor, apo edhe përfshirjes së drejtpërdrejtë në afera korrupsioni, kanë krijuar një klimë mosbesimi tek qytetarët ndaj sistemit të drejtësisë, por edhe një baltë të pamerituar ndaj figurës së gjykatësit. Ky është modeli dhe shembulli, që duhet ta kapsulojmë dhe të nxirret jashtë sistemit”, – vijoi kreu i KLD-së.

 

Rrëzimi i kërkesës

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, për të disatën herë është gjendur përballë rrëzimit të kërkesave nga KLD, lidhur këto me transferimet, emërimet apo procedimet e gjyqtarëve për të cilët ka ankesa të shumta nga qytetarët në faqen “online” titulluar “stop korrupsionit”. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka rrëzuar propozimin e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço për procedimin e një gjyqtari. Kreu i Drejtësisë propozoi transferimin e gjyqtarit E. P. në një gjykatë më të ulët, por KLD në mbledhjen e sotme e rrëzoi këtë propozim. Në përfundim KLD deklaroi: “Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli shqyrtoi propozimin e Ministrit të Drejtësisë për procedimin disiplinor të gjyqtarit E. P. Pas diskutimeve mes anëtarëve, bazuar në kërkesën e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli vendosi: Të rrëzojë propozimin e parë të Ministrit të Drejtësisë për dhënien e masës disiplinore transferim, për një periudhë 2 (dy) vjeçare, në një gjykatë të një niveli më të ulët për gjyqtarin E. P. Pas kësaj vendimmarrje, nuk u propozua asnjë masë tjetër disiplinore për gjyqtarin në fjalë”, thuhet në njoftimin e KLD. Ndërkaq, KLD pas kërkesës së Ministrit të Drejtësisë, ka vendosur të shtyjë për një kohë të shkurtër përcaktimin e vendeve vakante në dispozicion të magjistratëve që kanë përfunduar studimet për vitin akademik 2013 – 2014, ndërsa ka propozuar si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Vlorë, Klodiana Gjyzarin. Këshilli vendosi edhe për çështje të tjera të parashikuara në rendin e ditës si: Miratimi i kërkesave të disa gjyqtarëve për mësimdhënie, delegimi i disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore në gjykata të tjera nga ato ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit. Gjithashtu, Këshilli, shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr. 261/2, datë 14.4.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”.

 

Gjyqtarët e vlerësuar për vitin 2013-2014

Sokol Ibi, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Korçë;

Sonjela Voskopi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë;

Niko Rapi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec;

Admir Belishta, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë;

Valbon Çekrezi, Gjykata e Apelit Durrës

 

Kukës/ Vidhen regjistrat dhe kompjuterat në shkollën 9-vjeçare

 Persona ende të paidentifikuar janë futur mbrëmjen e së enjtes në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” në Kukës. Burime policore bëjnë të ditur se janë vjedhur disa regjistra dhe kompjutera nga salla e informatikës. Grabitësit kanë thyer derën e zyrës së drejtorisë duke depërtuar brenda shkollës. Vjedhja është konstatuar mëngjesin e djeshëm nga stafi pedagogjik, të cilët njoftuan menjëherë policinë. Ngjarja e shënuar ka shtyrë zhvillimin e procesit mësimor me një orë vonesë. Ndërkohë, forcat blu vijojnë hetimet për kapjen e grabitësve.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency