Bizneset nuk paguajnë dot taksat, Tatimet “reprezalje” ndaj tyre

0
170

Ervin Kaduku

 biznes fason–  Bizneset që nuk kanë paguar detyrimet tatimore në kohë janë rritur me të paktën 40 për qind gjatë vitit 2014. Lista zyrtare me bizneset borxhlinj është shtuar edhe me 4803 kompani këtë vit, duke e çuar listën e zezë të tatimpaguesve në 11 350 subjekte deri në fund të nëntorit 2014

–  Në fund të vitit 2011 subjektet borxhlie ishin vetëm 1.800

Përpjekjet për të realizuar planin të ardhurave tatimore kanë zbuluar një valë të re biznesesh që nuk kanë aftësi paguese. Shumica e borxhlinjve me rreth 50 për qind të totalit ose 633 subjekte i përkasin qarkut të Tiranës. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se këto subjekte përfaqësojnë listën e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, ndaj të cilëve Administrata tatimore, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.

Njoftimi bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet të cilët kanë bëre regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë​ detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve​e për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet. Pas amnistisë fiskale të vitit 2010, lista e bizneseve që nuk arritën të paguanin detyrimet tatimore në kohë u 8-fishua në fund të këtij viti.

Nëse në fund të vitit 2011 subjektet borxhlie ishin rreth 1800, në dy vitet e fundit ato u shtuan me mbi 11 mijë e 300 të tilla. Sipas burimeve në Ministrinë e Financave, kompanitë janë në aktivitet ekonomik dhe nuk konsiderohen të falimentuara, por për arsye të ndryshme që lidhen edhe me mungesën e likuiditetit në periudha të caktuara ato nuk mund të shlyejnë detyrimin tatimor, i cili po rritet me hapa galopantë.

Në fillim të vitit 2009 ky borxh ka qenë më rreth 55 miliardë lekë dhe në fund të vitit 2012 shifra arrin në rreth 70 miliardë lekë. Burimet në Ministrinë e Financave pohojnë se, kriza nuk po e favorizon shlyerjen e këtyre detyrimeve, përkundrazi po rrit në mënyrë të konsiderueshme detyrimet tatimore të papaguara. Në të njëjtat shifra në mos më të larta biznesi u detyrohet edhe bankave. Ndërkohë që mundësitë për shlyerjen e këtyre detyrimeve do të jenë të pakta për sa kohë rritja ekonomike do të jetë në këto nivele.

Studimet hulumtuese të Ministrisë së Financave edhe të Bankës së Shqipërisë besojnë se, rënia e borxheve të biznesit do të ndodhë kur rritja e ekonomisë të arrijë të paktën ritmet e para krizës, të cilat ishin rreth 6 për qind. Por po sipas parashikimeve të këtyre institucioneve, kjo nuk do të ndodhë më shpejt se fundi i vitit 2015, ku parashikohet një zbutje e efekteve të krizës.

 

Goditja e shtetit

Tatimet do ta kenë më të lehtë të bllokojnë llogaritë e bizneseve në rast se këto të fundit nuk paguajnë detyrimet. Në ndryshimet që po diskutohen në ligjin e procedurave tatimore, në nenin 13 të projektligjit propozohet ndryshimi i pikës 1, të nenit 90, të ligjit në fuqi, duke përcaktuar se nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin në datën e caktuar, administrata tatimore do t’i kërkojë çdo banke tregtare që të bllokojë shumën më të vogël ndërmjet shumës që kërkohet të mbahet dhe shumës që rezulton në atë çast në llogarinë e tatimpaguesit.

Sipas relacionit, ndryshimi i propozuar konsiston në zëvendësimin e fjalës “mban” me fjalën “bllokon”. Ky ndryshim është në përputhje me titullin e kësaj dispozite e cila bën fjalë për urdhrin e bllokimit të llogarisë bankare të tatimpaguesit në rastet e mbledhjes me forcë të detyrimit.

Nga praktika është vënë re që përdorimi i fjalës mban ka sjellë një rritje artificiale të burokracisë për bllokimin e llogarisë bankare të tatimpaguesit, pasi bankat nuk e kalonin shumën e kërkuar nga administrata tatimore sipas kësaj dispozite por vetëm bllokonin llogarinë bankare të tatimpaguesit.

Për këtë arsye, propozohet të shtohet një fjali sipas së cilës shuma e bllokuar kalon për llogari të administratës tatimore sipas procedurës së përcaktuar me udhëzim të ministrit të Financave.

Në kuadër të këtij ndryshimi është bërë edhe ndryshimi në nenin 129 të ligjit, në të cilin zëvendësohet fjala “mban” me fjalën “bllokon”, shpjegojnë financat.

 

INSTAT: Çmimet e prodhimit, nivele mjaft të ulëta

Dobësia e kërkesës së brendshme është një simptomë që po shfaqet në shumicën e treguesve statistikorë që lidhen me çmimet. Përveç inflacionit, edhe indeksi i çmimeve të prodhimit konfirmohet në nivele mjaft të ulëta. Sipas Institutit të Statistikave, për tremujorin III 2014, indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit me 0.3% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Nëse indeksi i çmimeve të konsumit mat çmimin final të shitjes së produktit, indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimin e parë me të cilën produkti hidhet në treg, që nënkupton kryesisht çmimin me të cilën produkti shitet nga fabrikat apo industritë e tjera prodhuese.

Sipas degëve të ekonomisë, rritjen më të lartë të çmimeve për tremujorin e tretë të këtij viti e regjistroi industria nxjerrëse, me 1.9%, ndërsa rritjen më të ulët industria përpunuese me 0.1%. Rritja e dobët e çmimeve të prodhimit është një tregues negativ për shëndetin e industrisë vendase.

Rritja e çmimeve me nivele shumë të ulëta nuk jep stimuj për rritje të prodhimit dhe për rritjen e biznesit dhe, rrjedhimisht, as për rritjen e punësimit dhe të pagave. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se rritja më e dobët e çmimeve i takon produkteve të destinuara për tregun vendas, ndërsa çmimet e mallrave për eksport kanë shfaqur një rritje pozitive, ndonëse në përmasa shumë të ulëta.

Kjo dëshmon edhe njëherë se kërkesa e brendshme vazhdon të jetë e plogësht dhe nuk mbështet një rritje të shëndetshme të çmimeve.

 

 Zhvlerësohet leku ndaj euros dhe dollarit

Të premten një dollar këmbehej me 113.3 lekë, duke rënë pak nga niveli më i lartë i këtij viti, që u arrit të enjten, prej 113.72 lekësh, ndërsa ka shënuar një fitim javor prej 0.8%, sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Dollari po këmbehet në tregun vendas në nivelin më të lartë që nga 2010, ku vetëm për një ditë në qershor 2010 ka qenë afër 114 lekëve, sipas serive të Bankës së Shqipërisë.

Rritja e monedhës së gjelbër ka qenë në të njëjtën linjë me ecurinë e saj në tregjet ndërkombëtare, ku dollari të enjten përparoi në $1.2280 për një euro, nieli më i lartë që nga gushti 2012. Të premten monedha e gjelbër ndryshoi pak në $1.2370 për euro.

Për euron, tendenca ka qenë krejt e kundër në raport me bursat ndërkombëtare. Ndonëse monedha e përbashkët është në nivelet më të ulëta në dy vite, në Shqipëri ajo mbahet e fortë, duke qëndruar mbi 140 lekë.

Të premten, një euro këmbehej në tregun vendas me 140.11 lekë, pothuajse në të njëjtat nivele me fillimin e javës.

Aktorët e tregut shpjegojnë se është pikërisht euro e fortë, ajo që po e rrit dollarin në tregun vendas. (në mënyrë që të mbahet kursi i kryqëzuar në nivele të njëjta me tregjet ndërkombëtar, mosrënia e euros po reflektohet me rritjen e dollarit).

Sipas tendencës sezonale, në ditët e fundit të vitit ka një forcim të monedhës vendase si rrjedhojë e rritjes së prurjes së valutës nga emigrantët, megjithëse vitet e fundit kjo prirje është zbehur, për shkak të tkurrjes së remitancave, që vijnë kryesisht nga Italia e Greqia.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency