Tirana – Partizani, derbi për kreun

0
144

Jurges Veizaj

Tirana-Partizani-1-0-te-porta-e-Hoxhes1Të dyja ekipet do të dyluftojnë në një sfidë historike, pasi pas shumë vitesh ekipet do të ndeshen kokë me kokë për të kërkuar pozicionin e parë në tabelë

 Derbi i madh i kryeqytetit midis Tiranës dhe Partizanit, rivalëve më të mëdhenj të kryeqytetit shqiptar, rikthehet këtë fundjavë. Përplasjet mes këtyre dy klubeve kanë vazhduar për shumë vjet dhe thuajse gjithmonë kanë mbushur faqet e para të gazetave lokale prej ngjarjeve që prodhojnë, adrenalinës së lartë mes tifozerive në shkallët e stadiumit ose lojtarëve në fushë si dhe rezultatet intriguese. Që në vitin 2008, gjithsesi, rënia e Partizanit në kategoritë e ulëta fatkeqësisht e ka zbehur derbin deri në hapjen e një kapitulli të ri në këto dy sezonet e fundit. Partizani është superior në ndeshjet direkte, tek kanë 54 fitore kundrejt 41 të Tiranës. Ndërsa nga krahu tjetër ekipi bardheblu i Tiranës dominon në 25 sezonet e fundit. Bardheblutë janë gjithashtu superiorë edhe në përplasjet historike për sa u përket ndeshjeve të Kupës. Këtë sezon si të kuqtë edhe bardheblutë, janë edhe pretendentet e momentit për të fituar titullin kampion. Pas 10 javësh të dyja skuadrat gjenden në një pozicion mjaft komod dhe bindshëm qëndrojnë në krye me pikë të barabarta. Projektet e mëdha të dyja ekipeve që kanë investuar shumë duket se tashmë po japin frytet dhe po e kthejnë emocion në origjinë. Derbi midis Tiranës dhe Partizani njihet edhe si më i zjarrti dhe që ka më shumë mbështetje nga tifozeria. Partizani është më i fortë se ai i para një sezoni, por trajneri i të kuqve Duro u shpreh në disa kohë më parë se nuk mund të bëhen krahasime mes dy sezoneve pasi historia e kampionatit të vjetshëm është ndryshe nga sezoni 2014/2015. “Historia nuk hyn shumë në punë, pasi nuk mund të bëhen krahasime mes sezoneve të fundit. Dihet që vjet Tirana dhe Flamurtari ishin për mbijetesë, Kukësi kishte probleme, kështu që Skënderbeu ishte i qetë në betejën e tij dhe titullin e siguroi thuajse që në fund të fazës së parë. Ndërsa këtë vit ka një investim nga të gjithë ekipet dhe është një kampionat i gjatë e me plot rivalitet, ku fati i tij do të mësohet vetëm në fund”, – ka thënë tekniku i të kuqve pak kohë më parë. Një deklaratë që tregon se ekipet nuk kanë shumë diferenca dhe dy skuadrat kryeqytetase po arrijnë të krijojnë një epërsi në krahasim me skuadrat e tjera duke parë edhe lojën që zhvillojnë.

 

Derbi që shembi “Qemal Stafën”

Arena më e rëndësishme e futbollit shqiptar për vite ka pësuar edhe dëmtime gjatë një ndeshjeje midis dy skuadrave. Derbi solli një numër shumë të madh tifozësh, të cilët shkaktuan edhe shembjen e shkallëve portative të tribunës përballë, çka solli edhe zëvendësimin me shkallë prej betoni, në mesin e viteve `60.

 

Titujt e fituar

Tirana dhe Partizani kanë fituar respektivisht 24 dhe 15 tituj kampionë, Dinamo (aktualisht në Kategorinë e Parë) 18. Historia e tri skuadrave të Tiranës, siç shpesh ndodhte në vendet lindore, ka ecur paralelisht me politikë gjatë kohës së komunizmit, por tashmë të dyja skuadrat kanë investitorë privatë që këtë sezon ka plotësuar pritshmëritë me blerjet dhe investimet e bëra duke krijuar projekte që janë afatgjata dhe shërbejnë për të mirën e futbollit shqiptar.

 

Histori dhe shifra

Ishte viti 1947, ai që fiksoi edhe “ditëlindjen” e derbit më të madh shqiptar, atij mes Partizanit dhe Tiranës, që më pas do të bënte historinë e futbollit tonë, duke dhuruar emocione të mëdha për breza të tëra. Vetëm një vit pas krijimit të klubit Partizani (1946), në mars të 1947 vjen edhe u luajt edhe derbi i parë me bardheblutë, që u fitua nga të kuqtë 4-2. Që nga ajo kohë e deri më sot janë zhvilluar në total në rreth 62 vite plot 135 ndeshje mes tyre, ku shifrat flasin në favor të Partizanit. Dominimi i Partizanit, por edhe i Dinamos në kohën e diktaturës, ishte i dukshëm, dhe pavarësisht tentative të vazhdueshme të bardhebluve në vitet 60 dhe në vitet 80, statistikat në këtë periudhë flasin për një dominim të dukshëm të Partizanit në përballjet direkte me Tiranën. Bardheblutë kanë dominuar ndjeshëm, pas viteve ‘90, ku kanë rikuperuar një pjesë të mirë të diferencës në përballjet me rivalin historik. Në gusht të 1947-s shënohet edhe fitorja më e thellë e Partizanit ndaj Tiranës, me shifrat 8-0, statistikë që mbeti e pathyeshme për dekada me radhë. Më 22 shtator të vitin 1985, Tirana e një brezi të artë futbollistësh shënoi fitoren më të thellë ndaj Partizanit, me rezultatin 7-3, takim që ka mbetur në kujtesën e tifozëve të shumtë bardheblu.

 

Përjashtimi nga kampionati

Në një ngjarje të vitit 1967 në javën e 19-të (24 qershor), derbi mes Partizanit dhe KF Tiranës, që atëherë quhej “17 Nëntori”, mbyllej 2-1 për këta të fundit, me parregullsi në fushë dhe përplasje në tribuna. Kjo nuk e pengoi Ministrinë e Brendshme, e cila kontrollonte Dinamon, të anulonte rezultatin e fushës dhe të përjashtonte dy skuadrat nga kampionati: 17 Nëntori ishte në prag të fitimit të titullit të tretë radhazi, një turp i papranueshëm për Byronë Politike.

 

Lojtarët që kanë bërë historinë më të dyja ekipet

Një pjesë e madhe dhe historike e të dyja skuadrave janë edhe lojtarët e tyre që kanë bërë epokën për futbollin shqiptar në periudha të caktuara. Nuk janë të pakta rastet kur lojtarë me emër kanë lëvizur nga njëri krah në krahun tjetër. Një histori që të kujton rivalitetin e madh Real-Barcelona dhe si lojtarë të mëdhenj në periudha të ndryshme kanë kaluar nga njëri ekip te tjetri. Vetëm se te Tirana dhe Partizani për lojtarët ka ndryshuar vetëm fanella që kanë përfaqësuar dhe jo qyteti. Janë të panumërt shembujt e futbollistëve që kanë ndarë pjesëzat më të lavdishme të karrierës së tyre mes të dyja skuadrave e sa për të kujtuar disa mjafton të kujtosh Ard Memën apo të atin e tij, Ali Mema, që kanë veshur si fanellën e kuqe edhe atë bardheblu, ashtu si Alban Tafaj. Një ndër lojtarët më domethënës të Tiranës së suksesshme të viteve 2000 është pa dyshim Devi Muka, fantazisti magjik i Tiranës, por që ka luajtur dhe për Partizanin, ashtu si Sulejman Mema i ka drejtuar të dyja skuadrat si trajner. Vetë trajneri aktual i bardhebluve, Gugash Magani, është aktivizuar si futbollist me të kuqtë për të ardhur më pas te historia më e afërt e Elis Bakajt apo Erando Karabecit, futbollistë të formuar te Partizani, por që sot janë ndër lojtarët më të rëndësishëm të Tiranës. Ky i fundit i rritur në akademinë e Partizanit kërkon të mposhtë të kuqtë duke mbrojtur fanellën bardheblu. Erando Karabeci lë pas nostalgjinë dhe si profesionist i vërtetë do të japë maksimumin për suksesin e skuadrës së tij. 26-vjeçari, në prononcimin për shtyp para derbit, nuk e fsheh entuziazmin për rikthimin e tifozëve në stadiumin në një derbi që ofron maksimumin për opinionin sportiv në vend. “Një derbi me tifozë të të dyja skuadrave është lajmi i bukur në këtë moment. Janë tifozët ata që me koreografinë e tyre e bëjnë edhe më të bukur derbin”. Në një stadiumin të mbushur nga të dyja tifozeritë, i vetmi dizavantazh për bardheblutë, sipas Karabecit, është terreni i vështirë. “Partizani ka një mbrojtje mjaft solide, por unë jam i bindur se me grintën që na karakterizon do të fitojmë. Mund të në penalizojë vetëm terreni i vështirë, që ndoshta s’do të na lejojë të dalim në lojën tonë”. Në fund Karabeci ka edhe një mesazh për ata tifozë të Partizanit, që nuk e kapërdijnë dot faktin që një lojtar i rritur te të kuqtë, sot mbron ngjyrat e Tiranës. “Unë kam luajtur dy vjet te skuadra e parë e Partizanit dhe u jam mirënjohës trajnerëve me të cilët kam punuar, veçanërisht Shpëtim Duros, që më ka dhënë dorë duke më aktivizuar në formacion, por unë kam më shumë vite si bardheblu. Ata tifozë të Partizanit që më shajnë në stadium kur unë vishja fanellën e kuqe, nuk ekzistonin fare”.

 

 Mediat italiane hedhin sytë nga derbi

Ndërkohë që jehona e këtij derbi duket se ka kaluar edhe kufijtë e Shqipërisë. Kjo, pasi edhe mediat italiane i kanë kushtuar vëmendjen e tyre. Duke pasur parasysh numrin e madh të tifozëve shqiptarë është vendosur që ndeshja do të ndiqet në kanalin e njohur sportiv “Sky”. Një sfidë kjo që do të ketë një interes shumë të madh në Gadishullin Apenin nga shqiptarët që jetojnë atje dhe që është një nismë që bën mirë për futbollin shqiptar. Ndërkaq, disa kohë më parë në sfidën e parë midis tyre, një artikull të veçantë u kushtoi edhe “La Gazzeta dello Sport” që shkroi për historinë e dueleve midis dy ekipeve dhe domethënien e këtij derbi për tifozët shqiptarë.

 

 Prania e tifozëve të Tiranës/ Tirana bashkëpunon me Partizanin për derbin

Klubi i Tiranës do të ketë në sfidën e fundjavës tifozët. Vetëm këtë ndeshje, pasi dënimi do të vazhdojë për bardheblutë problematikë, që do të jenë në mbështetje të skuadrës së tyre në ndeshjen më të rëndësishme. Gjithë kjo erdhi kur kreu i futbollit shqiptar, Armand Duka, bëri të ditur se të hënën dyert e derbit do të jenë të hapura edhe për tifozët bardheblu. Nëpërmjet një komunikate në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, klubi kryeqytetas bëri të ditur se e mirëpret këtë lajm që i shërben mbi të gjitha lojës duke i shtuar bukurinë ndeshjes që ka si një ndër funksionet e saj edhe të qenit një kopertinë e futbollit shqiptar. Pasi vlerëson vullnetin pozitiv të kreut të FSHF-së, klubi i Tiranës garanton se do të bashkëpunojë me tifozerinë bardheblu për të siguruar mbarëvajtjen e derbit me Partizanit, por edhe takimeve të tjera në vijimësi. Tirana në këtë mënyrë angazhohet “për të shmangur të gjithë problematikën e arkivuar dhe lënë pas në këtë sezon”. KF Tirana, veç të tjerash shpreh besimin e saj se Komisioni i Apelit do ta rishohë vendimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës, ndërkohë që fton tifozerinë bardheblu të kthehet në stadium e shumtë në numër, me pasionin e pashtershëm për të ndihmuar skuadrën. Komunikata e Tiranës mbyllet u mbyll me fjalinë se skuadra do të bashkëpunojë me klubin e Partizanit që derbi të luhet në kushte ideale.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency