Përplasja në Kuvend/ Dule përballë Ramës, debati për Himarën, flirtin me PDIU dhe censusin e popullsisë

0
110

Gëzim Saliu

 rama parlamentKryeministri: Censusi të ribëhet, do të dalin më shumë shqiptarë. Kreu i PBDNJ-së: Meqenëse jeni shembull, jepni leksion në KiE, e cila ju kritikon për respektimin e të drejtave

 Interpelanca e kërkuar nga kreu i PBDNJ-së, deputeti Vangjle Dule, me Kryeministrin Rama lidhur me respektimin e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri ka sjellë debate të forta mes dy aleatëve të koalicionit të majtë. Në këtë përballje mes tyre, ku nuk mungoi ironia dhe sarkazma, nuk është shmangur as debati i zhvilluar në seancën e fundit të sesionit të kaluar parlamentar gjatë së cilës u miratua reforma administrative territoriale, për të cilin PBDNJ kishte pretendime lidhur me Himarën. Për këtë të fundit, në replikat e tij të njëpasnjëshme me Dulen, Rama ishte i drejtpërdrejtë duke thënë se nuk çështje Himare në Shqipëri. “Himara nuk do të jetë çështje për diskutim. Himara nuk është minoritet, nuk është një zonë që duhet trajtuar apo duhet parë si zonë ku anë prekur të drejtat e minoriteteve”, – tha Rama. Në kundërpërgjigjen e tij Dule këmbënguli në argumentin e tij duke pohuar se në Himara jetojnë një pjesë e konsiderueshme e minoritetit grek, duke kritikuar nga ana tjetër sjelljen e Kryeministrit në debatin me të në seancën e 31 korrikut për mos reagim ndaj deklaratave të atyre që i cilësoi si të afërt me të, referuar PDIU-së. “Kur diskutonim për çështjen e Himarës, e cila është tërësisht një çështje e të drejta të minoriteve, sado që ju përpiqeni ta përjashtoni, keni shkelur nenin 16 të Konventës. Në debatin që patëm, në këtë sallë, gjatë kohës së debatit pati zëra nga parlamentarë me të cilët ju flirtoni për fluiditete në bashkëpunime të cilët nuk hezituan të ngrenë zërin për tradhtarë, në kohën që unë po ju drejtohesha juve. Sigurisht nuk më takonte mua, por juve në sallën e Kuvendit dhe të mos ledhatonit zëra të tillë që nuk kanë asgjë të përbashkët me kulturën demokratike”, – tha ai.

 

Debati

Në nisje të fjalës së tij, kreu i PBDNJ-së nuk nguroi të ndizte debatin në sallë duke përmendur praninë e lartë të grupit parlamentar socialist dhe të ministrave në sallë, ku thuajse gjatë gjithë seancës prezenca ishte shumë më e pakët në numër. Sipas Dules, kjo mund të ishte edhe një mbështetje më shumë ndaj Kryeministrit Rama në këtë interpelancë, argument që është kundërshtuar jo vetëm nga kreu i qeverisë, por edhe nga deputetët, të cilët nga vendi shprehën qëndrimin e tyre kritik ndaj deklaratës së Dules. Lidhur me regjistrimin e popullsisë, për të cilin Dule ngriti shqetësime se është bërë në kundërshtim me Konventat ndërkombëtare, Rama ra në të njëjtin qëndrim me të, duke lënë të hapur nismën e një censusi të ri. Por në qëndrimin e tij, Kryeministri si për të kundërshtuar edhe argumentet e Dules për një numër më të madh të minoritet grek në vend, theksoi se në rast të një regjistrimi të ri do të ishte i bindur se numri i shqiptarëve do të rezultonte edhe më i madh. Në këtë debat, kreu i PBDNJ-së i mëshoi shumë faktit se kritikat e tij për mosrespektimin e të drejtave të njeriut ishin të bazuara në raportin e KiE si edhe në atë të BE-së. Por nga ana e tij, duke iu kundërvënë me jo pak ironi aleatit në qeverisje, Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria është ndër vendet e para në Ballkan që respekton më së miri të drejtat e minoriteteve. “Nëse ka pak gjëra që ne mund të krenohemi përpara botës dhe fqinjëve është sjellja jonë me minoritetet, si shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë, ku nuk ka përsosmëri, po ku ka një situatë dhe një marrëdhënie me minoritetet si askund tjetër në Ballkanin e vjetër dhe Ballkanin e ri. Kjo është pak mbase për ty, por është 100% e sigurt”, – tha ai.

 

Debati për Himarën/ flirti me PDIU-në dhe Kostandinën e minoritetit

 Dule: Sapo miratuam anëtarët e Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit, anëtarët që i përkasin mazhorancës, sapo shkelëm sërish të drejta elementare të pjesëtarëve të minoriteve nacionale. Nuk mund të kuptohet një Këshill Kombëtar i Radio-Televizionit, ku nuk përfaqësohet komuniteti nacional i minoriteteve. Së dyti më lejo të shpreh falënderimet për të gjithë kolegët deputetë dhe për vëmendjen e tyre dhe të ministrave në këtë interpelancë, e marrë në kuptimin pozitiv dhe jo për faktin se qëndruan për të krijuar një avantazh psikologjik për kryeministrin.

Ndërhyn pa mikrofon Braçe nga vendi: Kjo është fyerje mo… Reagojnë edhe deputetët e tjerë

Dule: Jemi në momente jetike mbi situatën ekonomike në rajon,në kontinent e pse jo globalisht. Dihet që situatat e vështira ekonomike rëndojnë më tepër tek pjesëtarët e minoritetit nacionale, krijojnë dhe kushte edhe për tensione etj. Një arsye tjetër që dëshiroj të zhvilloj këtë interpelancë janë vizitat tuaja në Beograd dhe në Preshevë ku folët për një status të lakmueshëm të minoritetit grek në Shqipëri, të drejtat janë universale, por ju dashur padashur bëtë një gabim. Nëse për minoritetet kudo që ndodhen, ju garantoni të drejta si ato të grekëve në Shqipëri, ju garantoj jo me gjuhën time, por të Konventave, se është e i pamjaftueshëm. Një arsye tjetër që kërkova këtë interpelancë është se, në raport progresin e vitit 2014 flitet për një grup pune të ngritur nga qeveria që do të shqyrtojë, vërejtjet rekomandimet qe vijnë nga Këshilli i Evropës në lidhje me të drejtat e minoriteteve. Do dëshiroja që të kishim si parlament, por dhe më gjerë një tablo më të plotë të këtij komisioni ku është ngritur puna e tij, si konsiston.

Rama: Ne do të kishim pasur në këshill jo një por 5 minoritarë nëse do të kishin aplikuar dhe do të kishin pasur kriteret. Të kërkosh tani, ose ta konsiderosh shkelje të të drejtave të minoritetit që këshilli që sapo miratuam nuk ka minoritarë është të kërkosh një qiqër në një lloj helli që nuk ekziston. Nga ana tjetër qëndrimi i grupit në sallë është shenjë e respektit në radhë të parë për ty Vangjel dhe për PBDNJ-në, edhe për një marrëdhënie historike mes PS-së, LSI-së dhe partisë tënde, pavarësisht ndonjë devicioni historik në të shkuarën të partisë tënde. Për sa i përket Beogradit, unë e përsëris prapë, nëse ka disa pak gjëra që ne mund të krenohemi përpara botës dhe fqinjëve është sjellja jonë me minoritetet, si shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë, ku nuk ka përsosmëri, po ku ka një situatë dhe një marrëdhënie me minoritetet si askund tjetër në Ballkanin e vjetër dhe Ballkanin e ri. Kjo është pak mbase për ty, por është 100% e sigurt.

Kemi arritur në një fazë të historisë tonë ku edhe Pandeli Majko pranon diçka që quhej e papranueshme për shumëkënd deri dje edhe është një fazë e historisë që tregon evoluim. D.m.th. jo më që me minoritetin grek s’kemi asnjë lloj problemi po tani jemi në kushte krejt e krejt të tjera dhe këtë e them me shumë krenari. Jemi shumë rehat kur flasim me të gjithë fqinjët tanë, sepse në këtë pikë për arsye të një historie në këto 20 vite kemi mundësi të jemi kryelartë që askush në këtë aspekt nuk mund të na japë asnjë leksion. Përkundrazi nëse i dëshirojnë ne mund ti japim leksione.

Vetëm një pike t’i mëshoja, por nga çfarë është thënë në ditët drejt kësaj interpelance që çështjen e Himarës ta lëmë jashtë. Nuk ka lidhje fare me problemin e minoriteteve dhe problemet që së bashku do të trajtojmë për të zgjidhur. Himara është tërësisht si Kukësi dhe Tropoja. Aq sa ju intereson Tropoja duhet t’ju interesojë edhe Himara në këtë aspekt. Himara nuk do të jetë çështje për diskutim.

Dule: Vërtet që ligji nuk e parashikon për KDRTSH-së, por raporti i KiE-së dhe raporti i shkurtit identifikojnë vakum për trajtimin e pjesëtarëve të të drejtave të minoritarëve etnikë. Nëse ju e ndjeni se vendi ynë mund të japë leksioni në lidhje me situatën e të drejtave të minoriteteve, t’iu themi një Këshillin e Evropës t’iu ftojnë të mbani një leksion me qëllim që edhe ato të mos bëjnë gabime në raportimet e tyre. Regjistrimi i popullsisë, ju si kryetar i PS-së në atë kohë nuk mbajtët qëndrim si para ashtu edhe pas zhvillimit të tij. Kur diskutonim për çështjen e Himarës, e cila është tërësisht një çështje e të drejta të minoriteve, sado që ju përpiqeni ta përjashtoni, keni shkelur nenin 16 të Konventës. Në debatin që patëm, nuk kam asnjë pakënaqësi për mënyrën e zhvillimit, në këtë sallë, gjatë kohës së debatit pati zëra nga parlamentarë me të cilët ju flirtoni për fluiditete në bashkëpunime të cilët nuk hezituan të ngrenë zërin për tradhtarë, në kohën që unë po ju drejtohesha juve. Sigurisht nuk më takonte mua, por juve në sallën e Kuvendit dhe të mos ledhatonit zëra të tillë që nuk kanë asgjë të përbashkët me kulturën demokratike.

Rama: Komiteti shtetëror për minoritet drejtohet nga Kostandina, që e njohim të gjithë si një përfaqësuese ekspresive të minoritetit dhe për këtë unë vetë kam marrë përgëzime për faktin që e kemi respektuar zgjedhjen e saj aty. N.q.s. tani ju keni problem me Kostandinën atëherë gjejini Doruntinin dhe ndryshojeni. Problemi është që nuk mund të na thuash ne pse në krye të Komitetit është një përfaqësuese e minoritet që nuk gëzon admiratën e PBDNJ-së. Ka një pikë ku ne biem dakord bashkë plotësisht, është regjistrimi i popullsisë. Jam i bindur se ai regjistrim nuk ka përfaqësuar ashtu si duhet me integritet dhe profesionalizëm përmbajtjen e sotme të popullsisë në Shqipëri. Unë besoj se numri i shqiptarëve është shprehur më i ulët seç është në realitet. Ka deformime edhe në aspekte të tjera, edhe në aspektin fetar, apo edhe që na bën kampion në Ballkan ne për deklarimin e kombësisë apo jo…

Ndërhyn Dule pa mikrofon: Jo kampion..

Rama: Po si pra, si…

Dule: E kundërta është, kampion nga fundi

Rama: për një tjetër aspekt po them dhe aty ka pasur përsëri shumë rezistencë. Sa për kampionin nga fundi mos më provoko se fole për ekonomi dhe pensione dhe është e vetmja arsye që më ka bërë të them se për ne, nga të gjithë të këqijat që pati kriza në vendin fqinj, për ne pati të mirë se shumë nga ato pensionet abuzive ranë.

Dule: Është hipokrizi të pranojmë me symbyllur vërejtjet e Banka Botërore e Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe kur vjen çështja për rekomandimet e KiE-së për të drejtat e njeriut dhe aq më tepër për minoritetet të kthesh një vesh të shurdhër, sepse nuk dëmton palën që i bie këmbanës, por palën për të cilën bie kambana.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency