Kallëzimi/ KLSH kallëzon në Prokurori ish-regjistruesin e Durrësit, shkeli ligjin me pronat

0
139

Alma Çuka

 klsh2Regjistruan një pronë në emër të një personi, i cili figuronte i vdekur 14 vite para nisjes së procedurave. Bashkë me të do të hetohen edhe dy specialistë. U kërkua largimi i tyre nga detyra

 Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori ish-regjistruesin e Durrësit dhe dy specialistë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kallëzimi erdhi pas një auditimi të kryer nga KLSH-ja në këtë zyrë për periudhën janar 2012-korrik 2014. Në njoftimin e tij zyrtar, Kontrolli i Lartë i Shtetit bën me dije se gjatë auditimit janë konstatuar një sërë shkeljesh, të metash e mangësish lidhur me zbatimin e procedurave ligjore në pranimin, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, duke sjellë për pasojë përfitime pasurore të pamerituara, veprime në kundërshtim me ligjin.

 

Shkeljet

Ndër shkeljet kryesore përmenden 282 raste në fshatin Shetaj dhe Lalëz, Komuna Ishëm, në fshatin Shkallnur, Arapaj dhe Likmetaj, Komuna Rashbull. Sipas raportit të depozituar në organin e prokurorisë thuhet se janë regjistruar 436064 m2 tokë e llojit “arë” më tepër, pasi sipërfaqet e regjistruara nuk janë sipas dokumentit ligjor AMTP, por sipas sipërfaqes faktike në terren. Në 9 raste në fshatin Shetaj, Komuna Ishëm, janë regjistruar 68.201 m2 kur familjet bujqësore përfituese me AMTP, rezultojnë të kenë përfituar edhe më parë tokë bujqësore me AMTP, si dhe kur rezulton se përfituesit e tyre kanë qenë plotësuar më parë me tokë bujqësore sipas normës për frymë të gjendjes familjare 01.8.1991, pra kanë përfituar tokë më tepër. Ndërsa në 1 rast në Zonën Kadastrale 1204, fshati Bizë, Komuna Ishëm, është regjistruar një sipërfaqeje prej 10.500 m2, në zërin kadastral “arë”, sipas AMTP nr. 79/1, datë 12.02.2002 kur kjo sipërfaqe ekziston në zërin kadastral “P F” që do të thotë tokë e pafrytshme, zë i cili nuk është objekti i ligjit nr. 7501, datë 01.08.1991 “Për tokën”, si dhe ndryshimi i zërit kadastral nga “PF” në “arë” është bërë pa vendimi nga Këshilli i Qarkut, MBUMK apo Këshilli i Ministrave. Në 17 raste në ZK 2375 fshatin Lalëz, Komuna Ishëm, janë regjistruar 1643 m2 sipërfaqe trualli e ndërtimi referuar listave emërore të ish-pronarëve për pronësinë e ndërtesës dhe trojeve por pa u disponuar asnjë dokumentacion për regjistrimin e tyre. Në 3 raste në ZK 2375 fshatin Lalëz, Komuna Ishëm, janë regjistruar tokë truall subjekteve juridike duke u lejuar shmangien e detyrimeve që rrjedhin nga regjistrimi i kontratave të shitjes, pasi është ndryshuar zërin kadastral nga tokë e pa fryt, pyll në truall në zonë turistike, zonë e stimuluar, kur subjektet nuk gëzojnë titullin person i stimuluar, në zonë të stimuluar për veprimtari të stimuluar.

 

Bregdeti

Vihet re se janë bërë regjistrime të pasurive të cilat hapur me ligjin kanë ndërtuar në afërsi të bregut të detit pa leje. Kështu në 2 raste në ZK 8518, Urbane Plazh Durrës, ka rezultuar se është regjistruar një objekt “8 kate banim shërbim hoteleri” dhe “godinë banimi dhe njësi tregtare 6 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë me funksion garazh”, kur sipas akt kolaudimit objekti ka ndërtuar pa leje një sipërfaqe prej 252 m2. Në 1 rast në ZK 3385, Shkallnur, Durrës, është regjistruar një objekt “godinë banimi e shërbimi 8 + ½ + 1 kat shërbime + 1 kat garazh + papafingo”, kur sipas akt kolaudimit objekti ka ndërtuar pa leje një sipërfaqe prej 542 m2. Në 2 raste në ZK 8512 qyteti Durrës, janë regjistruar sipërfaqe trualli 512 m2 dhe ndërtimi 219 m2 pa u disponuar dokumentacioni i duhur ligjor mbi mënyrën dhe llojin e përfitimit të pronësisë. Në 1 rast në ZK 8512 qyteti Durrës, është regjistruar një sipërfaqe trualli prej 624 m2 duke ndryshuar zërin kadastral nga “Ledh” në “Truall” pa u disponuar dokumentacioni ligjor për ndryshimin e tij, lëshuar nga organet e ngarkuara sipas ligjit. Në 3 raste në ZK 8512 qyteti Durrës, janë regjistruar objekte shumëkatëshe me mungesë në dokumentacionin tekniko ligjorë.

 

Rasti i paprecedentë

Në 1 rast në fshatin Arapaj, Komuna Rrashbull, është regjistruar një tokë e llojit “Arë”, me sipërfaqe 6000 m2, duke u pranuar aplikim nga një qytetar i cili rezulton i vdekur 14 vite para kryerjes së aplikimit, kur përfituesi i tokës sipas AMTP nuk ka të dokumentuar të ketë qenë pjesëtar i familjes bujqësore sipas gjendjes së 1 gusht 1991 në fshatin Arapaj ku dhe është pajisur me tokë, por në fshatin Shënavlash. Brenda të njëjtës ditë është pranuar aplikimi, është përpunuar dokumentacioni dhe është lëshuar certifikata e pronësisë, kur përfituesi dhe bashkëshortja e tij rezultojnë të vdekur dhe marrësi aktual i certifikatës së pronësisë nuk vërteton se është trashëgimtar legjitim i pasurisë, pasi nuk disponon vendim gjyqësor apo noterial mbi çeljen e dëshmisë së trashëgimisë. Mbi bazën ë shkeljeve të mësipërme dhe të tjera, KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse, për ish-regjistruesin B. L. të ZVRPP Durrës dhe për Specialistët D.Q., me detyrë Jurist dhe K. GJ., me detyrë Hartograf, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

 

 Lushnjë/ Prokuroria zbardh listën e emërimeve në arsim nga ish-drejtoresha Tabaku

Prokuroria e Lushnjës ka zbuluar listën e emërimeve të bëra nga ish-drejtoresha e Arsimit në këtë qytet, Liza Tabaku. Bëhet me dije se brenda një viti janë punësuar me kohë të pjesshme në arsim 73 persona. Sipas hetimeve të Prokurorisë, mësohet se në listë ndodhen emra personash që kryesisht janë militantë të dy partive, PS dhe LSI. Ndërkohë, nga hetimet e deritanishme mësohet se edhe vetë ish-drejtoresha ka pranuar faktin se personat që emëroheshin në arsim kanë qenë të diktuar nga funksionarë të dy partive politike në pushtet. Prokuroria, ndërsa ka marrë listën e emrave në dorë, pohon se do të verifikojë një për një secilin prej tyre për të zbuluar nëse kanë paguar apo jo para për të marrë vendin e punës. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se asnjë prej mësuesve të emëruar nuk ka kaluar përmes konkurseve. E arrestuar bashkë me të birin dhe një mësues, Tabaku akuzohet se për një vend pune në arsim ka marrë 3 mijë deri në 5 mijë euro. Por ndërsa ajo ndodhet në qeli për ryshfete, dëshmi publike kanë ngritur akuza rreth aferave seksuale për një vend pune. Mendohet që regjistrimet audio dhe pamje kanë nxjerrë në dritë skandalin e favoreve seksuale, në të cilin janë përfshirë jo vetëm punonjës të zyrës, por edhe persona jashtë saj, politikë dhe jo të tillë.

 

Durrës/ Arrestohen dy persona, u kapën me 725 gramë heroinë

 Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy persona, të cilët u kapën në flagrancë me 70 doza heroinë. Burime nga policia bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Eno Haxhiu dhe Klodjan Gjinika, të dy me precedentë të mëparshëm penalë. Sipas policisë, të arrestuarve iu sekuestruan 25 gramë heroinë, të cilën e kishin bërë gati për ta shpërndarë në qytetin bregdetar. Policia njoftoi se nuk janë të vetmit dy të rinjtë e arrestuar për këtë vepër penale. Aktualisht në dhomat e paraburgimit ndodhet një numër relativisht i lartë i personave, akuzuar për shpërndarje dhe posedim të lëndës narkotike. Por ndërsa të arrestuarit që kapen duke shpërndarë doza të vogla lënde narkotike i shpëtojnë drejtësisë, duke u mbrojtur me faktin se janë përdorues të saj, të tjerë përballen me akuzën e trafikut në bashkëpunim. Tashmë dy të rinjtë do të përballen me drejtësinë për akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency