Intervista, Basha: PD parti që ripërtërihet, por s’tjetërsohet.  Nuk ka gjueti shtrigash ku ka votë të lirë

0
114

lulzim-basha-475x280“Kryesia e re ka marrë përgëzimin e kryesisë së gjerë të PD. Kryesia ka 13 zonja në poste vendimmarrëse. 3 janë profesorë, 3 profesorë të asociuar dhe 13 të tjerë do të marrin titullin doktor shkencash. Ka figura që janë aty për shkak të kontributit të tyre, por ka edhe deputetë që kandiduan dhe fituan duke u bërë anëtarë të kryesisë”

 Mund të them se PD është një parti që ripërtërihet, por nuk tjetërsohet. Kështu është shprehur Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një intervistë për “Top Channel” në emisionin “Top Story” me gazetarin Sokol Balla. “Unë shoh sot në PD janë ndërthurja e harmonizimit me përfaqësimin e ambicjeve, kontributeve, vlerave, moshave, gjinive, etj. Këta anëtarë të PD erdhën në këtë proces pasi ne garantuam angazhimin tonë për Shqipërinë. Jemi 105 mijë anëtarë të rregullt të PD. Si çdo vendimmarrje tjetër, në çdo seksion, ka qenë vota e lirë e anëtarëve të PD”, – përmendi Basha.

 
Zoti Basha, të flasim pak për zgjedhjet e fundit në PD. Vërtet mendoni se kjo është një PD e re? A janë prurjet e reja në përputhje me vizionin tuaj?

Në themel, procesi zgjedhor ka patur rinovimin dhe ripërtëritjen e PD, që është i rëndësishëm në demokraci. Është edhe më i nevojshëm pasi një parti humb zgjedhjet pas 8 vjetësh në pushtet dhe është forca më e madhe e opozitës, njëkohësisht alternativë për qeverisje të nesërme. Procesi është karakterizuar nga evidentimi dhe promovimi i vlerave dhe fryma e organizimit dhe kolegjialitetit. Kemi përmbushur me sukses fazën parë të nisjes së re, me një PD të ripërtërirë dhe të rinovuar, që të ecë me besim drejt sfidave dhe pritshmërive të qytetarëve.

Duket se të zgjedhurit kanë qenë të caktuarit nga kryetari i PD. Unë nuk besoj se kanë qenë zgjedhje demokratike

Ne flasim me fakte. Atë që thash unë e vërteton produkti: me zgjedhjen e Kryesisë, Këshillit Kombëtar, të zgjedhur nga Kuvendi Kombëtar. Ne arritëm deri në këtë proces pas zgjedhjeve në baza dhe dy tiparet kryesore që unë shoh sot në PD janë ndërthurja e harmonizimit me përfaqësimin e ambicjeve, kontributeve, vlerave, moshave, gjinive, etj. Këta anëtarë të PD erdhën në këtë proces pasi ne garantuam angazhimin tonë për Shqipërinë. Jemi 105 mijë anëtarë të rregullt të PD. Si çdo vendimmarrje tjetër, në çdo seksion, ka qenë vota e lirë e anëtarëve të PD. Unë jam i kënaqur me këtë proces sepse bëhet për herë të parë në historinë e pluralizmit të Shqipërisë.
 

Duket pak e vështirë që PD t’i njohë gjithë këto figura

Dalin figura të reja, por edhe figura që kanë kontribuar e themeluar. Secili prej tyre përfaqëson një vlerë të konsoliduar ndër vite, në opozitë, apo të sprovuara në administrime të ndryshme gjatë qeverisjes 8-vjeçare.

Të mos harrojmë se ju jeni një krijesë politike që ka ardhur nga një rihapje e PD në 2004

Një gjë është e sigurtë, me PD sot ekzistojnë të gjithë mekanizmat dhe hapësirat për këdo që dëshiron të japë kontributin e vetë. Për nga përmasat e demokratizimit të hapjes dhe bashkimit ky është një proces unik, i pandodhur më parë.

Po si mund ta quajmë atëherë? Me kë mund ta krahasojmë?

Mund të them se PD është një parti që ripërtërihet, por nuk tjetërsohet.

Duket se ka pasur një spastrim emrash, si për shembull emri i Astrit Patozit apo Jozefina Topallit

Nuk ka asnjë spastrim. Zoti Patozi, sikurse figura të tjera si zonja Topalli, zoti Imami, etj, janë personalitete që kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në PD, në opozitë e qeverisje. Zonja Topalli dhe zoti Patozi kanë qenë nënkryetarë të PD. Ai më pas dha dorëheqjen e parevokueshme nga posti i nënkryetarit, por është pjesë e elitës së PD.

Por qoftë zonja Topalli, qoftë edhe zoti Patozi janë zëra kundër jush… Mos vallë ka pasur një gjueti shtrigash?

Nuk ka gjueti shtrigash në një parti që ka vendosur votën e lirë në themel të vendimmarrjes. Nuk ka. Mundësia për të gabuar ekziston, por është më e pakët duke parë mënyrën që u votua. Ftesa e lidershipit të PD në Gjermani nga kancelarja Angela Merkel është provë e vlerësimit të këtij modeli dhe synonte pikërisht afrimin me partitë e djathta evropiane.

Në kongres nuk u përmend asnjëherë emri i Sokol Olldashit. Ka pasur një reagim emocional të disa delegatëve, por dhe më gjerë. Keni një koment për këtë?

Unë nuk kam koment për asnjë spekulim. Sokol Olldashi mbetet një figurë me një kontribut të shquar politik në PD dhe në qeverisje. Respekti dhe nderimi im për të është i palëkundur, ndërsa tentativat për të keqpërdorur figurën e tij janë për t’u ardhur keq.

Por pavarësisht analizave dhe rrugëtimit që ju keni marrë, në PD ka ende të pakënaqur. Pse nuk e keni artikuluar atë që keni bërë? Në opinionin tim, ka një mungesë sinqeriteti. Sot, pasi kjo kastë e vjetër është larguar, a ka kryetari i ri guxim të flasë?

Unë e kam dëgjuar këtë si ftesë për të gjykuar faktet dhe pseudofaktet ku bazohet. Është prezumimi se ka spastrime, nuk është i vërtetë. Është prezumimi se kjo që ka ndodhur ka lënë të pakënaqur, nuk është e vërtetë. Këtu nuk vijmë sepse është vullneti politik i një njeriu të vetëm, por sepse është bërë një analizë e shëndetshme, që ka evidentuar faktorët objektivë të daljes së PD në opozitë. Ka të bëjë me faktorë brenda nesh, jashtë nesh, me faktorë të kundërshtarëve politikë që lidhen me vjedhjen dhe blerjen e votës, si dhe me dështimet tona në raport me PD dhe qytetarin. Dhe unë ju siguroj se është bërë një analizë e plotë. Procesi nuk ka degjeneruar në një harakiri. Në Kongresin Kombëtar nuk kemi thënë se faji i humbjes ka qenë i zyrtarëve të këtij apo atij niveli. Kryetari i PD dha dorëheqjen. Analiza ka pasur në themel çfarë bëmë gabim dhe çfarë mund të ndreqim dhe jo kujt t’i nxjerrim sytë.

Ka shumë që bëjnë analogji mbi modelin tuaj politik dhe atij të zotit Rama. Kryesia e PD nuk ka një përfaqësim aq promocional të grupit parlamentar, ndoshta për shkak të numrit të pakët të grave që ju keni

Kryesia e re ka marrë përgëzimin e kryesisë së gjerë të PD. Kryesia ka 13 zonja në poste vendimmarrëse. 3 janë profesorë, 3 profesorë të asociuar dhe 13 të tjerë do të marrin titullin doktor shkencash. Ka figura që janë aty për shkak të kontributit të tyre, por ka edhe deputetë që kandiduan dhe fituan duke u bërë anëtarë të kryesisë, që ka rreth 40 anëtarë, 20 prej të cilëve deputetë. Ata u zgjodhën me votën e anëtarëve të Këshiliit Kombëtar. Kemi përfaqësim dhe harmonizim.

Keni edhe bashkëpunëtorët tuaj në Bashkinë e Tiranës

Po, por ata janë persona që nuk e kanë nisur karierën në Bashkinë e Tiranës. Për shembull zoti Enno Bozdo, ai ka qenë shumë më parë me PD. Janë njerëz që nuk vijnë nga anonimati, por nga kontributi politik.

Sekretar i përgjithshëm është zgjedhur Arben Ristani. Për këtë post garuan tre emra, një figurë historike, një i ri dhe i treti zoti Ristani. Duket e habitshme që Eduart Selami del i treti, Enkelejd Alibeaj i dyti dhe zoti Ristani i pari. Ristani ishte njeriu që ju shpalli fitues në zgjedhje, mos ishte ky një shpërblim?

Zoti Ristani është futur në politikë në vitin 2012, kur unë isha kryetar bashkie dhe kryetar i PD, zoti Sali Berisha. Ai ka kandiduar dhe ka fituar mandatin e deputetit, ka qenë figurë e spikatur në këtë vit e gjysmë opozitë. Zoti Selami është figurë historike, një figurë që gëzon mbështetje të gjerë popullore. Zoti Alibeaj është një nga figurat me integritetin më të lartë, një nga figurat kryesore të avokatisë institucionale të PD. Të tre garuan në një garë të fortë e të bukur dhe u ndanë me shumë pak vota nga njëri-tjetri. Nëse unë do kisha përcaktuar kandidaturën fituese, të jeni të sigurtë që këtë nuk do ta kisha pasur të lehtë. Ky është një standard i vendosur në këto 24 vjet të PD.

Mua më shkon mendja se duhet të votohej zoti Ristani për shkak se

Mund të jetë mendimi juaj, por jo mentaliteti i PD, që në vitin 2014 ka hyrë në një nivel të ri. Votimi ka qenë sovran, i fshehtë dhe ka sjellë këtë rezultat. Ka qenë një garë e fortë dhe e bukur.

Mendoni se zoti Ristani mund ta bëjë këtë detyrë më mirë se zoti Selami?
Hamendësimet nuk më takojnë mua, ky ishte një vendim i Këshillit Kombëtar.

Qoftë për emrin e Ristanit, qoftë për atë të Endira Bushatit, PS ka hedhur akuza

Këto janë komplekse të PS, sepse nuk ka asnjë fakt që këta dy individë, që kanë pasur poste drejtuese, të mos kenë bërë si duhet detyrën. Ata janë njerëz që përfaqësojnë vlera, që kanë kontribuar për interesin publik dhe vijojnë ta bëjnë këtë. Si ata edhe gara kanë pasur një lajtmotiv: promovimin e vlerave të kontributeve, të ekspertizës, etj. Këtë e konsideroj një kundërsulm ndaj planit të dyshes Rama-Meta, që po promovon anti-vlera, po promovon njerëz të krimit, njerëz me diploma false, etj.

Sa realisht i keni pasur zgjedhjet larg ndikimit të Sali Berishës?

Të lirë kemi qenë 100 për qind.

Unë dyshoj që ju keni votuar për zotin Ristani

Mos dyshoni tek unë sepse jam njeri që respekton votën e lirë dhe të fshehtë. Modeli i vlerave që kam promovuar unë është modeli i qytetarëve shqiptarë. Jemi një parti e hapur, kushdo që gjen veten në vlerat tona është i mirëpritur. Por do të marrë përgjegjësinë. Përjashtim bëjnë ata që vijnë nga bota e krimit, që sot kanë një strehë tek mazhoranca e dyshes Rama-Meta.

Po thoni që modeli Berisha po zëvendësohet me modelin Basha?

Modeli Basha, nëse mund ta quajmë kështu, është model i ri, i nismës së re dhe alternativës. Risia kanë filluar me regjistrimin, e dimë sesa anëtarë kemi dhe ku i kemi. Këta anëtarë marrin vendimet në PD dhe ky ka qenë themeli ynë. Programi ynë i ri është oferta për shqiptarët, që do të na vlerësojnë.

Ka shenja se ju nuk keni kontroll të plotë në parti. Të paktën gazeta “Rilindja Demokratike” hapet gjithmonë me zotin Berisha në plan të parë. Kjo gazetë u hap edhe me një goditje ndaj kompanisë MAPO, që ju ka mbështetur juve. Kjo është një goditje frontale

“Rilindja Demokratike” është gazeta e parë e PD. Unë nuk flas në telefon në darkë me redaksinë e “RD” për të caktuar se çfarë të botohet. Por sot, “RD” është media kryesore kundër qeverisjes Rama-Meta, që po përpiqet të zërë çdo zë të lirë. Ky është misioni i “RD”.

Thatë që keni një parti të rinovuar por jo të tjetërsuar. Këto ditë ka patur një deklaratë të kryetarit të grupit parlamentar Edi Paloka ndaj deputetes Mesila Doda për ligjin e lustracionit. Ajo u quajt “marionetë e Edi Ramës”. Besoj se këtë deklaratë e keni mriatuar edhe ju?

Nëse unë nuk bie dakord me një linjë editoriale të një deputeti, reagoj sepse jam kryetari. Zoti Paloka nuk i është drejtuar asnjë personi në veçanti. Ai ka bërë një deklaratë politike ndaj dyshes Rama-Meta, që thotë se do hapë dosjet, por që ka sjellë në pushtet elementë të diktaturës. Deklarata e tij ka qenë politike. Unë i qëndroj faktit se çdo deputet i PD duhet të respektojë vendimin politik të PD.

Po nëse nuk e bën?

Bëhet ajo që bëhet në çdo parti.

Do të thotë që zonja Doda do përjashtohet?

Lulzim Basha: Unë jua thash. Çdo deputet duhet të ketë raport me vendimet e PD.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency