Autori i ” Epoka para gjyqit”/ Kryeziu, autor i dramave të utopisë reaktive

0
3938

Haqif Mulliqi

ekrem kryeziu Duke i njohur dramat e Ekrem Kryeziut, të thuash, gjatë gjithë procesit të krijimit të tyre, që nga idetë e para e deri tek përfundimi i plotë i tyre, për aq sa një dramë mund të quhet e përmbyllur apo edhe përfunduar, rrekemi të paraqesim më poshtë edhe vizionin, edhe konceptet sociale, edhe ato historike, ato filozofike apo, edhe thjesht, ato jetësore të këtij autori interesant.

Nuk e di se a është e saktë që për një autor të themi se është i vyer, produktiv apo edhe t’i vëmë ndonjë mbiemër tjetër, paçka se miku im shumë i çmuar, Ekrem Kryeziu. i mban pranë emrit të vet të gjitha këto që thashë, dhe jo vetëm. Në fakt, duke i lexuar dramat e tij, besoj se mund ta grafikojmë qartë edhe të menduarit e autorit për dramën dhe teatrin në përgjithësi dhe konceptet e tij se tashmë ka arritur koha që dramaturgët të jenë më të drejtpërdrejtë, më të qartë dhe më kumbues, duke iniciuar kështu, një qasje më ndryshe në dramaturgjinë tonë, e cila e ka për synim që, para së gjithash, ta radikalizojë përvojën teatrore te ne të instaluar mbi skenat kyçe dramatike të mbamendjes kolektive, e që do të na shpie drejt ndryshimeve kulturologjike në përgjithësi. S’do mend se këtu, bënë përjashtim një krijim i hershëm, por jo më pak i rëndësishëm i Ekrem Kryeziut, pra drama e tij shumë e njohur “Epoka para gjyqit”, që është bërë disi, me apo pa të drejtë, shenjë identifikuese e këtij autori.

Për dramat e Ekrem Kryeziut, besoj se duhet të mendojmë dhe të shkruajmë nga aspektet estetike, antropologjie, por edhe kulturologjike, në radhë të parë. Kjo që po them, nuk nënkupton faktin se veprat e Ekrem Kryeziut nuk meritojnë shqyrtimet të tjera si ato teatrologjike – pra që, dikush prej nesh të angazhohet dhe të bëjë ndonjë analizë të dramave të tija të formës apo formave dramatike që ai përdor etj, por, në çastin kur para nesh u shfaqen dy vëllime dramash – pra dy libra me një numër veprash të vëna në skenë apo edhe të painskenuara, të para apo edhe të periudhës së pas luftës, mendoj se, në një mënyrë apo tjetrën, na ka ardhur koha për ta vënë në pah edhe veprimtarinë e përgjithshme teatrore dhe dramaturgjike të dramaturgut në fjalë.

 

AUTORI – HERË PROTAGONIST E HERË ANTAGONIST NË SHOQËRI

Krijimtaria e Ekrem Kryeziut, të thuash, vetëm pjesërisht realizohet përmes teksteve dramatike, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një autor i cili në mënyrë të shumëfishtë ka prezencë në skenën tonë kulturore – edhe përmes aktivizimit të tij politik e kulturor, edhe përmes artit të të shkruarit, të filmit të luajtur dhe atij dokumentar, të letërsisë si dhe të publicistikës dhe pikturës. Për këtë arsye, Ekrem Kryeziu, merr pjesë aktive në atë që sociologu i njohur frëng Pjer Burdie, do ta quante: krijim të fushës së kulturës. Kjo shfaqet qoftë me të shkruarit e dramave, qoftë përmes filmit artistik të cilin e ka pasion dhe dashuri, si dhe përmes eseve politike, duke projektuar mjaft qartë një realitet të kontrastuar fuqishëm shoqëror, përmes një rezonimi të thellë si dhe shpupuritjeve të universit në të cilin jetojmë dhe mbijetojmë. Dhe duke vepruar në skenën e kësaj përditshmërie, vetë ai, E. Kryeziu paraqitet herë si protagonist e herë si antagonist, pra ashtu sikurse edhe ndodh në jetën tonë.

I detyruar që të veprojë ndonjëherë edhe në vetë margjinat e shoqërisë, përmes një perimetri të gjerë të skenës kulturore, në një mënyrë të theksueshme të aktivizmit intelektual dhe politik, – mënyrë e cila e kishte dhe e ka qëllim që ta ndryshojë fushën dramaturgjike, teatrologjike dhe socio-kulturore te ne, – shkrimtari përpiqet që, me artin e vetë, ta përthyej rrjedhën e njëtrajtshmërisë, hove – hove brutale të realitetit që i përket dhe ai vetë e viktimë e të cilit edhe ishte, së bashku me mënyrën e të menduarit për këtë realitet sa real aq edhe virtual, vetëm e vetëm që të mbërrijë në qëllimet e veta fisnike. Duke lexuar dramat e Ekrem Kryeziut, e kuptojmë se veprimet artistike të tij kërkojnë ndërlidhshmërinë e katër pjesëve, apo, më qartë, ndërthurjen e katër momenteve më kruciale në jetën e një krijuesi të vyer: atë trupor, atë emocional, atë koniunktiv si dhe në atë shpirtëror. Ndërsa, duke u mbështetur në poetikën e këtij autori dramash, si dhe në hulumtimet tona të mëhershme mbi krijimtarinë e tij, mund ta themi se opusin dramaturgjik të Ekrem Kryeziut e karakterizon një lloj ambivalence në krijimin e ndër-marrëdhënieve njerëzore, paçka se, mu kjo ambivalencë në dramat si “Përqafimi”, ta themi, apo edhe “Përplasjet” e në veçanti “Lulëkuqet”, dalin mbi sipërfaqe edhe mendimet kritike të vetë autori si dhe bëhen një mori interpretimesh të dukurive të caktuara në shoqërinë tonë, me ç’rast, e kuptojmë se, pozita e intelektualit është një lloj shënjestre për akëcilin sistem politik të të gjitha periudhave ku ka jetuar dhe krijuar vetë Ekrem Kryeziu.

Kjo, mbase është gjëja më kyçe që na ndihmon në të kuptuarit e domosdoshmërive që burojnë nga dramat e tij, qofshin ato tragjedi, apo edhe drama të utopisë intelektuale. Fundja, kjo ka të bëjë edhe me atë se si e kundrojmë dhe se si e perceptojmë ne mitiken, vetëdijen mbi fisin apo edhe mbi ndonjë përkatësi tjetër, që mund të jetë status individual, ideologji, grupim politik, etj, e të cilat, të thuash prore, edhe në shpirtin fragjil të intelektualëve siç është Kryeziu, ndërlidhet me një lloj të të menduarit utopik – qoftë atëherë kur flasim për pësimin mijëra vjeçar të shqiptarëve (që nga drama “Komploti ilir” e deri tek “Viktimat e Tivarit”), qoftë edhe tek mitet e kohës së luftës dhe të pasluftës në Kosovë, e që nuk janë vetëm legjenda të zakonshme urbane të kohërave siç është kjo jona, por drama të vërteta njerëzore me përplot indikatorë të realitetit të vrazhdët që vazhdojmë ta jetojmë.

 

DRAMA SI NDIKUES I MBAMENDJES SONË KOLEKTIVE

Duke shkruar mbi këto utopi, dramat e Ekrem Kryeziut sikur na e krijojnë bindjen se, ky autor, jo që nuk sajon formula të zgjidhshme për problemet tona, por edhe vetë zhytet thellë e më thellë në realitetin dhe përditshmërinë tonë, e ndonjëherë, madje, duke e zhvilluar poetikën e tij edhe përmes elementëve që në këndvështrimet e teorisë së postmodernes, do të mund t’i cilësojmë si rrethana të hiperealitetit tonë. Në këtë kuadër mendojmë se del mbi sipërfaqe edhe i ashtuquajturi nocion i utopisë retroaktive, për të cilin ka shkruar i pari, mbase, Romen Rolani duke sqaruar një fakt me peshë të posaçme se: kujtesa e vetë dramës dhe teatrit mban utopinë më të madhe të botës. Mendimi i Rolanit, sikundër edhe Zhorzh Banie, në rastin e dramave të Kryeziut mund të identifikohet pra si utopi retroaktive, e që, mbase, do të mund të ishte një term frutdhënës në rrafshin e të kuptuarit të marrëdhënieve që krijon në veprën e tij ky autor përmes një optike gati diskursive. Falë saj, nga ana tjetër, pasqyrohet realiteti objektiv, por ama edhe përmes ndërtimit të një koncepti të fuqishëm social dhe filozofik, që mëton të ketë ndikim në mbamendjen kolektive, e cila, ndonjëherë del të jetë jo rrallë e manipuluar përmes miteve të të tjerëve dhe pamjeve të mediatizuara që na janë imponuar nga të gjitha anët për vite dhe dekada në robëri.

Megjithatë, ajo që duket më e rëndësishmja në dramat e Ekrem Kryeziut për mua, ka të bëjë me faktin se ato ingranohen në një lloj trendi të cilin, në një mënyrë apo tjetrën, mbase edhe mund ta quajmë – lloj i veçantë kujtesës sonë politike. Kjo kujtesë kishte dhe vazhdon të ketë një qëllim parësor: t’i kundërvihet atij lloji të harresës që, ndonjëherë na vjen si percepsion i habitshëm, kur besojmë se edhe vetë politikat zyrtare të vendit tonë përpiqen që të na “edukojnë” politikisht, “kulturalisht” dhe “historikisht”, duke na bindur se tashmë ka kaluar koha që të flasim për robërinë, për vrasjet e ndodhura këtu, për dhunimet, për gjenocidin, për radikalizmin fetar, ngase ne duhet të ecim përpara pa ngarkesa dhe, mundësisht t’i harrojmë ato që kanë ndodhur. Në këtë politika jonë shtetërore ndihmohet bollshëm nga misionarët analfabetë të UNMIK-ut, hileqarë të OSBE-së, prepotentë të BE-së, ata të korruptuar të EULEX-it, serbofilë të Këshillit të Evropës, të Komisioni Evropian, prokurorët tallava të Hagës apo edhe të Gjykatave Speciale kundër shqiptarëve, nga ambasadat e ndryshme që na i hapin sytë duke na treguar se si dhe ku vërtet e kemi “dhjerë” punën… Nga ministra mediokër apo edhe “ndonjë ministër homoseksual e ndonjë ministre lesbike” – (marrë nga drama “Një përkujtim në kafe-teatër të H. Mulliqit), e nga kush jo tjetër!?

Kjo pra është ajo politikë të cilës i kundërvihet dramaturgjia e Ekrem Kryeziut. Në opusin e tij dramaturgjik ai insiston të zgjedh dhe përzgjedh nga historia ato pjesë ku më së lehti mund të risemantizohet edhe rrafshi mitik. E këtë e bënë që ne mos t’i harrojmë ato që janë aq të rëndësishme edhe për të ardhmen tonë – pra, ngjarjet esencialisht të domethënshme dhe frymëzuese për njerëzit e bashkëkohësisë sonë, madje duke i shfrytëzuar aty-këtu edhe figurat dhe personalitetet që, ndonjëherë nuk mund të ingranohen në “fotografitë e heronjve” zyrtar, por që janë të tillë të çiltër dhe vetëmohues si heronjtë tragjikë të antikitetit. Kryeziu këto figura që në shikim të parë na vijnë si njerëz të rëndomtë dhe gati-gati ordiner, si kurse edhe ngjarjet nëpër të cilat riciklohen ata, i mishëron në një mënyrë krejtësisht tjetër. Ai i shndërron madje në heronj të kohës sonë, që përpëliten mes kundërshtive dhe luftës kundër padrejtësive, përmes zërave kritik dhe refuzues ndaj realitetit zhgënjyes, i cili e përcëllon keqas autorin, por edhe neve.

Sipas meje vepra dramatike e Ekrem Kryeziut është lloj i kulturës politike nga poshtë lartë, pra që vjen nga margjinat e shoqërisë së cilës i përket autori. Si intelektual ai paraqitet si një kundërvënie e politikave kulturore dhe identitare, të cilat klasa politike sot po përpiqet të na i imponojë. Kjo politike na blasfemon me mediokritetin e vetë, duke u përpjekur që të na sjellë shenja të reja të përkatësive dhe të identitetit tonë përmes semantikave të paqëndrueshme dhe një etno-politike morbide e cila seriozisht e shqetëson këtë autor. Të themi, te drama “Lulëkuqet” e Kryeziu, në një mënyrë krejt të veçantë ai synon dekonstruimin e miteve të reja, të cilat, ndonjëherë, habitemi se si u krijuan, kush i krijoi, apo edhe cili është kontributi ynë individual në krijimin e tyre. Me këtë rast, Ekrem Kryeziun e shquan përpjekja që përmes përpjekjeve demitizuese dhe krijimit të miteve të reja dhe jo rrallë edhe të gënjeshtërta – e që ndoshta as që janë mite, – synon të ofrojë si dhe shpërfaq para audiencës një realitet fare ndryshe nga ai të cilin përpiqet të na e servirë pushteti. Shi për këtë, në rileximin që u kam bërë veprave të tij, veçanërisht më kanë zgjuar interesim dramat “Lulëkuqet” dhe “Përplasjet” që, personalisht më godasin dhe më vijnë si dy drama utopike. Janë këto drama të shkruara pas luftës së Kosovës dhe që, mbi të gjitha, vijnë si refleksion për gjendjen e një vendi në tranzicionin e dhimbshëm dhe të frikshëm ndonjëherë siç ndodhë edhe në Kosovë.

Paçka se këto drama i kam lexuar edhe në dorëshkrim, paçka se më kishin bërë përshtypje këtu e një dekadë më parë kur kisha komunikuar për të parën herë me to dhe me personazhet e tyre tejet dramatike, besoj se, praktikisht, temat që trajtojnë ato, pas të gjitha përvojave jetësore që nuk po mundemi akoma t’i fusim në një valixhe të të shkuarës, mund të thuhet se pikërisht sot na vijnë më të qarta dhe më të kuptueshme.

 

KUR E KEQJA MBI HERONJTË E VËRTETË NUK SHQITET DOT

Fati i veteranit të nëpërkëmbur të luftës, lufta makiaveliste për pushtet e “elitave” politike, si dhe lufta e egër që bëhet kundër tij, pra veteranit, në planin real dhe imagjinar të botërave të ngjeshura që e kanë brumosur si personazh, mendoj se është një reflektim vizionar i autorit se e keqja ndaj heronjve të njëmendtë të luftës nuk do të shqitet asnjëherë dhe se lufta e tyre e drejtë nuk do të marrë fund asnjëherë, as në paqe. Dhe ky është zhgënjim.

Drama “Lulëkuqet” është dramë edhe mbi përfituesit e luftës, batakçinjtë, të cilët u stolisën si është më së miri me pushtetin dhe me të mirat që solli ai. Pas ngjarjes së madhe të kombit tonë në fundshekullin e kaluar, erdhi një kohë që krijoi kënetën e madhe të kujtesës, e cila i zhyti në llumin e turbullirës heronjtë e njëmendtë, ndërsa nxori mbi sipërfaqe: gjarpinjtë, hardhucat, bollat, picërrakët, krokodilët, hipopotamet, ujqërit, hienat, kameleonët, e kë jo tjetër!?

Shikuar edhe në aspektin kulturologjik, vepra dramatike e Ekrem Kryeziut e botuar në këto dy vëllime librash është e një rëndësie të madhe. Bile, vetë botimi dhe publikimi i veprave dramatike për opinionin kulturor në Prishtinë apo edhe në Tiranë paraqet një akt të një rëndësie të jashtëzakonshme, ngase kështu bëhet e mundshme që ato të vazhdojnë ndikimin e tyre edhe jashtëteatror, sikurse të ekzistojnë si të tillat. Këto drama, në këtë mënyrë, në fakt, dalin nga efemeriteti, pra nga shkurtjetësia, apo edhe e përkohshmja, të cilën, ndoshta mund ta prodhojë akti teatror. Shi për këtë, mendoj se vepra dramatike e Ekrem Kryeziut, mbase me këtë publikim të rëndësishëm që i është bërë, do ketë rastin që të fitojë një lexim të ri dhe kreativ. Dy përmbledhjet e dramave (janë dymbëdhjetë gjithsej) e nxjerrin Ekrem Kryeziun para nesh si një autor kompleks, regjisor dhe pedagog i shquar me shumë merita, ndërsa vetë vëllimet e dramave, bashkë me prirjet e tjera artistike, polisemike, janë kontrapunkte të mira për njëra-tjetrën, ngase një regjisor i besueshëm dhe i pranueshëm për publikun në përgjithësi, siç është fjala me vetë Ekremin, apo Bacën Ekrem siç kam dëshirë t’i them për tre dekada të plota mikut tim, duhet të jetë poliedrik dhe polisemik. Fundja, këto dy vëllime me drama të shkruara prej tij, përveç se grafikojnë një talent me temperatura vullkanesh të autorit, disident, na bëjnë të ndihemi më të plotë, më të begatë dhe, gjithsesi, ato nderojnë po aq kulturën dhe dramaturgjinë bashkëkohore shqiptare në përgjithësi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency