Standard.al

Reflektim për të dënuar krimin komunist

Besim NDREGJONI

hqdefault Më 29 nëntor u mbushen 70 vite kur kombit tonë iu instalua me forcën e armëve “guberna komuniste” e diktatorit Enver Hoxha, e cila për 45 vite u bë diktatura më e pashembullt për gjysmë shekulli që pasoi. Ne sot i kujtojmë shoqërisë se çfarë solli kjo ditë e zezë për shqiptarët, bilancin e krimit komunist, dhe këtë bilanc nuk e kishim ne në arkivat tona, por e kishin ata që morën pushtetin me 29 nëntor 1944; se ne nuk kishim arkiva, shtetin e kishin marrë kriminelët, të cilët krenoheshin me krimet e tyre ndaj nesh. Bilanci që solli data 29 nëntor është e publikuar, kur mbi 6000 veta u pushkatuan dhe këto pushkatime filluan që para datës 29 nëntor, mbi 30 mijë të burgosur politikë vetëm se nuk deshën “gubernën” e krimit, mbi 50.000 familje të internuara, që nga mosha 1 vjeç e deri në moshën 90-vjeçare. Shkatërrimi total i shoqërisë me formimin ideologjik të “njeriut të ri” duke e zhveshur nga çdo lloj mentali moral e shoqëror. Kurse mazhoranca politike do të evokojë “betejat e lavdishme” të epopesë së luftës kaçake nën drejtimin e “komandantit legjendar”, sajesa të fantazive të poetëve dhe historianëve të regjimit, që kurorëzohet me një shifër imagjinare të 28.000 dëshmorëve, lista e të cilëve nuk pa kurrë dritën në historiografinë 70-vjeçare, si për të dëshmuar faktin se ishte gjetje e bukur e imagjinatës se ndonjërit që vendosi t’i jepte çdo km katror të truallit shqiptar një martiri imagjinar të luftës për komunizëm. Data 29 nëntor i bëri shqiptarët komunistë vrasës të vëllezërve të tyre dhe spiunë të tyre. Diktatura komuniste në Shqipëri para 70 viteve u lind nga gënjeshtra, u rrit me dhunë të organizueme, u mbajt me arbitraritet e çizme ushtarake dhe u mbështet nga antishqiptarët armiq shekullorë të ekzistencës së kombit tonë.

Sot pushteti politik i udhëhequr nga Rama–Meta e quajnë këtë datë “nata e bardhë” e quajnë nderim dhe sakrificë luftën “imagjinare” të komunistëve, sigurisht ne familjet antikomuniste, përulemi ndaj viktimave, se ata u vranë pa faj. Çdo jetë shqiptari që është flijuar me besim në mbrojtje të kombit kundër pushtuesve duhet të nderohet, ne çmojmë dhe nderojmë Borovën dhe përulemi me nderim ndaj jetëve të tyre. Por nuk mund të nderojmë veprimet kriminale të njësive guerile që vrisnin ata shqiptarë që s’pranonin të ishin komunistë. Dhe ata të vrarë shqiptarë janë trefishi i pushtuesve që u vranë gjatë luftës së dytë botërore në vendin tonë, ne nderojmë ata të rinj shqiptarë që u vranë për idealet e lirisë pavarësisht se ishin me bindje komuniste, ashtu siç nderojmë luftëtaret antifashistë Abas Kupin, Mujo Ulqinakun dëshmorin e parë antifashist në Evropë, Hamit Matjanin, Husni Lepenicën, Muharrem Bajraktarin e Gani Beg Kryeziun, Safet Butkën e Llan Destan Ndregjonin. Homazhe në varreza që pushteti diktatorial i pati vendosur, dhe në atë varrezë nuk ke asnjë dëshmor që është vrarë kundër fashizmit, nazizmit, vetëm se ata nuk njiheshin dëshmorë nga regjimi që ndërtoi atë parcelë. Është ky kaos moral e shoqëror, është kjo zbrazëti shpirtërore që lejoi kaosin politik që kemi jetuar për afër 24 vite në tranzicion. Dhe është ky kaos politik që lejon sot daljen në skenë të partie politike në mbrojtje të terrorit, varfërisë, çnjerëzore, që na imponuan satrapi aziatik shqiptar dhe këlyshët e tij. Me pompozitetet dhe delirin e tij Kryeministri i vendit përpara atyre që i quan veteran dhe janë pjesëmarrës direk në vrasjet e kundërshtarëve të komunizmit në 29 nëntor, etiketoi tradhtarë mijëra shqiptarë që i vrau kjo datë. Kryeministër, po ju a jeni tradhtar i sistemit ku jemi, që përbuzni shqiptarët që u vranë nga data 29 nëntor. Nënat, motrat, djemtë kërkojnë eshtrat t’u bëjnë një varr dhe atë mundësi nuk e kanë, se ju heshtni ndaj të drejtës njerëzore të tyre. Juve nuk ju dhimbsen as dëshmorët komunistë, po të mos jetë data 29 nëntori i Enver Hoxhës.

Pesha e luftës së djeshme para degradimit moral ku kishin rënë komunistët shqiptarë dhe sot trashëgimtarët e tyre nuk mund të njihet e të jetë pjesë e historisë kombëtare. Cila mendje normale, cila ndërgjegje njerëzore, cila gojë që shqipton fjalën dashuni gjen sot guximin e marrëzishëm dhe shtazarak me rikujtue tmerret e së kalueme komuniste, dhe me një far krenarie enveriste?! Ata që rikujtojnë datat simbol të diktaturës ata janë turpi i kombit. Sot diktatori e ka një varr dhe shtëpinë të ngritur në këmbë. Lëreni të pushojë në gjumin e vdekjes pa ringjallje. Por, çfarë të themi për mijëra qytetarë të ekzekutuar në errësirat e burgjeve të natës pa hënë, që sot akoma janë pa varr. Çfarë të themi për mijëra familje me shtëpi të prishura dhe sot pa një vatër familjare ku të mblidhen së bashku. 4500 familje presin eshtrat, Kryeministri i etiketimeve heq ligjin e task-forcës për t’i gjetur këto eshtra. Pse kjo nostalgji këmbëngulëse për diktaturën dhe mosdënimin e një sistemi shkatërrimtar të dënuar nga e gjithë bota e qytetëruar? Para një gjendjeje kaq dëshpëruese që pasqyron nostalgjinë për terror, varfëri e izolim nga bota e jashtme, mijëra viktima shqiptare të datës 29 nëntor përsërisin, së bashku me poetin:

“Na lini, në ëmbëlsi, jetën të rijetojmë.

Mos na tregoni përsëri qen që kafshojnë”. (Nellie Saks)

Ne, çdo datë 29 nëntor, do të kujtojmë krimet që solli kjo datë. Dhe do t’i kujtojmë Ata, e reflektojmë mbi krimet komuniste që të mos i rivrasim përsëri. Ne, përfaqësojmë Paqen, pushteti politik urrejtjen që fillon më 29 nëntor.

Paqja jonë do të fitojë mbi urrejtjen dhe urrejtësit që krenohen me krimet. Paqja mbi urrejtjen do të jetë triumfatore e lirisë dhe dashurisë njerëzore. Përbuzja dhe heshtja u përket kriminelëve, Neve, na përket nderimi si detyrim për të mos i rivrarë si data 29 nëntor!

 

Comments are closed.