Në Kuvend për LGBTI-në/ Majko: Respektoj burrneshat, i përkas kategorisë tradicionale

0
109

Majko, komunitetit: Edhe ju duhet ta ofroni modelin e mirëkuptimit karshi shoqërisë. Totozani: Rezolutë për mbështetjen dhe promovimin e bashkëjetesës në Kodin Familjar

majko ne kuvend Deputeti socialist, Pandeli Majko, nuk arriti të fshihte sikletin e diskutimit për herë të parë para kamerave dhe përfaqësuesve të komunitetit lidhur me të drejtat dhe problemet e LGBTI-së në shoqërinë shqiptare.

 

Tradicionalizmi i Pandeli Majkos

Komisioni i Ligjeve zhvilloi dje një seancë dëgjimore, ku ishin të pranishëm Avokati i Popullit, Igli Totozani, përfaqësues të komunitetit LGBTI dhe drejtues të shoqatave të ndryshme të të drejtave të njeriut. Në seancë, për herë të parë mori pjesë edhe deputeti socialist Pandeli Majko, i cili, i nxitur nga deputetja Vasilika Hysi, u detyrua të mbante një fjalë për këtë komunitet. Ai u shpreh se i përket kategorisë tradicionale të shoqërisë dhe për këtë arsye ka shmangur seanca që lidhen me këtë komunitet. Po ashtu ai deklaroi se e djathta është shumë hapa para së majtës së i përket çështjes, ndërsa historikisht e majta e ka burgosur këtë komunitet e megjithatë Majko kërkoi mirëkuptim. “Për hir të së vërtetës, unë nuk e kërkova fjalën, por Vasilika ma dha fjalën me detyrim dhe përcaktim, sepse Vasilika është duke festuar një nga fitoret e saj në marrëdhënie me mua, sepse unë hyj tek njerëzit që i përkasin kategorisë shoqërore të tradicionalizmit dhe ju e dini fortë mirë këtë. Por sot vendosa që të jem prezent dhe të shpreh mirëkuptim edhe karshi raportit të Avokatit të Popullit dhe nuk e përmenda kot fjalën mirëkuptim. Sigurisht ne këtu kemi bërë goxha ligje dhe krahasimisht ne si e majtë jemi debitorë karshi së djathtës, e cila ka hedhur goxha hapa ligjorë etj., etj. Unë i përkas një partie, e cila historikisht shtresën tuaj e ka burgosur. Të mendosh që edhe para `90-ës e gjithë shtresa juaj boll të jepte një shenjë dhe ne prekeshim shpejt e shpejt. Kur them ne, e kam fjalën në kuptim pezhorativ, pra historik të fjalës”, – u shpreh deputeti socialist. Për të dëshmuar tradicionalizmin që e karakterizon, deputeti Pandeli Majko solli një shembull. “Për shembull, ne e respektojmë shumë një grua që bëhet burrneshë. Unë kur kam takuar për herë të parë një burrneshë, nga respekti sidomos, e mbaj mend, më merrej goja kur i flisja. E kundërta më ka ndodhur me vektorin tjetër”, – tha Majko, duke shtuar se ndryshimi i qëndrimeve kërkon kohën e vet. Sipas deputetit, edhe komuniteti duhet të ofrojë një model mirëkuptimi ndaj pjesës tjetër të shoqërisë. “E rifilloj duke thënë kështu, sepse mendoj që shpesh edhe ju duhet ta ofroni modelin e mirëkuptimit karshi shoqërisë, jo fjalorin sindikal. Ju shoh shpesh shumë të nervozuar kur flisni për veten dhe marrëdhëniet e shoqërisë me ju. Ne vërtet mund të ndryshojmë ligje, por nuk mund të ndryshojmë kulturë. Siç kërkoni mirëkuptim për veten tuaj, kërkoni mirëkuptim edhe për ata që nuk ju pëlqejnë. Por ama të drejtat tuaja ligjore keni të drejtë t’i kërkoni dhe mendoj se kjo është arsyeja që ne jemi këtu, edhe falë kolegut tim avokatit (Totozani), që na e ka nxirë jetën me këtë histori nga mëngjesi deri në darkë”, – tha Majko.

 

Të njihet bashkëjetesa

Avokati i Popullit, Igli Totozani, kërkoi që të njihet bashkëjetesa e personave me orientim seksual të ndryshëm. “Do të përmendja me këtë rast dy iniciativa mjaft të rëndësishme për të cilat presim qoftë për njohjen në Kodin e Familjes të bashkëjetesës, të drejtës për të bashkëjetuar e për të pasur efekte juridike. Gjithashtu, dhe një problem tjetër i rëndësishëm është njohja e identitetit gjinor në legjislacionin në fuqi”, – tha Totozani. Në Komision, Avokati i Popullit u shpreh se Parlamenti Shqiptar duhet të votojë një rezolutë, ku të ngrihet vullneti i qartë për mbështetjen dhe promovimin e bashkëjetesës në Kodin Familjar. Gjithashtu, Avokati i Popullit kërkoi ndryshime në legjislacion, që do të forconin masat penale për personat që shfaqin urrejtje ndaj këtij komuniteti dhe ndryshime në Kodin e Punës. “Kërkohen dhe përmirësimet e nevojshme legjislative në Kodin Penal, në Kodin e Punës, i cili megjithëse kemi dy vjet që kemi kërkuar, ende nuk është bërë, por edhe në ligje të tjera”, – tha Totozani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency