Standard.al

Biletë/ Da Vinçi code

Artan Fuga

Artan_FugaBoooo, çfarë veglash primitive ka prodhuar njeriu???

Thikë prej guri, që u vjetrua pas mijëra vjetësh,

Parmendë prej hekuri iku në muze brenda qindra vitesh,

Shtypshkronjë rrotative, doli nga moda brenda pesë shekujsh,

Vapor, zëre se nuk përdoret më pas një shekulli,

Ja tani edhe kompjuteri, brenda dy dekadash duket si sfinks piramidal atje ku rri prapa derës me duar të mbledhura si vjehërr e inatosur.

Vjetrohet shumë më shpejt njeriu sa më shumë përparon dija.

Sa më mësohet me një teknologji, vjen brezi i ri dhe e ka hedhur tutje në plehra, dhe i thotë dyzetvjeçarit : O gjyshi, ik o luaj domino me kompjuter sepse nuk je ti për teknologjinë transmediale.

Çfarë na bëre more Da Vinçi, çfarë na bëre, na bëre të na duket koha një sekondë!!!

Kishte lezet dikur në fëmijëri kur përgjatë pushimeve të verës, në diellin asgjëbërës, dukej ora një shekull, dita mijëvjeçar dhe muaji nuk mbaronte kurrë.

Njeriu modern jeton më shumë fizikisht, pra, kalon më shumë kohë i plakur, nuk di nëse është mirë a keq, por jeton shumë më pak psikologjikisht, sepse koha i ikën me shpejtësi kozmike.

Çfarë na bërë Da Vinçi, çfarë na bëre, na dhe dije dhe na more jetën!

Duket tridhjetëvjeçari si luftëtar i Skënderbeut, gati për pension!

 

Comments are closed.