Tatimet/ Masa të reja, konfiskim malli dhe burg për ata që nuk paguajnë detyrimet tatimore

0
138

Erneta Shevroja

 tatimore ne bizneseKomisioni i Ekonomisë: Penalitete më të ashpra, konfiskime malli për ata që nuk paguajnë gjobat për të dytën herë, burg për të tretën

 Subjektet e biznesit që nuk deklarojnë numrin e punonjësve dhe nuk përdorin kasën fiskale në mënyrë të përsëritur do të ndiqen penalisht. Këtë masë ndëshkuese e bëri të ditur dje ministri i Financave në Komisionin e Ekonomisë, ku u diskutua ligji “Për procedurat tatimore”, që sjell lehtësira në vlerë dhe mjete për tatimpaguesit.

 

Masat e reja

Komisioni i Ekonomisë diskutoi dhe miratoi dje disa ndryshime në ligjin “Për procedurat tatimore”, të cilat sjellin lehtësi për biznesin. I pranishëm në Komision, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u përgjigje edhe për disa çështje që u ngritën nga anëtarët e këtij Komisioni. I pyetur nëse bëhet ndryshim mes një biznesi që nuk paguan një herë tatime dhe një biznesi që këtë veprim e përsërit më shumë se një herë, ministri i Financave u përgjigj se ndaj këtij subjekti do të merren masa ekstreme me konfiskim malli dhe nëse e përsërit veprimin edhe një herë, atëherë ndaj këtij biznesi do të aplikohet masa me arrestim në burg. “Ne kemi përdorur një logjikë, të kemi mirëkuptim që herën e parë ta quajmë gabim njerëzor apo çështje interpretimi të një akti ligjor. Duke u nisur nga ky parim, ne kemi ulur nivelin e gjobës, por hera e dytë natyrshëm që është me konfiskim malli dhe hera e tretë është me ndjekje penale për atë që nuk paguan tatimet”, – tha Cani. Këtë masë ministri e interpretoi me faktin që biznesi që përsërit mospagimin e tatimit, ai kërkon me ndërgjegje të shkaktojë evazion.

 

Çmimi i lartë i kasave fiskale

Një problematikë tjetër që shtruan anëtarët e Komisionit para ministrit të Financave është fakti që në vendin tonë tregu i kasave fiskale është gati monopol. Për këtë arsye, janë 2-3 kompani, që vendosin çmime shumë të larta për blerjen dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të tatimit, siç është kasa fiskale. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, u shpreh se është e nevojshme që në Shqipëri të vijnë edhe kompani të tjera të huaja, në mënyrë që kompanitë ekzistuese të mos abuzojnë me çmimet. “Çmimet e larta, – tha Braçe, – prekin sidomos biznesin e vogël”.

 

Tri lehtësirat për biznesin

 Komisioni i Ekonomisë miratoi dje tri lehtësira që i ofrohen biznesit. Cani shpjegoi se një ndër lehtësirat që krijohet është tashmë se administrata tatimore do të publikojë aktet e vendimeve të gjykatave, me qëllim që biznesi të njihet me to. “Detyrohet administrata tatimore të publikojë aktet që kanë të bëjnë me vendimet e gjykatave që biznesi të njihet me to. Vendoset afat i shkurtuar për garancitë financiare. Kemi shkurtuar kohën e përgjigjeve të apelimit në 16 ditë ka qenë 3 muaj më parë. TVSH do rimbursohet mbi bazë të analizës së riskut”, – u shpreh Cani.

 

E pamundur shitja në një vend

 Ministri Cani iu përgjigj edhe një kërkese të një kategorie biznesi, konkretisht që kanë të bëjnë me shitje të materialeve të ndërtimit, që të shesin në një vend, edhe me shumicë edhe me pakicë. Sipas Canit, Shqipëria sot nuk ka kushtet që të lejojë që një biznes të shesë në një vend pasi është i pamundur verifikimi dhe më pas tatimi mbi shitjen për këto kompani. “Ne nuk kemi asnjë mjet sot që ai që deklaron një çmim me pakicë 10 lekë dhe me shumicë 5 lekë, në fund të muajit që kur do të raportojë që i ka shitur të gjitha me 5 lekë, ne të krijojmë bindjen se i ka shitur me 5 lekë dhe jo me 10 lekë. E kemi të pamundur ta verifikojmë këtë”, – sqaroi ministri.

 

Debatet në Komision

 Shkëlqim Cani: Ne kemi përdorur një logjikë, të kemi mirëkuptim që herën e parë kur një subjekt biznesi nuk paguan detyrimet ta quajmë gabim njerëzor apo çështje interpretimi të një akti ligjor. Duke u nisur nga ky parim, ne kemi ulur nivelin e gjobës, por hera e dytë natyrshëm që është me konfiskim malli dhe hera e tretë është me ndjekje penale për atë që nuk paguan tatimet. Pra, kemi forcuar masën e fundit që merret në rast shkelje të ligjit për pagesat tatimeve. Nëse dikush e bën në mënyrë të vazhdueshme një veprim, ai kërkon me ndërgjegje evazion. Nga ky moment, ne kalojmë në masa ekstreme për ata që shkelin ligjin. Herën e parë ne e mirëkuptojmë, por hera e tretë është ajo që e ka forcuar shumë ligjin, duke i dhënë një karakter penal.

Erjon Braçe: Kasa fiskale që i kërkohet çdo sipërmarrjeje kushton 380 dollarë, pavarësisht madhësisë së biznesit. Lidhur me këtë detyrim dhe duke parë edhe mënyrën se si operojnë kompanitë e kasave fiskale, që e kanë zënë tregun, e kanë atje, vazhdojnë ta mbajnë me çdo kusht dhe me mënyrën se si operohet me nivelin e çmimit, dhe me këto shërbime po kthehen në përfituese shumë të mëdha për to. Pra, përkthehet me përfitime shumë të mëdha, për shkak të këtij niveli çmimi dhe tarifash nga kompanitë e kasave fiskale. Mund të kemi një zgjidhje për këtë?

Shkëlqim Cani: Ne përgjysmojmë masën e gjobës, në mënyrë që edhe presioni të jetë më i vogël për bizneset, por nëse përgjysmojmë masën e gjobës, kjo nuk do të thotë që ne nuk do të forcojmë shtrëngesën për përdorimin e pajisjeve fiskale dhe për lidhjen sa më online për të gjithë vendimeve që duhet të marrë administrata tatimore.

Erjon Braçe: E gjitha kjo u kushton shumë para në raport me përfitimet që marrin ato që i ofrojnë këto shërbime.

Shkëlqim Cani: Rruga kryesore që do të ulë edhe koston e 380 dollarëve që kushton pajisja fiskale, ashtu edhe kostoja e mirëmbajtjes do të vijë në ulje duke pasur një treg të hapur dhe kompani të tjera të vinë. Deri tani premtuese është se kompani të tjera janë gati të furnizojnë tregun edhe me pajisje më moderne.

Erjon Braçe: Një grup sipërmarrjesh, veçanërisht këto që tregojnë materiale ndërtimi, e kanë të pamundur të hapin pika të tjera, për shkak të kostove, shpenzimeve etj. A mundet që të merret parasysh që një grup sipërmarrjesh të kenë mundësi të përjashtohen nga kjo skemë?

Shkëlqim Cani: Kjo është bërë që të mos abuzohet me çmimet reale të shitjes. Shpesh subjektet deklarojnë që shesin me shumicë, kur në të vërtetë ata kanë shitur me pakicë. Dhe në këtë mënyrë, manipulojnë çmimin dhe fshehin masën e tatimit që duhet të paguajnë.

Erjon Braçe: Bëhet fjalë për një kategori mallrash.

Shkëlqim Cani: Po u krijua shtegu, të gjithë pastaj do të kërkojnë ndarje.

Gjovalin Kadeli: Pra, një biznes deklaron në fund të muajit çfarë ka shitur në bazë të kasës fiskale dhe nëse është nëpërmjet kasës, ku çdo gjë është e regjistruar, fare qartë mund të kuptohet çfarë, si ka shitur, me shumicë apo me pakicë.

Shkëlqim Cani: Po i pati në një vend sot për sot, nuk kemi teknologjinë për të bërë dallimin e deklarimit të çmimit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency