Në grupin e PS-së/ Zgjidhen 4 anëtarët e Komisionit për Drejtësinë. Fino “rikthen” buxhetin, debat me Ruçin

0
94

Gëzim Saliu

 Formatimi i Komisionit për Reformën në Drejtësi votohet të enjten, nis në janar. Xhafaj: S’presim opozitën pa fund

 grupi i ps..Pas votimit në seancën e kaluar për ngritjen e Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, Partia Socialiste ka hedhur dje edhe një hap më tej në këtë proces, duke formalizuar anëtarët e tij. Edhe pse opozita ka kërkuar ecurinë e kësaj reforme vetëm me ekspertizën dhe drejtimin e ndërkombëtarëve, forca kryesore e mazhorancës duket se nuk do të presë edhe më shumë të djathtën. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist, të drejtuar nga Kryeministri Rama, PS ka vendosur që katër emrat që i takojnë asaj në këtë Komision të posaçëm të jenë: Fatmir Xhafaj, i cili do të mbajë edhe postin e kreut të Komisionit, Armando Subashi, Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi. Ndërkohë, LSI ende nuk e ka përcaktuar anëtarin e saj e ndërsa PD do të ketë 5 deputetë, në rast se vendos të bëhet pjesë e Komisionit. Në mbledhjen me dyer të mbyllura mësohet se u vendos që përbërja e Komisionit të votohet seancën e së enjtes në Parlament. Burime pranë selisë së PS-së bënë të ditur se në këtë pjesë, kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, ka theksuar se mazhoranca kërkon bashkëpunimin e opozitës: “Por s’mund të presim pa fund PD-në”. Ndërkaq, mësohet gjithashtu se pavarësisht prej votimit të së enjtes, nisja nga puna e Komisionit pritet të bëhet në sesionin e ri parlamentar, pra në muajin janar.

 

Buxheti

Ndërkaq, mësohet se pjesë e diskutimeve në mbledhjen e grupit kuvendor socialist ka qenë edhe debati i seancës së kaluar parlamentare për buxhetin dhe paketën fiskale. Burimet bënë të ditur se deputeti socialist Bashkim Fino, pasi ka falënderuar Komisionin e Ekonomisë që pranoi kërkesën e tij për ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Zbatimin e Reformës Territoriale, ka kërkuar sqarime për refuzimin e shtimit të punonjësve në këtë Agjenci. Sipas Finos, nuk kishte asnjë arsye për refuzimin e kësaj kërkese, aq më tepër, sipas tij, që shtimi me katër implementues më shumë, nga 8 që janë për reformën administrative, shikohej me domosdoshmëri nga vetë Komisioni përgjegjës, që ishte Komisioni i Ligjeve. Por, ndaj kërkesës për sqarim të Finos ka reaguar kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili ka theksuar se amendamenti i tij ishte kundër rregullores së Parlamentit. “Amendamenti juaj erdhi me vonesë dhe ne nuk mund të shkelnim ligjin. Nuk ka pse të ketë asnjë hatërmbetje”, – mësohet të jetë shprehur numri 1 i grupit parlamentar socialist. Amendimi i deputetit Bashkim Fino ndezi debatin mes mazhorancës në seancën e kaluar të Parlamentit, pasi ai propozoi shtimin në Agjencinë e Mbikëqyrjes Territoriale të 4 punonjësve, nga 8 që ishin caktuar nga Komisioni i Ekonomisë. Ndaj këtij propozimi reagoi duke kundërshtuar kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, e ndërsa kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, theksoi se nuk mund të votohej një amendament që depozitohet direkt në diskutimin në seancë. Ndërkaq, në ndërhyrjen e tij, pas ndezjes së debatit në sallë mes Finos, Braçes e Ruçit, kreu i qeverisë, Rama, vendosi të luante rolin e “arbitrit” të “ndeshjes”, duke propozuar që të votohej varianti i Komisionit të Ekonomisë, ndërsa kërkesa e deputetit të Komisionit të Ligjeve të plotësohej me akte nënligjore nga qeveria.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency