Ligji i plotë/ Sa do të jetë pensioni për minatorët, ja cilat janë kushtet për ta përfituar

0
221

Driçim Çaka

 Sa do të jetë pensioni për minatorëtMinatorët do të përfitojnë edhe kompensimet

 Kur lind e drejta për përfitimin e pensioneve

Minatorët do të dalin në pension në moshën 55 vjeç dhe do të përfitojnë një pension më të lartë pas 15 dhjetorit 2014. Ditën e djeshme është botuar në “Fletoren zyrtare” ligji i plotë për pensionet e minatorëve, i cili u jep mundësi të gjithë punonjësve që kanë kryer punë nën tokë të dalin në pension kur kanë plotësuar 30 vite sigurimi.

 

Përfitues janë:

Punonjësit, të cilët deri në datën 30.9.1993 kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë. Punonjësit, të cilët pas datës 30.9.1993 kanë kryer procese pune në miniera, në nëntokë, të dokumentuara sipas kritereve të përcaktuara pavarësisht nëse të punësuarit kanë kryer aktivitet ekonomik në subjekte private apo me kapital plotësisht ose pjesërisht shtetëror.

 

Kushtet e përfitimit

Kanë të drejtë të kërkojnë pension pleqërie si punonjës të minierave, në nëntokë, punonjësit, të cilët:

– arrijnë moshën 55 vjeç

– kanë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, nga të cilat jo më pak se 12 vjet e 6 muaj në procese pune në miniera, në nëntokë, me përjashtim të ish-punonjësve të nëntokës që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, të cilët do të përfitojnë pension sipas këtij ligji kur të arrijnë moshën 55 vjeç dhe të kenë një periudhë të përgjithshme sigurimi 30 vjet e më shumë, përfshirë këtu edhe periudhën e trajtimit të veçantë financiar, nga të cilat, jo më pak se 11 vjet e 6 muaj të jenë në procese pune në miniera, në nëntokë. Pensioni do të llogaritet sipas përcaktimeve të neneve 32 dhe 59, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

 

E drejta për përfitim

E drejta për të përfituar pensionin e pleqërisë, sipas këtij ligji, nuk parashkruhet. Personi, i cili kërkon të përfitojë pension, sipas përcaktimeve të këtij ligji, e përfiton atë:

– nga data e lindjes së të drejtës për përfitim, kur kërkesa paraqitet brenda një viti nga data e lindjes së kësaj të drejte

– nga data e paraqitjes së kërkesës, kur ajo paraqitet pas një viti pas lindjes së të drejtës për përfitimin e pensionit. Personi, i cili ka përfituar pension sipas këtij ligji, nuk ka të drejtë përfitimi të kësteve për periudhën/periudhat, gjatë të cilave ushtron veprimtari ekonomike si i punësuar, i vetëpunësuar apo punëdhënës, me përjashtim kur vetëpunësohet në bujqësi. Përfitimet e caktuara, por të patërhequra, paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. E drejta e organit kompetent për të kërkuar shumat e marra tepër, gjatë një viti, ushtrohet jo më vonë se 3 vjet nga marrja e tyre, por jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit. Masa e ndalesës për çdo muaj është 20 për qind e këstit mujor të pensionit. Personi, i cili ka përfituar pension dhe kompensime në mënyrë e me mjete në kundërshtim me ligjin dhe që nuk njofton ndryshimin ose heqjen e masës së tyre, detyrohet ta kthejë të gjithë shumën e marrë tepër. Masa e ndalesës për çdo muaj është 50 për qind e këstit mujor të pensionit. Gjithashtu, personi dënohet me gjobë në masën katërfish të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal.

 

Financimi

Përfitimet nga ky ligj financohen nga kontributet shtesë nga Buxheti i Shtetit. Personat, të cilët do të kryejnë procese pune në miniera, në nëntokë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të paguajnë kontribute shtesë, në masën 5 për qind të pagës bruto, për efekt kontributi. Kontributi shtesë paguhet 3 për qind nga punëdhënësi dhe 2 për qind nga punëmarrësi. Kontributi i sigurimeve shoqërore, në masën 5 për qind, mblidhet dhe derdhet në fondin e sigurimeve shoqërore të detyrueshme, sipas procedurave për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të detyrueshme, të përcaktuara në ligjin nr. 9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Diferenca ndërmjet efektit financiar të këtij ligji, deri në plotësimin e moshës së përfituesve, sipas nenit 31, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me kontributin shtesë, do të përballohen nga Buxheti i Shtetit. Procedurat e financimit të fondit të sigurimeve shoqërore rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Kërkesa për përfitim

Pensioni jepet me kërkesën e të interesuarit, i cili e paraqet atë së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, pranë agjencisë së sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tij.

 

Kompensimet

Për pensionet me datë fillimi para datës 1.1.2015, masës së pensionit, do t`i shtohen edhe kompensimet për çmimet dhe për të ardhurat që përfitohen në rastin e pensioneve të pleqërisë, sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave. Përfitimet e caktuara sipas këtij ligji indeksohen me vendim të Këshillit të Ministrave sa herë dhe në atë masë që rriten ose indeksohen pensionet e pleqërisë, nga sigurimi i detyrueshëm shoqëror.

 

E drejta për të zgjedhur përfitimin

Personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar si punonjës të minierave të nëntokës, sipas ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar, që plotësojnë kushtet e këtij ligji, kanë të drejtë të zgjedhin mes përfitimit që kanë dhe përfitimit që u lind nga ky ligj.

 

Llogaritja e pensionit

Llogaritja, caktimi, administrimi dhe pagimi i pensioneve që rrjedhin nga ky ligj bëhen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas procedurave në fuqi për pensionet, në përputhje me ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency