E ai që t`shtrëngonte n`krahëror …..Mallshëm  

0
243

woman-in-a-purple-coat-1937Jack Prevert, poeti surrealist, e paraqesim me një poezi pa kohë, tri variante të përkthimit në shqip të “Barbara”, një moment ndjesish të përziera në një realitet të kaluar, shfaqur si dialektikë e vetmisë

 BARBARA

Kujtoje, Barbara

Atë ditë mbi Brest shiu binte litar

dhe ti ecje buzagaz, e lumtur

trëndafil me vesë, e qullur

nga shiu

Kujtoje, Barbara

Atë ditë mbi Brest shiu binte litar

dhe unë të takova në rrugën e Siamit

ti buzëqeshje

dhe unë buzëqeshja si ti

Kujtoje, Barbara

unë nuk të njihja

ti nuk më njihje

Kujtoje

sidoqoftë kujtoje atë ditë

mos harro

në strehën e një hajati rrinte një njeri

dhe në emër të thirri

Barbara

dhe ti rende drejt tij nëpër shi

e qullur, trëndafil me vesë

dhe ti iu hodhe në qafë

Kujtoje këtë, Barbara

dhe mos më ki zët që me ti po të flas

unë u flas me ti atyre që i dua

edhe kur veç njëherë i kam parë

u flas me ti gjithë atyre që duhen

edhe kur nuk i njoh fare

Kujtoje, Barbara

mos e harro, pra

atë shi të shtruar e të lumtur

mbi fytyrën tënde të lumtur

mbi atë qytet të lumtur

Mos e harro atë shi mbi det

mbi kantier

mbi anijen Uesan

Ah, Barbara

kjo luftë qe një marrëzi

ç’ndodhi me ty pra

në këtë shi

hekuri e zjarri, çeliku e gjaku

dhe ai që të shtrëngonte në krahë

me dashuri

a ka vdekur apo ende është gjallë?

Ah, Barbara

mbi Brest shiu bie litar

ashtu siç binte më parë

por s’është më ai shi e gjithçka u gremis

është një shi i pikëlluar, i përzishëm

nuk është më as stuhia

e hekurit e çelikut e gjakut

Ka vetëm re të hirta

si qen që bien shakull

si qen që zhduken

në ujin që rrjedh mbi Brest

dhe venë të treten larg

Larg, shumë larg Brestit

që është bërë gërmadhë.

Përktheu: Anton Papleka

 

BARBARA

Mban mend Barbara

Atë ditë në Brest binte shi pa pra

Ti ecje e buzëqeshur

E gëzuar e ndritur e qullur

Nëpër shi

Mban mend Barbara

Në Brest binte shi pa pra

Të takova në rrugën e Siamit

Ti qeshje

Qeshja dhe unë

Mban mend Barbara

Ti që s`të njihja jo

Ti që s`më njihje jo

Kujtoje atë ditë

Mos harro

Një njeri te porta strehohej

Dhe thoshte emrin tënd

Barbara

Ti vrapove kah ai nëpër shi

Dhe iu hodhe në përqafim

Kujtoje këtë Barbara

Nëse të them ti mos u hidhëro

Se ti i them çdokujt që e dua

Çka që s`e kam parë kurrë më parë

Mban mend Barbara

Mos harro

Atë shi të ëmbël dhe fatlum

Mbi fytyrën tënde fatlume

Mbi atë qytet fatlum

Atë shi mbi det

Mbi arsenal

Mbi anijen nga Usani

Oh Barbara

Lufta ç`marri

Ç`u bë me ty tani

Në këtë shi hekuri

Zjarri gjaku e çeliku

E ai që t`shtrëngonte n`krahëror

Mallshëm

Ka vdekur ka humbur apo ende gjallon

Oh Barbara

Në Brest bie shi pa pra

Siç binte dikur

Por nuk është njësoj

Se çdo gjë është e shkretë

Shi dhimbjesh të tmerrshme hata

Oh jo dhe rrebesh

Hekuri çeliku gjaku

Vjen nga retë

Që treten si qentë

Që humbin

Në rrjedhën e përroskës në Brest

Venë të kalben diku

Larg shumë larg nga Bresti

Nga i cili s`mbeti gjë.

Përktheu: Rexhep Ismajli

 

BARBARA

A të kujtohet Barbara

Shiu nuk prante atë ditë në Brest

E ti ecje buzëqeshur

E kthjellët e mahnitur qull në ujë

Nën shi

A të kujtohet Barbara

Si binte shi në Brest

E unë të kam takuar në rrugën Siam

Ti qeshje

Edhe unë qeshja

A të kujtohet Barbara

Ty unë nuk të njihja

Mua ti nuk më njihje

Kujtoje Kujtoje atë ditë patjetër

Mos e harro

Një burrë nën strehën e një hajati

Ka thirrur emrin tënd

Barbara

E ti ke rendur nën shi drejt atij

Qull në ujë e mahnitur e paqësuar

Dhe je kredhur mes krahëve të tij

Kujtoje këtë çast Barbara

E mos më detyro të të drejtohem vetëm ty

Këtë ua them të gjithë të dashuruarve

Edhe pse nuk i njoh

Kujtoje Barbara

Mos e harro

Këtë shi të mirë dhe të lumtur

Mbi fytyrën tënde

Mbi këtë qytet të lumtur

Këtë shi mbi det

Mbi kantierin detar

Mbi barkën e Ouessant

Oh Barbara

Çfarë marrëzie lufta

Që është në ty tani

Nën këtë shi të hekurt

Prej zjarri çeliku dhe gjaku

E burri që të shtrëngonte mes krahëve

Dashurueshëm

Ka vdekur është zhdukur apo është gjallë

Oh Barbara

Bie shiu litar në Brest

Siç binte atëherë

Por nuk është i njëjti shi dhe gjithçka është fundosur

Është një shi i kobeve të tmerrëshme dhe mjeruese

Nuk është më madje as shtrëngata

E hekurit çelikut dhe gjakut

Është vetëm shi resh

Që ndërsehen si qentë

Si qentë që zhduken

Nën fillin e shirave në Brest

E shkojnë të qelben larg

Larg shumë larg Brestit

Ku nuk ekziston më asgjë

E shqipëroi : Elida BUÇPAPAJ

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency