Metafizika e festave kombëtare dhe vdekja në shpirt

0
135

Artan_Fuga

Artan Fuga

Urime për festën e Pavarësimit, 28 nëndor 1912, dhe ditën e Cclirimit në Luftën e Dytë botërore, 29 nëndor 1944 !

Edhe këto festa i kemi helmuar duke i ngatërruar dhe bërë të zihen me njera tjetrën. Jo më kot një profesor shumë i njohur francez më tha një ditë me dhimbje dhe fisnikëri të pashoqe: Po pse o të uruar keni vdekjen në shpirt?? Vdekja në shpirt është kur prej tij heq çdo gëzim dhe e mbush me gërr-mëre.

Kur u çlirua Shqipëria nga nazistët? Po atë e kanë vendosur fitimtarët e asaj kohe, çfarë pune kemi ne me ta? Edhe nëse nuk kanë qenë trima, sikurse thonë disa, kush po i hyn kësaj pune, pas gjermanëve rendnin edhe sikur këta të iknin vetiu jo nga frika e ndjeksve të tyre. Pse themi ne sot se djemtë tanë paqëruajtës janë medoemos trima? Ku e dimë ne?, dimë se janë atje larg bashkë me të tjerët. Nuk janë ata sigurisht që mbajnë paqen në botë, por ama bashkë me të tjerët. I nderojmë.

Nuk ka rëndësi dita dhe ora e lindjes për një njeri, një ditë më parë një ditë më shumë. Njeriu feston ditëlindjen jo për të kujtuar çastin kur lindi, dekikën e lindjes, por feston qenien e tij në botë dhe e ndan me të tjerët.

Festojnë të ndarë politikanët për festat kombëtare, disa festojnë vetëm njerën, të tjerë tjetrën. Pse? Kur ndahemi për ditëlindjet e Mëmës, çfarë dreqin bëjmë që shkojmë në kishë, xhami a teqe festave fetare dhe flasim për bashkimin në Qiell. Por, detyra e tyre është bashkimi ynë në Tokë se në Qiell askush nuk ka tagër të na përfaqësojë veçse shpirti ynë që nuk njeh ndarje dhe sharje politike.

Edhe ditët e lindjes të Mëmës do të çfaqemi të përdalë, pa ndjenja, pa mallëngjim!

Jemi shqiptarë sepse mendojmë shqip. Këtë nuk e zhbën asgjë. Pse të shahemi shqip??? Pse i gjuajmë njeri tjetrit për ta vrarë me margaritarë, pra me fjalë shqip?

Mirë ata që u vranë për çlirimin nuk paskan qenë trima, por kolaboracionistë dhe tradhëtarë të ndyrë nuk paskemi pasur ne??? Ata që i dorëzuan kurorën e ndritur të Shqipërisë xhumaxhuxhit perandor, ata që hynë e punuan në institucionet fashiste si sahanlëpirës, ata që u bashkëngjitën SS për turp e maraz??? Pasardhêsit e tyre janë shqiptarë si ne, por mos i harrojnë bëmat dhe gjëmat e tradhëtarëve. Ne të gjithë falemi për shpirtin e tyre, gabimi është njerëzor, i kemi falur sinqerisht në gabimin e tyre të tmerrshëm. Por, jo ta harrojmë tradhëtinë sikurse po bëjnë disa sepse nuk e shohin dot të keqen në sy, sepse kanë vdekje në shpirt, as ato krime pas çlirimit, por për këto le të kemi një ditë tjetër përkujtimore të viktimave që rëndojnë si gur e shkëmb ndërgjegjen tonë kolektive. Jetë të prishura, fëmijë të lindur e rritur kampeve, jetë të burgosura, qenie njerëzore të masakruara pafajësisht.

Shqipja paska lindur për t’u sharë e moskuptuar shqiptarët me njeri tjetrin!!!

Dalin disa edhe më të mënçur me shpirt të vdekur, sikurse tha ai burri fisnik, që për të helmuar gjithçka, nisen t’i vlerësojnë festat jo për atë që një datë e shënuar ka përmbyllur, por për atë që një datë e shënuar pavarësisht saj ka hapur. Nuk ka më gjë idiote dhe të poshtër. Cinizmi dhe e keqja në këtë rast arrijnë fundin e pusit të së keqes.

Por, çfarë thoni o shqiptarë?

Cdo ditë mbyll ditën që kaluam dhe hap ditët që do të vijnë. Një ditë feste ka gjithmonë dy anë, atë që përmbyll dhe atë që hap, një anë sublime dhe një anë tragjike sepse hap një periudhë që nga ana e saj do të zhduket. E përjetshme është ajo që përmbyll, ajo është kuptimi i saj, jo ajo që hap sepse për atë që hap ajo si ditë nuk është përgjegjëse. Janë ditët që vijnë përgjegjëse.

Nuk ka ditë tërësisht sublime. Cdo festë është bashkim i heroikes me tragjiken. Që kur Krishti u kryqëzua, dita pati dy anë dhe anët e vajtjes të tij te Zoti, pra sublimen, edhe krimin e njerëzve mbi Mbretin e tyre, pra anën tragjike dhe tmerrin.

Cdo festë.

28 nëndorin 1912 doni ta helmoni edhe atë meqë paska hapur periudhën e ndarjes dhe copëtimit shqiptar?

29 nëndorin 1944 ta helmojmë sepse hapi periudhën e një diktature moniste me gjithë ato pasoja që dimë???

Kjo do të kishte qenë një monument marrëzie dhe dritëshkurtësie sepse edhe njëherë, një festë ka kuptim për ditët që mbyll, jo për ditët që hapen pas saj.

Përndryshe do të thajmë gjithë festat tona. Edhe ditëlindjet tona, sepse një datëlindje festohet për kohën që ke jetuar, jo për kohën e ardhme që shkurtohet dita ditës dhe çdo sekondë.

Dhe një festë nuk është për të ngrënë mish e oriz, si kanibalë që hanin trupin e Mëmës, as për të zhytur duart në llumin e tortës, e lëpirë gishtat me shkumë sapuni bosh, është për t’u gëzuar për ditën që përmbyll e kuptimin e tyre dhe menduar me gisht në kokë se pas ccdo fitoreje vijnë dështime, pas gëzimit vjen halli, pas majës vjen humnera. Por, edhe anasjelltas.

Cdo ditë e shënuar është plot me hove, por edhe me pendesa. Pse në shpirtin tonë ende nuk jemi mësuar t’i mbajmë të dyja njëherësh, edhe gëzimin për atë që na gëzon edhe hidhërimin për atë që na trishton.

Kjo është festa, nuk keni vënë re se atyre që kanë ditëlindje një nur bukurie u bie mbi faqe???

Eshtë bashkimi i të kundërtave pa e kuptuar në shpirt. Eshtë gjallëria e shpirtin që përkujton.

Jemi shqiptarë, gëzuar festat pa vdekje në shpirt!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency