Standard.al

Grupi i dytë me 32 të pandehur në gjyq / Përpunimi i skrapit, zbardhet skema mashtruese për përfitimin e rimbursimit të TVSH-së

url

Sonila Mesareja

Deklarimet fiktive në tatime dhe tërheqja e rimbursimit, si përfituan disa administratorë shoqërish 26 milionë dollarë

 

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 32 të pandehur, nga të cilët 24 persona dhe 8 subjekte tatimorë, të akuzuar si të përfshirë në një skemë mashtruese me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), në industrinë e përpunimit të metaleve (skrapit), e cila ka shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën e rreth 26 milionë dollarëve. Shtetasit dhe subjektet e administruar prej këtyre personave akuzohen të gjithë për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, të stampave ose formularëve” në bashkëpunim, që ka sjellë pasoja të rënda, e parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal. Ky është grupi i dytë që shkon në gjyq për këtë lloj skeme të përdorur për përfitime nga rimbursimi i TVSH-së. Të përfshirë në këtë skemë mashtruese kanë qenë edhe 14 persona të tjerë, për të cilët është dërguar pak javë më parë kërkesa për gjykim dhe tashmë ka nisur procesi në gjykatë. Nga hetimi rezulton se në qytetin e Elbasanit dhe në disa rrethe të tjera të vendit janë regjistruar disa subjekte tregtare që merren me grumbullimin e skrapit. Këto shoqëri janë konkretisht “MUSA” sh.p.k; “GOLD PULS” sh.p.k; “REI 2012” sh.p.k; “FRANKO 94” sh.p.k; “HOXHA” sh.p.k;; “XHOIS GROUP” sh.p.k; “SILE ALB” sh.p.k dhe “PROKAT” sh.p.k. Këto shoqëri konsiderohen të Nivelit të II, të cilat mbledhin dhe përpunojnë mbetje metalike (skrap) nga subjekte të konsideruara të Nivelit të III. Nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se administratorët e këtyre shoqërive kanë krijuar një skemë mashtrimi me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Hetimi

Nga hetimi rezulton se subjektet tregtare të marra si të pandehura, të konsideruara për efekt të kryerjes së veprimeve hetimore të kategorisë së nivelit II, sasitë e skrapit i siguronin në burime dhe në mënyra, krahas grumbullimit të ligjshëm të skrapit, për të cilat ishin të interesuar që të mos i deklaronin në organet tatimore. Për këtë qëllim, sipas akuzës, mbulimin e burimeve të sipërcituara, administratorët e shoqërive të mësipërme kanë krijuar nëpërmjet personave të ndryshëm, banorë të qytetit të Tiranës dhe më konkretisht të pandehurit: Agim Xhika, Josif Kadria dhe Maltin Lleshi, shoqëri tregtare me objekt grumbullimin dhe shitjen e skrapit, të cilët janë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe në Sistemin Informatik të Tatimeve me aktivitet grumbullim e shitje skrapi.

Skema

Organi i akuzës zbardhi përgjatë hetimit edhe skemën mashtruese që përdornin subjektit për të përfituar rimbursimin e TVSH-së. Nga materiali hetimor ka rezultuar se subjektet tregtare që u shisnin skrapin subjekteve të kategorisë së nivelit të II-të, të konsideruara për efekt të kryerjes së veprimeve hetimore të kategorisë së nivelit të III-të, janë regjistruar si në Q.K.R, ashtu edhe në organet tatimore, në mënyre fiktive me qëllim tërheqjen e blloqeve me fatura T.V.SH-je në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve dhe përdorimin e këtyre blloqeve duke lëshuar fatura shitje me T.V.SH fiktive për shitje skrapi për subjektet e kategorisë së nivelit të II-të. Fiktiviteti i faturës qëndron në faktin se është bërë vetëm lëshimi i faturës tatimore të shitjes për efekt të kreditimit të T.V.SH-së nga subjektet e nivelit të II-të pa dërguar në fakt mallin. Nga kryerja e veprimeve hetimore te tilla si: kqyrjet e vendeve te ushtrimit të aktivitetit, deklarimet në sistemin informatik të tatimeve, TAXCRM dhe deklarimet e disa administratorëve, ka rezultuar se shumica  e subjekteve tregtare të kategorisë së nivelit të III-të janë krijuar nga vetë administratorët e subjekteve të kategorisë së nivelit të II-të, kjo duke shfrytëzuar njohjet e tyre me persona me gjendje të rëndë ekonomike, persona të panjohur në shoqëri apo persona që nuk kanë fare dijeni mbi legjislacionin tatimor dhe pasojat që sjellin. Në shumicën e rasteve këto regjistrime dhe lëshime faturash tatimore janë bërë kundrejt pagesave në shuma të vogla. Pas pagesave, këtyre subjekteve u është marrë dokumentacioni personal si: pasaporta, karta identiteti dhe të tjera dhe me këto dokumentacione janë bërë regjistrimet e subjekteve në Q.K.R dhe në organe tatimore. Më pas janë tërhequr pranë D.R.T-së blloqet me faturat e T.V.SH-se. Subjektet e kategorisë së nivelit të III-të kanë lëshuar fatura tatimore shitje për subjektet e kategorisë së nivelit të II-të në sasitë që ju nevojiteshin subjekteve të kategorisë së nivelit të II-të. Në shumicën e rasteve nuk i kanë deklaruar këto fatura në shitje dhe në disa raste i kanë bërë deklarimet në shitje, por nuk kanë blerje, por në S.I.T rezultojnë në formularin e deklarimit të pagesave dhe në T.V.SH sikur kanë blerje, pra duke bërë deklarim fiktiv. Nga verifikimi në S.I.T ka rezultuar se subjektet e kategorisë së nivelit të II-të i kanë deklaruar të gjitha këto fatura në blerje, duke bërë të mundur kreditimin e T.V.SH-së për çdo faturë në blerje. Si pasojë, nga mosdeklarimi në shitje nga subjektet e kategorisë së nivelit të III-të i faturave tatimore të shitjes, nuk bëhet derdhja e T.V.SH-së dalë nga këto fatura në organet shtetërore pasi janë fatura të padeklaruara, ndërkohë që nga  deklarimi  i tyre nga subjektet blerëse të kategorisë së nivelit të II-të u jep të drejtën atyre që të kërkojnë kreditimin e shumave të T.V.SH-së të dala nga këto fatura,  kreditim që është bërë faktikisht. Nga funksionimi i kësaj skeme për një periudhë të gjatë kohe rezulton se ajo i ka sjellë dëme të konsiderueshme shtetit, dëm që nga vlerësimet e administratës tatimore arrin në vlerën rreth 2.600.000.000  lekë.

Kush janë subjektet e nivelit të II-të, përfituesit

Këto shoqëri janë konkretisht “MUSA” sh.p.k; “GOLD PULS” sh.p.k; “REI 2012” sh.p.k; “FRANKO 94” sh.p.k; “HOXHA” sh.p.k;; “XHOIS GROUP” sh.p.k; “SILE ALB” sh.p.k dhe “PROKAT” sh.p.k. Këto shoqëri konsiderohen të Nivelit të II-të, pasi mbledhin dhe përpunojnë mbetje metalike (skrap) nga subjekte të konsideruara të Nivelit të III-të.

Kush janë subjektet e nivelit të III-të

Nga hetimi disa mujor ka rezultuar se subjektet e nivelit të III-të janë të pandehurit e mëposhtëm, përkatësisht i pandehuri Artan Mallakazi, administrator i shoqërisë “Metal- Star” sh.p.k; i pandehuri Petrit Terziu, administrator i shoqërisë “PI-TER” sh.p.k; i pandehuri Bedri Murrja, administrator i shoqërisë “Murrja One” sh.p.k; e pandehura Pashako Muha, administratore e shoqërisë “Anilko 2012” sh.p.k; i pandehuri Agron Koçi, administrator i shoqërisë “Ciko” sh.p.k; i pandehuri Viktor Xhani, administrator i shoqërisë “Mofe” sh.p.k; i pandehuri Metodi Marku, administrator i shoqërisë “Amol” sh.p.k; i pandehuri Sokol Shatko, administrator i shoqërisë “Kolmar” sh.p.k; i pandehuri Ilia Delliu, administrator i shoqërisë “Gug 2012” sh.p.k; i pandehuri  Nuredin Ceni, administrator i shoqërisë “Ceni Konstruksion” sh.p.k; i pandehuri Bujar Stillo, administrator i shoqërisë “B&D 2011” sh.p.k; i pandehuri Xhelil Toshi, administrator i shoqërisë “Erad & XH.T” sh.p.k dhe i pandehuri Roland Simolla, administrator i shoqërisë “Binet” sh.p.k.

Personat dhe subjektet e akuzuara:

  1. Përparim Zeqaj
  2. Shoqëria “Sile-Alb”, me administrator Përparim Zeqaj
  3. Jurxhin Zeqaj
  4. Shoqëria “Prokat”, me administrator Jurxhin Zeqaj
  5. Durim Musa
  6. Shoqëria “Musa”, me administrator Durim Musa
  7. Avni Hoxha
  8. Shoqëria “Hoxha”, me administrator Avni Hoxha
  9. Robert Hoxha
  10. Shoqëria “XHOIS GROUP”, me administrator Robert Hoxha
  11. Vjollca Hoxha
  12. Shoqëria “Franko-94”, me administrator Vjollca Hoxha
  13. Mimoza Hoxha
  14. Shoqëria “Rei 2012”
  15. Krenar Mukaj
  16. Shoqëria “Gold Plus”, me administrator Krenar Mukaj
  17. Agim Xhika
  18. Josif Kadria
  19. Maltin Lleshi
  20. Artan Mallkazi
  21. Roland Simolla
  22. Petrit Terziu
  23. Bedri Murrja
  24. Nuredin Ceni
  25. Bujar Stillo
  26. Xhelil Toshi
  27. Sokol Shatku
  28. Ilia Delliu
  29. Viktor Xhani
  30. Metodi Marku
  31. Agron Koçi
  32. Pashako Muha

 

 

Fushë Krujë

Tritol shtyllës së tensionit të lartë, evitohet shpërthimi nga policia

Një shtyllë e tensionit të lartë është tentuar të hidhet në erë paraditen e djeshme në Fushë Krujë. Policia e Shtetit bën me dije përmes një njoftimi zyrtar se rreth orës 11.00, Policia e Komisariatit Krujë kishte marrë informacion se në fshatin Halilaj, të Fushë-Krujës , është vendosur tritol në këmbët e një shtylle të tensionit të lartë. “Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë , grupi hetimor dhe ekspertë xhenierë , ku punohet për çaktivizimin e lëndës plasëse”. Nga ana e policisë është duke u punuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nga hetimet paraprake del se eksplozivi ishte planifikuar të shpërthente në kohën kur në kryeqytet po mbahej ceremonia ushtarake në nder të 70-vjetorit të çlirimit. Lënda shpërthyese ishte vendosur në lartësinë 3 metra nga sipërfaqja e tokës, në dy nga këmbët e shtyllës në vendin e quajtur  Kodra e Zograçes. Kanë qenë vetë banorët e zonës ata që kanë njoftuar policinë, ndërsa nga sasia sipas ekspertëve lënda eksploziv mund të shembte plotësisht shtyllën e tensionit të lartë. Deri tani policia ka shoqëruar 8 persona. Sipas Ministrisë së Brendshme, ky është një akt terrorist, që cilësohet vepër penale “Shkatërrim prone me eksploziv”, parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.

Kukës

Pranga ish-drejtorit të OSHEE-së, akuzohet se vidhte energjinë

Pas ish-drejtorit të OSHEE-së në Lushnje, Dine Aliaj, një tjetër ish-drejtues ka rënë në pranga po për akuzën e vjedhjes së energjisë. Sipas burimeve policore, në pranga përfundoi ish-drejtori I OSHEE-së së Hasit, Sulejman Brati, 56 vjeç. Sipas burimeve policore, banori i fshatit Golaj akuzohet për veprën penale të vjedhjes energjisë elektrike parashikuar nga neni 137 Kodit Penal duke bërë lidhje të paligjshme të energjisë për lokalin e tij.

Itali

Kapen dy shqiptarë me drogë, zbulohet mënyra më e re për fshehjen e saj

Mënyrat për të futur lëndë narkotike në territorin italianë janë nga më të ndryshmet dhe sa vijnë dhe sofistikohen. Dy shqiptarë kanë rënë në pranga të policisë italiane në Genova, ndërsa u kapën me një kilogramë lënë narkotike e llojit kokainë. Droga sipas ekspertëve kap vlerën e rreth 500 mijë eurove. Ajo që iu ka bërë më shumë përshtypje oficerëve të antidrogës italiane është mënyra e re për të fshehur lëndën narkotike. Dy shqiptarët kishin bërë një modifikim në automjetin e tyre tip “Benz A Class”, duke e fshehur pakon e kokainës poshtë mbështetëses në mes dy sediljeve të para. Mbështetësja ishte projektuar në atë mënyrë sa për ta ngritur sipër nevojitej një magnet. Vetëm përmes magnetit, ajo hapej dhe mbyllej. Gjithçka ka nisur vetëm nga një manovër e dyshimtë e dy shqiptarëve, ndërsa pa kontrollit është zbuluar mekanizmi për fshehjen e drogës.

 

 

 

Comments are closed.