Standard.al

Dhosi Liperi, si e çmitizoi Skëndërbeun qysh më ’60-ën

27-mars-skenderbeu-peticion

Ilirjan Gjika

Një vështrim mbi aspektin historik të veprës “Mitologjia Skënderjane” të Dhosi Liperit; Me titullin imponues, që përbën edhe një risi Liperi, na sjell në këtë botim të mundësuar prej familjes së tij, një punim në stil të gjerë prej 579 faqesh nga studimet e tij etnografike, të cilat me aq kujdes dhe sakrifice, si një punëtor i mirë i ka grumbulluar në kohë dhe hapësirë.

1

“Skëndërbeu është luftëtar i madh me famë të përbotshme…”, shkruante 52 vjet më parë etnografi dhe studjuesi Dhosi Liperi (Dhosi Liperi. Mitologjia Skënderiane. Fq 3 ). Dhe qysh atëherë kur ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli, ky autor tashmë vjen i plotë përpara nesh me gjithë korpusin e veprës së tij, aq e vlefshme jo vetëm për studjuesit e fushave të tilla si historia apo etnografia, por edhe për studentët dhe lexuesin e specializuar.

Me titullin imponues, që përbën edhe një risi si “Mitologjia Skënderiane”, Dhosi Liperi, na sjell në këtë botim të mundësuar prej familjes së tij, një punim në stil të gjerë prej 579 faqesh nga studimet e tij etnografike, të cilat me aq kujdes dhe sakrifice, si një punëtor i mirë i ka grumbulluar në kohë dhe hapësirë.

“Kam një eksperiencë të gjatë, se me mbledhjen dhe studimin e tyre jam marrë qysh prej vitit 1929 e kam mbledhur apostafat për këtë qëllim nëpër malësi të Matit, të Dibrës, Mirditës e gjetiu dhe po vazhdoj akoma këtë punë”, theksonte ai në Konferencën e Parë të Studimeve Albanologjike, të mbajtur në Tiranë në vitin 1962 (Po aty. Fq 3).

Ndërkohë që për Skënderbeun, Heroin Kombëtar të shqiptarëve është shkruar dhe janë botuar me dhjetra studime dhe libra të natyravë të ndryshme, duke përfshirë autorë të tillë, që nga Barleti në shekullin e XVI-të e deri te Schmitt-i në shekullin e XXI. Por, me Etnografinë dhe mbledhjen e dëshmive të saj për Skëndërbeun janë marrë pak njerëz. Mund të përmendim Martin Sirdanin (Skëndërbeu Sipas Gojëdhanash) dhe Dhosi Liperin, studimet e të cilit vetëm tanimë po e shohin “dritën” e botimit.

Por Etnografia nuk është një disiplinë e lehtë si mësimdhënia apo studimi dhe shkrimi i historisë. Së pari ajo është sakrificë, privacion dhe natyrisht sfidë. Nëse në “laboratorin” krijues apo në studion e punës, në arkiva apo biblioteka, historiani e ka më të thjeshtë studimin dhe punimin që do të botojë, etnografi, objektin e punës së tij e ka direkt në terren dhe në rastin tonë në zonat e thella malore, ku zhvilimi shoqëror nuk kish arritur ta ç’bënte akoma kujtesën popullore.

Ashtu si dikur edhe pionierët e parë të kësaj disipline, Etnografisë, edhe Dhosi Liperi ishte partizan i punës në terren. Në vitin 1929 me qëllim që të merrej me mbledhjen dhe studimin e gojëdhënave popullore, krahas punës si mësues, ai, i kërkon Ministrisë së Arsimit që ta transferojë si arsimtar në Burrel (fq. 696), atje ku mendonte se ekzistonin mitet për Skëndërbeun.

Duke jetuar dhe ndërmarrë ekspedita në malësitë tona të Shqipërisë së mesme dhe të veriut, ky autor, grumbulloi ndër vite një material të gjerë folklorik, i cili shkonte deri në periudhën e shekullit të XV.

Duke e trajtuar punën e tij në terren si shumë të rëndësishme, Dhosi Liperi, punoi në fazën e parë të projektit të tij kryesisht në trevën e Matit. Këtu në vitet 1929-1934 ai mblodhi një pjesë të madhe të legjendave popullore për Heroin. Ndërsa në fazën e dytë që i përket periudhës së viteve 50-60-të, po të shekullit të kaluar, Liperi, zhvilloi ekspedita kërkimore kryesisht në Dibër, Lurë dhe Mirditë. Por ndyshe nga etnografët apo antropologët tradicionalë të cilët jetuan të izoluar në gjirin e komuniteteve që studjuan, Dhosi Liperi, nuk u përqëndrua në një vend të caktuar, duke e zgjeruar herë pas herë gjeografinë e kërkimeve të tij.

Gjithsesi mund të theksojmë se krahas etnografisë ai u mor edhe me etnologji. Për ta shpjeguar më mirë këtë gjë le t’i referoheni përcaktimit që i bën këtyre disiplinave, etnopsikologu i parë shqiptar Dr. Jakov Milaj. Në librin e tij “Raca shqiptare” ai thekson se Etnografia nuk është gjë tjetër veçse një disiplinë përshkruese e cila ka për detyrë mbledhjen e lëndës që është për tu vëzhguar në kulturat e popujve të sotëm, ndërsa Etnologjia eshtë shkenca krahasuese induktive që ka për detyrë përpunimin e mëpastajshëm dhe diskutimin e kësaj lënde të mbledhur (Jakov Milaj. Raca Shqiptare. Ismail Mal Osmani. Tiranë 1944. Fq 12) .

Dhe si etnograf, Liperi, u mor kryesisht me mbledhjen e të dhënave verbale që mori nga 173 kallëzonjës, të cilët i intervistoi gjatë periudhës 1929-1961. Ato nisin me bisedën me Ali Zenelin nga Urxalla e Matit dhe përfundojnë me Sheh Dem Rotën nga Ishmi i Durrësit. Të gjithë këtë material, Dhosi Liperi me cilësinë e etnologut u ul dhe e përpunoi atë në tre libra, nga dymbëdhjetë gjithsej, të cilët në formën e dorëshkrimeve i dorëzoi në Institutin e Folklorit dhe Institutin e Gjuhësisë (Dhosi Liperi. Mitologjia Skënderiane. Fq 723-729).

Nga ky korpus, të tre librat që i përkasin studimeve për Skëndërbeun janë: “Skëndërbeu sipas besimit të popullit” (1949), “Gojëdhana popullore mbi Skëndërbeun” (1951) dhe “Skëndërbeu legjendar” (?).

Duhet theksuar se Dhosi Liperi vijoi traditën më të mirë të krijuar në Shkollën Normale të Elbasanit, studimet në të cilën i ndoqi në vitet 1925-1927. Mësuesit e kësaj shkolle dhe veçanërisht prof. Aleksandër Xhuvani u jepnin si detyra nxënësve, që gjatë pushimeve të verës të mbidhnin nga të moshuarit fjalë, proverba, shprehje dhe frazeologji popullore, materiale folklorike, këngë dhe legjenda.  Kështu veproi edhe normalisti tjetër Shahin Zharri, kur mblodhi në Bërzeshtë të Librazhdit dhe botoi në vitin 1938 “Këngën e Gjorg Golemit”, (Avni Alcani. Shahin Zharri, Kënga e Gjorg Golemit…Vepra të fjetura. Progres. Tiranë 2006. Fq 26), një nga kryeveprat e folklorit tonë popullor.

Megjithëse autodidakt në këtë fushë, Liperi, ishte i mendimit se studimi i folklorit kishte një rëndësi të madhe për historinë e Shqipërisë. “Legjendat, thekson ai, janë një vlerë e madhe kulturore e së kaluarës tonë kombëtare, e cila mjerisht është nënvlerësuar gjer dje e pra nuk thihej në masë” (Dhosi Liperi. Mitologjia Skënderiane. Fq 8).

Me idenë se nëpërmjet tyre do t’i vinte në ndihmë kësaj shkence, ky autor pohon nëpërmjet veprës së tij një nga parimet kryesore të shkrimit të historisë. Pikërisht në drejtim të burimeve historike, ku midis larmisë së burimeve të shkruara apo artefakteve, rëndësi i kushtohet edhe traditës gojore, e cila na vjen nëpërmjet rrëfimeve, këngëve popullore, legjndave apo miteve. Në këtë kontekst diku gjetkë ai do të vijonte duke theksuar përsëri se: “Studimi i legjendave ka rëndësi të madhe, se hedh dritë në shumë aspekte të sundimit turk, sidomos të dy-tre shekujve më parë, për të cilët shumë pak të dhëna kemi prej burimeve të tjera”.

2

Duhet theksuar se prej studimeve të Dhosi Liperit gjejnë pasqyrim dhe zgjidhje edhe disa probleme të rëndësishme të historisë së Skëndërbeut, të debatuara deri në këto kohë të fundit. Të tilla janë së pari, problemi i origjinës së Kastriotëve dhe vendlindjes së Heroit. Së dyti, ai i vendvarrimit të Skëndërbeut, si dhe së treti edhe teza aq e dabatuar këto vite të fundit se: A kishte Skëndërbeu fëmijë të tjerë përveç Gjon Kastriotit të Ri?!

Ndërkohë le ti shohim me radhë këto probleme sipas këndvështrimeve që na ofron vetë vepra  voluminoze e këtij autori, që me të drejtë mund ta quajmë e këtij kolosi. “Kolosi”, për arsyen e thjeshtë se asnjë autor në mënyrë individuale deri më tani, nuk ka arritur të mbledhë materiale etnografike kaq voluminoze për tema të tilla si Dhosi Liperi.

Kështu pa dalë nga tema le të ndalemi së pari tek problemi i origjinës së Kastriotëve.

“Dy krahina të Shqipërisë së Mesme, që janë Mati e Dibra, dhe një qytet, Kruja, hahen midis tyre e secili për vetë kërkon që ti njihet nderi i madh se ka qenë djepi i Fatosit. Matjanët mëtojnë se ky ka lindur në njërin prej katundeve  të tyre: Shqefën a Dukagjin, Muzhakë a Gur i Bardhë; pa dhe dibranët, njëzëri, ngulin këmbë se nderi i përket katundit të tyre, Kastriotit, i cili po mban me mburrje dhe mbiembrin e Atij për emër të vet; domosdo dhe Kruja, si qëndra më kryesore e kryeqytet që ka qënë, rivendikon të drejtën e saj”, shkruan Liperi në kapitullin e parë të librit të tij te rubrika “Venlemi i Skëndërbeut” (Po aty. Fq 27).

Dhe Dhosi Liperi na përshkruan të gjitha “fushatat” që ndërmori dikur në të tre fshatrat e mësipërm, ku legjendat popullore pretendojnë se ka lindur Skëndërbeu dhe kanë dalë Kastritoët. Në pamje të parë autori mban qëndrim të drejtë ndaj të tre tezave të vendorigjinës së Kastriotëve duke u treguar hipotetik ndaj të dhënave burimore. Po kështu njëhkohësisht ai vendos edhe ‘’piketat” se ku duhet kërkuar nga studjuesit në të ardhmen sqarimi i këtij problemi. Të gjitha këto, Liperi i tregon në këtë libër duke na paraqitur në dy plane legjendat e mbledhura në terren dhe konkluzionet e përfundimet e tij.

Po për të gjetur origjinën e Kastriotëve, Dhosi Liperi shkon fillimisht në një fshat të njohur të Matit, në Gurin e Bardhë. Këtë vendbanim ai e vizitoi në vitin 1929 duke theksuar me bindje se këtu duhet të jetë vendlindja e Skëndërbeut. Për këtë ai midis të tjerave shkruan se: ‘’Mendimi i përgjithshëm i matjanëvet që dritën e parë, Skëndërbeu, e ka parë në Gjur të Bardhë, ka qënë aq i fortë, sa që disa prej tyre, në të kaluarën, duke marrë parasysh, rrethanat e vështira të Gjon Kastriotit e fuqinë dhe egërsinë e turqëve mizorë, kanë besuar se Ai ka lindur jo në një pallat, po në një shpellë të malit, diku afër Gjurit të Bardhë. I ati i tij, simbas tyre, para se të nisej për në luftë, e futi të shoqen me gjithë fëmijë në atë shpellë, nga frika e invadorëvet barbarë”.

Ndërkohë që disa prej argumenteve rreth kësaj teze se Guri i Bardhë është vendlindja e Skëndërbeut, Liperi i rendit kështu: “Gjon Kastrioti e ka patur qendër me rëndësi dhe e ka pasë forcuar me kështjellë, brënda së cilës kishte ndërtuar edhe banesën e tij princore, ku shkonte familisht e banonte kohë mbas kohe, sidomos në verë. Për rëndësinë e Gjurit të Bardhë,s’ka dyshim, se këtë gjë veç që e thotë historia, e dëshmojnë edhe gërmadhat e shumta që quhen Qyteza ose Kalaja e Skëndërbeut”.

“Pozita strategjike, siç e përshkruam më lart, shtrimënia e gërmadhave, afërija me kryeqytetin, Krujën, e me detin dhe klima e mirë e Gjurit të Bardhë; të gjitha këto janë fakte me rëndësi, që i mungojnë Shqefnit, Dukagjinit e Muzhakës dhe kështu i japin prevalencë atij, duke forcuar në këtë mënyrë atë që thotë gojëdhëna popullore se Skëndërbegu nuk ka le as në Shqefën as në Muzhakë, por në Gjur të Bardhë. Gjurbardhasit, të bindur se në katundin e tyre ka lindur Ai, mbahen krenarë”, përfundon ai (Fq 30-31 ).

Ndërsa për origjinën gurabardhëse të Skëndërbeut, Dhosi Liperi, na sjell edhe një argument tjetër, të cilin e dëgjoi në Gjoçaj, një fshat tjetër të Matit. Për këtë qëllim ai na citon thënien e Rustem Pepës, që ‘’Skandërbegju, mas së thanmes të pleçve të hershëm, ka le në nja shpellë të Gjurit Bardhë, ku ka qanë futë e ama prej frikët të Turçve. I ati i Skandërbegjut m’at kohë luftonte kundër turçvet, çë kishin arth me zaptue Shqipnenë me ushtre të madhe”. “Përgojimi i kësaj legjende në Gjoçaj të Matit, në këtë katund , që është shumë larg nga Guri i Bardhë, skaj më skaj të krahinës së Matit, forcon dhe tezën e historisë, simbas së cilës Skëndërbeu ka lindur në Gur të Bardhë të Matit”, thekson autori rreth saj.

Më pas për ta qartësuar këtë tezë, Liperi, shkon në një tjetër fshat të Matit, në Shqefën të Prellës. Për Shqefnin ai thekson se Gjon Kastrioti ka patur aty një kullë të vogël dhe se ky fshat ka qenë pronë e tij, duke përjashtuar faktin se Skëndërbeu ka lindur këtu. Në vitin 1934, kur Dhosi Liperi e vizitoi këtë fshat, ai kishte 15 shtëpi që banoheshin nga anëtarët e fisit Kastrioti. Por pasi i studjoi me durim dhe vëmendje autori zbuloi se Kastriotët e Shqefnit nuk ishin farefis i Heroit. Ata e kishin marrë këtë emër sipas zakonit të vjetër ku bujqit trashëgonin shpeshherë emrin e të zotit ( Fq 27-29 ). Mbasi rendit disa fakte që dëshmojnë se Kastriotët e Shqefnit kanë qenë njërëz në shërbim të Skëndërbeut, Liperi na jep edhe argumentin më të forte të cilin ai e ndeshi tek ata. Ai dëshmon se ky fis e kishte zakon që mikut nuk i vendoste asnjehërë kokën e berrit të pjekur në sofër sipas zakonit të malësive. Një gjë e tillë ‘’Kastriotët e Shqefnit” e trashëgonin nga tradita e tyre familjare që vijonte që nga koha e Skëndërbeut, ku vetëm Heroit i rezervohej një nder i tillë.

Ndërkohë që faktin se, Shqefni ka qenë pronë e Kastriotëve, Liperi e vërteton edhe me legjendën që tregohej deri në atë kohë, për vizitën e Skëndërbeut tek fisi Hutra. Sipas të dhënave, Hutra, ishte bariu i Heroit i cili sa herë që ai shkonte në Shqefën, i vendoste në sofër ‘’një mçere” (napë) me djathë të pregatitur nga qumështi i deleve të tij( Fq 30).

Në përfundim të këtyre studimeve, Dhosi Liperi, argumenton se fshati Shqefën i Prellës, në Mat, nuk kishte qenë tjetër veçse një feud i dikurshëm i Skëndërbeut, ku fisi Hutra merrej me kullotjen e tufave të bagëtive, ndërsa fisi Kastrioti, punonte në pronat bujqësore të Heroit.

Gjeografinë e kërkimeve të tij për vendlindjen e Skëndërbeut, Dhosi Liperi, e vijon më pas edhe në Dibër. Ekspeditat studimore këtu ai i kreu në vitet 1953-1958, si në Bulqizë, Kastriot dhe Lurë, ku kontaktoi me njerëz të ndryshëm ( Fq 73, 42 ). Pikërisht në këtë trevë ai hetoi për vendin e tretë që mendohej si vendlindja e Skëndërbeut. Dhe rreth kësaj teme Liperi shkruan në librin e tij se: ‘’Dibra si kemi thënë më lart, jep zë se Skëndërbeu ka lindur në tokën e saj, në Kastriot dhe ka se ku mbahet: Kastrioti, i cili gjëndet nga veri perëndimi i Peshkopisë, përmban shumë monumente materiale, që kanë lidhje me Kreshnikun e janë thurrur me legjenda të bukura; dhe emrin e tij medje e ka marrë nga mbiemri i Atij. Dibranët i japin rëndësi të madhe e prandaj dhe qytetthin e ri, që themeluan pranë tij, pas çlirimit, buzë Drinit në Fush’Alie, e quajtën Kastriot i Ri, për të përjetësuar dashurin’e madhe e lidhjen e ngushtë që ka me Fatosin e për të fituar kontestimin e venlemit të tij”, shkruan Dhosi Liperi në faqen 33 të librit të tij. Pikërisht këtu ai ndeshi disa toponime interesante të cilat i vëzhgoi edhe nga afër në terren. Të tilla ishin ‘’Terziana e Skëndërbeut”, ‘’Përroi i Kastriotit”, ‘’Kopshti i Gjonit” ‘’Kalaja e Skëndërbeur”, etj. Po në fshatin Kastriot ai ndeshi edhe një të dhënë interesante për fisin Gjini, i cili në atë kohë përbëhej nga disa familje dhe që besohej se kishte lidhje me Skëndërbeun, të cilin Liperi e klasifikon si lidhje gjirie (fq 33-44).

Për vizitën që bëri në Kastriot Dhosi Liperi jep këto përshtypje: ‘’Unë vajta në këtë katund historik, shkruan ai, ku me të vërtetë mund të jetë përkundur së pari djepi i Atij—hetova mjaft dhe gjithëçka munda të gjej po e parashtroj këtu, së bashku me vrojtimet e mija. Ishte dita 29 korrik 1954”.

Megjithë të dhënat e shumta që ra në kontakt ai u tregua i rezervuar për faktin se Skëndërbeu ka lindur këtu. Kjo për arësyene thjeshtë se megjithë pasurinë e të dëshmive popullore aty kishte diçka që duhej parë me dyshim. Së pari fakti se që nga periudha e Skëndërbeut popullsia autoktone ishtë larguar nga kjo zonë për arsye të ndryshme. Kështu Dhosi Liperi nuk ngurron të na trasmetojë ato që mblodhi direkt në popull, të cilat të shprehura prej njërit prej banorëve të Kastriotit ishin të tilla: ‘’Kastriotasit, mas vdekjes së Skandërbegjut kanë ikë n’Itali     e ne jemi të ardhun, dikush prej Leshi, dikush prej Toskëneje. Në Sohodoll fisi Zon, Merdin Matohasanaj. Këto tre kabile kanë ardh prej Toskëneje. Mahmut Kasne, fis prej Kruje, e ka babën Fetah, xhyshin Mahmut, stërgjyshin s’e dij. Gjaksia n’atë kohë e ka derdhë popullin”.

Po kështu edhe dëshminë për kopshtin që mendohet se është i Gjon Kastriotit ai e vë në dyshim uke theksuar: ‘’Dhe e vura re mirë kopshtin. Ky është një copë kërre e ngushtë dhe shum e pjerrët dhe nuk ta mbush mendjen gjëkundi që të ketë qënë ndonjë kopësht me rëndësi, dhe aqë më fort kopësht i një princi. Ata që besojnë se ka qënë kopësht i Gjon Kastriotit, sigurisht janë gënjyer prej pozitës së tij, që është rrëzë Kodrës së Gështenjës dhe shumë afër Kodrës së madhe këto dy kodra përmënden prej gojëdhanave popullore si objekte të rëndësishëm të Skëndërbeut dhe prej emrit Gjon të pronarit. Po ky Gjon do të ketë qënë ndonjë katolik, nga ata që banonin këtu para se të shpërndaheshin ose të myslimanizoheshin kastriotasit e vjetër. Banorët sot të gjithë janë musulmanë”.

Dhe këtë argumentim ai e përforcon edhe me deklarimin e njërit prej fshatarëve të Kastriotit i cili e shoqëroi në vendet e legjendave dhe midis të tjerave i deklaroi tekstualisht se: ‘’Kët kopshtë tahi e ka Ibrahim Pana prej gjysh stërgjyshi. E ka pasë në dorë e nuk dihet nga kush e ka marrë. Na të xhithë jena të ardhun se në kohën e luftave të Skandërbegjut njerëzt janë derdhë. E xhithë na jemi të ardhun.

Ky prroni i Kastriotit fillon në Vrënk, katun me 60 shtëpé, e shkon rrazë kodrës së Kështenës. Gjon Kastrioti ka pasë ene shtëpé këtu, po s‘i din kush trojet ( Fq 36). Kuptohet se kallëzonjësi nuk e beson që kopshti të ketë qënë i Gjon Kastriotit, shton së fundmi Dhosi Liperi lidhur me këtë nëntemë.

Të dhëna të tjera që dëshmojnë aktivitetin e Skëndërbeut në këtë zonë të Dibrës janë edhe ato që autori i mblodhi për Kalanë dhe Çeliasin, dy toponime të tjera pranë fshatit Kasriot, të cilat edhe këto ‘’mbështilleshin” nga legjenda për Heroin. Kalaja e Skëndërbeut ndodhet pranë përroit të Kastriotit, ndërsa më poshtë këtij fshati, në perëndim të tij është edhe kodra e Çelias-it, ku Skëndërbeu mbante të burgosurit, shkruan ai në ditarin e tij. Po kështu, Liperi, vëzhgoi edhe një sërë fortifikimesh më të vogla  pranë, si ato të Bëllisjes, të Sohodollit, të Çidhnës së Poshtëme, të Shumatës, etj ( Fq 43 ). Të gjitha këto vëzhgime e bënë Dhosi Liperin të mendojë se kjo mikrozonë e Dibrës, pra ajo e Kastriotit, përbënte dikur një nga bastionet kryesore mbështetëse të Skëndërbeut, pavarësisht që banorët e saj besonin plotësisht se Skëndërbeu kishte lindur këtu ( Fq 43).

Pasi i vizitoi të trea vendet ku popullsia lokale besonte nëpërmjet legjendave se aty kish lindur Skëndërbeu, Dhosi Liperi nuk nxitohet në konkluzione përfundimtare. Megjithëse dallohet për qëndrimin e drejtë, paanshmërinë në gjykim dhe rigorozitetetin e trajtimit të legjendave, ai përcakton në gjykimin e tij se midis dy trevave si Dibra dhe Mati, ky i fundit është trualli i origjinës së Kastriotëve dhe vendlindja e Skëndërbeut. Këtë gjë, Dhosi Liperi, e shpreh në një trajtë të letrarizuar, ku në kapitullin e parë të librit, te rubrika ‘’Të falem Matje”, në ligjëratë të drejtë shkruan se: “Të falem, Matje, vënd i Skëndërbeut, i atij Trimi që i dha Shqipërisë nder e lavdi ndër shekuj e stërnipëve të tij, rrugën e mbarë u rrëfeu. Je e lume, se Ai të ka dashur shumë e të ka bekuar; u bë dhe nuni yt e të pagëzoi e ta vuri emrin Matje, emër të bukur e kuptimplotë, se ti, si ka thënë vetë Ai me gojën e tij mat e peshon mirë para se të vendosësh e me maturinë tënde këshilla urtie i ke dhënë. Je e lume, se dhe ti i ke qëndruar besnike e ke qënë krahu i djathtë i tij në luftë. Ai Memeu që mbante defterët, e Gjoku i Vigjut, Zaçi i Drianit, Hutra, Norca i Macukllit e të tjerë burra të fortë, të sajueshëm e besnikë, dhe Lala, birazeri i tij, prej Matjes ka qënë , po e tradhëtoi, bijtë e tu kanë qënë; në tokën tënde kanë lindur. Mali yt kreshnik, përkrah Dejës e kundrejt Balgjajt  që iu bë limar i sigurtë dhe emrin e mori prej tij (është fjala për malin “Skandërbeg”), është i shënjtë për ne, si Tomorri për Pellazgët qëmoti” ( Fq 19-20).

(Vijon neser)

Comments are closed.