Standard.al

Çmimet e rëna, gjysmë e vërtetë propagandistike

supermarket

–   Kryeministri Edi Rama deklaron me mburrje se çmimet e disa produkteve kanë rënë. Por mënyra e tij e argumentimit është shumë larg të vërtetës dhe tipike me frymë propagande

Kryeministri Edi Rama publikoi një poster propagandistik në faqen e tij në Facebook duke argumentuar se sipas të dhënave të disponuara prej tij, gjatë qeverisjes së tij është shënuar rënie çmimi në disa produkte bazë. Sipas kryeministrit, ka rënë çmimi i orizit, makaronave, miellit, mishit, qumështit, sheqerit, vajit, zarzavateve, veshjeve, ilaçeve si dhe karburanteve.

Statistikisht, këto të dhëna duket se janë marrë copy/paste nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit, të publikuar nga Instituti i Statistikave. Në përgjithësi, edhe pse statistikisht të sakta, këto të dhëna janë thjeshtë një gënjeshtër; një përzgjedhje e të dhënave sipas interesit të personit që i përzgjedh. Logjika e përdorur është ekonomikisht e pakuptimtë. Psh, rënia drastike e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar si pasojë e luftës së OPEK ndaj prodhimit të naftës argjilore në SHBA, mund të ketë sjellë rënie të papërfillshme në çmimin e naftës në Shqipëri, por nuk duket asgjëkundi që në këtë zinxhir ngjarjesh të ketë patur ndonjë rol kryeministri i Shqipërisë.

Sipas të gjitha gjasave, çmimi do të kishte rënë në tregun ndërkombëtar edhe sikur Shqipëria të kishte ndonjë qeveri tjetër, madje, do të kishte rënë edhe sikur Shqipëria të mos kishte fare qeveri.

Krahasimi, nga qershori 2013 deri në tetor 2014 është statistikisht i pavlefshëm. Në historinë e statistikës inflacioni krahasohet me bazë vjetore apo mesatare vjetore. Por krahasimi me “vitin zero” është një propagandë qeverisëse e njohur në historinë e Shqipërisë. Propaganduesit e Ahmet Zogut psh, kishin qejf të thoshin se në vitin 1912, Shqipëria kishte katër ura, ndërsa gjatë qeverisjes së Zogut, u ndërtuan, fjala vjen 6 ura, pra me një rritje 150 për qind. Ose, qeveria komuniste shqiptare parapëlqente krahasimin me vitin 1938, njëkohësisht për të fshehur bumin ekonomik të kohës së Italisë Fashiste dhe për të llogaritur si arritje të vetën bumin ekonomik të krijuar nga Italia fashiste në Shqipëri.

BIRN analizoi të njëjtat të dhëna të publikuara nga Instituti i Statistikave. Rezultati është që inflacioni në Shqipëri tashmë prej vitesh është në nivele të ulëta.

Në tetor të këtij viti, në krahasim me qershorin 2013 Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 1.4 për qind. Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, për të cilat kryeministri flet në detaje, janë rritur në tërësi me 1.1 për qind. Nëngrupi Bukë dhe drithra ka pësuar rënie 1.3 për qind, Vajra dhe Yndyrna, ka rënë me 8 për qind. Tani, kryeministri thotë se nënproduktet e qumështit kanë rënë nga 0.56 në 8 për qind. Por INSTAT thotë se nëngrupi Qumësht, Djathë the Vezë është rritur me 2.2 për qind. Zarzavatet, disa prej të cilave kryeministri i ka gjetur në rënie, në fakt janë rritur si grup me 1 për qind.

Tani, kryeministri përmendi disa zarzavate si produkte me çmime të rëna, opozita mund të përmendë disa fruta si produkte me çmime të shtrenjtuara. Fakti është që në krahasim me qershorin 2013, frutat janë shtrenjtuar me 14 për qind.

Ka edhe një tregues tjetër. Shërbimi arsimor është shtrenjtuar me 11 për qind sipas matjes së INSTAT, Lavatriçet kanë rënë me 4 për qind ndërsa pajisjet e gatimit kanë rënë me 5.6 për qind. Çmimet e medikamenteve kanë rënë me 6.4 për qind. Por qeveria ka hequr Tatimin mbi Vlerën e Shtuar me 10 për qind këtë vit dhe rrjedhimisht, çmimet duhej të kishin rënë me 10 për qind. Fakti që nuk kanë rënë me 10 por me 6.4, sugjeron se sërish ilaçet janë shtrenjtuar për buxhetin e shtetit, i cili paguan 90 për qind të ilaçeve të konsumuara në vend me 3.6 për qind.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit është një tregues statistikor kompleks. Për ta matur atë, monitorohen dhjetëramijëra çmime në të gjithë Shqipërinë. Kur vjen puna për të futur në indeks çmimin e kastravecit, INSTAT merr parasysh se sa është pesha e konsumit të kastravecit në shportën e konsumit të shqiptarëve. Nëse kryeministri gjen që çmimi i specave jeshil ka rënë me tri herë, kjo ka shumë gjasa që nuk përbën as ndonjë lajm shumë të mirë dhe as ndonjë lajm shumë të keq. E njëjta gjë ndodh nëse çmimi i specave djegës është rritur me tri herë. Nuk ka ndonjë vend për alarm. Ajo që vlen është treguesi i përgjithshëm. Çmimi i ushqimeve është rritur me 1.1 për qind në tetor të këtij viti në krahasim me qershorin 2013. Por në krahasim me tetorin 2013, dhe ky është krahasimi i vetëm i vlefshëm, çmimet e ushqimeve janë rritur me 1.6 për qind.

Nga ana tjetër, fakti është që Banka e Shqipërisë është shumë e mërzitur me këtë situatë. Sipas saj, inflacioni është tepër i ulët. Ajo po lufton vazhdimisht prej vitesh për ta ngritur inflacionin në mbi 2 për qind në vit. Normalisht rënia e çmimeve, ose rritja tepër e ngadaltë e tyre, siç po ndodh aktualisht, konsiderohet si sinjal alarmi i një krize të thellë ekonomike, ku çmimet bien për shkak se konsumi është i ulët.

Në tërësi, është shqetësuese tendenca e qeverisë aktuale për përdorimin e metodave të propagandës totalitare, ato të krahasimit me vitin zero, që konsiderohet si çasti kur një qeveri vjen në pushtet. Këto janë shenja të këqija për një vend, më të këqija se sa thjeshtë rënia apo rritja e çmimeve.

(Përgatitur nga agjencia investigative BIRN)

 

 

Rënie e ndjeshme e çmimeve të apartamenteve në treg

 

Kërkesa e ulët në treg ka çuar në një rënie të ndjeshme të çmimeve të apartamenteve. Sipas agjentëve imobiliare, në periferi të Tiranës tashmë banesat shiten deri në 15% më lirë.

Tendenca filloi rreth dy vite më pare, pas ndërprerjes së menjëhershme të “bumit” të ndërtimit.

Çmimet e apartamenteve përreth Unazës së kryqytetit luhaten mes 750-850 euro/m², ndërsa në periferi të Tiranës, apartamentet kushtojnë 350-450 euro/m².

Kërkesa është rritur dhe këtë e pranojnë ndërtuesit e agjencive imobiliare, ndonëse, sipas tyre, shumë probleme bëjnë që kërkesa të mbetet e frenuar. Pengesa janë dokumentacioni i pronës, kur ende kemi banesa të pahipotekuara, infrastruktura jo e plotë në periferi dhe cilësia e ndërtimit që, jo në të gjitha rastet, është ajo që presin prej ndërtuesve.

Ndërkohë, ende pa filluar të bëhet e dukshme ulja e çmimeve të apartamenteve (pasi nuk theksohet në njoftimet publike për shitje, por vetëm në momentin e transaksionit), vendimi i mazhorancës parlamentare për të pezulluar të gjitha lejet zhvillimore pritet të orientojë çmimet e shitjes drejt rritjes.

 

Tendencat

 

– 750-850 euro/m², çmimi mesatar që mund të blihet një apartament rreth zonës së Unazës së Vogël

– 350-450 euro/m², çmimi mesatar që mund të blihet një apartament jashtë Unazës së Madhe

– Çmimi i shitjes 15% më i ulët gjatë transaksionit

– Agjentët imobiliarë: Gjallërohet tregu. Kreditë rrisin shitjet e shtëpive

– Agjentët imobilarë: Pritet rritje çmimi me pezullimin e lejeve të ndërtimit

 

Interesi i depozitave barazohet me inflacionin

 

Nëse mendon që të fitosh para duke i vënë në bankë, tashmë kjo alternativë nuk është më e vlefshme. Interesi për një depozitë bankare, jo vetëm që është në minimumin historik, por nëse llogaritet edhe me inflacionin vjetor del që fitimi është minimal, vetëm 0.1%. Bankat tashmë po bëjnë vetëm ruajtjen fizike të parasë. Arjan Kadareja, ish-anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, tha se ulja e fundit e interesit për lekun do të ulë më tej fitimin nga depozitat. E kundërta ndodh me interesin e kredive, ato janë në nivelin mesatar 10%. Arjan Kadareja thotë se, krahasuar me normat e lartë të para disa viteve, edhe fitimi nga huat bankare ka rënë me 4%.

Por ata të cilët kanë marrë një kredi, duhet të bëjnë kujdes dhe të vendosin në kontratë që interesi të jetë i rinegociueshëm! Në muajt korrik dhe gusht 3 miliardë lekë, ose 30 milionë dollarë janë zhvendosur në depozita me afat mbi 2 vjet, kjo për shkak të interesave të ulta. Madje në momentin që vendos një depozitë 6-mujore, fitimi është negativ nëse këtu indeksohet inflacioni vjetor…

 

Për OJF-të, kontrolle më të rrepta financiare

Organizatat jofitimprurëse pritet t’i nënshtrohen kontrolleve më të rrepta financiare.

Një udhëzim i ministrisë së Financave që tashmë ka marrë fuqi ligjore detajon procedurat që do të ndiqen nga organet tatimore, si organ mbikëqyrës, për kontrollin e veprimtarisë së OJF-ve.

Drejtoritë rajonale tatimore të juridiksionit do të administrojnë dosjet e OJF-ve të regjistruara, përfshirë dokumentacionin e themelimit, regjistrimit, të ndryshimeve pas regjistrimit si dhe dokumentacionin tatimor.

Referuar udhëzimit, drejtoritë rajonale tatimore të juridiksionit ngarkojnë punonjësit të specializuar dhe të trajnuar për shqyrtimin e pasqyrave financiere të OJF-ve, në varësi të numrit të OJF-ve që administrojnë, të cilët analizojnë veçanërisht, por pa u kufizuar në:

  1. a) Burimet e financimit të OJF-së
  2. b) Veprimtarinë ekonomike të OJF-së, nëse zhvillon veprimtari ekonomike.
  3. c) Përdorimin e fondeve dhe mënyrën e qarkullimit të tyre.
  4. d) Asetet e OJF-së dhe burimin e krijimit të tyre.

Me udhëzimin e ri, organet tatimore mund të ushtrojnë edhe kontroll të thelluar operacional ndaj OJF-ve, me fokus evidentimin e burimeve të financimit, marrëveshjet për grantet e përfituara, marrëveshjet për dhurimet dhe donacionet, dokumentimin e kuotave të anëtarësisë etj. Qëllim i kontrollin të imtësishëm të financave të organizatave jofitimprurëse është shmangia e mundësisë së përdorimit të tyre për pastrim parash apo financim terrorizmi.

Comments are closed.