Standard.al

Opozita/ Festohet Pavarësia dhe Çlirimi, Basha: Ideali i lirisë të mos sakrifikohet nga axhendat politike  

Erneta Shevroja

Kreu i PD-së, homazhe tek Dëshmorët e Kombit, te shtatorja e Adem Jasharit dhe Ismail Qemalit

basha tek deshmoret e kombit Opozita festoi dje Ditën e Pavarësisë dhe atë Çlirimit të vendit nga forcat nazifashiste. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, deputetë demokratë dhe drejtues të pushtetit vendor vendosën kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Të djathtët bënë homazhe edhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit për të kujtuar dhe nderuar viktimat e komunizmit. Pas homazheve, kreu i Bashkisë Tiranë, njëherësh dhe i Partisë Demokratike dha një mesazh lidhur me festat kombëtare.

 

Basha

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se këto festa përkujtojnë idealin e lirisë dhe për këtë arsye nuk duhet të sakrifikohen nga axhendat e ngushta politike. “Shqiptarët, – tha Basha, – kanë paguar një çmim shumë të lartë për lirinë kombëtare edhe përmes luftës për pavarësinë e Kosovës dhe për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Të vetëdijshëm për çmimin e lartë, ndër më të lartët që kemi paguar për lirinë tonë si shtet, për lirinë tonë kombëtare, përmes luftërave të fundit çlirimtare në Evropë, siç ishte lufta për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës, siç ishte lufta për të drejtat e barabarta të shqiptarëve në Luginën e Preshevës apo në Maqedoni kemi përgjegjësinë e madhe që idealin e lirisë për të cilin kemi sakrifikuar kaq shumë, mos t’ia sakrifikojmë kurrë axhendave të ngushta politike”, – tha Basha, pas kryerjes së homazheve tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Më tej, ai theksoi se sfida për lirinë mbetet në forma të reja. “Liria e fituar duhet ruajtur nga rreziqet e reja apo të vjetra që po shfaqen, por thelbi ngelet: lufta pa kompromis për lirinë e individit, të fjalës dhe zgjedhjes”. Sipas Bashës, “rreziqeve të reja apo të vjetra që shfaqen e rishfaqen në paketime të ndryshme por të luftojmë fort e pa kompromis për të thelluar sa më shumë dimensionin e lirisë, lirisë së individit, lirisë së fjalës, lirisë së besimit, lirisë së zgjedhjes, lirisë së sipërmarrjes”.

 

Nderohen 22 intelektualët e ekzekutuar nga komunizmi

Demokratët nderuan dje edhe 22 intelektualët shqiptarë të ekzekutuar nga regjimi komunist me pretekstin se më 21 shkurt 1951 kishin shpërthyer një bombë në ambasadën sovjetike në Tiranë. Ata u ekzekutuan në mesnatë, në afërsi të Urës së Beshirit, 15 km larg Tiranës, të lidhur dorë për dorë me zinxhir dhe u varrosën në një gropë të përbashkët.

Vizitë tek familjet e dëshmorëve dhe të Azem Hajdarit

Kryetari i demokratëve vizitoi dje edhe disa familje të dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi. Ai u takua me familjarët e dëshmorëve Akil Sakiqi dhe Bardhyl Salillari. Po ashtu, Basha ka kryer një vizitë edhe tek familja e Azem Hajdarit, Heroit të Demokracisë dhe themeluesi i partisë së parë opozitare në vitin 1990.

 

 59-vjetori i lindjes së Adem Jasharit/ Basha: 28 nëntorët e Shqipërisë s’do të ishin njësoj pa lirinë e Kosovës

Nderim dhe mirënjohje u është rezervuar dje heronjve të kombit që luftuan për lirinë e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i PD-së, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, deputetë, drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të Ambasadës së Kosovës zhvilluan homazhe pranë shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, në 59-vjetorin e lindjes. “Kjo simbolikë nuk është e rastësishme. 28 Nëntori i Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntori i Çlirimit të atdheut, 28 nëntorët e Shqipërisë demokratike nuk do të ishin njësoj pa lirinë e Kosovës, pa pavarësinë e saj, pa dhënien fund të padrejtësisë shekullore të ndarjes, copëtimit dhe robërimit të kombit shqiptar e bash për këtë arsye sot, kremtimi i 28 Nëntorit edhe si ditëlindje e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka domethënien e madhe se Shqipërisë e shqiptarëve, Kosovës e trojeve tona kudo nuk i kanë munguar e as nuk do t’i mungojnë kurrë bijtë e bijat të cilët janë gati të japin gjithçka për pavarësinë, për lirinë e fituar dhe për të zmbrapsur çdo kërcënim ndaj kësaj lirie si dhe për të çuar deri në fund, për të plotësuar pa asnjë rezervë amanetin e një kombi të bashkuar nën idealin e rilindësve, nën flamurin e Skënderbeut, nën normat dhe standardet e BE-së”, – deklaroi zoti Basha.

 

Nderim Ismail Qemalit, frymëzuesit për të ardhmen e Shqipërisë

Në të njëjtën orë që ku ngrit flamuri kombëtar në Vlorë në vitin 1912, dje kreu i PD-së kreu homazhe nderimi tek busti i Ismail Qemalit në Tiranë. Në këtë rast, Basha theksoi se figura patriotike e Ismail Qemalit është frymëzim i së sotmes dhe së ardhmes evropiane të Shqipërisë. “Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Tirana e bëri realitet praninë e përhershme e të përjetshme të Ismail Qemalit, shpallësit të pavarësisë. Është sot nderi im, në emër të kryeqytetit që së bashku me qindra qytetarë të Tiranës, në orën që përkon me orën e shpalljes së Pavarësisë 102 vjet më parë, të përkulemi sërish, ashtu si vjet, ashtu si në 100-vjetorin e Pavarësisë, para atit të Pavarësisë, Ismail bej Vlorës”, – dha mesazhin kryedemokrati Basha.

 

Berisha: Neobllokmenët nderojnë të rënët sipas ritit enveristo-serb

Ish-kryeministri Berisha nderoi dje të rënët për pavarësinë dhe çlirimin e vendit. Berisha nuk kurseu të majtët, për të cilët u shpreh se edhe pas 24 vjetësh, festën e Çlirimit të vendit nga forcat fashiste e festojnë në ditën që e festonte diktatori Enver Hoxha. “Është e hidhur që edhe pas 24 vitesh liri të rënët e kombit ende nderohen nga neobllokmenët jo në ditën e tyre, 28 Nëntorin e Pavarësisë dhe Çlirimit, por sipas ritit enveristo-serb, pra në ditën e armiqve më të egër të kombit tonë, që falsifikuan Ditën e Çlirimit dhe e vendosen në ditën e festës së Jugosllavisë, e gjitha kjo në funksion të shndërrimit të Shqipërisë së pavarur në republikë të 7-të të Jugosllavisë”, – shkroi Berisha në “Facebook”. Sa u përket festave, Berisha u shpreh se dita e djeshme ishte e trimave, guximit, atdhedashurisë dhe sakrificës së atyre shqiptarëve që luftuan për nderimin e një kombi, me shpresë dhe besim në të ardhmen që meriton.

 

Comments are closed.