Debati për buxhetin/ Propozimi i Finos përplas të majtën, Braçe largohet nga Parlamenti. Meta, replika me Ramën

0
127

Gëzim Saliu

Shtimi i 4 punonjësve për zbatimin e territoriales në qarqe kthehet në debatin kryesor të buxhetit mes mazhorancës. Rrëzohet kërkesa, Rama mbështet Finon: Do ta votojmë me akte nënligjore në qeveri

fino ne parlament Askush nuk e kishte menduar që në qendër të debatit mes mazhorancës së majtë në votimin final të paketës fiskale dhe buxhetit për vitin 2015 do të ishte shtimi i 4 punonjësve më shumë në çdo qark për të zbatuar më mirë reformën territoriale administrative. Ndërsa palët kishin sheshuar më parë mosdakordësitë për disa çështje problematike, si ajo për akcizën e pijeve energjike, seanca e djeshme pretendohej të kalonte thjesht e pa diskutime. Por për të ndezur debatin ka menduar deputeti socialist Bashkim Fino, përmes propozimit për të shtuar në Agjencinë e Mbikëqyrjes Territoriale 4 punonjës, nga 8 që ishin caktuar nga Komisioni i Ekonomisë, i cili kishte miratuar edhe draftin final të buxhetit. Ndaj këtij propozimi reagoi duke kundërshtuar kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, i cili kërkoi që të votohej amendimi i Komisionit. E ndërsa u desh edhe ndërhyrja e Kryeministrit, i cili ia la në dorë fillimisht votimit të deputetëve nëse do ta miratonin ose jo kërkesën e Finos, kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi u tregua i drejtpërdrejtë në argumentimin e tij, duke theksuar se nuk mund të votohej një amendament që depozitohet direkt në diskutimin në seancë. Sipas tij, Fino duhet ta kishte depozituar amendimin e tij në Kuvend një ditë më parë se të niste diskutimi e votimi final i buxhetit. Në ndërhyrjen e dytë, për të cilën pati replika edhe me Kryeparlamentarin Meta, kreu i qeverisë, Rama, vendosi të luante rolin e “arbitrit” mes “ndeshjes” që u zhvillua në Parlament mes Braçes e Finos, duke propozuar që të votohej varianti i Komisionit të Ekonomisë e ndërsa kërkesa e deputetit të Komisionit të Ligjeve të plotësohej me akte nënligjore nga qeveria.

 

Debati

Ndërkohë që Kryeparlamentari Meta po hidhte në votim nenet e buxhetit të vitit 2015, ndërhyri deputeti Bashkim Fino, i cili pohoi: “Propozimi që ne kemi bërë në Komision ka qenë për 12 punonjës, nga një për çdo qark, dhe jo nga 8 që janë përcaktuar”. Ndërsa relatori i projektligjit, Anastas Angjeli, pranoi vetëm kërkesën për ndryshimin e emrit të agjencisë së pushtetit vendor në kombëtare, bëri të ditur se ishte kundër shtimit të numrit të punonjësve. E ndërsa Fino vazhdoi replikën duke kërkuar me domosdoshmëri shtimin e këtyre punonjësve, kreu i qeverisë nga njëra anë i dha të drejtë kërkesës së deputetit të Komisionit të Ligjeve, porse mbështeti edhe faktin se Komisioni i Ekonomisë është ai që vendos për çështjen. Ndërkaq, në ndërhyrjen e tij, Braçe hodhi poshtë deklaratat e Finos, sipas të cilave çdo institucion i pavarur ka marrë shtesa dhe kërkoi që të votohej varianti i Komisionit të Ekonomisë. Në këtë pjesë, debati mori rrjedhë tjetër, pasi Fino ndërhyri ndaj fjalës së Braçes, duke replikuar me të. Kjo pjesë nuk i pëlqeu kreut të Komisionit të Ekonomisë, i cili u revoltua me deklaratat e Finos. Në këtë mes Kryeparlamentari Meta, që u mundua të qetësonte situatën, duke besuar në qëndrimet e Finos se i kishte çuar më parë amendimin në Parlament, hodhi në votim me karton propozimin. Megjithëse propozimi u votua, duke marrë edhe votën e Kryeministrit, i cili ngrinte kartonin jeshil duke buzëqeshur në sy të deputetit Fino, ndërhyrja e kreut të grupit parlamentar socialist ndryshoi në themel çështjen. Sipas Ruçit, nuk mund të votohej amendimi i Finos, pasi ai iu propozua vetëm gjatë diskutimit të djeshëm në seancë, kur duhej të ishte depozituar sipas tij 24 për më parë në Kuvend. Çështja nervozoi aq shumë deputetin Erjon Braçe, sa u largua nga salla e Parlamenti ende pa u mbyllur votimi për buxhetin. Ndërsa Kryeministri që kërkoi sërish fjalën, hasi në replikën e Kryeparlamentarit Meta, i cili theksoi: “Unë për këtë zoti Rama komunikoj vetëm me kryetarin e grupit parlamentar, zotin Ruçi. Kjo është çështje procedurale, nuk është çështje thelbësore”. Pavarësisht nga diskutimi, Meta i dha fjalën kreut të qeverisë, i cili u mundua të zbuste debatin në sallë, duke propozuar që të votohej varianti i Komisionit të Ekonomisë, pra me 8 punonjës, ku ndërkohë, sipas tij, propozimi i Finos do të zgjidhej përmes akteve nënligjore që do të ndërmarrë qeveria.

 

Debati i plotë/ Replikat mes Finos, Braçes e Ruçit. Meta, Ramës: Për çështje procedurale flet Ruçi, jo Ju

Ilir Meta: Neni 15, me vërejtje të komisionit përgjegjës, pro… kundër… urdhëro patjetër (i drejtohet Finos që kërkoi fjalën)

Bashkim Fino: Për nenin 15 është raportuar nga Komisioni ynë se ka të bëjë me pushtetin vendor. Një gabim që është bërë këtu, është se ne kemi thënë që për implementimin e reformës administrativo-territoriale shtohet agjencia kombëtare e pushtetit vendor dhe jo agjenci për implementimin. Propozimi që ne kemi bërë në komision ka qenë për 12 punonjës, nga një për çdo qark, dhe jo nga 8 që janë përcaktuar.

Anastas Angjeli: Nga tre propozimet e z. Fino vetëm ai mund të konsiderohet ajo e emrit të agjencisë, ndërsa sa i përket numrit të agjentëve apo si do quhen ata ne jemi konsultuar me qeverinë dhe ajo ishte dakord që fillimisht të vendosen 8.

Bashkim Fino: Propozimi që e kemi bërë ne si Komision i Ligjeve dhe ia kemi dërguar Komisionit të Ekonomisë që nuk ka të drejtë të ndryshojë numrin nga 12 në 8 dhe nuk të drejtë të thotë që jam konsultuar me qeverinë. Këtu nuk prishet puna për 4 punonjës, me falni po kemi shtuar punonjës në shumë institucione të pavarura dhe mos shtojmë 4 vetë nga një për çdo qark.

Edi Rama: Propozimi i Finos bëhet fjalë për të respektuar numrin e qarqeve. Nga ana tjetër z. Fino, Komisioni i Ekonomisë ka të drejtën të diskutojë dhe të refuzojë jo vetëm Komisionin e Ligjeve, po edhe qeverinë. Po nga pikëpamja jonë, nuk shikojmë asnjë problem në qoftë se Komisioni i Ekonomisë e shikon të arsyeshme të shtojë dhe 4 punonjës që lidhet me mbulimin e 12 qarqeve të Shqipërisë, por gjithsesi kjo i mbetet në vlerësim Komisionit të Ekonomisë. Ai ka fjalën e fundit.

Erjon Braçe: Z. Kryeministër, natyrisht që ne kemi marrë në shqyrtim të gjitha kërkesat që kanë ardhura nga institucione të ndryshme, por kanë qenë tërësisht të argumentuara. Nuk është e vërtetë që ne i kemi marrë parasysh kërkesat e institucioneve të pavarura për numër punonjësish. Po ju përmend Prokurorinë këtu, nuk i është marrë parasysh kërkesa për shtim të punonjësve, ashtu si edhe të tjerave. Kontesti jonë lidhet me atë që reforma administrative do të vihet në punë pas 6 muajve të parë të vitit. Puna e agjencisë të fillojë me 8 njerëz.

Bashkim Fino pa mikrofon nga vendi: I zoti i jep, ti s’i jep (duke iu referuar fjalës së Ramës).

Erjon Braçe: Po mirë me qeni ju i zoti, pa merak t’ua japë i zoti, merreni nga ai…

Meta-Ruçit: T’i hedhim në votim propozimin e Finos dhe të Ekonomisë?

Gramoz Ruçi: Ka shumë propozime nga 7 komisionet që i kanë bërë Komisionit të Ekonomisë dhe ky i fundit ka ardhur me një draft konkret. Grupi parlamentar do të mbështesë vendimin përfundimtar të Komisionit të Ekonomisë.

Ilir Meta: Nuk kemi një amendament zoti Fino dhe duhet të ishin paraqitur 24 orë më parë.

Bashkim Fino– e kam çuar…

Ilir Meta: Ju e keni dërguar? Mirë unë ju besoj. Dakord. Mendoj që deputetët kanë të drejtën e tyre, ky mund të jetë një defekt teknik. Mendoj të hedhim në votim amendamentin e zotit Fino pastaj variantin e komisionit të Ekonomisë

Brace largohet nga salla e Parlamentit

Ilir Meta: Kush është dakord me riformulimin e nenit 15 për dy pikat e zotit Fino…? Atëherë ju lutem me qetësi.

Deputetët nga vendi: Bëje me elektronikë

Ilir Meta: Sekretaria të bëjë numërimin, me qetësi… Miratohet amendamenti i z. Fino

Duartrokitje në sallë

Deputetët: Nuk u numëruan mirë, me elektronikë.

Ilir Meta: Keni kontestime për mënyrën e votimit, atëherë dy minuta pushim e votojmë me elektronikë.

Pas pushimit të seancës, Ruçi: Ka mundësi…

Ilir Meta: Zoti Stërkaj ju lutem…

Gramoz Ruçi: Nuk duhet të krijojmë asnjë precedent veçanërisht në shkelje të plotë të rregullores të parlamentit veçanërisht për një event siç është buxheti i vendit. Me të drejtë ju thatë nuk ka propozim 24 orë para në tryezën e deputetëve. Nuk mund të votohet. Prandaj iu lutem të gjithë ata që votojnë, nuk mund të votohet, nuk mund të hidhet në votim madje, se nuk ka të depozituar amendim për këtë çështje 24 orë para, sipas rregullores së Kuvendit. Kaq.

Ilir Meta: Dakord, deputetët të jenë të qetë sepse shumë shpejt mbarojmë.

Bashkim Fino: Zoti kryetar faleminderit, jam i qetë. Mbas votimit jam shumë i qetë bile. Kjo mënyrë artifice që po bëni ju me kryetarin tim të grupit, tregoni të më vidhni fitoren. Unë besoj se fitorja është fitore. Megjithatë nuk është personale. Po e them edhe njëherë, në komisionin e ligjeve ka një nënkomision të pushteti vendor që është i specializuar për këtë punë dhe i kemi bërë kërkesë zyrtare Komisionit të Ekonomisë dhe ia kemi dërguar me shkrim të gjitha propozimet. Propozimi që bëj unë, dhe më vjen keq që nuk janë kaq fleksibël këta njerëz, është që nga 8 të jenë 12, nuk ka asgjë të keqe. Nëse Ministria e Financave dhe kryeministri thanë që nuk ka asnjë problem ta bëjmë këtë gjë, ku është e keqja këtu për të respektuar rregulloren, pse nuk ka qenë 24 parë para propozimi që bëra unë. Po unë sot e pashë këtë se po ta shija tam kisha bërë një javë më parë propozimin sepse propozimin e kam bërë zyrtarisht te Komisioni i Ekonomisë për 12 veta. Kaq është e gjitha dhe më vjen shumë keq dhe me kryetarin e grupit tim parlamentar. Më vjen jashtëzakonisht keq sepse nuk ka asnjë personale, po është procedurale.

Ilir Meta: Jo, jo, ju lutem…

Bashkim Fino: Ne kemi propozuar 12 inspektorë, ka 12 qarqe ku duhet të bëhet implementimi i këtij ligji. Ku është e keqja këtu nga 8 në 12? Po rrëzohet buxheti këtu se do shtojmë 4 punonjës? Ne kemi shtuar punonjësit e dynjasë për çdo institucion…

Ilir Meta: Dakord, dakord.

Bashkim Fino: Për 4 veta po bëhet nami këtu, po më nxjerrin rregulloren në plan të parë. Megjithatë unë moralisht kam votuar. Votimi u bë, ju e deklaruat fitoren. Faleminderit.

Duartrokitje në sallë, më të shumta në fund të sallës aty ku ndodhet grupi i LSI-së

Ilir Meta: Ju lutem! Zoti Fino sqarimi im është ky, që zoti Ruci ka shumë të drejtë kur thotë atë që unë thashë më parë se çdo amendament duhet të dorëzohet të paktën 24 orë përpara. Kjo është e shkruar shumë qartë në rregulloren e kuvendit. Ju ngritët pretendimin që e keni paraqitur këtë propozim po nuk janë reflektuar nga shërbimi i seancave, unë kërkova mirëkuptim në këtë rast duke pasur besim te ju si deputet me shumë eksperiencë gjithashtu dhe i përgjegjshëm që të hidhnim. Unë jam i detyruar të respektoj në mënyrë strikte rregulloren e Kuvendit.

Rama kërkon fjalën

Ilir Meta: Unë për këtë zoti Rama, komunikoj vetëm me kryetarin e grupit parlamentar, zotin Ruci. Kjo është çështje procedurale, nuk është çështje thelbësore.. OK, OK, dakord.

Edi Rama: Unë mendoj se është e qartë se nëse nga pikëpamja procedurale ky propozim është i pavotueshëm, atëherë ky propozim nuk mund të merret parasysh proceduralisht, por ka një vullnet që u shpreh kështu që ne marrim përsipër, duke respektuar këtë vullnet, menjëherë, jo bazuar tek ligji i buxhetit, të bëjmë të mundur të shtohen 4 persona duke bërë rialokime personash. Kështu që dhe vullneti i popullit këtu i shprehur nëpërmjet parlamentit, do respektohet, edhe procedura strikt do respektohet. Nga pikëpamja procedurale projekti i buxhetit nuk preket dhe nuk konsiderohet si votim që sjell ndryshimin e projektit. Por ne e kemi marrë shënim këtë shprehje vullneti dhe agjencia do ketë 12 persona. Besoj që kjo është e vetmja mënyrë për të arbitruar një ndeshje midis Finos dhe Braçes.

Ilir Meta: Atëherë, me aq sa kuptoj unë, mbetemi tek varianti i Komisionit të Ekonomisë, kështu që do të votojmë nenin 15 me vërejtje të komisionit të Ekonomisë.

Miratohet me dy vota kundër

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency