Prokuroria/ Vrasja për hakmarrje e Alban Shkretës, 50 vjet burg për vëllezërit Llani

0
133

Sonila Mesareja

 Krimi për gjakmarrje mes dy familjeve në Fushë-Mamurras, Jetmir Llanit iu vra djali nga vëllezërit Shkreta. Para se t’i qëllonte, u tha: M’i bëni të fala djalit

 Jetmir-LlaniNjë përplasje e nisur mes dy familjeve që dikur ishin mjaft miq, sot ka një bilanc të vrarësh dhe të dënuarish apo duke u dënuar me dënime maksimale. Ndërkohë që në Gjykatën e Tiranës priten të jepen masat e dënimit për dy vëllezërit Alban e Altin Shkreta, të akuzuar për vrasjen e djalit të mitur të Jetmir Llanit, për këtë të fundit dhe vëllanë e tij, Prokuroria e Kurbinit po në të njëjtën gjykatë ka dhënë konkluzionet përfundimtare, duke i deklaruar fajtorë dhe kërkuar dënimin me 50 vite burg në total, nga 25 vite për secilin. Kështu, dje, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin kërkoi dënimin me nga 25 vjet burg për secilin nga vëllezërit Jetmir dhe Muharrem Llani, të akuzuar për veprën penale të “Vrasje me paramendim” dy herë (një herë e mbetur në tentativë) dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, i cili është zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Prokuroria e Kurbinit kërkoi shpalljen fajtorë të dy të pandehurve për vrasjen e shtetasit Arjan Shkreta, dhe vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit Leli Shkreta, (viktimat vëllezër me njëri-tjetrin), ngjarje e cila ka ndodhur në datë 4.11.2012 në fshatin Fushë-Mamurras, të Rrethit Kurbin.

 

Hetimi

Nga hetimi, gjatë të cilit shtetasi Jetmir Llani është gjykuar në masë sigurie “Arrest me burg” dhe shtetasi Muharrem Llani me masën e sigurisë “Arrest me burg”, në mungesë, Prokuroria ka krijuar bindjen e plotë se këta dy persona janë autorë të vrasjes së shtetasit Arjan Shkreta dhe vrasjes së mbetur në tentativë të shtetasit Leli Shkreta, i cili ka mbetur i plagosur rëndë nga goditjet me armë zjarri automatik nga ana e vëllezërve Llani. Shtetasi Leli Shkreta, në momentin e ngjarjes, ka arritur të shpëtojë, ndonëse i plagosur rëndë, pasi është shtirur si i vdekur deri në momentin e largimit të agresorëve nga vendi i ngjarjes. Sipas hetimit, rezulton se motivi i krimit është gjakmarrja dhe hakmarrja, pasi ndërmjet familjeve Llani dhe Shkreta kishte hasmëri, të nisura rreth 6 muaj para se të ndodhte kjo ngjarje. Në ngjarjen e mëparshme, më saktësisht në dt. 5.6.2012, dyshohet se shtetasit Altin dhe Alban Shkreta, vëllezër të viktimës Arjan Shkreta dhe të dëmtuarit Leli Shkreta, kanë qëlluar ndaj disa anëtarëve të familjes Llani, në të cilën ka mbetur i vdekur djali i mitur i të të pandehurit Jetmir Llani. Për këtë vrasje, po në Gjykatën e Tiranë, është në proces gjykimi ndaj shtetasve Altin dhe Alban Shkreta, të cilët akuzohen për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”. Nga hetimi ka rezultuar se të pandehurit në procesin gjyqësor për të cilët dje janë dhënë konkluzionet e prokurorisë, pra Jetmir Llani dhe Muharrem Llani, janë përgatitur më parë, për kryerjen e vrasjes së shtetasve Arian dhe Leli Shkreta, për motive gjakmarrje.

 

Ngjarja

Sipas konkluzioneve të akuzës, më datë 4.11.2012, rreth orës 15:30, në vendin e quajtur Lumi Droje, në fshatin Fushë-Mamurras të rrethit Kurbin, të pandehurit Jetmir Llani dhe Muharrem Llani, së bashku me një person tjetër të paidentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri automatike, shtetasit Arian Shkreta dhe Leli Shkreta, vëllezër me njëri-tjetrin, të cilët ishin duke ecur në këmbë përgjatë bregut të lumit për të shkuar në shtëpinë e tyre në fshatin Fushë-Mamurras. Të pandehurit Jetmir Llani dhe Muharrem Llani kanë qëlluar me armë zjarri mbi dy vëllezërit Shkreta, plot 52 herë përballë tyre. Për pasojë ka mbetur i vrarë në vendin e ngjarjes shtetasi Arian (Gentjan) Shkreta 31 vjeç dhe është plagosur rëndë vëllai i tij, shtetasi Leli Shkreta, 29 vjeç, i cili pasi ka bërë sikur kishte vdekur, derisa të largoheshin të pandehurit, ka mundur të zvarritet në atë gjendje dhe është larguar, dhe më pas është transportuar nga policia për në Spitalin Ushtarak Tiranë. Ngjarja kriminale ka ndodhur në kohën kur shtetasit Arian Shkreta dhe Leli Shkreta kanë qenë duke u kthyer nga Serbia, sipas të dhënave të deklaruara nga shtetasi Leli Shkreta dhe nëna e tij Nexhmie Shkreta, pasi atje, kanë të martuar motrën e tyre. Mësohet se në Serbi kishin shkuar më datë 2.11.2012.

 

Dinamika e ngjarjes, sipas provave dhe dëshmisë së të mbijetuarit

Referuar dinamikës së ngjarjes të lexuar nga prokurori, bëhet me dije se ditën e ngjarjes në mesditë, pasi kanë zbritur nga një automjet tip furgon në afërsi të autostradës, në vendin e quajtur afër karburantit ERI, në Fushë-Mamurras në territorin e rrethit Kurbin, ata kanë vazhduar rrugën në këmbë, buzë lumit Droje, për të shkuar tek shtëpia e tyre në fshatin Fushë-Mamurras. Sipas të mbijetuarit, këtë zgjedhje rruge të fshehtë, bregut të lumit, e kanë bërë për faktin se kishin frike nga ndonjë pritë e mundshme që mund t’u bënin të pandehurit Jetmir Llani dhe Muharrem Llani, për t’i vrarë, pasi ishin ne gjakmarrje dhe hasmëri mes tyre, e cila kishte filluar gjashte muaj para kësaj ngjarjeje. Gjatë rrugës, përpara se vëllezërit Shkreta të shkonin tek shtëpitë e tyre, në rrugë u kanë dalë përpara vëllezërit Jetmir Llani dhe Muharrem Llani, dhe një person tjetër i paidentifikuar, që kishin zënë pritë më parë, siç e kishin edhe parandier vëllezërit Shkreta. Të pandehurit ishin informuar për lëvizjen e vëllezërve Shkreta, pasi asnjëri tjetër nuk e dinte vendndodhjen e tyre. Të pandehurit, autorë të krimit, kanë filluar menjëherë të qëllojnë me armë zjarri automatike të tipit kallashnikov në drejtim të dy vëllezërve Shkreta, duke e lënë njërin të vdekur në vend, pikërisht të ndjerin Arjan Shkreta, i cili është munduar të largohet, por vetëm sa ka bërë disa hapa, pasi shumë shpejt është rrëzuar dhe ka vdekur. Vdekja ka ardhur si pasojë e goditjes me plumba të dala nga armët e të pandehurve që, sipas dëshmisë së të mbijetuarit, nuk pushonin së qëlluari. Ndërsa, vëllai i tij Leli Shkreta, ka shpëtuar i gjallë dhe ka mundur të largohet vetëm pasi autorët e krimit, të pandehurit, janë larguar duke kujtuar se i kanë vrarë të dy vëllezërit. Ai ka dëshmuar se Jetmir Llani i ka thënë para se ta qëllonte: M’i bëj të fala djalit. Më pas e ka qëlluar atë dhe të vëllanë pa pushim.

 

Të pandehurit

Jetmir Llani

Muharrem Llani, në mungesë

 

Akuzat

“Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim

“Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim

“Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency