Buxheti dhe paketa fiskale, mungesë transparence dhe luftë e brendshme politike

0
113

Ervin Kaduku

 mbledhje qeverie–  Cilat ishin propozimet e biznesit, që u hodhën poshtë nga mazhoranca?

–  Qeverisë nuk i “bëhet vonë” për mbushjen e arkës së shtetit, por për interesat e kompanive lobiste pranë Ramës

Diskutimi për buxhetin e vitit 2015 dhe paketën fiskale ka qenë i shoqëruar me disa detaje që dëshmojnë për një “luftë të brendshme” apo lobime të mundshme, që lidhen me vendosjen e taksave apo akcizave.

 

Akciza

Një ndër më të lakuarat është akciza e pijeve energjike, për të cilën në fillim qeveria në draftin e saj, kishte propozuar heqjen e saj, por që në finale është ulur në masën 30 lekë/litër nga 50 lekë/litër që ka qenë. Në diskutimin e së martës për këtë çështje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë ka pasur një negociatë, me gjysmë zëri, nëse mund të themi kështu, nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, që kjo akcizë të ulet diçka më shumë. Pasi kryetari i Komisionit Erjon Braçe shprehur mendimin se akciza duhet të jetë 30 lekë/litër, ministri Cani, ka ndërhyrë për të kërkuar një ulje tjetër. “Të paktën të jetë 25 lekë”, – ka thënë ai. Nuk dihet se për cilën arsye ministri investohet personalisht për këtë çështje, ndërkohë që për momente të tjera, shumë më domethënëse, apo edhe të ngjashme, nuk ka shprehur këtë shqetësim.

Në rast se do të kishte një merak për rritjen e të ardhurave të arkës së shtetit, Cani dhe qeveria e tij duhej të ishin qartazi në anën e ruajtjes apo edhe shtimit të akcizës për pijet energjike. Por ata preferuan të dëshmojnë të kundërtën, duke lënë të kuptohet se fjala është për lobime, që qeveria Rama ka pranuar nga ana e kompanive që kanë gëzuar pozita monopol në këtë treg, kundrejt interesave të pastra abuzive.

 

TVSH për turizmin

Një tjetër moment debati ka qenë edhe ai për TVSH e turizmit. Deputeti i LSI-së Gledion Rehovica kërkoj që të ndiqet e njëjta praktikë edhe për këtë taksë, sikurse për akcizën e pijeve energjike. Kjo, ngase argumenti, me të cilin qeveria erdhi në Komision me një akcizë të anuluar për pijet energjike, ishte se Shqipëria duhet të standardizojë nivelin e akcizës në fjalë me vendet e BE-së. Të njëjtin standard ka kërkuar Rehovica edhe për TVSH për turizmin, gjë që është kaluar në heshtje nga kreu i komisionit Erjon Braçe.

Dhe në diskutimin për TVSH-në e turizmit verifikohet një tjetër moment pasinqeriteti nga Ministria e Financave. Përfaqësues të kësaj të fundit kanë zhvilluar takime me dy shoqatat që përfaqësojnë operatorët turistikë shqiptarë, në të cilat kanë deklaruar se mbajtja e TVSH në këtë nivelin aktual është kërkesë e FMN-së. Mirëpo përfaqësuesit e FMN-së, në takimet me shoqatat e turizmit, janë shprehur se çështja e TVSH-së është e drejtë e qeverisë dhe se Fondi bie dakord me qeverinë me çdo vendim të saj. Kjo është e vërtetë, pasi vetë ministri i Financave, do të deklaronte para disa ditësh se buxheti dhe paketa fiskale kanë vulën e qeverisë shqiptare, kurse FMN-ja vetëm këshillon.

Pyetja është se përse atëherë ndiqen dy standarde? Merr kuptim kjo pyetje sidomos nisur nga fakti se pijet energjike nuk janë ndonjë prioritet, sikurse është akciza e duhanit, që flet për merakun që ka zënë qeverinë për shëndetin e njerëzve.

 

Propozimet

Disa nga propozimet e tjera për paketën fiskale, që u paraqitën nga ana e biznesit, por nuk u morën parasysh gjatë diskutimeve, ishin sa më poshtë:

– Vendosja e tatimit mbi vlerën e shtuar 10% për tregun noterial. Ky është një propozim i Ministrisë së Turizmit, por edhe i industrisë përkatëse, shoqatat e turizmit. Ky propozim është diskutuar gjerësisht, por FMN-ja është shprehur kundër kësaj mase dhe nuk e ka pranuar.

– Shfuqizimi i paragrafëve të nenit 20 të Buxhetit: “Shpenzime të njohura për të ardhurat e tatueshme dhe të zbritshme për truallin”. Ky propozim ka ardhur nga Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë

– Rishikimi i taksave dhe tarifave vendore për terrenet dhe godinat ku zhvillohet aktiviteti fason, si dhe kategori të tjera.

– Rishikimi i taksës së reklamës. Kjo është një kërkesë e një kompanie private.

 

Nafta

Luhatja e çmimeve të karburanteve në bursat ndërkombëtare favorizon vetëm qeverinë. Vendosja e një takse shtesë, ajo e qarkullimit, mbi çmimin e tregtuar në vend me pakicë, nuk ndryshon asgjë për përfitimin që merr qeveria. Në çdo litër karburant, shtetit i shkojnë diçka më shumë se 90 lekë. Kështu, pjesa e qeverisë për çmimin 180 lekë është diçka më shumë se 50%, ndërsa një ulje e mëtejshme e çmimit nuk lëviz vlerën e përfituar nga shteti, madje në vlerë sasiore ajo tejkalon nivelin e 60%.

Ndërsa trendi në rënie i çmimit të karburantit dhe shtimi i taksës së qarkullimit pritet të mos kenë efekt në një rritje të mundshme të çmimit që paguan konsumatori final. Kreu i shoqatës së hidrokarbureve propozon edhe një masë shtesë për mbrojtjen e konsumatorëve shqiptarë. Sipas tij, kjo taksë të mblidhet në çmimin e karburantit, nëse ky i fundit nuk tejkalon vlerën e 800 dollarëve për ton në bursat ndërkombëtare.

Të ardhurat e qeverisë nga tregtimi i karburanteve janë në vlera fikse për çdo litër të konsumuar. Për më tepër, kjo e fundit po diskuton aksesin me pagesë në rrugën e kombit, me justifikimin se mirëmbajtja e kësaj autostrade duhet të bëhet nga kompanitë private. Madje edhe për autostradën Tiranë–Durrës qeveria ka në projekt aksesin me anë të pagesës, duke përfituar nga fluksi i lartë që ka ky aks.

Të gjitha këto kosto që në fund të ditës i shtohen konsumatorit final, ndërsa efekti bumerang mund të jetë një ulje drastike e konsumit dhe e të ardhurave që mbledh qeveria, kryesisht nga TVSH prej 20% në tregtimin e karburantit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency