Paralajmërimi/ Basha, 9 kërkesa qeverisë: Përmbush premtimet, ndryshe vijojmë protestat popullore

0
133

Erneta Shevroja

 Kreu i opozitës falënderon qytetarët për pjesëmarrje në protestë, “Kryeministri të reflektojë ose të largohet”

Lulzim Basha Kreu i opozitës, Lulzim Basha, paralajmëroi Kryeministrin Rama se nëse nuk i përmbush premtimet elektorale, protesta e së shtunës nuk do të jetë e vetmja. Ai tha se nëse qeveria do të vijojë me këto qëndrime si deri tani, opozita dhe qytetarë shqiptarë sërish do të dalin në protesta popullore deri në realizimin e objektivave, për të cilat të majtët janë votuar në zgjedhjet e 23 qershorit të 2013.

 

Basha

Dy ditë pas mbajtjes së protestës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, falënderoi të gjithë qytetarët që morën pjesë në marshim ditën e shtunë. Sipas Bashës, kjo ishte protesta me pjesëmarrje më të madhe e mbajtur ndonjëherë, për faktin se Kryeministri nuk dëgjon zërin e shqiptarëve, por i fyen me arrogancë dhe përsërit edhe një herë kërkesat ekonomike për të nxjerrë vendin nga mjerimi. Por, protesta e 22 nëntorit nuk do të jetë e vetmja, paralajmëroi kreu i opozitës. Basha i kërkon Kryeministrit të reflektojë për pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve në protestë ose të ndjekë rrugën e largimit nga qeveria. “Respektimi i kontratës me shqiptarët nuk është çështje dëshire, por detyrim. Z. Kryeministër, mbaj premtimet, për të cilat je votuar. Mos e trash më zullumin, je kthyer në barrën më të padurueshme për qytetarët e këtij vendi. Reflekto ose largohu. Nëse Kryeministri është i vendosur në rrugën e tij pa krye të shpërfilljes, arrogancës, papërgjegjshmërisë dështimeve dhe zullumit, protestat popullore nuk do të ndalen, protestat popullore do të vazhdojnë akoma më të fuqishme deri në realizimin e objektivave të shpallura”, – tha Basha dje nga selia e PD-së.

 

Akuza Kryeministrit

Kreu i demokratëve e akuzoi Kryeministrin Rama se edhe pas dy ditësh nuk ka shprehur asnjë fjalë në lidhje me protestën e së shtunës. Ai u shpreh se protestën e 22 nëntorit, Rama e pa si një sulm i “armiqve të brendshëm”. “Për fat të keq, Edi Rama, Kryeministri i vendit, nuk doli dot nga bunkeri i Enverit as pas mbarimit të protestës. Nuk dëgjoi çfarë i thamë. Nuk i pa si qytetarë të mbarë Shqipërisë ata qindra-mijë protestues në bulevard. Revoltën e një populli e pa si një sulm i armiqve të brendshëm. Nuk flet për reflektim, për zgjidhje, por i hedh benzinë zjarrit me gjuhën e tij të fyerjeve dhe arrogancës dhe vazhdim në rrugën e të keqes”, – deklaroi Basha.

 

9 kërkesat

Ndërsa u shpreh se nga qeverisja e të majtëve asnjë qytetar nuk është i kënaqur, Basha shtroi 9 kërkesa për qeverinë. “Askush, asnjë shqiptar, përveç ministrave, rrjetit të tyre e tarafeve të tyre me persona të inkriminuar, me dëftesa e diploma false e të zhytur në korrupsion, nuk është i kënaqur me këtë qeverisje”, – tha kryeopozitari Basha. Ai kërkoi rishikimin e buxhetit dhe paketës fiskale, që, sipas Bashës, nuk rezervon asnjë përfitim për qytetarët, përkundrazi rëndon mbi ta. Basha kërkoi të ndalet çdo tentativë për rritje çmimi të energjisë elektrike dhe të heqë TVSH-në e energjisë për shtresat në nevojë. Kërkesat e tjera kanë të bëjnë me rritjen e tarifave të shkollës dhe punën e policisë.

 

  1. Të ndalë çdo tentativë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe të anulojë menjëherë kërkesën që qeveria e tij ka çuar në këtë drejtim.
  2. Të heqë menjëherë TVSH-në e energjisë elektrike për të papunët, pensionistët, fermerët dhe kryefamiljarët që jetojnë në nivelin e varfërisë;
  3. Të rishqyrtojë paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2015 në konsultim me aktorët e rëndësishëm shoqërore, me sipërmarrjen, konsumatorët dhe shtresat në nevojë.
  4. Të heqë dorë nga rritja e çdo takse, akcize apo tarife për vitin e ardhshëm.
  5. Të ulë në 10 për qind nivelin e taksimit maksimal.
  6. Të ndalë goditjen e paligjshme dhe selektive të pronave të shqiptarëve. Të mbajë premtimin për legalizim falas.
  7. Të anulojë rritjen e tarifave të universiteteve dhe të mundësojë rikthimin në auditorë pa kosto të të gjithë studentëve që u goditën nga pseudoreforma e arsimit të lartë.
  8. Të ulë shpenzimet e shfrenuara qeveritare dhe t’i kalojë këto fonde tërësisht në mbështetje sociale dhe investime publike.
  9. Të kthejë në detyrë Policinë e Shtetit. Vrasjet, vjedhjet, krimi dhe aksidentet po shtohen çdo ditë.

 

 

Rama replikon: Nuk ka rritje të çmimit të energjisë, operacioni do të ashpërsohet

Ndërkaq, Kryeministri Rama ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e opozitës për rritje çmimi të naftës, të energjisë elektrike dhe çmime të tjera. Në disa postime njëra pas tjetrës në rrjetet sociale, Rama akuzon opozitën se po gënjen popullin për rritje të çmimeve për disa shërbime. “Më pyesni si do ia bëni me çmimin e energjisë 12 lekë?! Po e deshët shqip KJO ËSHTË RRENË SHQUPI, po e deshët shqup dëgjoni pushtethumburit!”, – shkruan Rama në rrjetet sociale. “Ankohet për çmimin e energjisë, kush s’i paguan po i vjedh dritat! Çmimi i energjisë s’do rritet, operacioni kundër hajdutërisë do ashpërsohet!”, – deklaron Rama në një shënim të dytë. Shefi i qeverisë ka mohuar edhe rritjen e taksave. “Ankohet për rritje taksash, kush s’paguan asnjë taksë! 95% e taksapaguesve shqiptarë sot paguajnë me pak taksa se një vit më parë”, – tha Kryeministri. Po ashtu ai ka mohuar edhe rritjen e çmimit të naftës. “Ankohet për rritje të naftës, kush nuk sheh xhepin po SHQUP-in!Çmimi i naftës sot është më i ulët se vjet dhe as do të rritet”, – shkroi Kryeministri. “Ankohet për rritje çmimesh kush dëgjon propagandën e pushtethumburve! Çmimet s’janë rritur, përkundrazi: Është rritur konsumi”, – ka vijuar Rama në një shënim tjetër. Ndërkaq, shefi i qeverisë shprehet se arsyeja e ardhjes në pushtet është zbatimi i rregullave dhe ligjeve në vend. “Ankohet për INUK kush është mësuar të zërë shesh për përshesh! Legalizime falas shtëpive në zonat informale, shkulje e çibanëve mbirë rrugëve. Jemi votuar të bëjmë shtetin e qytetarëve që duan ligj, punë e mirëqenie, jo rrumpallë! Punësimi e mirëqenia rriten me respekt për rregullat”, – u shpreh dje Rama.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency