Gjykatë e Lartë/ Dhuna ndaj Strazimirit, nis gjyqi për dy deputetët Ndoka e Ndreu

0
169

Sonila Mesareja

goditja... Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu  gent strazimiri (3) Mbrojtja paraqet pretendimet, avokati i Ndokës: Ishte rrahje e thjeshtë

 Deputeti Ndreu mohon: Nuk e kam qëlluar Strazimirin, edhe ai e ka mohuar

 Kolegji Penal shtyn gjyqin më 12 janar 2015. Do të pyeten 9 deputetë dhe 3 punonjës të Gardës

 Gjykata e Lartë nisi dje seancën e parë në ngarkim të dy deputetëve të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të akuzuar për ushtrim dhune ndaj kolegut të tyre të Partisë Demokratike, deputetit Gent Strazimiri në ambientet e Parlamentit. Seanca u zhvillua pa praninë e kamerave, ku pesëshja e gjyqtarëve kryesuar nga relatori Mehdi Bici, rrëzoi kërkesën paraprake të të pandehurve për pushimin e çështjes. Në argumentet e tyre, të pandehurit Ndreu dhe Ndoka kërkuan rrëzimin e kërkesës, pasi kallëzimi nuk është bërë nga vetë i dëmtuari Strazimiri. Por, për relatorin Bici, në kushtet kur ekziston një video që dëshmon incidentin në korridorin e Parlamentit, organi akuzës është i detyruar ligjërisht të nisë hetimet kryesisht. Ndoka dhe Ndreu kishin zgjedhur të ishin të pranishëm në seancën e parë ndaj tyre. Nëpërmjet avokatit të tij deputeti Ndreu kërkoi pavlefshmërinë e pamjeve filmike në procesin gjyqësor, pasi sipas tij ato janë shpërndarë në një fazë ku hetimi ende nuk ishte mbyllur. Për këtë kërkesë, relatori u shpreh se do shprehet me vendim në një tjetër seancë. Pas kërkesave paraprake dhe leximit të kërkesës për gjykim nga prokurori Adnan Xholi, Kolegji Penal vendosi të shtyjë vazhdimin e seancës gjyqësore për më 12 janar 2015 për pyetjen e tetë dëshmitarëve. Në këtë datë, sipas togave të zeza, duhet të paraqiten 5 deputetët që ishin të pranishëm në momentin e dhunës, si dhe 4 deputetë të tjerë, si dhe tre efektivët e Gardës që larguan të pandehurit Ndoka dhe Ndreu.

 

Pretendimet e mbrojtjes së Ndokës

Pas leximit të kërkesës për gjykim nga ana e prokurorit Adnan Xholi, ka marrë fjalën avokati i Arben Ndokës, i cilësoi pretendimet e Prokurorit si të njëanshme dhe spekulative në ngritjen e akuzës së “Goditjes për shkak të detyrës” ndaj klientit të tij. Ardian Visha tha se deputeti i PS-se Arben Ndoka e ka pranuar faktin penal, duke shprehur pendesë për veprimin. Ai, arsyetoi avokati, ishte një veprim instiktiv dhe i momentit që mund të mbyllej edhe me pajtim. Avokati tha se Ndoka që në momentin e hyrjes në politikë është përballur me agresion verbal nga opozita, që sipas tij kulmoi me fyerjen dhe ofendimin e Strazimirit në momentin e ballafaqimit të tyre në hollin e Parlamentit. Avokati, insistoi se Ndoka e ka qëlluar Strazimirin pasi ky i fundit e kishte provokuar, fyer e ofenduar dhe në këtë rast nuk mund të akuzohet për “Goditje për shkak të detyrës”, por si një zënkë e çastit. Për të provuar këtë, ai kërkoi nga gjykata pyetjen e 10 deputetëve dhe 3 punonjësve të Gardës.

 

Reagimi i Ndreut

I pranishëm në sallën e gjyqit, deputeti tjetër i PS-së, Pjerin Ndreu, i akuzuar për goditjen e Strazimirit, nuk pranoi të fliste pas shtyrjes së seancës nga Kolegji Penal. Por, mësohet se brenda në sallën e gjyqit, Ndreu mohoi se e ka qëlluar me shuplakë kolegun Strazimiri. Ai tha se edhe vetë Strazimiri e ka mohuar një fakt të tillë. Edhe për Ndreun hetimi i prokurorisë ka qenë i njëanshëm dhe është marre vetëm me atë dhe deputetin Ndoka. Ai tha se në kallëzimin e bërë nga prokuroria, kryeministri Edi Rama është cilësuar si organizator dhe urdhërdhënës i dhunës së ushtruar ndaj deputetit Strazimiri. Por Prokuroria, tha Ndreu, referuar kallëzimit, duhet të merrte të pandehur edhe kryeministrin Rama si organizator dhe jo vetëm dy deputetët socialistë, që sipas tij, janë zbatues të urdhrave. Këtë qëndrim mbajti edhe avokati mbrojtës Baftjar Rusi, i cili kërkoi ndër të tjera të pushohet hetimi dhe akuza ndaj Pjerin Ndreut, pasi kallëzimi është bërë nga PD dhe jo nga i dëmtuari Gent Strazimiri. Duke u arsyetuar në çështje procedurale, avokati kërkoi edhe mospërdorimin si provë materiale të pamjeve filmike të sekuestruara në Kuvend. Ai tha se publikimi i tyre nga prokuroria para se dosja të dërgohet në gjyq, është vepër penale dhe një presioni i hapur ndaj gjykatës. Në lidhje me këtë kërkesë të avokatit Rusi, gjykata tha se do të shprehet në seancat në vazhdim.

 

Shtyrja

Pas dëgjimit të fjalës së prokurorit dhe pretendimeve të avokatëve të dy të akuzuarve dhe vetë deputetit Pjerin Ndreu, Kolegji Penal vendosi të shtyjë seancën për vitin tjetër. Seanca e radhës u caktua nga Kolegji Penal për më 12 janar të vitit 2015, në orën 9:30 minuta. Pas dërgimit të fletë-thirrjeve, në këtë seancë pritet që të dëshmojnë 5 deputetë që ishin të pranishëm në momentin e sulmit ndaj deputetit Strazimiri dhe 4 deputetë të tjerë, si dhe 3 punonjës së Gardës së Republikës të cilët ndërhynë dhe larguan dy deputetët e akuzuar, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu. Ndërkohë që edhe mbrojtja ka kërkuar dëshmitarët e saj për t’u pyetur në seancë dhe parashtroi edhe një tjetër kërkesë, atë të mospërdorimit si provë të pamjeve filmike ku tregohet qartë dhuna e ushtruar ndaj deputetit të PD-së. Argumenti i përdorur nga mbrojtja për rrëzimin e kësaj prove është publikimi në media para se dosja të përfundonte në gjykatë.

 

Hetimi

Hetimi ndaj Arben Ndokës dhe Pjerin Ndreu nisi pas incidentit të ndodhur më korrik të këtij viti në ambientet e korridorit të parlamentit, ndërsa në sallë zhvillohej seanca plenare. Sipas pamjeve nga kamera e sigurisë së Kuvendit, deputetët janë përfshirë në një konflikt, ku socialisti Arben Ndoka qëllon me grusht deputetin demokrat Gent Strazimiri, ndërsa Ndreu e ka goditur në kokë. Anëtarët e Kolegjit Penal që do gjykojë çështjen ndaj dy deputetëve janë Admir Thanza, Artan Zeneli, Tom Ndreca, Ardian Dvorani, si dhe relator në këtë proces është Medi Bici. Përfaqësues i akuzës do të jetë prokurori Adnan Xholi nga Prokuroria e Përgjithshme. Çështja gjykohet në Gjykatën e Lartë për shkak të mandatit të deputetit që kanë Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka, këta të fundit kanë qenë të pranishëm në seancën e djeshme, ndërsa bashkë me deputetin e dhunuar do të pyeten për ngjarjen në seancën e radhës. Pas kësaj ngjarje, opozita nisi bojkotin parlamentar të cilin e vijon edhe aktualisht.

 

Deputetët dëshmitarë

Paulin Stërkaj

Genc Pollo

Klodiana Spahiu

Oerd Bylykbashi

Parid Cara

Armando Prenga

Olta Xhaçka

Kozma Dashi

Gent Strazimiri

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency