Fasha 300 kw/h, Mazhoranca pranon rritjen e çmimit të energjisë. Lehtësitë e shlyerjes për kamatëvonesat

0
114

Erneta Shevroja

 Gjiknuri: Nuk do të ketë falje për kamatëvonesat

 Ministri i Energjitikes, Damian Gjiknuri, gjate nje mbledhje te Komisionit Parlamentar te Ekonomise lsa sakte 2014 nentoPavarësisht nga mohimi i vazhdueshëm, dje për herë të parë deputetët socialistë pranuan se heqja e fashës mbrojtëse prej 300 kw/h do të thotë drejtpërdrejt rritje e çmimit të energjisë elektrike. Pohimi u bë dje gjatë raportimit të ministrit të Energjetikës në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për buxhetin 2015. Po ashtu, Gjiknuri deklaroi në Komision se nuk do të do të ketë falje për kamatëvonesat për energjinë dhe e vetmja lehtësi që do t’u afrohet atyre që nuk kanë paguar energjinë në vite, është shlyerja e saj me këste.

 

Rritja e çmimit

Rritjen e çmimit të energjisë me heqjen e fashës mbrojtëse fillimisht e pohoi ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, dhe më pas e përforcoi edhe kreu i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Erjon Braçe. Gjiknuri argumentoi në Komision se fasha mbrojtëse është hequr, pasi ishte shkak për abuzimeve me të. Ai tha se vendosja e fashës nuk e uli masën e konsumuar të energjisë, përkundrazi e rriti. Dhe me heqjen e fashës, u shpreh Gjiknuri, normalisht që konsumatori do të paguajë për çdo njësi konsumi. “Me vendosjen e fashës nuk u ul konsumi i energjisë. Përkundrazi, u rrit. Konsumi i energjisë është rritur në përgjithësi dhe konsumatorët do të paguajnë për çdo njësi që konsumojnë”, – tha Gjiknuri. Ndërsa kryetari i Komisionit, Erjon Braçe, tha se gjendja është e rëndë dhe qeveria është e vetëdijshme se me vendimet e saj po shkakton vetes kosto politike. “Nuk i kemi mohuar askujt faktin që është një situatë shumë e rëndë dhe po marrim kosto të qartë politike për ta shpëtuar një herë e mirë sistemin por të kemi përballë njerëz, të cilët kundërshtojnë pagesën e energjisë elektrike dhe të nxisin kulturën e mospagesës së energjisë për qëllime politike”, – u shpreh Braçe.

 

Kamatëvonesat nuk do të falen

I pyetur për amnistim të mundshëm të faturave të krijuara në vite nga konsumatorët, ministri i Energjetikës, Gjikunuri, u shpreh se nuk do të ketë asnjë lloj faljeje për ata që nuk kanë shlyer faturat. Lehtësia që do të ofrojë qeveria, u shpreh Gjiknuri, është një fond për shtresat në nevojë dhe mundësia të paguajnë me këste detyrimet ndaj kompanisë. “Në politikat sociale është e vërtetë që ka një kategori njerëzish që e kanë të vështirë ta përballojnë faturën e energjisë elektrike. Pikërisht dhe mbështetja buxhetore prej 1.9 miliardë lekë është menduar që t’ia drejtojmë familjeve në nevojë. Pse është bërë kjo? Ideja është që ata të marrin paratë në dorë që të kenë mundësi ta paguajnë energjinë elektrike. Nga ana tjetër, për sa i përket efektit social. Është krijuar një fenomen për shkak të akumulimit të kamatave apo mospagesave në vite. Dhe ky është fenomeni që nuk duhet të vazhdojë”, – deklaroi ministri. “Në fakt, bashkë me korporatën po mendojmë që të krijojmë lehtësi në pagesat. Do të ketë një shtrirje në kohë që këto borxhe të akumuluara të paguhen. Por një gjë duhet të jetë e qartë. Falje nuk do të ketë. Nuk do të bëjmë amnisti për të falur faturat. Pasi nga analizat ka dalë ase ata janë shkaku i humbjeve të 1.3 miliard lekë”, – vijoi Gjiknuri lidhur me lehtësitë për kamatëvonesat.

 

Faturë e fshehur

Ministri Gjiknuri foli edhe për një faturë të fshehur, e pashprehur më parë, që lidhet me HEC-t e shitura nga qeveria e kaluar. Ai tha se nga privatizimi i HEC-ve ka krijuar një borxh prej 32 milionë eurosh të padeklaruara, por që u faturohet konsumatorëve. “Janë 32 milionë euro të pareflektuara në tarifën e HEC-eve të shitura. Shitja e hidrocentraleve, akt i rëndë. Nuk mund të shiteshin, pasi i shërbenin balancës së sistemit energjetik. Këto para nuk shkuan për sistemin energjetik, por për fushatë elektorale. Këto u shitën në vitin 2012 dhe shkuan për fushatë dhe jo për sektorin energjetik. Prandaj sistemi u zhyt në krizë çdo vit”, – tha ministri.

 

Akuza ish-qeverisë

Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha për pazare në sektorin e energjisë. Ai akuzoi ish-kreun e PD-së, Berisha, për shitje të pasurisë kombëtare, ka rritur çmimin e energjisë, në koncesione ka favorizuar klientë etj.

“Duhet të zhbëjmë të gjithë veprimtarinë kriminale të Sali Berishës që rrënoi sistemin e energjisë. E keni parë ndonjëherë Berishën të hyjë në sportel dhe të paguajë energjinë? Bëjani publike faturën, një herë të vetme, se ka dyfishin e shtëpisë që kam unë, dhe sinqerisht jam kurioz të di sa e ka faturën ky njeri. Sa e ka faturën ai tjetri që ka dupleks në mes të kryeqytetit se është edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, të japin shembullin e tyre të qytetarisë dhe të kërkojnë çfarë të duan. Duhet një kulturë e re dhe një disiplinë e re. Disiplina duhet maksimale që të përcillet një mesazh që menaxhohet kjo situatë”, – tha Braçe.

Duke iu referuar aksionit të OSHEE-së, Gjiknuri tha se ai do të vazhdojë, pasi askush s’mund të vjedh me energji. Si rezultat i këtij aksioni tha Gjiknuri, OSHEE ka rritur arketimet në një vlerë prej 66 milionë dollarë, duke rritur arkëtimet në 84%.

 

Kontratat me shpenzimet e klientëve

Deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli, e vuri theksin tek dy çështje të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt konsumatorët. Kadeli u shpreh se ka fatura abuzive për të cilat vetë konsumatorët nuk kanë ku të ankohen. “Të merret parasysh dhe furnizimi me energji i këtyre qytetarëve dhe me plotësimin e konsumatorëve dhe të bazës materiale në mënyrë që ato para, ata t’i paguajnë rregullisht”, – u shpreh Kadeli në Komision. Një problematikë tjetër, sipas deputetit, është fakti që për lidhjet e reja të kontratave, bazën materiale nuk duhet ta paguaj konsumatori por OSSHE-ja. “Ka familjar që duan të vendosin kontrata të reja për energjinë. Bazën materiale duhet ta paguajnë në mënyrë private. Ata duhet të blejnë sahatin matës dhe materiale të tjera dhe t’i çojnë OSSHE-së. Kjo mendoj është një veprim i njëanshëm. Nuk mundet që klienti të mbulojë koston e OSSHE-së për lidhjen e kontratës”, – deklaroi deputeti Gjovalin Kadeli.

Në lidhje me këtë problematikë, Gjiknuri u shpreh se kjo masë është e parashikuar edhe me ligj. Nëse konsumatori nuk do ta blejë bazën materiale për lidhjen e kontratës atëherë do të ketë rritje të faturës për energjinë. “Në fakt, shpenzimet për lidhjen paraprake të energjisë i ka konsumatori ose ndryshe këto do të parashikohet në faturën e energjikë elektrike”, – u përgjigj ministri i Energjetikës, duke vijuar se për shtresat në nevojë këto shpenzime nuk do të kryhen menjëherë por u jepet mundësi të paguajnë për një kohë të caktuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency