Protesta e opozitës dhe e sindikatave / Basha, Ramës: Sot populli foli. Përmbush kontratën, ndryshe dorëhiqu ose do t’ju largojmë

0
127

basha ne proteste

Gëzim Saliu

Kreu i PD-së: 200 mijë shqiptarë në shesh i thonë Ramës mos luaj me durimin e popullit, me bukën e fëmijëve dhe të ardhmen e tyre. Shqiptarët nuk i ngop dot me propagandë dhe reklama

Pjesëmarrja masive e qytetarëve në protestën e opozitës është cilësuar si mesazhi më i qartë nga kryedemokrati Lulzim Basha për qeverinë. Në fjalën e tij para qytetarëve të shumtë që ishin mbledhur në shesh, kreu i demokratëve dhe i opozitës theksoi se, përmes angazhimit të tij në këtë tubim masiv, populli foli duke kërkuar respektimin e marrëveshjes që qeveria ka lidhur me të para zgjedhjeve të 23 qershorit. “Në demokraci pushteti buron nga vota dhe vota ka në themel kontratën me zgjedhësit, kontratën me Shqipërinë. Sipas kontratës së qershorit 2013, me qytetaret keni obligimin: të hapni 300 mijë vende pune; të legalizoni falas shtëpitë dhe pronat; të ulni taksat për 95% të shqiptarëve; të ulni çmimin e energjisë; të siguroni shëndetësi falas për të gjithë. Kur merr të gjithë pushtetin, do mbash edhe të gjitha përgjegjësitë. Ka një rregull në botën demokratike. Kur nuk përmbush kontratën, nuk dhunohet qytetari, por jepet dorëheqja. Nëse nuk do përmbushni detyrimet, do largoheni. Koha po kalon, njerëzve po u mbaron durimi. Ju nuk po përmbushni detyrimet tuaja. Tërhiquni dhe sprapsuni nga rruga e zullumit, përndryshe ju paralajmëroj jo vetëm në emër të 200 mijë shqiptarëve sot, por në emër të të gjithë të zhgënjyerve, të braktisurve, se ne nuk do të pranojmë qeverinë e mashtrimit. Ne do t’ju largojmë”, – theksoi Basha.

 

Pjesëmarrja dhe bunkeri

Në nisje të fjalës së tij, kreu i PD-së u shpreh i entuziazmuar nga pjesëmarrja e lartë e qytetarëve në protestën e organizuar nga opozita dhe Bashkimi i Sindikatave të Shqipërisë. “Jemi më shumë se asnjëherë tjetër në bulevardin e shpresës, bashkimit dhe dinjitetit njerëzor. Në protestën më të madhe për të drejtat ekonomike dhe sociale të shqiptarëve. Kemi ardhur këtu sot të përballemi, të mbrojmë të drejtat e fituara, të izolojmë të keqen, t’i kthehemi së mirës. Kemi ardhur këtu, sepse nuk ka ardhur e nuk vjen më Edi Rama te ju. Nuk i pyet më, nuk i llogarit më qytetarët shqiptarë ky Kryeministër”, – u shpreh Basha. Më tej, lideri i opozitës nuk ngurroi të ironizonte Kryeministrin Rama, i cili pikërisht në orarin e protestës së opozitës kishte zgjedhur përurimin e hapjes së bunkerit të ndërtuar nga ish-regjimi komunist kundër armëve bërthamore. “Është futur në bunkerin e Enver Hoxhës, se nuk ju dëgjon dot; se nuk ju shikon dot me sy. Është futur në bunkerin e izolimit Kryeministri, që mashtroi dhe harroi. Por ne jemi në këtë shesh sot, që t’ia kujtojmë mashtrimet dhe t’i themi pse nuk qeveris, por do të sundojë? Pse nuk u flet njerëzve, por i godet ata pas shpine me stilin e një kaçaku!?”

 

Premtimet e qeverisë

Sipas kryedemokratit, deri më tani qeveria nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet e saj. “Kjo nuk quhet qeveri, por fatkeqësi. Kurrë nuk e kam parë kaq të braktisur e të shpërfillur vendin nga qeveria e saj. Kurrë nuk ka ekzistuar një hendek kaq i thellë dhe një distancë kaq e madhe midis pushtetarëve dhe qytetarëve”, – theksoi ai. Në këtë kontekst, Basha pohoi se shqiptarët nuk mposhten dot as me shtet policor dhe as me varfëri. “Varfëria nuk është opsion, shteti policor nuk është zgjidhje. Mos luaj me durimin e një populli. Mos luaj me bukën e fëmijëve, të ardhmen e tyre. Shqiptarët nuk ngopen me reklama qeveritare dhe propagandë ekranesh. Shqiptarët kërkojnë punë dhe dinjitet”, – tha ai. Nga ana tjetër, kreu i PD-së tha se qeveria, ashtu si edhe një vit më parë, po vazhdon politikën e rritjes së taksave, duke lënë mënjanë rëndësinë e rritjes ekonomike dhe duke e çuar vendin në recesion. “Vendi është në gropë dhe gropën e ka krijuar qeveria. Vendi është në krizë dhe krizën e ka thelluar qeveria. Vendi është në recesion dhe recesionin e ka shkaktuar qeveria. Nuk ka as shpëtim, as ringritje me këto taksa dhe akciza të rritura”.

 

Buxheti

Ndërkaq, në fjalimin e tij, lideri i demokratëve u përqendrua edhe tek buxheti i ri i qeverisë, të cilin e cilësoi si shtysën e mëtejshme të rrënimit të vendit. “Buxheti i krizës, i rritjes së taksave dhe papunësisë kaloi pa asnjë konsultim. U përjashtua shoqëria nga vendimi mbi buxhetin e saj. Nuk u pyetën as fermerët, konsumatorët, pensionistët, studentët, biznesi dhe grupet e interesit”. Sipas Bashës, me këtë buxhet nuk hapen vende pune për të rinjtë dhe të rejat. “Nuk ka të ardhura për sipërmarrjen dhe familjet shqiptare. Nuk ka dëmshpërblime reale për ish-të përndjekurit dhe pronarët. Nuk ka mbështetje për pensionistët”.

 

Shteti ligjor

Po ashtu, kreu i PD-së theksoi në fjalën e tij se PD dhe opozita mbështesin shtetin e rendit dhe ligjit, duke theksuar se asnjëherë forca më e madhe e së djathtës nuk ka kërkuar që qytetarët të mos përmbushin detyrimet. “Ne jemi këtu të bindur të paguajmë, të mbajmë shtetin me taksat tona, por ne kemi të drejtën ligjore të mësojmë ku shkojnë, ku avullojnë paratë e taksave të tona të rritura. Cinizmi i Kryeministrit është fyes. Të gjithë satrapët e kësaj bote fajësojnë qytetarët, i përbaltin, sa herë u kërkohet llogari për dështimet e tyre. Këta hipokritë guxojnë t’i ndajnë qytetarët në ca të nënës e ca të njerkës, guxojnë të spekulojnë me dëshpërimin e njerëzve që u ka shkuar thika në palcë, guxojnë t’u rrisin me dorë të rëndë, pa bërë transparencë dhe pa dhënë llogari gjëkundi barrën e taksave dhe pagesave për qytetarët”. Duke u marrë më ndërtimet pa leje, Basha tha se në asnjë vend të botës shteti nuk mund të prishë shtëpinë pa të dhënë më parë një letër me vulë dhe firmë të institucionit. “Shteti duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë për të gjithë. Nuk mundet të zotohet dhe pastaj t’i godasë mbas krahëve. Mashtrimi dhe pabesia e qeveritarëve minon besnikërinë e qytetarit ndaj shtetit. Ne mbështesim ligjin konsensual të legalizimeve dhe urbanizimit. Prishjet duhet të jenë alternativa e fundit”.

 

Arsimi

Një pjesë e fjalimit e kreut të PD-së u mbështet edhe tek gjendja e arsimit në vend si edhe tek tarifat e larta, për të cilat ka nisur edhe një valë protestash nga ana e studentëve. “Prej një viti, po godasin pa mëshirë fakultetet, profesorët dhe studentët. Ulja e kuotave, rritja e tarifave dhe retorika antiarsimore ka prekur imazhin dhe besimin e shkollës shqiptare. Jemi pranë të gjithë studentëve dhe familjarëve që ranë viktima të brutalitetit dhe populizmit. Jemi pranë të gjithë atyre studentëve dhe qyteteve që u privuan nga e drejta për arsim”, – tha ai. Sipas kryedemokratit, njerëzit më të paarsimuar janë vënë në krye të reformës së arsimit, ku diplomat fiktive kanë marrë një status të privilegjuar në gjithë piramidën e funksionarëve politikë të shumicës qeverisëse. “Në Kukës, Vlorë, Lezhë, Korçë, Shkodër, Gjirokastër e kudo, i tregojnë me gisht drejtorët me diploma false, të emëruar nga PS-ja dhe LSI-ja. Ne solidarizohemi sot me kërkesat e drejta të dhjetëra mijëra studentëve, të rinjve dhe të rejave, shpresës së këtij vendi. Kërkesat e tyre, peticioni i tyre është sot thirrja jonë: Jo rritjes së tarifave për studentët! Ne solidarizohemi sot me mësuesit dhe pedagogët dhe i bëjmë thirrje qeverisë: Larg duart prej tyre!”, – pohoi Basha.

 

 

 

Dhjetëra mijëra në shesh

 Një protestë që “rrëqethi” qeverinë e habiti edhe vetë opozitën

 Lumë protestuesish nga sheshi “Skënderbej” tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

Qytetarë të ardhur nga e gjithë Shqipëria mbushën dje sheshin para Kryeministrisë me sloganin e protestës për punësim dhe dinjitet. Pavarësisht nga angazhimi disajavor i opozitës si edhe Bashkimit të Sindikatave të Shqipërisë, as vetë përfaqësuesit më të lartë të Partisë Demokratike nuk e kishin menduar një pjesëmarrje të tillë të qytetarëve në protestë. Numri jashtëzakonisht i lartë i protestuesve ishte pa dyshim një mësim edhe për vetë qeverinë, si edhe një sinjal kundër numrave solidë të mazhorancës së majtë. Me praninë e tyre të lartë, duket se qytetarët “zgjuan” qeverinë, duke kërkuar më shumë përgjegjshmëri për efektet e veprimeve të saj. Protesta e djeshme mund të konsiderohet pa më të voglin dyshim si më e madhja e organizuar nga PD-ja që nga zgjedhjet e 23 qershorit e ndoshta edhe për shumë vite më parë.

 

Nisja

Protestuesit e rretheve, të cilët iu bashkuan tubimit në Tiranë, u nisën me autobusë të shoqëruar nga krerët lokalë të PD-së si dhe deputetët e zonave përkatëse. Përkatësisht nga Dibra u nisën rreth 1500 persona e ndërsa në po të njëjtën shifër udhëtuan edhe qytetarët nga Shkodra. Të shumtë ishin qytetarët që udhëtuan drejt Tiranës me autobusë, furgonë e makina personale nga Korça, Fieri e qytete të tjera të vendit. Ndërkaq, shumë protestues të tjerë ishin të pranishëm në tubim falë thirrjes së sindikatave të pavarura, të cilët vunë theksin tek gjendja e vështirë e qytetarëve, sidomos, që pritet të shtohet edhe më shumë, sipas tyre, pas miratimit të buxhetit të ri dhe vendimit për çmimin e energjisë elektrike.

 

Protesta

Pasi u mblodhën në pikat e përcaktuara më parë me krerët e degëve, protestuesit u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”. Numri i lartë i tyre bëri që i gjithë sheshi të rrethohej nga qytetarët e ndërsa në fillim në radhë ishin përfaqësuesit e sindikatave me parullat e ndryshme në duar, duke kërkuar punësim, dinjitet dhe mirëqenie. Mes parullave, nuk mungonin edhe ato për largimin e Kryeministrit të vendit, pasi, sipas protestuesve, vendimmarrjet e tij kanë ndikuar që vendi të shkojë në një gjendje të mjerueshme. Ndërsa të gjithë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, në krahun tjetër përballë, edhe sheshi përballë Kryeministrisë kishte nisur të mbushej me qytetarë të shumtë. Rreth orës 12:00, orar i cili përbënte edhe nisjen zyrtare të protestës, sheshi dukej i tejmbushur nga qytetarët e ndërsa marshimi nisi rreth 15 minuta më vonë. Në momentin që kryetari demokrat Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Berisha iu bashkuan protestuesve, marshimi u zhvendos përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke u ndalur përpara Kryeministrisë. Në krye të turmës mbahej një pankartë ku shkruhej: “Duam punë dhe dinjitet”. Ndërkohë, gjatë marshimit deri tek sheshi përballë Kryeministrisë ishin të shumta thirrjet e qytetarëve, duke nisur nga kundërshtitë për rritjen e çmimit të energjisë, rritjen e taksave, papunësisë, varfërisë, rritjes së pasigurisë në vend deri tek kërkesat për largimin e qeverisë. Por ndërsa sheshi përpara zyrës së tij ishte mbushur me qytetarë të pakënaqur nga qeverisja aktuale, Kryeministri Edi Rama ndodhej në tunelin antiatomik të kohës komuniste, i cili u hap dje për vizitorët. Protesta nisi me fjalimet e qytetarëve të thjeshtë, ku ishin përzgjedhur ata të cilët kishin probleme me disa nga çështjet kryesore që ndikuan tek zhvillimi i protestës. Kështu, një qytetar foli për shembjen e shtëpisë së hipotekuar pa paralajmërim, një tjetër për papunësinë dhe pamundësinë për të mbajtur familjen dhe një tjetër për mospërballimin e faturave të shkollës. Po ashtu në foltoren e improvizuar para Kryeministrisë, foli edhe kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja, dhe më pas e mori fjalën kryedemokrati Basha, i cili edhe përmbylli protestën.

 

 

Reagimi për protestën

Rama: S’na ndal askush. Për punësim dhe mirëqenie, nuk duhen vjedhur dritat

 

Përkundër paralajmërimeve të opozitës që protestoi për të ndryshuar kursin e ndjekur deri më tani nga qeverisja e majtë, Kryeministri Rama shprehu dje vendosmërinë për të ecur në rrugën e nisur. Duke reaguar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shkruante: “Asgjë e askush s’do na ndalë në nxjerrjen e Shqipërisë nga llumi i gënjeshtrave, shpifjeve, iluzioneve, hajdutërisë dhe maskarallëkut politik!” Më tej në reagimin e tij, Rama theksoi: “Për të pasur më shumë mirëqenie dhe më shumë punësim duhet të mos vjedhim dritat, mos zaptojmë hapësirat publike, mos gënjejmë veten që ka zhvillim pa mund!”

 

 

Forcat policore

Kordoni para Kryeministrisë, këtë herë krahas femrave edhe meshkuj

Ndryshe nga protestat e mëparshme të opozitës, ku kordoni i parë i forcave policore që rrethojnë Kryeministrinë ishte i përbërë vetëm nga femrat, këtë herë ishin menduar që të përfshiheshin edhe meshkuj. Kështu, në çdo tri femra police, ishte vendosur edhe një mashkull i forcave të rendit.

 

 

Berisha: Shqipëria në shesh, det protestuesish. Zemërimi popullor në zenit

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, komentoi dje protestën e opozitës, duke theksuar se pjesëmarrja e lartë në të ishte tregues i zemërimit mbarëpopullor kundër qeverisë. “Lumenj njerezish! Lumenj pakenaqesie! Lumenj zemerimi! Rama Ik! Rama shporru!”, – shkruante Berisha në komentin e parë të tij në rrjetin social “FB”. Më tej, në mbyllje të protestës, deputeti demokrat tha: “Mbi 250 mije qytetare ne protesten me te madhe qe Tirana ka njohur! Zemrimi popullor ne zenit! Tirana dhe Shqiperia ushetonin sot Rama ik! Rama shporru!”. Ndërkaq në komentin përmbyllës, ish-kreu i qeverisë nuk nguroi të ironizonte edhe praninë e kryeministrit në bunkerin anti atomizues, duke pohuar: “Shqiperia ne shesh, Rama dhe klika e tij ne bunker! Deti i protestuesve nga Hotel Rogner te monumenti i Skenderbeut”.

 

 

Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura

Kalaja: Protesta si në `91, Rama të mbajë angazhimet e 23 qershorit

Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja, i bëri thirrje dje Kryeministrit Rama që të mbajë angazhimet e 23 qershorit dhe të dëgjojë zërin e qytetarëve, të cilët, sipas tij, i ka zhytur në mjerim. “Si kjo protestë është parë vetëm në vitin 1991, ku janë mbi 200 mijë pjesëmarrës të opozitës, sindikalistë, punonjës, qytetarë. Shiko popullin, e ke çuar në mjerim. Unë sot në emër të anëtarëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare kërkoj: mbaji angazhimet e 23 qershorit! Ndalo rritjen e çmimit të energjisë, ndalo reformën selektive në arsim, reflekto ose largohu!”, – deklaroi Kalaja.

 

 

Turma e qytetarëve në shesh

Rama në bunker, batutat e Kryeministrit dhe kreut të PD-së

Ndërkohë që truma e qytetarëve ndodhej pikërisht para ndërtesës së Kryeministrisë, duke kërkuar ndryshimin e kursit politik e madje largimin e saj, kreu i ekzekutivit kishte më shumë se një orë që ndodhej në bunkerin antiatomik të kohës së regjimit diktatorial, që u përurua nga Rama pikërisht dje. Këtë fakt nuk ngurroi të mos e përmendte as kreu i PD-së në fjalimin e tij në shesh, ku tha: “Është futur në bunkerin e Enver Hoxhës, se nuk ju dëgjon dot; se nuk ju shikon dot me sy. Është futur në bunkerin e izolimit Kryeministri që mashtroi dhe harroi. Mos u fshih bunkerëve të diktaturës, mos humb prapa ekraneve, me parada suksesesh imagjinare, në ëndrrën e çmendur për të qeverisur si pasha një vend të NATO-s, një vend evropian!” Ndërkohë, edhe pse nën tokë, kreu i qeverisë ka komentuar edhe faktin se pse pikërisht në orën e protestës së opozitës gjendej në bunkerin antiatomik. “Dikush mund të shkruajë në Facebook: u mblodhën te Parlamenti se u detyruan nga protesta popullore. Me siguri një vizitë në këtë ngrehinë antiatomike do t’u tregoj vajzave të këtij vendi mbi diktaturën Enver Hoxhën, Mehmet Shehun dhe hordhitë antinjerëzore dhe antifetare krijoi ai që u quajt çlirimi i atdheut”, – tha ai.

 

 

Mediu: Protestat të organizohen në çdo qytet të Shqipërisë

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, duke përshëndetur “praninë e jashtëzakonshme të 200 mijë protestuesve” në sheshin “Skënderbej”, hodhi propozimin që protesta e Tiranës të shpërndahet dhe një e tillë të organizohet në çdo qytet të Shqipërisë. “Opozita duhet të jetë në krye të qytetarëve. Sot folën shqiptarët. Ata folën me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme, mbi 200 000 qytetarë në shesh. Ata folën me zërin e tyre me fjalë. Ata i treguan qeverisë se duhet të dëgjojë zërin e tyre, të mbajë premtimet, të ndalojë dhunën, të respektojë ligjin dhe Kushtetutën, të respektojë liritë dhe të drejtat e tyre, përndryshe ata do bëhen zot të fatit të tyre”, – tha ai.

 

 

 

 

Fjalimi në podium

Bejte e qytetarit kundër qeverisë Rama-Meta

 

O moj qeveri e majtë

Me dy kryeministra bashkë

Njëri i shkurtër njëri i gjatë

Taksën e keni të lartë

 

Rama-Meta, Rama-Meta

Ikën kosherja dhe bleta

U ngeli mendja në leka

Një vit e gjysmë martesa

 

S’jemi djathë të na bëni feta

Jemi det që s’njeh pengesa

Rama-Meta, Rama-Meta

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency