Mbyllet gjykimi / Gjykata: 4 vjet e 8 muaj burg dhe një pafajësi për 6 zyrtarët e Komunës Rrashbull

0
126

Gjykata-foto-ilustruese

Sonila Mesareja

Abuzimi me 16 leje ndërtimi, veçohet çështja për kryekomunarin Gashi. Akuza, për dhënie leje ndërtimi në brezin e rërës në zonë e Shkëmbit të Kavajës

Gjykata e Durrësit ka shpallur fajtorë dhe ka dhënë 4 vjet e 8 muaj burg dhe një pafajësi për 6 nga shtatë zyrtarët e akuzuar për abuzimin në dhënien e lejeve të ndërtimit në Komunën Rrashbull. Ndërkohë që ka kërkuar gjykim të zakonshëm, është veçuar çështja për kryekomunarin Hysen Gashi. Për zyrtarët Ndreka, Gjoni dhe Troci u kërkua edhe heqja e të drejtës për ushtrim të funksioneve publike për 2 vjet, ndërsa për Theollarin dhe Aliajn u kërkua t’u pezullohet dënimi me burg dhe të vihen nën monitorimin e Shërbimit të Provës për një periudhë 2-vjeçare, kërkesa që u pranuan nga togat e zeza. Pafajësi mori vetëm Nevjana Isufi. Sipas hetimit të akuzës së qytetit bregdetar, rezulton se zyrtarët e komunës, përkatësisht Hysen Gashi, Viktor Ndreka, Vasil Gjoni, Sabri Troci, Erifili Theollari dhe Fatjon Aliaj, të gjithë anëtarë të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Komunës, kanë dhënë leje në të paktën 16 praktika në mënyrë abuzive, duke shpërdoruar detyrën me veprime konkrete dhe me pasoja të rënda për territorin dhe mjedisin. E paimplikuar doli vetëm Nevjana Isufi.

Hetimi

Nga hetimi ka rezultuar se më datë 22.9.2013 është konstatuar se në vendin e quajtur pranë Shkëmbit të Kavajës në një objekt 10 kate, po ndërtohej një kat shtesë. Në funksion të këtij njoftimi është këqyrur vendi i ngjarjes dhe ka rezultuar se objekti ishte 10 kate dhe mbi katin e 10 të ndërtesës, në të gjithë hapësirën gjendej një armaturë me skela dhe dërrasa me qëllim ngritjen e katit të 11-të. Gjithashtu, mbi katin e 10 të ndërtesës është gjendur dhe një vinç i cili përdorej për ngritjen e materialeve të ndërtimit. Sipas të dhënave të Komunës Rrashbull, rezultoi se ndërtimi kishte filluar në bazën e vendimit nr. 1 datë 21.03.2011, të KRRT pranë Komunës Rrashbull – Durrës, për objektin “Godinë 8 kat (kati përdhe lokal + 7 kate banim) + Garazh” në një truall me sipërfaqe 600 m2 me koeficient shfrytëzimi 68.8% në favor të subjektit ndërtues “E…..” sh. p. k. Sipas dokumentacionit të administruar rezulton se pa mbaruar akoma ndërtimi i dhënë për lejen e parë dhe pa u marrë në dorëzim objekti, subjekti ka kërkuar pranë KRRT-së së Komunës ri-kondicionim të sheshit dhe të lejes së ndërtimit duke shtuar sipërfaqen e sheshit dhe të volumit të ndërtimit. KRRT e Komunës në me vendimin nr. 2, datë 28.09.2011 ka lejuar “Ri-kondicionim i lejes dhe sheshit të ndërtimit për godinë 8 kat + 1 kat Garazh + shtesë anësore 8 kat + bodrum” në favor të subjektit ndërtues “E……” sh. p. k, duke shtuar sipërfaqen e sheshit të ndërtimit nga 600 m2 në 800 m2 dhe sipërfaqen e ndërtimit në 621 m2, më koeficient shfrytëzimi të gjithë sipërfaqes së dytë 62 %. Pra konstatohet se subjekti nuk ka respektuar lejen e dhënë duke shtuar sipërfaqe ndërtimore si në lartësi dhe në hapësirë, shkelje të legalizuara nga KRRT e Komunës Rrashbull. Sipas tabelës fotografike të vendit të ngjarjes është konstatuar se ndërtimi si ai me leje dhe shtesa për të cilën është dhënë leje rreth 6 muaj më vonë, po kryhej në brezin e rërës. Konstatohet se nga përfaqësues të strukturave të Urbanistikës dhe të KRRT, kishte shkelje ligjore si në aspektin ligjor të së drejtës për të dhënë leje ndërtimi dhe në aspektin e pranimit dhe më pas administrimit të dokumentacionit, si dhe mbikëqyrjes së fazave të ndërtimit.

 

Shkeljet

Në funksion të hetimit i është kërkuar Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit nëse zona në fjalë ka një studim urbanistik të miratuar nga KRRTSH. Në përgjigjen e saj nr. 158/2 date 07.02.2014 është konfirmuar se zona në fjalë ka qenë objekt studimi sipas vendimit nr. 9 date 07.05.2005 i KRRTRSH “Për miratimin e masterplanit të unifikuar te zonës turistike Shkëmbi i Kavajës – Mali i Robit Kavaje. Vendimi i mësipërm është revokuar me vendimin nr. 5 datë 05.12.2005 i KRRTRSH “Për revokimin e disa vendimeve te KRRTRSH. Për më tepër thuhet në këtë shkresë se në këtë zonë në zbatim të akteve të mësipërme KRRTSH me vendimin Nr. 16 datë 07.05.2005, për shkak se disa vendime të KRRT së Komunës Rashbull, nuk ishin marrë në përputhje me aktet e mësipërme ka revokuar disa vendime për leje sheshi dhe leje ndërtimi, si më poshtë: -Vendimi nr. 4 datë 25.11.2004 i KRRT së Komunës Rashbull për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin “Godinë biznesi katër kat + papafingo + garazh”, për subjektin ndërtues “P…..”. -Vendimi nr. 3 datë 06.10.2004 i KRRT së Komunës Rashbull për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin “Godinë banimi 6 kat + papafingo + garazh”, për subjektin ndërtues “E……”. -Vendimi nr. 4 datë 25.11.2004 i KRRT së Komunës Rashbull për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin “Godinë banimi 6 kat + papafingo + garazh”, për subjektin ndërtues “E……”. -Vendimi nr. 3 datë 06.10.2004 i KRRT së Komunës Rashbull për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin “Banesë 3 kat + papafingo+3 kat nëntokë”, për subjektin ndërtues “En……..”.

 

Vendimi i KRRTSH-së

Në zbatim të Vendimit të KRRTSH nr. 4, datë 01.06.2006 është miratuar detyra e projektimit të Zonës për Zhvillimin e Turizmit Rrashbull – Golem – Karpen. Detyra e projektimit kishte si objektiv që të parashtrojë problematikat dhe të dhënat e nevojshme për të realizuar studimin e integruar të zonës me një vizion të qartë për një zhvillim të qëndrueshëm turistik dhe urban për të përballuar zhvillimin e zonës pa kompromentuar resurset dhe avantazhet e saj. Në përfundim të studimit është miratuar detyra e projektimit me vendimin nr. 2 date 21.11.2006 i KRRTRSH “Për miratimin e detyrës se projektimit për studimin e integruar te zonës turistike Rrashbull – Golem- Karpen”. Në piken ”2” te këtij vendimi “ është vendosur “Te mos parashikohen ndërtime ne zonën ne anën perëndimore te rrugës nacionale Durrës – Kavaje ne Zonën e Shkëmbit te Kavajës” dhe në piken “5” është vendosur që; Objektet ne proces ndërtimi të trajtohen sipas kritereve te përcaktuara ne Lidhjen nr 1 pjesë e këtij vendimi. Ne lidhjen nr.1 piken ”3” te saj është përcaktuar “Te pezullohet dhënia e lejeve te reja te ndërtimit deri ne miratimin e Studimit te ri urbanistik te zonës turistike Rrashbull – Golem – Karpen”.

 

Zbulimi

Ne vazhdim të hetimeve është sekuestruar procesverbali i mbledhjes së KRRT së Komunës Rashbull. Nga këqyrja e këtij dokumenti është konstatuar se KRRT- ja, e kësaj Komune kishte dhënë dhe leje të tjera në kundërshtim me kriteret ligjore të përshkruara më sipër ku nga ana jonë është proceduar me sekuestrimin e 15 praktikave, për ndërtime në zonën “Shkëmbi Kavajës” Durrës, në anën perëndimore të rrugës nacionale Durrës – Kavajë në Zonën e Shkëmbit të Kavajës. Ndërkohë që zona turistike pranë Shkëmbit të Kavajës, ka një studim urbanistik të kësaj zone të miratuar me vendimin nr. 30 date 17.04.1996 “Për studimin urbanistik pjesor te zonës se Shkëmbit të Kavajës” KRRTRSH. Studimi është konceptuar mbi bazën e parcelave me sipërfaqe 600 m2 (30x20m) për ndërtimin e vilave të pushimit duke ruajtur një brez rëre me gjerësi 30 m. Rregullorja e zbatimit të studimit, si pjesë e tij përcakton kondicionet urbanistike për këtë zonë. Koeficienti i shfrytëzimit të territorit është parashikuar në masën 45%, si dhe në pikën 4 të këtij vendimi është parashikuar të ruhen lartësitë e ndërtesave jo me shumë se 2-3 kate. Kryetari i Komunës, megjithëse nuk kishte të drejtë të jepte leje ndërtimi në pjesën poshtë rrugës, ka kryer dhe shkelje të tjera në aspektin e krijimit të strukturës së këshillit teknik dhe KRRT. Bazuar në nenin 17 të Ligjit nr. 8405 datë 17.09.1998 “Për urbanistikën” të ndryshuar, është parashikuar numri i anëtarëve dhe pozicionet e tyre. Në kundërshtim me aktet e mësipërme ka vepruar kryetari i komunës i cili me urdhrin nr. 4 datë 12.04.2010 ka emëruar anëtarët e KRRT, të cilët përbëhen nga 10 veta. Me urdhrin nr. 30, datë 13.12.2010, janë bërë ndryshime të dy anëtarëve duke vendosur shtetasit Vasil Gjoni dhe Sabri Troci, të cilët ishin të punësuar pranë zyrës së urbanistikës së komunës. Me urdhrin nr. 10, datë 03.03.2011 rezulton të jetë emëruar jurist pranë sektorit të urbanistikës ligjore. Në procesverbalin e mbledhjes së KRRT kanë nënshkruar Hysen Gashi, Viktor Ndreka, Indrit Hamiti, Erifili Theollari, Sabri Troci, Nevjana Isufi, Vasil Gjoni dhe Fatjon Aliaj. Nga këto akte rezulton që dy anëtar Indrit Hamiti dhe Nevjana Isufi, janë emëruar si specialist të jashtëm (arkitekt) nga kryetari i Komunës, ndërsa anëtarët e tjerë janë punonjës të komunës pranë urbanistikës, në cilësinë e specialistëve. Konstatohet se në mbledhje kanë marrë pjesë 8 anëtar, për të cilët nuk ka urdhër për emërimin e tyre për vitin 2011. Edhe nëse do t’i referoheshim urdhrit të vitit 2010, rezulton se disa prej tyre nuk kanë urdhër për emërimin e tyre në KRRT (Fatjon Aliaj) apo urdhër për largimin e disa të tjerëve (K, Çepele, R. Tusha dhe N. Xhelili), si dhe nuk ka një strukturë të këshillit teknik për të bërë filtrimin e kërkesave përpara se dosja të kalonte në KRRT, si më pas relatimin në KRRT.

 

Të pandehurit dhe masat e dënimit

  1. Viktor Ndreka 12 muaj burgim dhe 2 vjet heqje të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike
  2. Vasil Gjoni 10 muaj burgim dhe 2 vjet heqje të drejte së ushtrimit të funksioneve publike
  3. Sabri Troci, 8 muaj burgim dhe 2 vjet heqje të drejte së ushtrimit të funksioneve
  4. Erifili Theollari, 16 muaj burgim. Urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, për një periudhë prej 2 vjetësh
  5. Fatjon Aliaj, 10 muaj burgim. Urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, për një periudhë prej 2 vjetësh
  6. Nevjana Isufi, pafajësi
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency