Nis marshimi, mijëra qytetarë rrethojnë Kryeministrinë: “Duam punë e dinjitet”

0
129

marshimiQytetarë të shumtë i janë bashkuar mesditën e sotme protestës së thirrur nga Sindikatat, e cila është mbështetur fort nga Partia Demokratike. Ashtu siç ishte paralajmëruar marshimi ka nisur rreth orës 12:00 nga sheshi “Skënderbej” në kryeqytet, për tu ndalur në bulevardin përpara godinës qeveritare.

Protestues nga e gjithë Shqipëria kanë zbritur sot në shesh për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë, rritjen e taksave, papunësinë, varfërinë, rritjen e pasigurisë në vend etj.

Në momentin që kryetari demokrat Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Berisha iu bashkua protestuesve, marshimi u zhvendos përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke u ndalur përpara Kryeministrisë. Në krye të turmës mbahet një pankartë ku shkruhet “Duam punë dhe dinjitet”.

Protestën pritet ta hapë kreu i Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja dhe më pas do të flasin sindikalistë të tjerë. Ata do t’u lënë radhën qytetarëve të ndryshëm, të cilëve u është shembur shtëpia e hipotekuar pa paralajmërim, apo të papunë që nuk mbajnë dot familjen.

Pas 7 folësve do të marrë fjalën kreu i PD-së Lulzim Basha i cili do të mbyllë edhe protestën e datës 22 nëntor dhe do të lajmërojë shpërndarjen e saj në të gjitha qytetet e vendit.

Policia e Tiranës ka marrë masat për sigurinë e rendit dhe qetësisë gjatë zhvillimit të protestës, ndërkohë që është bllokuar totalisht qarkullimi i mjeteve prej orës 11:00 deri në orën 16:00 në sheshin “Skënderbej”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza” dhe në sheshin “Italia”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency