Harta e rajonalizimit/ Qeveria zbardh dokumentin: Çfarë duhet të mbjellin fermerët, si mbështeten me subvencione

0
115

 Gëzim Saliu

Rama: Dallimi mes bujqësisë së BE-së dhe asaj shqiptare qëndron tek dija, fshati nuk duhet t’i drejtohet qeverisë për lëmoshë, po për projekte dhe subvencione

rama, meta bujqesiaQeveria ndërton hartën e rajonalizimit, përmes së cilës u sugjeron fermerëve për kulturat që duhet të mbjellin dhe garanton mbështetjen përmes subvencionit. Kjo, sipas ekzekutivit, do të jetë një mënyrë e re për t’u organizuar fermerët, duke garantuar produkte në sasi dhe cilësi për të plotësuar kërkesat e importuesve. Dokumenti i ri u zbardh dje në konferencën me temë “Bujqësia e së ardhmes”, ku mori pjesë Kryeministri Rama dhe ministri i Bujqësisë Edmond Panariti. Sipas tyre, harta e rajonalizimit synon të jetë baza për hartimin e politikave mbështetëse për bujqësinë dhe fermerët. “Organizimi i prodhimit bujqësor do të bëjë që të ketë një raport shumë më transparent mes fermerit dhe politikave te qeverisë. Kjo hartë paraqet në mënyrë transparente se cilat kultura do jenë prioritare dhe në ç’formë do të mbështeten”, – theksoi ministri Panariti. Më tej, ai tha se sipërfaqe të gjerë në këtë hartë kanë perimet, të cilat përbëjnë edhe një zë të rëndësishëm në eksportin e prodhimeve bujqësore në vend. “Për sa u përket bimëve të arave, natyrisht pika më e fortë për momentin, për bujqësinë shqiptare janë perimet, ku në këtë 9-mujor ne kemi vënë re, një rritje të ndjeshme të eksportit, gjë që është shumë inkurajuese dhe tregon që ne për perimet kemi avantazhe konkurruese dhe krahasuese. Harta e tyre është e gjerë, por pikat tona më të forta janë qarku i Fierit, së bashku me Lushnjën, Berati, Tirana, Durrësi dhe Shkodra”.

 

Kryeministri

Ndërkaq, në diskutimin e tij, Kryeministri Rama tha se kjo hartë do të ndihmojë në tejkalimin e një prej problemeve më të mëdha të bujqësisë shqiptare që është fragmentimi i parcelave. “Nëse në një territor të caktuar, qeveria incentivon vetëm mollën, atëherë vetvetiu, në mënyrë të natyrshme, fillon edhe një ndryshim i situatës së fragmentimit të tokës, pasi pa pasur nevojë të bashkohen në forma legale të komplikuara, njerëzit bashkohen pikërisht tek investimi në të njëjtën kulturë”, – tha ai. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë e cilësoi si alarmante pamundësinë e fermerëve shqiptarë për të thithur fondet e Bashkimit Evropian, ashtu sikurse paratë e vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit për bujqësinë. “Fshati duhet të kuptojë se nuk duhet t’i drejtohet qeverisë për lëmoshë, por për projekte dhe subvencione të tyre. Është fakt se nëse shohim volumet e mundshme që mund të thithim nga BE-ja dhe kapacitetin aktual njerëzor jemi në një situatë alarmante dhe kjo është sfida jonë, që strukturat tona të jenë përçuese të dijes, mbështetëse të fermerit dhe nga ana tjetër, për të garantuar që kapitali njerëzor në fshatar rritet dhe kapacitetet për t’iu drejtuar strukturave përkatëse, rritet”, u shpreh Rama. Më tej, Kryeministri pohoi se Komisioni Evropian nënvizon zhvillimin e bujqësisë si elementin kryesor në luftimin e varfërisë. “Edhe pse viti financiar që po mbyllim ka qenë i vështirë, për shkak të asaj që trashëguam, buxheti për bujqësinë u rrit me 71%. Ne do të vazhdojmë ta rrisim këtë mbështetje”, – pohoi kreu i qeverisë. Ndërkaq, pavarësisht se harta e prodhimit rajonal nuk është e detyrueshme për fermerët, vetëm në bazë të saj mund të kërkohet ndihma e shtetit.

 

 Debati në rrjetin social/ Rama, qytetarëve: Kur e paguan pensionisti, s’falim askënd. Aksioni për energjinë nuk ndalet

Kryeministri Edi Rama ka reaguar dje sërish ndaj shqetësimeve të shumta të shprehura nga qytetarët edhe në faqen zyrtare të tij në rrjetin social “FB” lidhur me aksionin për energjinë elektrike. Përmes një postimi, kreu i qeverisë ka theksuar se operacioni nuk do të ndalet dhe se fakti që energjinë elektrike e paguajnë pensionistët, nuk lë shteg, sipas Ramës, që të tjerët të mos e paguajnë. “Edhe një herë për cilindo këtu që thotë s’kemi lekë të paguajmë energjinë. 98% e pensionistëve e paguajnë! 93% e personave me aftësi të kufizuara, invalidë, paraplegjikë e tetraplegjikë e paguajnë! Kush është më i dobët se këta le të flasë, po më të dobët se këta nuk ka dhe krim kush e vjedh pa e paguar e turp kush thotë si ta paguaj kur nuk është as pensionist e as invalid!”, – shkruante Kryeministri. Më tej, Rama vijoi duke pohuar, “nuk e ndal operacionin kundër vjedhjes masive dhe hajdutëve të paskrupullt të energjisë, të cilët të gjithë së bashku i grabisin këtij vendi çdo vit aq sa shteti paguan në vit për gjithë kujdesin social; aq sa kushtojnë 100 km rrugë kombëtare; aq sa kushtojnë 150 shkolla të standardeve evropiane; aq sa kushtojnë 6 spitale rajonale; aq sa paguajnë për shtetin të gjitha kompanitë!”

 

 Skandali i Ballshit/ Feçor Shehu, qytetar nderi, PD shkarkon dy këshilltarët që votuan. Reagimet e palëve

Pasi Këshilli Bashkiak i Ballshit ka nderuar Feçor Shehun, ish-ministrin e Brendshëm në kohën e diktaturës me titullin “Qytetar nderi”, PD ka marrë direkt vendim, duke u hequr funksionet dy këshilltarëve të saj. Artur Shehu dhe Mirela Muça janë hequr nga posti i tyre si këshilltarë pas votës që ata dhanë pro nderimit të Shehut me motivacionin “Për merita në luftën dhe për kontributin në krijimin e Shërbimit Sekret në Shqipëri”. Ndërkaq, krerët drejtues të PD-së së Ballshit, teksa janë distancuar nga kjo vendimmarrje, e kanë cilësuar njëherazi si zgjedhje individuale të këshilltarëve. Por pas këtij reagimi të strukturave drejtuese të selisë blu në Ballsh kanë reaguar edhe dy këshilltarët demokratë të përjashtuar, të cilët pretenduan se kanë votuar vetëm për ndihmat ekonomike dhe se nuk kanë dëgjuar asnjë emër si propozim për titullin qytetar nderi të Ballshit. Mbledhja e zhvilluar dy ditë më parë ka pasur praninë e 9 këshilltarëve mes të cilëve 7 të spektrit të djathtë. Të majtët prej dy vitesh nuk janë të pranishëm në mbledhjet e këtij këshilli, ku e vetmja socialiste e pranishme në mbledhje ka qenë kryetarja e këshillit. Vendimi u mor pas një propozimi të veteranëve të Mallakastrës, e që u konkretizua me votën e 9 këshilltarëve të djathtë në këtë këshill. Ndaj këtij vendimi kanë reaguar fort disa deputetë të së djathtës, midis tyre edhe Jozefina Topalli si edhe Mesila Doda, kjo e fundit deputete e Fierit. Nga ana e saj, ish-kryeparlamentarja e ka cilësuar këtë vendim si një lojë të së majtës. “Kushdo qe ka votuar nderimin e egersise cnjerezore te diktatures, ka fyer tmerresisht viktimat e mizorive te ketij krimeneli. Te bleret nga Edi Rama per te mbuluar shfaqjet e fotove te kryekriminelit Enver Hoxha ne cdo protokoll te Kryeministrit, nuk mund te perfaqesojne kurre Partine Demokratike”, – tha Topalli.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency