Takimet në Bruksel/ Basha: Qeveria asgjësoi mundësinë e debatit, shqetësimet e përcjella tek PPE-ja

0
121

Erneta Shevroja

 Kryeopozitari: Problem thelbësor është se mazhoranca refuzon të dëgjojë, shpërfill institucionet

lulzim basha ne bruksel 2 Kreu i opozitës, Lulzim Basha, është takuar me deputetët e Asamblesë Parlamentare të Partive Popullore Evropiane në Bruksel ku ai ka shprehur shqetësimet e opozitës lidhur me qeverinë. Ai ka shpjeguar rrugët që ka vendosur të ndjekë opozita jashtë Parlamentit, që janë takimet e drejtpërdrejta me qytetarët dhe takimet me faktorin ndërkombëtar.

 

Jashtë Kuvendit

Basha është shprehur lidhur me gjendjen aktuale në vend, që sipas tij është shqetësuese për nivelin e demokracisë dhe gjendjen ekonomike. Ai është shprehur në takimet me partnerët ndërkombëtar se, mazhoranca nuk lë hapësirë për debat në Kuvend. “Prej më shumë se gjashtë muajsh, qeveria sistematikisht po asgjëson çdo hapësirë institucionale ku opozita dhe shumica të bëjnë debat, të bëjnë transparencë para qytetarëve shqiptarë për çfarë po ndodh në Shqipëri”, – ka thënë Basha duke shpjeguar arsyen pse opozita qëndron jashtë Kuvendit duke sqaruar në këtë mënyrë edhe opozitarizmin me takimet e drejtpërdrejta me qytetarët. “Kjo është arsyeja pse, opozita shqiptare, Partia Demokratike, unë personalisht, u jemi drejtuar drejtpërdrejtë qytetarëve shqiptarë. Problemet e tyre, shqetësimet e tyre, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me situatën e rënduar ekonomike në vend, me rritjen e çmimit të energjisë dhe taksave për vitin e ardhshëm, me dhunën dhe paligjshmërinë qeveritare me pronën dhe jetën e qytetarëve, me instalimin në vend të një shteti policor i cili vepron kundër rregullave të shtetit ligjor, pra të ligjeve dhe kushtetutës së vendit. Këto janë shqetësime që i marrim drejtpërdrejtë nga qytetarët shqiptarë me raste konkrete të evidentuar me fakte të pakundërshtueshme”, – është shprehur kreu i opozitës, Lulzim Basha.

 

Marrëdhëniet me mazhorancën

Po ashtu, kryeopozitari Basha u shpreh edhe për marrëdhëniet pozitë-opozitë. Ai tha se mazhoranca nuk është gatshme të dëgjojë problemet e qytetarëve dhe as të opozitës. Kjo, sipas tij, është arsyeja pse deputetët e djathtë qëndrojnë jashtë parlamentit. “Mazhoranca po bën gjithçka për ta shmangur përgjegjësinë dhe për të mos trajtuar thelbin e problemit. Problemi është që kjo shumicë nuk dëgjon. Arsyeja kryesore se pse vendi është zhytur në këtë situatë ekonomike, në këtë situatë politike, është sepse qeveria shpërfill zërin e qytetarëve, shpërfill zërin e opozitës, shpërfill institucionet dhe mundohet t’i kapë ato t’i vërë nën zotërimin e saj të paligjshëm”, – ka theksuar Basha.

 

Tabela/ PD: Buxheti, 9 taksat e rritura që do t’u merren qytetarëve

Partia Demokratike ka vijuar denoncimin e buxhetit të parashikuar për vitin e ardhshëm, që sipas PD-së, rrit taksat me 460 milionë lekë. Jorida Tabaku, anëtare e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, tha se nga buxheti nuk përfitojnë qytetarët, por njerëz pranë Kryeministrit. “Ky buxhet, nuk mendon për qytetarët sepse nga ky buxhet janë ulur apo hequr taksa mbi disa biznese preferenciale të cilët duke patur mundësinë për të qenë pranë qeverisë kanë mundur që të ndikojnë në uljen e tyre. Plot 15 taksa thotë Kryeministri janë ulur dhe zeruar dhe, e dini sa qytetarë përfitojnë prej kësaj? Zero!”, – tha Tabaku në analizën që i bëri buxhetit për vitin e ardhshëm që mori miratimin në tërësi në Kuvend.

Po kështu, sipas PD-së, shqiptarët do të duhet të paguajnë më shumë për energjisë ndërkohë që qeveria ka hequr tarifën doganore për njerëz pranë saj. “Shqiptarët do të duhet të paguajnë më shumë për çmimin e energjisë elektrike, ndërkohë që miqve të qeverisë u është hequr tarifa doganore për naftën bruto të importuar nga 10% në 0%, me justifikimin për të ndihmuar një sektor strategjik. Por, pa dhënë asnjë garanci se sa është humbja e pritur nga kjo lëvizje, humbje që sipas kalkulimeve tona shkon nga 3 milion në 20 milion dollarë. Shuma këto që do të paguhen nga xhepat e qytetarëve dhe konsumatorëve”, – u shpreh Tabaku nga selia blu.

Sipas PD-së, me buxhetin e rritur nga taksat qeveria nuk do të investojë për të mira publike për qytetarët, por për luksin e Kryeministrit.“Përmes këtij buxheti, qeveria pretendon se vitin e ardhshëm Produkti i Brendshëm Bruto mund të shkojë rreth 800 milionë $ nga të cilat 460 milion $ do t’ia marrë shqiptarëve nga xhepat e tyre. Shqiptarët, do të dorëzojnë pranë qeverisë 60% të Produktit të Brendshëm Bruto duke pritur që së paku ato të shkojnë në të mirë të shërbimeve komunitare. Mazhoranca ka vendosur që të rrisë shpenzimet për luksin e Edi Ramës dhe ministrave të tij me 3 miliardë lekë më shumë ose 9% më shumë se viti i tyre i parë, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për investimet publike që bien nga 4.8% në 4.5% të PBB. Ashtu siç pritej, në buxhetin e ri nuk do të kemi rritje të pagave të buxhetorëve, megjithëse numri i tyre do të rritet, dhe megjithëse çmimet po rriten në masën 6%-8%. Po kështu, pensionet priten që të indeksohen me normën e inflacionit ndonëse janë ende të paqarta efektet e politikës së re të paketës së sigurimeve shoqërore”, – vijoi deputetja demokrate.

 

Nëntë taksat që do të rriten dhe efekti mbi buxhetin

 Tatimi mbi të ardhurat në të gjitha nivelet rritet nga 10% në 15% – 5 miliardë lekë

Rritja e akcizes me 20 leke/pakete cigare + TVSH – 4 miliardë

Rritja e akcizës së duhanit të dredhur me 1400 leke/kg – 0.2 miliardë lekë

TVSh e fshehur në çmimin e mallrave – 9 miliardë e 457 milionë lekë

Rritja e taksës se qarkullimit (10 lekë/litër + TVSH) – 6.7 miliardë lekë

Rritja nga akciza në total – 7.2 miliardë lekë

Vendosja e taksës kombëtare 3% për produktet jo-jetës – 0.22 miliardë lekë

Rritja e taksave nacionale – 8 miliardë e 586 milionë lekë

Rritja e kontributeve të sigurimeve – 5 miliardë e 241 milionë lekë

TOTALI- 460 miliardë lekë më shumë taksa

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency