Pijet energjike/ Deputetët e PS-së kundër qeverisë, kërkojnë vendosjen e akcizës

0
113

Erneta Shevroja

Deputetët socialistë dalin kundër Kryeministrit dhe Ministrisë së Financave. Komisioni i Ekonomisë miraton akcizën për pijet energjike

komisioni i ekonomise fotot Pavarësisht se Kuvendi e kaloi në parim projektligjin për heqjen e akcizës për pijet energjike, deputetët e PS-së në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave kundërshtuan këtë masë që mbështetet edhe nga vetë Kryeministri Edi Rama. Kryetari i Komisionit, Erjon Braçe, u shpreh se nuk ekziston asnjë vend në Evropë dhe jashtë saj që nuk takson këtë kategori pijesh.

 

Kundërshtimi

Deputetët socialistë të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave dolën kundër Ministrisë së Financave dhe Kryeministrit Edi Rama, që kërkuan heqjen e akcizës për pijet energjike. Relatori i kërkesës, Ervin Koçi, kërkoi që kjo kategori pijesh të taksohet me 1 euro për 1 kilogram. Të njëjtën linjë përdori edhe kreu i Komisionit, Erjon Braçe, i cili u shpreh se në asnjë vend të botës nuk hiqet taksa për pijet energjike. Ashtu sikundër edhe për duhanin, që u taksua për dëmtim të shëndetit, edhe pijet energjike duhet të taksohen po për këtë arsye, dhe jo për prishe të bilanceve të tregut apo dëmtimin e prodhimit vendas. “Jemi kundër propozimit që ka ardhur nga qeveria për heqjen e akcizës për pijet energjike. Mbetet për ditën e premte që ju të na ktheni përgjigje për kodet respektive që vitin e ardhshëm të mos kemi argumente që të na referojnë në evazion fiskal”, – tha Erjon Braçe. “Argumenti që standardi në Evropë dhe jashtë saj është pa taksë për pijet energjike kjo nuk është aspak e vërtetë. Kanë akcizë dhe taksa të tjera. Këtu kam listën. Nuk ka asnjë. 27% e ka Hungaria taksën mbi shitjen. Lituania dhe Norvegjia e kanë taksën 7.40 euro për litër. Pra, në parim jemi për vendosjen e akcizës”, – theksoi kreu i Komisionit të Ekonomisë.

Braçe solli edhe një argument. Arsyeja pse duhet të tatohen pijet energjike nuk ka të bëjë me prishjen e balancave në treg apo vjeljen e taksave, por ka të bëjë me shëndetin e konsumatorëve. Deputeti socialist Braçe tha se njësoj si për duhanin për të cilin u rrit akciza, për shkaqe të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorët, duhet të veprohet edhe për pijet, pasi njësoj të dëmshme janë. “Njësoj si për industrinë e duhanit kam të njëjtën vlerësim. Arsyeja pse në vendosëm akcizën për duhanin ishte si një masë kufizuese për përdorimin nga shtresa të ndryshme të popullsisë. Pra, praktikisht ka të bëjë më shëndetin dhe nuk ka të bëjë me prishjen e balancave në treg, nuk ka të bëjë as me të ardhurat e shtetit. Ka të bëjë me shëndetin. Këto janë arsyet që unë mendoj që këto pije të mbeten nën regjim taksash. Nuk mund të kenë taksë 0. Arsyeja e vetme ka të bëjë me arsyet shëndetësore. Nuk ka të bëjë me të ardhurat që merren në doganë. Mosha një dhe konsumi dy duhet të jenë nën kontroll”, – tha Braçe. Gjithashtu, deputetët e mazhorancës propozuan vendosjen e kodit për të gjitha pijet që përfshihen në kategorinë e pijeve joalkoolike, kjo me arsyetimin për të shmangur evazionin fiskal. “Jemi kundër propozimit që ka ardhur nga qeveria për heqjen e akcizës për pijet energjike. Mbetet për ditën e premte që ju të na ktheni përgjigje për kodet respektive që vitin e ardhshëm të mos kemi argument që të na referojë në evazion fiskal”, – tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe. Një ndryshim i dytë që iu bë paketës së votuar në tërësi, ka të bëjë me uljen e rendës jo vetëm për kromin që përpunohet në vend siç propozon qeveria, por edhe mineralet e tjera të metalit. “Bakri, zinku, nikeli, që të gjitha minerale metalike që prodhohen në territorin e Shqipërisë ju jepet incentiva për t’u përpunuar brenda territorit shqiptar”. Pjesa tjetër e paketës u votua sipas variantit të propozuar nga qeveria, edhe pse për rritjen e Tatimit mbi të Ardhurat mes deputetëve pati debate të forta.

 

 Korrigjohet buxheti për Presidencën, shtohen fonde për rikonstruksione të ambienteve

 Një ditë pasi Presidenca u ankua për fondet që i janë akorduar në buxhetin 2015, mazhoranca dje në Komisionin e Ligjeve plotësoi kërkesat, duke shtuar fondin. Në Komisionin e Ligjeve, ku u shqyrtua nen për nen projektbuxheti 2015, ishin të ftuar në seancë dëgjimore edhe përfaqësua të Presidencës, duke shtuar 12 milionë lekë buxhetit të këtij institucioni për rekonstruksione të ambienteve të sallave. Pavarësisht se diskutimi për buxhetin e institucioneve përfundoi javën e kaluar, Komisioni bëri një përjashtim për Presidentin, i cili kërkoi në total 30 milionë lekë. 12 për rinovimin e sallave, 15 për një makinë të re për kreun e shtetit dhe 13 milionë për një samit me presidentë evropianë që do të zhvillohet në Tiranë. “Institucioni i Presidentit të Republikës ka parashikuar organizimin e ceremonive me pjesëmarrje personalitete të shquara ndërkombëtare. Dhe gjithashtu për organizimin e këtyre aktiviteteve buxheti i alokuar për 2015-ën nuk e bën të mundur realizimin e tyre”, – tha Arben Idrizi, sekretar i Përgjithshëm i Presidencës. “Pjesa që mbetet që janë për aktivitete të mëdha kombëtare dhe investime specifike le ti shohë buxheti i shtetit gjatë vitit, se ka mundësi qeveria siç bën për institucionet e tjera, do të bëjë dhe për institucionin e presidentit me rezervën që përdor. Nëse biem kështu, mendoj se është goxha rritje dhe nuk do të ketë nevojë për më shumë komente”, – tha Fatmir Xhafa, kryetar i Komisionit të Ligjeve. Në letrën drejtuar Kuvendit, kreu i shtetit, Bujar Nishani, ankohej se kishte 3.4% më pak para për funksionimin vjetor. Nga 183.2 milionë që ishin në 2014-ën, fondi reduktohej në 177 milionë lekë. Por, sipas mazhorancës, nga fondi janë hequr vetëm paratë e bonuseve, ashtu siç ka ndodhur me çdo institucion ose zyrtar tjetër.

 

Shërbimi Civil/ Debat për numrin e stafit. Fino: Në vend që t’u hiqej, iu shtua

Deputetët socialistë të Komisionit të Ligjeve, mes debatesh, miratuan strukturën e re të të Shërbimit Civil që monitoron marrëdhëniet e punonjësve të administratës me shtetin. Shërbimi Civil u shpreh për ndryshime dhe shtim stafi nga 28 në 32 persona dhe një ndryshim tjetër kishte të bënte me zëvendësimin e sekretarit të Përgjithshëm me një drejtor të Përgjithshëm. Gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve, deputetët shprehën rezerva ndaj komisionit dhe abuzimit që, sipas tyre, po bëhet me fryrjen e stafit. Sipas deputetit socialist Bashkim Fino, nga 28 të punësuar që kishte më parë Komisioni i Shërbimit Civil, pas reformimit i është shtuar staf, në vend që të reduktohej. Fino shprehu rezerva edhe për zëvendësimin e sekretarit të Përgjithshëm me një drejtor të Përgjithshëm. Ai kërkoi sqarime në lidhje me ndryshime e rolit. Struktura e re u miratua në variantin fillestar, por u vendos që në buxhetin e ardhshëm për të gjitha institucionet të ketë një rishikim të organikës së punonjësve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency