Përcillet me duartrokitje Doktor Flori/ Prokuroria: Procedim penal për personelin mjekësor, ” Mosdhënie ndihme” për këngëtarin

0
141

Alma Çuka

Përcillet me duartrokitje Doktor FloriVdekja e Dr. Florit, Prokuroria nis hetimet për pretendimet e familjareve

 Urgjenca: Mbërritëm 3 minuta pas marrjes së njoftimit. Ministri i Shëndetësisë: Mjekët kanë respektuar rregullat, Prokuroria të ushtrojë detyrën

Prokuroria e Tiranës nis hetimet kryesisht për personelin mjekësor të urgjencës për mosdhënie ndihmë për Florian Kondin, i njohur si Dr. Flori. Lajmi konfirmohet nga zyra e shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilëve, hetimet kanë nisur kryesisht me iniciativën e shefit të akuzës në kryeqytet, Petrit Fusha. Mësohet se që në orët e para të ditës, prokurori Fusha ka urdhëruar prokurorin e gatshëm të regjistrojë procedimin penal për akuzën e “Mosdhënie ndihme” ndaj personelit mjekësor të parashikuar nga neni 97 i Kodit Penal. Sipas këtij neni, nëse personeli mjekësor gjendet fajtor për këtë vepër, rrezikojnë dënimin me gjobë deri në 2 vjet burg. Gjatë paradites së djeshme, ndërsa Dr. Flori përcillej për në banesën e fundit në Sharrë, mësohet se policia ka sekuestruar regjistrin ku është mbajtur shënim koha e thirrjes telefonike nga familjarët si dhe raportet ditore të punës së mjekëve. Gjithashtu, hetuesit thanë se janë pyetur disa nga personeli mjekësor i urgjencës, që në momentin kur bashkëshortja e të ndjerit Florian Kondi ka kërkuar ndihmë kanë qenë në turnin e punës. Mësohet se hetuesit kanë marrë edhe dëshminë e personelit mjekësor, që ishin pranë banesës së Dr. Florit dhe ata që e transportuan më pas drejt ambienteve spitalore. Hetuesit thanë se mjekët kanë mohuar faktin se janë vonuar në ofrimin e ndihmës mjekësore, duke pretenduar se kanë qenë 3 minuta pas marrjes së njoftimit në urgjencë.

 

Mjeku

Një prej mjekëve të urgjencës u shpreh: “Në orën 09:45 minuta në urgjencë mbërriti një grua e cila mbante në krahë një fëmijë. Ajo kërkoi ndihmë për bashkëshortin për të cilin tha se kishte konsumuar shumë alkool dhe ndodhej në gjendje të rëndë. Në bazë të rregullit dhe një urdhri të lëshuar nga Ministria e Brendshme personat që kërkojnë ndihmë si pasojë e alkoolizimit, duhet ta marrin atë pasi në ambulancë bashkë me mjekun të jetë dhe një punonjës policie. Ne nuk kemi bërë asgjë më shumë sesa kaq. Zonja nuk pranoi të njoftohej policia duke u larguar. Në orën 10:05 minuta në urgjencë erdhi një telefonatë. Kemi mbërritur në vendin e raportuar për tri minuta. Kur vajtëm, Dr. Florin e gjetëm pa shenja jete si pasojë arresti kardiak të pësuar nga marrja e overdozës. Pavarësisht se ai ishte pa shenja jete, ne në bazë të rregullave e shoqëruam me autoambulancë për në spital”.

 

Dëshmitë

Hetuesit thanë se do të pyeten edhe punonjësit e QSUT-së, të cilët kanë asistuar në përpilimin e raportit të vdekjes së të ndjerit, pasi ata kanë pretenduar se urgjenca e ka dërguar të vdekur në spital. Ndërkohë, prokurorët kanë kërkuar edhe nga kompanitë telefonike për t’i vënë në dispozicion në mënyrë analitike të gjithë thirrjet e kryera në numrin e urgjencës. Nga ana tjetër, hetuesit thanë se në ditët në vazhdim do të merren në pyetje edhe bashkëshortja e të ndjerit, vëllai i tij dhe të afërmit që kishin dijeni apo kanë bërë deklarata në media për moskorrektesën e personelit mjekësor.

 

Ministria e Shëndetësisë: Ja procedura e ndjekur nga urgjenca për Dr. Florin

 Më datë 17.11.2014, në orën 09:45 minuta, është paraqitur pranë shërbimit të Urgjencës Tiranë, një grua e cila nuk ka pranuar të identifikohej, për të kërkuar ndihmë, pasi burri i saj kishte konsumuar alkool dhe ishte shumë i axhituar. Në shërbimin e Urgjencës ka qenë mjek primar E. D., dhe infermier primar A. Sh. Nga ky i fundit i është thënë familjares se, në raste të tilla kur pacienti është shumë i axhituar, ekipi mjekësor duhet të shoqërohet nga policia e rendit. Gruaja nuk ka pranuar praninë e policisë dhe është larguar. Më pas, në orën 10:05 minuta është lajmëruar me telefon urgjenca dhe është dërguar menjëherë autoambulanca me ekip mjekësor A. K., infermier N. S., dhe shofer M. A. Pacienti është gjetur pa shenja jete nga ekipi mjekësor, i është dhënë ndihma e parë me anë të procedurës së reanimimit zemër-mushkëri, i është injektuar “Adrenalinë”. Menjëherë, pacienti është dërguar në QSUT nga autoambulanca e Shërbimit të Urgjencës. Çdo procedurë e ndjekur për rastin e djeshëm është e dokumentuar tek regjistri i vizitave të shërbimit të urgjencës. Fatkeqësisht, kohët e fundit janë përcjellë tek publiku informacione që kanë rezultuar të pasakta dhe të paplota lidhur me funksionimin e shërbimit të urgjencës. Kështu, edhe për sa i përket shërbimit mjekësor të ofruar nga Urgjenca e Tiranës për ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e ditës së martë, dt. 4.11.2014, u provua faktikisht se informacioni i përhapur në media, ku aludohej për mungesë autoambulancash dhe ekipesh mjekësore, apo vonesë në kohën e mbërritjes në vendngjarje, ishte i pasaktë dhe paplotë. Që nga momenti i parë i marrjes së telefonatës, të dy autoambulancat, me ekipet përkatëse mjekësore, të përbëra nga mjeku, infermieri dhe shoferi, janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes dhe kanë mbërritur në një kohë shumë të shpejtë. Ministria e Shëndetësisë, duke vlerësuar rolin e rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm të medias në përcjelljen e informacioneve me interes për publikun, përfshirë edhe ato të shëndetësisë, ju fton që përpara përcjelljes së informacioneve të ngjashme që lidhen me çështje të ndjeshme të shëndetit publik, por edhe me ndikim në sigurinë publike, të konfirmoni burimet tuaja me informacionin zyrtar të përcjellë nga institucionet e sistemit të kujdesit shëndetësor.

 

Deklarata e pastorit

Nëse Dr.Flori do të ishte transportuar me urgjencë në spital, ai ndoshta mund t’ia dilte mbanë. Kjo gjë është konfirmuar nga një prej miqve të tij më të mirë, pastor Fitor Muça, teksa ka qënë i pranishëm në emisionin “Opinion”, në nder të këngëtarit. Ai ka bërë me dije se mjekët kanë kërkuar nga bashkëshortja e tij, që ta çonin vetë në spital. “E kishin marrë urgjencën në telefon, por ajo nuk po vinte megjithëse klinika është vetëm 5 minuta larg në këmbë. Ata thoshin vetëm që nuk kemi ambulancë për momentin, pasi është diku tjetër. Bashkëshortja e tij, ka marrë djalin në dorë dhe ka shkuar tek ambulnaca e lagjes, ku i kanë thënë që ta sjellin familjarët në urgjencë.
Por kjo ishte e pamundur, pasi Flori ishte shumë i rëndë. Si ka mundësi që t’i thuhet një nëne të re me një fëmijë në krah, silleni këtu të sëmurin, kur mjekët mund të shkonin në këmbë, për të ndihmuar një njeri”, ka deklaruar ai

 

Përcillet për në banesën e fundit Doktor Flori

Të afërm, shokë, miq, por edhe fansa të shumtë i dhanë lamtumirën e fundit Doktor Florit, këngëtarit e babait të dy fëmijëve, që u nda nga jeta në mënyrë të papritur. Mes lotëve disa prej tyre mundën të shprehnin disa fjalë. “Flori është këngëtari i guximit, këngëtari i vizioneve”, – thotë një prej miqve të tij. “Është një humbje shumë e madhe për miqtë, familjen, por edhe për muzikën shqiptare. Ka qenë një talent i rrallë”, shprehet këngëtari Alban Skënderaj. “Përveç ngushëllimeve për familjarët, për bashkëpunëtorët, për të gjithë kolegët, për të gjithë artistët, unë besoj se të gjithë ndajmë edhe angazhimin për ta kujtuar atë gjithmonë të qeshur dhe plot energji dhe dëshirë për t’i gëzuar të gjithë të tjerët”, – tha kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Florand Kondi i lindur më shkurt 1979, pushtoi simpatinë e të gjithëve me këngë që u bënë hite në vendin tonë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency