Masakra te “Ante Grand”/ Zyrtare, Prokuroria: Ja provat që fajësojnë Xhuvanin për 4 vrasjet

0
125

Sonila Mesareja

 Zbardhet konflikti mes autorit të dyshuar dhe njërit prej viktimave. Akuza: I akuzuari u qëllua me pëllëmbë nga Enea Xhaji, i njohur me nofkën “Beratasi”

 Xhuvani ne burgProkuroria e Tiranës ka dërguar dje për gjykim dosjen voluminoze për masakrën e ndodhur në lokalin e natës “Ante Grand”, për të cilën akuzohet Kostandin Xhuvani. Prokuroria ka zyrtarizuar akuzat dhe provat, duke dorëzuar në sekretarinë gjyqësore të dhomës penale të kësaj Gjykate dosjen në ngarkim të 26-vjeçarit. Akuzat që rëndojnë ndaj tij janë “Vrasje në rrethana cilësuese…” dhe “Prodhimi dhe mbajtja e armëve pa leje…” Nga tërësia e veprimeve hetimore, rezulton se autori i dyshuar ka qëlluar për vdekje në drejtim të shtetasve Edison Jaho dhe Enea Xhaj. Po ashtu, nga dinamika e ngjarjes, rezulton se nga plumbat e qitur prej armës së përdorur nga i dyshuari Xhuvani, kanë mbetur të vdekur edhe shtetasit Arbër Demiraj dhe Gianpaolo Azzola. Sipas ekspertizës, rezulton se faktorë plotësues të qitjes me armë janë gjetur vetëm në trupin e shtetasit të dyshuar Xhuvani dhe konkretisht në dorën e djathtë të tij. Në këtë mënyrë, krahas dëshmive dhe rindërtimit të ngjarjes, provohet edhe shkencërisht që autori i vrasjes së 4 personave është shtetasi Kostandin Xhuvani.

 

Motivi

Sipas dinamikës së ngjarjes, rezulton se shtetasi Kostandin Xhuvani ka pasur një grindje të çastit me shtetasit Jaho dhe Xhaj në lokalin ku gjendeshin në tavolina të ndryshme. Pas një bisede me tone të larta, shtetasi Xhuvani dhe miku i tij, viktima Demiraj, fillimisht kanë dalë nga lokali dhe më pas janë kthyer brenda një kohe shumë të shkurtër. Pas rikthimit në lokal, shtetasi Xhuvani u është drejtuar shtetasve Jaho dhe Xhaj: “Keni ndonjë problem?” dhe menjëherë u ka qëlluar me armë tip pistoletë, duke lënë të vdekur këta dy shtetas. Por, nga plumbat e qëlluar prej armës së tij, janë goditur edhe shtetasit Arbër Demiraj, i cili ishte në shoqërinë e Xhuvanit, si edhe shtetasi italian Gianpaolo Azzola. Si rezultat i të shtënave kanë humbur menjëherë jetën shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arbër Demiraj, i cili është gjetur i vdekur në mjetin në të cilin po e vendosnin shokët e tij, Kostandin Xhuvani dhe Erald Sida (ky i fundit rezulton që nuk ka qenë në vendin e ngjarjes në momentin e goditjeve, por ka qenë shumë pranë lokalit) dhe është deklaruar i vdekur në spital shtetasi italian Gianpaolo Azzola.

 

Ngjarja

Në kërkesën për gjykim të dorëzuar nga akuza në gjykatë rezulton se më datë 4.11.2014 rreth orës 04:20 është njoftuar salla operative se në vendin e quajtur Rruga e Elbasanit, në lokal “Ante Grand” ka ndodhur një konflikt i armatosur. Pas këtij momenti, autopatrulla e Komisariatit të Policisë nr. 1, e cila ka qenë në afërsi, ka shkuar pranë lokalit, ku në rrugën kryesore ka konstatuar një automjet “Mercedes-Benz ML” me targa TR0250N, në të cilin po hipnin disa persona. Nga ana e autopatrullës është bërë bllokimi i mjetit tip “Mercedes-Benz ML” dhe në këtë moment një person i veshur me kostum tuta gri ka dalë nga automjeti dhe është larguar me vrap, duke mbajtur një pistoletë në dorë. Ky person është ndjekur nga punonjësi i policisë, i cili pas rreth 50 metrash e ka neutralizuar personin e veshur me tuta gri. Pas shoqërimit në polici dhe verifikimit të identitetit ka rezultuar se ky person është shtetasi Kostandin Xhuvani. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se vendi i ngjarjes është bar “Ante Grand” në Rrugën e Elbasanit, përballë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Vendi i ngjarjes është pikërisht ky lokal, i cili është një bodrum i përshtatur si lokal nate. Për të hyrë në lokal janë shkallët zbritëse. Në ambientin e brendshëm përballë shkallëve janë gjetur të shtrirë me shpine ngjitur njëra-tjetrës kufomat e dy shtetasve dhe konkretisht të Edison Jaho dhe Enea Xhaj. Pranë kufomave është gjetur një armë zjarri pistoletë model 54 me një fishek në fole dhe gjashtë fishekë me krehër të kalibrit 7.62 mm. Gjithashtu, në ambientin e brendshëm të lokalit janë gjetur të shpërndara në formë të çrregullt gjashtë gëzhoja dhe predha të dëmtuara. Nga këqyrja e këtij ambienti janë gjetur, fiksuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa gota qelqi, shishe birre, paketa cigaresh, bishta cigaresh të cilat mendohet se janë konsumuar nga personat e dyshuar dhe viktimat. Në ambientet e jashtme të këtij lokali dhe konkretisht në anën veriore të Rrugës së Elbasanit, përballë hyrjes së lokalit është gjetur një automjet me targa TR0250N me dyer të hapura ku në ndenjësen e pasme është gjetur i pajetë trupi i shtetasit Arbër Demiraj. Po kështu, në distance 52 metra nga hyrja e lokalit, në oborrin e Fakultetit Ekonomik, është gjetur e hedhur në tokë një armë zjarri pistoletë model 54 me numra të fshirë në mënyrë mekanike me krehër të vendosur dhe pa fishekë. Vendi ku është gjetur pistoletë korrespondon me vendin ku është bërë neutralizimi i shtetasit Kostandin Xhuvani.

 

Përplasja

Nga aktet hetimore ka rezultuar se mes shtetasve Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Sida e Alban Ballcaj kanë shkuar në lokal ku janë ulur në tavolinën e fundit të tij, e cila rezulton të ishte pranë një kolltuku, në të cilin ishin ulur shtetasit Edison Jaho e Enea Xhaj. Mes shtetasve Kostandin Xhuvani, Arbër Demiraj, Erald Sida e Alban Ballcaj dhe shtetasve Edison Jaho e Enea Xhaj ka pasur një konflikt. Gjatë këtij konflikti, shtetasit Kostandin Xhuvani e Arbër Demiraj kanë pasur edhe armë zjarri me vete. Pas ndërhyrjes së shtetasit A. B., roje sigurie në lokal, shtetasit e sipërcituar kanë dalë nga lokali dhe janë futur menjëherë në lokal me pistoleta në duar. Nga dëshmitë e shtetasve ka rezultuar se personi që ka qëlluar me armë zjarri ka qenë shtetasi Kostandin Xhuvani dhe si rezultat i të shtënave kanë humbur menjëherë jetën shtetasit Edison Jaho, Enea Xhaj e më pas Arbër Demiraj, i cili është gjetur i vdekur në mjetin, në të cilin po e vendosnin shokët e tij dhe më pas në spital edhe shtetasi italian Gianpaolo Azzola.

 

Dëshmia e rojës së sigurisë: Si nisi konflikti mes dy grupeve

 I pyetur pas ngjarjes, shtetasi A. B., i cili punon si roje sigurie në lokalin “Ante Grand”, shpjegon se rreth orës 03:45 në lokal kanë ardhur katër persona ku ai ka njohur si fytyrë njërin prej tyre, i cili është klient i rregullt. Këta persona janë ulur në një tavolinë në fundin e lokalit. Bashkë me të ka qenë dhe një person tjetër i veshur me tuta sportive ngjyrë gri. Ky shtetas deklaron se në lokal kanë qenë dhe dy persona të tjerë, të cilët i ka fiksuar fizikisht. Në një moment, njëri nga personat që deklaruesi e identifikon si “Beratasi” ka bërë fjalë me një djalë tjetër pranë banakut dhe e ka qëlluar me pëllëmbë. Deklaruesi shpjegon se personi që u qëllua është larguar bashkë me dy persona të tjerë. Në këtë çast, aty është afruar djali me tuta gri, i përshkruar më lart dhe e ka pyetur deklaruesin nëse kishte ndonjë problem. Ky i fundit i ka thënë se nuk ka probleme dhe nisur sa më sipër, deklaruesi shprehet se personi i njohur si “Beratasi” kishte njohje me këtë të fundit. Më pas, të dy këta persona janë ulur në të njëjtën tavolinë. Gjithashtu, deklaruesi shpjegoi se në tavolinën e parë, sapo futesh tek dera, ishte shtetasi Italian Gianpaolo dhe shtetasi A. Sh. Rreth orës 04:10, deklaruesi ka parë që tavolina ku ndodhej “beratasi” po debatonte me disa të tjerë. Në këtë moment, toja e sigurisë është afruar për t’i qetësuar. Po në këtë moment, ai ka parë që shtetasi Kostandin Xhuvani dhe Arbër Demiraj kanë pasur armë zjarri të tipit pistoleta në duar. Deklaruesi nuk i ka identifikuar me emra këta dy persona, por nga paraqitja për njohje ai ka njohur shtetasin Kostandin Xhuvani si personin me tuta dhe në deklarim ka sqaruar se personi tjetër që kishte armë zjarri ishte ai që kishte i vdekur dhe që ishte i shtrirë në sediljen e pasme të mjetit tip “Mercedes-Benz ML” dhe që i korrespondon shtetasit Arbër Demiraj. Pas ndërhyrjes së shtetasit A.B. për të qetësuar situatën, grupi në mes të të cilëve ishin edhe shtetasit Kostandin Xhuvani dhe Arbër Demiraj janë çuar nga tavolina për të dale dhe pas tyre kanë shkuar shtetasit Edison Jaho e Enea Xhaj. Në këtë moment janë futur përsëri në lokal shtetasit Kostandin Xhuvani e Arbër Demiraj me pistoleta në duar dhe shtetasi Kostandin Xhuvani u është drejtuar personave të identifikuar nga deklaruesi si Beratasi dhe Kolonjari, duke u thënë: “Çfarë kishit ju të dy?” dhe menjëherë ka qëlluar me armë në drejtim të tyre. Deklaruesi sqaron se ka dalë me shpejtësi jashtë lokalit dhe në këtë kohë ka dëgjuar edhe krisma të tjera dhe ka njoftuar policinë. Roja e sigurisë A. B. ka identifikuar si personin që ka qëlluar me armë në drejtim të shtetasve të identifikuar si Beratasi dhe Kolonjari, shtetasin Kostandin Xhuvani.

 

Dëshmia e Ballcajt/ Kostandini i tha Eraldit: Më duket se vrava edhe Arbrin

Pas ngjarjes është pyetur si person që ka dijeni për ngjarjen shtetasi Alban Ballcaj, i cili deklaroi se është kushëri me shtetasin Arbër Demiraj dhe se kanë qenë bashkë gjatë gjithë mbrëmjes deri në orët e para të mëngjesit. Ai deklaroi se ka shkuar me Arbër Demirajn rreth orës 02:00 në lokal “Ante Grand”. Në kohën që kanë zbritur nga makina dhe janë afruar te dera e lokalit, ata kanë takuar dy persona të tjerë, ku njëri ishte i veshur me tuta gri sportive me flokë të zeza, i gjatë rreth 183 cm, dhe një tjetër qeros me një nishan në kokë. Këta dy persona janë përshëndetur me Arbrin, pasi njiheshin dhe janë ulur të katërt në një tavolinë në lokal, ku kanë pirë nga një Xhin me Shveps. Pas disa çastesh, Arbri dhe personi qeros janë çuar nga tavolina dhe kanë shkuar duke u ulur në një tavolinë tjetër. Ai sqaron se më vonë, personi i identifikuar si shtetasi Erald Sida është larguar me një femër nga lokali. Deklaruesi shpjegon se rreth orës 04:00, ai ka shkuar për të marrë ajër të pastër jashtë lokalit dhe pasi ka qëndruar përreth pesë minuta, ka dëgjuar krisma arme që vinin nga brenda lokalit. Ai është futur brenda menjëherë dhe ka parë të shtrirë në toke tre persona, mes të cilëve dhe kushëririn e tij, Arbër Demiraj. Gjithashtu, ai shpjegoi se ka parë shtetasin Kostandin Xhuvani, i cili kishte një pistoletë në dorë dhe po qëllonte në drejtim të personave të shtrirë në tokë. Ai ka vënë re se pranë trupit të Arbrit, në tokë, ka qenë edhe një tjetër pistoletë. Ballcaj sqaroi se në këtë moment në lokal është kthyer shtetasi Erald Sida, i cili e ka pyetur djalin me tuta gri se çfarë kishte bërë dhe ky i fundit i është përgjigjur: “Më duket se kam vrarë edhe Arbrin”. Më pas, Ballcaj, Kostandin Xhuvani dhe Erald Sida kanë marrë Arbrin dhe pasi e kanë nxjerrë jashtë, e kanë futur në automjetin me targa TR0250N për ta çuar në spital, por në këtë moment është afruar një automjet policie, i cili nuk i ka lejuar të largohen. Shtetasi Kostandin Xhuvani në këtë çast ka dalë nga dera e pasme e automjetit dhe është larguar me vrap, duke mbajtur pistoletën në dorë dhe një punonjës policie e ka ndjekur me vrap.

 

Dëshmia/ Ndihmova policin të kapte personin me armë në dorë, na kanosi dhe na kërkoi ta linim të lirë

 Një tjetër dëshmi në interes të zbardhjes së vrasjes së katërfishtë ka qenë edhe ajo e shtetasit me inicialet E. B. Në dëshminë e tij të pasngjarjes, ai është shprehur se ka qenë duke udhëtuar me motor nga Ambasada Amerikane në drejtim të Saukut, kur ka parë që nga një lokal po dilnin disa persona që po mbanin një person tjetër në dorë për ta çuar të një makine tip “Mercedes-Benz ML” aty pranë. Deklaruesi shpjegoi se njëri nga personat ishte i veshur me tuta gri dhe në dorë kishte një pistolete. Ai ka shpjeguar se i ka shmangur këta persona dhe pasi ka ecur disa metra me motoçikletë, ka ndaluar për të parë. Ai ka parë që pasi personat hipën në mjetin “Mercedes-Benz ML”, ata i ka ndaluar policia dhe në këtë moment personi me tuta gri dhe pistoletë në dorë ka dalë nga makina dhe është larguar me vrap në drejtim të Fakultetit Ekonomik dhe një punonjës policie që po e ndiqte me vrap. Në atë moment, dëshmitari ka shkuar në ndihmë të policisë, duke e bllokuar personin që po largohej. Pasi e kanë neutralizuar, deklaruesi shpjegon se personi me tuta gri i ka sharë dhe kanosur fillimisht dhe më pas u ka thënë se ishte djali i Luiza Xhuvanit dhe nëse e lëshonin, ai do t’u jepte flori.

 

Dëshmia e policit/ Qëllova në ajër, pasi nuk po ndalonte, e neutralizova me ndihmën e një qytetari

Punonjësi i policisë L. A. shpjegoi se ka qenë në shërbim me kolegun K. Sh. dhe kanë marrë njoftim nga radioja se në lokalin e Xhelo Vasiarit kishte konflikt me armë dhe bashkë me kolegun kanë qenë afër vendit në makinën e policisë. Ai shpjegon se duke u afruar kanë konstatuar një automjet tip “Mercedes-Benz ML” ku po futeshin disa persona. Makina e policisë u ka zënë rrugën dhe punonjësit e policisë kanë dalë nga makina duke bërë thirrjen “Ndal Policia!” Në këtë moment, nga automjeti ka dalë një person me tuta gri, i cili mbante në dorë një pistoletë dhe është larguar me vrap. Deklaruesi shpjegon se e ka ndjekur me vrap atë duke thirrur policia dhe ka qëlluar me armën e zjarrit të tij në ajër. Në këtë moment, personi ka hedhur armën në oborrin e shkollës dhe ka vazhduar vrapin. Punonjësi i policisë e ka ndjekur deri kur e ka neutralizuar me ndihmën e një qytetari tjetër deri në ardhjen e autopatrullave. Personi i ndaluar, sipas raportit të shërbimit dhe procesverbalit të kapjes në flagrancë, rezulton se personi i kapur nga ana e punonjësit të policisë është shtetasi Kostandin Xhuvani.

 

Dëshmia/ Ballcaj e Sida u kapën brenda në makinë, ishin me viktimën Demiraj

Lidhur me ngjarjen është pyetur punonjësi i policisë K. Sh., i cili deklaroi se ka qenë në shërbim me kolegun L. A. dhe kanë marrë njoftim se në lokalin e Xhelo Vasiarit kishte një konflikt të armatosur. Ata kanë qenë në afërsi dhe janë drejtuar menjëherë në vendin e cituar. Ata kanë parë disa persona që po futeshin në një fuoristradë të zezë, tip “Mercedes-Benz ML” dhe në këtë moment makina e policisë u ka zënë rrugën dhe punonjësit e policisë kanë dalë nga makina duke bërë thirrjen “Ndal Policia!” Në këtë moment, nga automjeti ka dalë një person me tuta gri, i cili mbante në dorë një pistoletë dhe është larguar me vrap. Shtetasi K. Sh. deklaroi se ka qëndruar aty deri në ardhjen e kolegëve, ndërsa kolegu i tij ka ndjekur me vrap personin me tuta gri, që mbante armën në dorë, duke kapur në makinë shtetasit Erald Sida e Alban Ballcaj.

 

Përfundimi

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria del në konkluzionin se shtetasi Kostandin Xhuvani, pas një grindjeje të çastit me shtetasit Edison Jaho e Enea Xhaj, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre dhe si rrjedhojë të dy ata kanë humbur jetën. Nga të shtënat me armë zjarri të shtetasit Kostandin Xhuvani kanë humbur jetë edhe shtetasit, Arbër Demiraj, i cili është qëlluar me armë zjarri brenda në lokal dhe është gjetur i vdekur në mjetin, në të cilin po e vendosnin shokët e tij dhe gjithashtu është qëlluar po brenda ne lokal, edhe shtetasi italian Gianpaolo Azzola, i cili ka gjetur vdekjen në spital. Në këto kushte rezulton plotësisht e provuar se nga ana e shtetasit Kostandin Xhuvani janë konsumuar veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency