Çfarë është IBAN-i, si i ka ndryshuar llogaritë bankare në Shqipëri

0
336

IBAN, numri ndërkombëtar i llogarisë bankare, është numri që banka i përcakton çdo llogarie bankare të klientëve të saj, në përputhje me Standardin Ndërkombëtar ISO 13616 “Shërbimet Bankare dhe të ngjashme–Numri Ndërkombëtar i Llogarisë Bankare–IBAN”.

510_1004_pb_pr_pressebilder_online_0911_ChipTAN1_5

Çfarë është IBAN-i në Shqipëri

IBAN-i shqiptar është struktura e numrit ndërkombëtar të llogarisë bankare e përdorur në Republikën e Shqipërisë, e cila identifikon në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar llogarinë e një klienti pranë një banke/dege të bankës së huaj, të licencuar nga Banka e Shqipërisë. Struktura e IBAN-it në Shqipëri është përcaktuar në rregulloren “Për strukturën dhe përdorimin e Numrit Ndërkombëtar të Llogarisë Bankare (IBAN)”, miratuar me vendim të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, nr. 42 datë 16 korrik 2008, dhe nënkupton një sekuencë prej 28 karakteresh alfanumerike. Duke filluar nga 1 qershor 2009, të gjithë numrat e llogarive bankare të klientëve, që përdoren për të kryer transferta, në monedhën vendase ose në valutë të huaj, nëpërmjet sistemeve të pagesave apo bankave korrespondente, do të kenë formatin IBAN.

 

Cili është qëllimi i përdorimit të IBAN-it në Shqipëri

Qëllimi i IBAN është të lehtësojë procesimin automatik të transfertave. Përdorimi i IBAN-it synon rritjen e saktësisë së të dhënave të një transaksioni dhe reduktimin e ndërhyrjeve manuale në procesimin e tyre. IBAN përmirëson cilësinë, eficiencën dhe kohën e shlyerjes së transfertave kombëtare dhe ndërkombëtare, duke siguruar një shkallë sigurie më të lartë. Me marrjen e urdhrit për kryerjen e një transferte brenda vendit apo drejt një shteti tjetër ku zbatohet standardi i IBAN-it, çdo bankë, përpara kryerjes së transfertës, kontrollon saktësinë e numrit të llogarisë bankare të përfituesit dhe urdhëruesit, nëpërmjet validimit të shifrave të kontrollit. Rreziku i vonesës apo i moskryerjes së pagesës për shkak të pasaktësive, reduktohet, pasi llogaria bankare e përfituesit të fondeve, kreditohet vetëm nëpërmjet përdorimit të IBAN. Kujdes! Vetëm banka, ku klienti ka llogarinë e tij, mund t’i sigurojë këtij të fundit IBAN-in e saktë të llogarisë, si dhe kodin BIC të bankës. Nëse ju do të kryeni një transfertë në favor të një përfituesi, nevojitet të kontaktoni përfituesin e transfertës, njëkohësisht titullar i llogarisë ku do të kalojnë fondet për të siguruar IBAN-in e llogarisë së tij.

 

Lëvizja e llogarisë

Banka e klientit përfitues, i siguron këtij të fundit IBAN-in e llogarisë së tij dhe kodin BIC të bankës. Përfituesi i vë në dispozicion IBAN-in dhe BIC-un e bankës, urdhëruesit të transfertës. Klienti urdhërues, paraqet pranë bankës së tij, instruksionet për transfertën e kreditimit në favor të përfituesit, ku përfshihen, përveç instruksioneve të pagesës, edhe IBAN-i i përfituesit si dhe kodi BIC i bankës së tij. Banka e klientit urdhërues kontrollon saktësinë e IBAN-it dhe kodit BIC dhe dërgon transfertën e kreditimit pranë bankës së përfituesit. Me marrjen e urdhërpagesës, menjëherë kreditohet llogaria e përfituesit.

 

Cila është struktura e IBAN-it në Shqipëri

IBAN-i në Republikën e Shqipërisë, përbëhet prej 28 karakteresh, që përfaqësojnë elementet e mëposhtme:

– kodin e Republikës së Shqipërisë, “AL”;

– shifrën e kontrollit të IBAN-it, 2 numra referuar standardit ndërkombëtar ISO 7064 “Teknologjia e informacionit – teknikat e sigurisë – sistemet e shifrave të kontrollit”;

– numrin bazë të llogarisë bankare (BBAN), të përbërë nga 24 karaktere alfanumerike që përfshin elementet e mëposhtme: kodin e identifikimit bankar (KIB) – të përbërë nga 8 karaktere numerike, që përcaktojnë në mënyrë unike bankën dhe njësinë e rrjetit të saj bankar në të cilën është hapur llogaria e klientit. Llogarinë e klientit – të përbërë nga 16 karaktere alfanumerike. Ky numër përcaktohet nga vetë bankat. Në rast se numri ekzistues i llogarisë bankare përbëhet nga më pak se 16 karaktere, plotësohet me “0” përpara. IBAN-i përmban vetëm karaktere alfanumerike nga A në Z (shkronja të mëdha të shtypit, latine) dhe nga 0 në 9 (numra arabikë).IBAN-i paraqitet në instruksionet elektronike të pagesave pa hapësira boshe ose simbole ndarëse mes karaktereve alfanumerike. IBAN-i paraqitet në dokumentet e pagesave në format letër sipas grupimeve prej katër karakteresh, të ndara me nga një hapësirë boshe.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency