Trafiku i armëve, zbardhet skema/ Prokuroria: Si u simulua blerja e armëve nga agjenti i infiltruar, çmimet për pistoletat

0
273

Sonila Mesareja

armet e sekuestruaraGjykata lë në burg 4 nga 8 të arrestuarit

 Sot masat për 4 të tjerët. Prokuroria zbardh origjinën dhe destinacionin përfundimtar të armëve. Armët bliheshin në Kosovë e Serbi, shiteshin në Greqi. Nuk përmendet Siria

 Katër nga 8 të arrestuarit e disa ditëve më parë për “Trafik armësh”, përgjatë një operacioni të shtrirë në disa qytete, janë paraqitur dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’u njohur me akuzat dhe masat e sigurisë. Në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, me kërkesë të prokurorit Besnik Muçi, gjyqtari Dritan Hallunaj pranoi kërkesën e akuzës duke lënë në burg të katër të arrestuarit. I pari u paraqit për masën Sami Mema, i akuzuar si kreu i grupit të trafikut të armëve. Ajo që të binte në sy te Mema ishte mungesa e një këmbe, çka e bënte paska të vështirë uljen dhe ngritjen kur i kërkohej nga gjykata. Para togave të zeza ai pretendoi se do kishte një avokat të vetin, por që përfundimisht u mbrojt nga avokat i caktuar nga shteti për shkak të mosparaqitjes së ndonjë prokure nga ana e familjarëve dhe caktimin e ndonjë avokati prej tyre. Të dyshuarit mohuan akuzën e trafikut të armëve dhe municioneve luftarake, duke kërkuar lirimin nga burgu.

I dyshuari Sami Mema, njëherazi personi i akuzuar si organizator i këtij rrjeti mohoi akuzën, duke pretenduar se nuk kishte para të merrej me trafik armësh. Ai i tha gjykatës se jeton me pagesën e invaliditetit, pasi nuk e ka njërën këmbë. Edhe të dyshuarit e tjerë Alban Mancja, Hergi Buli dhe Shkëlqim Varaku kërkuan të lirohen nga burgu. Kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurori i cili renditi rastet kur të dyshuarit i kanë shitur agjentit të policisë, i infiltruar si blerës, armët dhe municionet luftarake që u sekuestruan në momentin e arrestimit. Për 4 të dyshuarit e tjerë Çlirim Xhaja, Artan Aruci, Festim Mema dhe Ervin Xhaja masat do të zhvillohen mesditën e sotme.

 

Hetimi

Para togave të zeza, përfaqësuesi i akuzës lexoi dinamikën e hetimeve, nga momenti i rënies në gjurmë të këtij rrjeti, simulimi i blerjeve dhe deri në arrestimin e tyre. “Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, mbi bazën e materialeve të ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ka regjistruar procedimin penal datë 22/10/2014 për veprën penale të “Trafikimit të armëve dhe municioneve”, parashikuar nga neni 278/a/2 të Kodit Penal” bëri me dije prokurori. Nga aktet rezulton se Seksioni Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë dispononte të dhëna mbi disa persona me precedentë kriminalë që merren me trafik të armëve dhe municione luftarake nga Kosova, Shqipëria me destinacion shtetin Grek. Konkretisht, sipas akuzës, shtetasi i identifikuar deri tani si Çlirim Xhaja, i dënuar më parë në shtetin Grek për grabitje me armë, pasi siguron armë zjarri të llojeve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit i shet tek persona të ndryshëm në Shqipëri ose i trafikon përsëri për jashtë vendit. Sipas të dhënave, ky shtetas, armët dhe municionet i sjell në Shqipëri nga Kosova, kryesisht pistoleta të llojeve dhe kalibrave të ndryshme dhe në sasi të mëdha, të cilat i fshehin në automjete në ndryshme, që nuk janë identifikuar ende. Ky shtetas këtë veprimtari e kryen në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, të cilëve ju thërrasin Çimi dhe Sami, dhe janë nga Shijaku i Durrësit të moshës rreth 40-45 vjeç. Shtetasi të cilit i thërrasin Sami është me paterica, pasi njërën këmbë e ka të prerë.

 

Trafiku

Nga informacionet rezulton se këta shtetas dispononin një sasi të konsiderueshme armësh luftarake, si pistoleta të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, automatikë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm dhe municione, të cilat i kanë nxjerrë në treg për shitje dhe ku një pjesë të konsiderueshme të tyre e kanë për ta dërguar në shtetin Grek. Gjithashtu, mbi bazën e informacioneve që disponon akuza, Çlirim Xhaja, Shkëlqim Varaku dhe Sami Mema, kohët e fundit kanë sjellë dhe kanë nxjerrë nga Shqipëria sasi të konsiderueshme armësh të llojeve të ndryshme. Çmimet për armët variojnë 80 mijë lekë të reja për pistoletë tip TT, kalibri 7.62 mm; 40-50 mijë lekë të reja për automatikë tip kallashnikov të shkurtër dhe të gjatë, 2500 Euro pistoleta tip Glok, 1500-2000 euro pistoleta tip Berreta Italiane, Taurus Braziliane të kalibrave 9 mm. Pistoleta mini blou të kalibrit 6.35 mm të cilat i sjellin nga Serbia dhe i shesin kundrejt vlerës 100-150 euro. Pistoleta me silenciator të llojeve Zastava dhe Berreta të kalibrave 7.65 mm, të cilat i shesin me vlerën nga 1000-1200 euro. Automatik MP5 dhe Skorpion me silenciator të cilat i shesin nga 1500-2000 euro.

 

Infiltrimi

Mbi bazën e kërkesës së policisë, Prokuroria, në datën 22 tetor 2014, autorizoi kryerja e veprimeve simuluese konkretisht kryerjen e veprimit të blerjes së simuluar të armeve dhe municioneve luftarake shtetasit të identifikuar si Çlirim Xhaja ose bashkëpunëtorëve të tij. Gjatë kryerjes së veprimeve, shtetasi nën hetim Çlirim Xhaja ka komunikuar në telefon me shtetasit nën hetim Sami Mema dhe Shkëlqim Varaku me qëllim gjetjen e armëve dhe shitjen e tyre kundrejt fitimit. Gjithashtu, komunikime telefonike dhe vëllai tij shtetasi nën hetim Ervin Xhaja. Më pas, në datën 24 tetor 2014 është kryer blerja e simuluar e sasisë prej 6 armësh luftarake, konkretisht dy automatikë kallashnikovë me një karikator me fishekë, një pistoletë TT me selinciator me një karikator me fishekë, dy pistoleta të markës Ekol me një karikator me fishekë dhe një pistoletë gjermane e markës Perfect. Kryerja e këtij veprimi është shoqëruar me kryerjen e veprimeve të përgjimit dhe vëzhgimit. Në kryerjen e këtij veprimi kanë qenë të pranishëm si shitës të armëve shtetasit nën hetim Sami Mema, Shkëlqim Varaku, Çlirim Xhaja, Alban Mançja dhe Hergi Buli. Këto armë iu nënshtruar ekspertimit teknik dhe sipas aktit të ekspertimit teknik të armëve datë 27 tetor 2014, të gjitha këto armë janë në gjendje të rregullt teknike dhe realizojnë qitje normale. Në vazhdim të hetimit të këtij procedimi penal shtetasit nën hetim Sami Mema, Shkëlqim Varaku, Çlirim Xhaja, Alban Mançja dhe Hergi Buli kanë mbajtur komunikime të vazhdueshme telefonike me qëllim shitjen e një sasie tjetër armësh. Pas disa komunikimeve e kanë lënë që të bëjnë shitjen e armëve.

 

 Zbardhen çmimet për pistoletat dhe armët automatike, si dhe ndërhyrja e policisë dhe arrestimi i 8 personave

Sipas akuzës, në orën 12:50 të datës 14 nëntor 2014, janë takuar në qytetin e Shijakut tek vendi i quajtur Katër Rrugët, lokali “Mema”, shtetasit nën hetim Sami Mema, Shkëlqim Varaku dhe shtetasi që do të blinte armët për kryerjen e blerjes së simuluar të një sasie të madhe armësh. Pasi u ulën në kafe shtetasi nën hetim Shkëlqim Varaku e ka thirrur me telefon shtetasin tjetër në nen hetim Artan Aruçi, i cili ka ardhur me mjetin e tij dhe kanë shkuar në banesën e Shkëlqimit. Aty kanë marrë dhe sjellë të banesa e Samiut një automatik Kallashnikov me karikator me fishekë, një pistoletë TT me karikator me fishekë dhe dy pistoleta të markës Ekol me karikator dhe fishekë të futur në një thes plastik. Pasi i ka lënë armët tek banesa e Samiut mjeti ka shkuar tek lokali “Mema”, ku Shkëlqimi ka zbritur nga mjeti dhe në mjet ka hipur shtetasi nën hetim Sami Mema dhe mjeti është nisur për në drejtim të Durrësit.

Në Durrës, përballë stacionit të trenit, Samiu është takuar me shtetasit nën hetim Alban Mançja dhe Hergi Buli dhe pasi bisedojnë në këmbë rreth 10 minuta, të katër kanë hipur në mjet dhe janë kthyer në Shijak. Këta dy shtetas kanë sjellë në banesën e Samiut dy armë Automatikë tip Kallashnikov, së bashku me karikatorë me fishekë. Rreth orës 17:00, tek banesa e shtetasit nën hetim Sami Mema ka ardhur shtetasi nën hetim Bardhyl Domi dhe ka sjellë një armë automatik tip Kallashnikov dhe i ka thënë Samiut t’ia shiste për shumën prej 30 000 lekë. Gjithashtu, një shtetas tjetër me emrin Naim i ka sjellë shtetasit nën hetim Sami Mema tek banesa e tij një armë tip Scorpions me silenciator, me karikator me fishekë dhe i ka thënë Samiut për t’ia shitur për shumën prej 1400 euro. Në kryerjen e këtyre veprimeve shtetasit nën hetim Sami Mema është ndihmuar dhe nga djali i tij shtetasi nën hetim Festim Mema, i cili ka qenë prezent gjatë gjithë kohës në banesë kur janë sjellë dhe depozituar armët dhe municionet.

 

Ndërhyrja e policisë

Në momentin e grumbullimit të armëve në banesën e Sami Memës ka ndërhyrë policia, e cila ka kryer arrestimin në flagrancë të shtetasve të mësipërm në kryerje e sipër të veprës penale të “Trafikimit të armëve dhe municioneve”, parashikuar nga neni 278/a/2 të Kodit Penal. Nga kontrolli i banesës së shtetasit Sami Mema u gjetën dhe u sekuestruan një sasi prej 4 automatikë model 56 kallashnikov me karikator me fishekë, 1 automatik Scorpions me sileniciator me karikator me fishekë, 1 automatik Sharrs me karikator me fishekë, 1 pistolete model 54 TT me karikator me fishekë, 2 pistoleta të markës Ekol me karikator me fishekë, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak të kalibrave të ndryshëm, 5 granata me kuadrate dhe 4 ndezës për granatat, 1 fitil përcjellës rreth 2.5 m, si dhe 16.4 gramë lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ervin dhe Çlirim Xhaja u gjet dhe u sekuestruar një arme gjahu pa leje nga organet kompetente dhe gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Shkëlqim Varaku u gjetën dhe sekuestruan një sasi prej 500 000 lekë të reja dhe një armë gjahu me leje.

 

Akuza dhe rolet e të arrestuarve

Sipas prokurorit Besnik Muçi, në kushtet e mësipërme krijohet dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi nën hetim Sami Mema, është në rolin e organizatorit dhe ekzekutorit në gjetjen, mbledhjen, depozitimin dhe shitjen e armëve dhe municionit luftarak, në bashkëpunim me shtetasin nën hetim Shkëlqim Varaku, në rolin e e organizatorit dhe ekzekutorit në gjetjen, mbledhjen dhe shitjen e armëve dhe municionit luftarak, në bashkëpunim me shtetasin nën hetim Çlirim Xhaja, në rolin e ndihmësit duke ndërmjetësuar për gjetjen e armëve dhe realizimin e shitjes së tyre, në bashkëpunim me shtetasin nën hetim Alban Mançja, në rolin e ndihmësit dhe ekzekutorit për gjetjen dhe shitjen e armëve dhe municionit luftarak, në bashkëpunim me shtetasin nën hetim Hergi Buli, në rolin e ndihmësit dhe ekzekutorit për gjetjen dhe shitjen e armëve dhe municionit luftarak, në bashkëpunim me shtetasin nën hetim Bardhyl Domi, në rolin e ndihmësit për gjetjen dhe shitjen e armëve dhe municionit luftarak, në bashkëpunim me shtetasin nën hetim Artan Aruçi, në rolin e ndihmësit duke kryer transportimin e bashkëpunëtorëve dhe armëve për në banesën e shtetasit nën hetim Sami Mema, në bashkëpunim me shtetasin nën hetim Festim Mema, në rolin e ndihmësit të shtetasit Sami Mema për gjetjen, mbledhjen dhe depozitimin e armëve në banesën e tij dhe në bashkëpunim me shtetasin nën hetim Ervin Xhaja, në rolin e ndihmësit të shtetasve Çlirim Xhaja dhe Sami Mema duke ndërmjetësuar për gjetjen e armëve dhe realizimin e shitjes së armëve, kanë kryer në bashkëpunim veprën penale të “Trafikimit të armëve dhe municioneve”, parashikuar nga neni 278/a/2 të Kodit Penal. Gjithashtu, shtetasi Sami Mema dyshohet dhe për kryerjen e veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, ndërsa shtetasi Ervin Xhaja edhe për kryerjen e veprës penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë” parashikuar nga neni 280 i Kodit Penal.

 

 Çmimet

80 mijë lekë të reja për pistoletë tip TT, kalibri 7.62 mm;

40-50 mijë lekë të reja për automatikë tip kallashnikov të shkurtër dhe të gjatë;

2500 euro pistoleta tip Glok,

1500-2000 euro pistoleta tip Berreta Italiane, Taurus Braziliane të kalibrave 9 mm.

100-150 euro pistoleta Miniblow të kalibrit 6.35 mm, të cilat i sjellin nga Serbia;

1000-1200 euro pistoleta me silenciator të llojeve Zastava dhe Berreta të kalibrave 7.65 mm;

1500-2000 euro për automatik MP5 dhe Scorpions me silenciator

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency