Seanca maratonë/ Buxheti kris PS-në, debat mes Ramës e Majkos, kritikat e “senatorëve”

0
99

Gëzim Saliu

 parlament pa opoziten nentor 2014 lsa sakteMajko: Po s’folëm me njerëzit, nuk jemi të majtë; të falen kamatëvonesat për energjinë. S’shëndoshet familja me heqjen e akcizës së duhanit, shtoni taksat për alkoolin e kazinotë. Rama: S’falim asnjë kamatëvonesë, energjia do të paguhet dhe pikë

Diskutimi i buxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2015 ka kaluar përmes debateve në seancën e djeshme maratonë të Parlamentit, ku pavarësisht mungesës së opozitës, nuk munguan kritikat brenda radhëve. “Senatorët” e PS-së, me në krye ish-kryeministrin Pandeli Majko, nënvizuan disa pika që, sipas tyre, duhen ndryshuar me domosdoshmëri në ligjin më të rëndësishëm të financave në vend. Por deklaratat e deputetit socialist Majko, i cili u fokusua tek falja e kamatëvonesave, rëndësia e marrëdhënies së komunikimit me qytetarët dhe debatin për heqjen e akcizës nuk janë “kapërdirë” nga Kryeministri i vendit Edi Rama. Ky i fundit, edhe pse e kishte shprehur më parë qëndrimin e tij vlerësues për buxhetin, ndërhyri sërish pas diskutimit të ligjvënësit të PS-së, duke shprehur kundërshti të hapura ndaj qëndrimeve të tij. Ndërkaq, kritika në seancë u shfaqën edhe nga deputeti tjetër Namik Dokle, i cili u tërhoqi vëmendjen ministrave se nuk janë votuar vetëm për të udhëhequr, por edhe për të mbajtur premtimet.

 

Debati

Në nisje të diskutimit të tij, pas qëndrimeve të shprehura më parë nga Kryeministri Rama dhe kreu i grupit parlamentar Ruçi, deputeti socialist Majko e cilësoi humor deklaratën, sipas së cilës rritja e akcizës së duhanit bëhet për të mbrojtur shëndetin e familjeve shqiptare. “Po e filloj diskutimin me këtë ndjenjë humori për të thënë se rritja e akcizës, nuk mendoj se shqiptarët do t’u shëndoshet familja duke lënë duhanin. Nëse do vendosja një rend të faktorëve që prishin familjet janë pijet alkoolike, por ndonjë taksë për këto nuk ka sot. Në bazë të informacionit që kam, prishja e familjes lidhet me ekzistencën e kazinove dhe zyrave të basteve. Me sa shoh unë, këto të dyja nuk do të kenë ndonjë taksë shtesë”, – u shpreh Majko. Më tej, duke mbështetur ankimet e qytetarëve me më pak të ardhura, duke sjellë një shembull konkret, deputeti i PS-së kërkoi heqjen e kamatëvonesave të energjisë elektrike për këtë shtresë. “Ne jemi mbajtësit e pushtetit, nuk jemi sherifët e pushtetit dhe mendoj se kjo vlen të reflektohet dhe të ruhet ajo që ka qenë esenciale dhe fondamentale për të majtët, marrëdhënia me njerëzit. Ne sot do të votojmë faljen e kamatëvonesave për pensionet në fshat e ç’na gjen të flasim këtu dhe për ata që janë me mbrojtje sociale. Nuk besoj se kjo na shmang nga ndonjë faturë e kripur, përkundrazi, na bën më njerëzorë. Po nuk ditëm të flasim me njerëzit, nuk jemi të majtë. Të falen kamatëvonesat për energjinë”, – theksoi Majko. Këto qëndrime detyruan kreun e qeverisë t’i rikthehej foltores së Kuvendit, duke iu kundërvënë deklaratave të deputetit socialist, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë falje për energjinë. “Ne nuk do falim asnjë kamatëvonesë. Ne nuk do falim askënd që nuk paguan energjinë elektrike. Asnjë lloj tolerance! Zero! Le të ketë çfarëdo lloj statusi, le të ketë çfarëdo historie, le të tregojë çfarëdo dhimbjeje. Energjia paguhet dhe nuk vidhet! Pikë! S’ka diskutim për këtë”, – u përgjigj Rama. Më tej, duke iu referuar domosdoshmërisë së marrëdhënies së komunikimit, bazë, sipas Majkos e së majtës, Kryeministri tha se nuk do të ndryshonte qëndrim edhe sikur kjo të sillte kosto elektorale. “Nëse është e majtë të mos paguash dritat dhe është e djathtë t’u kërkosh jetimëve të paguajnë dritat, atëherë unë jam i djathtë. Por s’besoj se është e majtë të mos paguash dritat. Nuk besoj se është e djathtë t’u thuash jetimëve “paguaj dritat”. Ne nuk bëjmë diçka pa dobi, se quhet e majtë dhe ne nuk hezitojmë të bëjmë diçka të dobishme, se quhet e djathtë. S’kemi asnjë frikë që të bëjmë diçka që quhet e djathtë, por që ka dobi”, – theksoi Rama.

 

Debati i plotë/ Majko: S’jemi sherifët e pushtetit, po taksojmë shtresën e mesme. Rama: Zero tolerancë

Pandeli Majko: Po e filloj diskutimin me këtë ndjenjë humori për të thënë se rritja e akcizës, nuk mendoj se shqiptarët do t’u shëndoshet familja, duke lënë duhanin. Nëse do vendosja një rend të faktorëve që prishin familjet janë pijet alkoolike, por ndonjë taksë për këto nuk ka sot. Me sa di unë, sot në këtë tranzicion që është përfshirë shoqëria dhe familja shqiptare, në bazë të informacionit që kam, prishja e familjes lidhet me ekzistencën e kazinove dhe zyrave të basteve. Me sa shoh unë, këto të dyja nuk do të kenë ndonjë taksë shtesë.

Unë mendoj se duhet t’u themi hapur qytetarëve se çfarë janë masa pozitive dhe çfarë janë masa negative. Po nuk u thamë këtë, të gjithë do mendojnë se kemi dalë këtu për t’u thënë vjershën e radhës, për të thënë që punët që po shkojnë shumë mirë, lum ti popull që na ke dhe rri rehat aty ku je. Dhe pastaj mund të ndodhemi përballë efektit të asaj nuses që kur e pyetën pas 6 muajsh se si po të duket shpia e re ku ke hyrë, u përgjigj e shkreta duke thënë: Lum unë për çfarë më dëgjojnë veshët, e zeza unë për çfarë më shohin sytë.

Ne po rrisim interesat mbi interesat bankare, po rrisim tatimin mbi qeratë, në një mënyrë po taksojmë shtresën e mesme, ta lëmë mënjanë këtë histori se ai që merr më shumë duhet të paguajë më shumë. Unë mendoj se i mençuri, i suksesshmi sigurisht që fiton më shumë, po ne nuk jemi qeverisja që taton më shumë thjesht suksesin, po ne jemi qeverisja që po përpiqet të balancojë shoqërinë shqiptare. Në qoftë se nuk do ishin këto pagesa (borxhet), n.q.s. nuk do ishte kjo gjyle, sigurisht unë sot këtu dhe do t’i drejtohesha ministri të Financave, çfarë po bëhet me pensionet e ish-ushtarakëve, ua kemi premtuar në fushatë, çfarë do bëjmë me TVSH-në e naftës për fshatin, ua kemi premtuar.

Ne jemi mbajtësit e pushtetit, nuk jemi sherifët e pushtetit dhe mendoj se kjo vlen të reflektohet dhe të ruhet ajo që ka qenë esenciale dhe fondamentale për të majtët, marrëdhënia me njerëzit. Po nuk ditëm të flasim ashtu siç duhet në marrëdhënie me njerëzit, po kot që e konsiderojmë veten të majtë. Ditën e premte në takim me njerëzit më kanë ardhur dy jetimë, vlla e motër, të dy në shkollë, të dy kishin pagesën e përkrahjes sociale dhe ishin me lot në sy dhe thanë: Ne jemi të gatshëm të paguajmë faturën e energjisë elektrike, por ne nuk kemi asnjë mundës për ta paguar atë. Për më tepër kamatëvonesa ishte ku thërret qameti. Sot ne do votojmë faljen e kamatëvonesës për pensionet në fshat. E ç’na gjeti të falim edhe kamatëvonesat e atyre që janë në sistemin e mbrojtjes sociale për faturat e energjisë elektrike. Unë nuk besoj se kjo na shmang nga një faturë e kripur financiare, përkundrazi na bën më njerëzor

Edi Rama: Nëse është e majtë të mos paguash dritat dhe është e djathtë t’u kërkosh jetimëve të paguajnë dritat, atëherë unë jam i djathtë. Por s’besoj se është e majtë të mos paguash dritat. Nuk besoj se është e djathtë t’u thuash jetimëve “paguaj dritat”.

Ne nuk do falim asnjë kamatëvonesë. Ne nuk do falim askënd që nuk paguan energjinë elektrike. Kur vjen puna tek ata që ankohen se nuk e paguajnë dot, unë përsëri do t’u them se paguesit më të rregullt të energjisë elektrike në këtë vend, sipas të dhënave të OSHEE-së, janë pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuar. 98% e pensionistëve paguajnë energjinë elektrike. Kur e paguajnë pensionistët, askush tjetër nuk duhet ta diskutojë.

Kjo është një temë që, besoj unë, për ne duhet të jetë tabu, me çdo çmim, edhe me çmimin që njerëzit thonë ne duam një qeveri tjetër se s’duam të paguajmë energjinë elektrike. Le ta marrin, le ta zgjedhin një qeveri tjetër. Duam një parti, duam një koalicion partish që na mundëson të vjedhim dhe të mos paguajnë. Le ta zgjedhin. Ne nuk kanë zgjedhur për këto.

Nga ana tjetër, nëse duam të mos godasim apo mos rëndojmë suksesin, nuk është tek depozita i dashur Pandi, është tek formula e ndarjes së grantit. Ndryshon formula e ndarjes së grantit, formulë e pranuar prej vitesh e bërë me asistencë ndërkombëtare, etj., etj., që çfarë bën ajo formulë? Njësia vendore që performoi më mirë, i jep më pak. Njësia vendore që nuk performojnë në mbledhjen e taksave, i jep më shumë.

Unë besoj që ne e kemi bërë dallimin; ne nuk bëjmë diçka pa dobi, se quhet e majtë dhe ne nuk hezitojmë të bëjmë diçka të dobishme. se quhet e djathtë. Ne s’jemi të majtë për të ngushëlluar veten tonë në darkë se shpëtuam ca njerëz dhe ia faturuam Shqipërisë, nesër, më shumë. S’kemi asnjë frikë që të bëjmë diçka që quhet e djathtë, por që ka dobi. Neve na duhet dobia. Na duhet rentabiliteti. Na duhet suksesi.

Asnjë lloj tolerance! Zero! Le të ketë çfarëdo lloj statusi, le të ketë çfarëdo historie, le të tregojë çfarëdo dhimbjeje. Energjia paguhet dhe nuk vidhet! Pikë! S’ka diskutim për këtë,

 

 Deputetët e PS-së për buxhetin/ Dokle, ministrave: S’jeni vetëm për të udhëhequr. Kritikat e Toçit, Leskajt dhe Qefalisë

Krahas deputetit Pandeli Majko, të tjerë ligjvënës të majtë shprehën kritikë për disa nga pikat e parashikuara në paketën fiskale. Kështu, si pjesë e “senatorëve” të PS-së, deputeti Namik Dokle tha se do të ishte më e ndershme të pakësohej granti i pakushtëzuar, pasi njësive vendore u jepen fonde, por ua merr përmbarimi, për shkak të borxheve. Më tej, ai kërkoi nga ministrat që të sjellin rezultatet në punën e tyre. “Nuk është një histori suksesi kjo e investimeve të 201-ës, prandaj detyra e qeverisë është të merret shumë më seriozisht me të. E kam dëgjuar shpesh që ministrat, sidomos në emisionet televizive, që thonë ne jemi votuar për të udhëhequr. Po, është e vërtetë, por që të udhëheqësh duhet të parashikosh, që të parashikosh duhet të analizosh dhe ekzaminosh se si ecën një sektor. Dhe sektor delikat që ne duhet t’i kushtojmë vëmendje të madhe është investimi, pa investim nuk ka të ardhme, as ekonomia, as zgjidhja e problemeve sociale që sot ka Shqipëria”, – tha ai. Më tej, Dokle theksoi se në zonën e tij elektorale vazhdojnë të ekzistojnë mjaft probleme. “Mua vazhdojnë të më thonë pa punë ishim, pa punë jemi; me lista hanim, me lista hamë, ndaj ky buxhet duhet të synojë të zgjidhë këto elemente sociale, se ndryshe nuk kemi zgjidhur ato probleme për të cilat jemi votuar”. Ndërkohë, lidhur me tatimin, deputeti socialist nënvizoi: “Tatimi për të ardhurat nga veprimtaria artistike, të barazosh një shkrimtar, një aktor me një lojtar të lojërave të fatit, me një batakçi të tillë. Është anormale”. Po ashtu ai kërkoi edhe që të mos hiqej akciza e pijeve energjike. “Unë mendoj që është një gabim i madh që ajo të hiqet. Heqja e saj do të thotë që i hiqet buxhetit një financim i tillë që do të ishte i mjaftueshëm për të rritur disbursimin për 70 mijë diabetikë që ka Shqipëria. Ose heqja e kësaj akcize do të bëjë një minus në buxhetin e shtetit që do të mund të dërgonte 2 mijë studentë me fondin e ekselencës për të studiuar në të gjitha universitetet evropiane. U duhet dhënë fund këtyre praktikave që dëmtojnë imazhin e qeverisë sociale”, – u shpreh Dokle. Po ashtu edhe deputeti Fatmir Toçi e ka konsideruar si jo të drejtë propozimin e qeverisë që të rritë taksat për artistët, po aq sa edhe të atyre që fitojnë në kazino. Ndërkaq, deputeti socialist i ka kujtuar qeverisë që duhet të mbajë premtimin për të hequr TVSH-në për librin. Po ashtu edhe deputetja socialiste Valentina Leskaj tha se arsimi dhe shëndetësia kanë nevojë për më shumë fonde nga qeveria. “Edhe pse arsimi ka pasur një mbështetje të qartë nga qeveria dhe vetë Kryeministri, që nga dita e parë, buxheti i arsimit në raport me PBB mbetet në nivelin e rreth 2.8%? Beteja jonë ka qenë që arsimi të arrijë të paktën në 5% të PBB. Duhet t’u jepet më shumë mbështetje politikave e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor, kalimi drejt konceptit të OBSH për shëndetin publik të orientuar te shëndeti, jo te sëmundja”. Në të njëjtën linjë edhe deputeti Xhemal Qefalia kërkoi më shumë angazhim të qeverisë në zonat rurale, duke marrë shkas nga reforma administrative. Ai në fjalën e tij në mbrëmjen e djeshme, duke iu drejtuar Kryeministrit, i cili nuk ishte prezent në atë moment në seancë, tha: “Z. Kryeministër, ndoshta më ndjek kudo që ndodhesh, e kam mirëpritur turin tuaj për rilindjen urbane edhe në kuadër të reformës administrative, por duhet ndërhyrë edhe në zona të tjera rurale, pasi kemi braktisje të këtyre zonave”. Ndërkohë, në deklaratën e tij, deputeti socialist kërkoi nga ministri Naço të merren disa masa në kuadër të reformës në drejtësi, që lidhen me numrin e lartë të burgjeve. “Ministri paraqiti objektiva për sektorët e Ministrisë, s’më duket normale që ne të krenohemi se po krijojmë burgje të reja. Në vend që këtë vend ta zënë shkollat, spitalet, po e zënë burgjet. Të korrigjohen politikat penale, për të mos e përkthyer me çdo vepër me burg”, – tha ai.

 

 Letra: S’u dëgjua Presidenti/ Nishani, ankesa për fondet: Ulen me 3.4%, nuk mbulohen shpenzimet

Presidenti Bujar Nishani i dërgoi dje një letër Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, kreut të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, kreut të grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, si dhe kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, për projektbuxhetin e vitit 2015. Në këtë letër, Nishani shprehu keqardhje që nuk është ftuar në komisione për të dëgjuar kërkesat specifike që i janë paraqitur Ministrisë së Financave gjatë fazës së hartimit të projektbuxhetit 2015. Në këtë kontekst ai renditi edhe disa problematika ku ndër më kryesoret është ulja e buxhetit për Presidencën. “Për vitin 2014, institucionit të Presidentit të Republikës, megjithëse me ulje te theksuar krahasuar me dhjetë vitet e fundit, iu akorduan 183.2 milionë lekë në total, ndërkohë që për vitin 2015 janë parashikuar 177 milionë lekë, me një diferencë negative prej rreth 3.4% më pak. Po kështu për zërin shpenzime të tjera operative në buxhetin e vitit 2015 është parashikuar ulje e këtij zëri me 8.5% më pak”, – theksoi ai.

 

Ligjvënësit e PS-së kundër/ Kryeministri rrëzon deputetët: Heqja e akcizës për pijet energjike, e drejtë

Kryeministri Rama u shpreh dje i vendosur për të vijuar me vendimin për heqjen e akcizës për pijet energjike, pavarësisht nga debatet e vazhduara lidhur me këtë çështje. Masa për heqjen e akcizës për pijet energjike është shoqëruar me debate në mbledhjet e grupeve parlamentare edhe në komisionet parlamentare. Deputetët e majtë të shumtë në numër kanë kundërshtuar propozimin e Ministrisë së Financave, por gjatë seancës së djeshme kreu i qeverisë theksoi se kjo masë do të vendoset. “Ka pasur debat të arsyeshëm lidhur me heqjen e akcizës për pijet energjike, por ne besojmë se është masa e duhur. Dhe besojmë se është një masë e cila duhet t’i nënshtrohet plotësisht standardit, duke iu referuar standardit të klubit të vendeve që ne kemi preferuar të jemi pjesë”, – u shpreh Rama.

 

 Pas 13 orësh seancë/ Buxheti dhe paketa votohen me 77 vota pro në parim

Braçe: Kundër heqjes së akcizës për pijet energjike, problem kryesor pabarazia

Pas thuajse 13 orësh diskutimesh në Kuvend, mbrëmë pas mesnate u votua buxheti dhe pakltea fiskale në parim duke marrë 77 vota të deputetëve të majtë, aq edhe sa ishte prezenca në sallë. Përkatësisht projektligji për tatmin mbi të ardhurat dhe projektligji për taksat konbëtare morën nga 77 vota secili. Të njejtat vota mori edhe projektligji për akcizën në Republikën e Shqipërisë, megjithëse një pjesë e deputetëve nuk nguruan të theksonin publikisht dje në seancë se ishin kudnër heqjes së saj për pijet energjike. Por duke mbetur në faktin se votimi i djeshëm i paketës fiskale ishte vetëm në parim, mundësia e ndryshimit të kësaj pike, por edhe disa të tjerave që janë kundërshtuar nga ligjvënësit e PS-së mbetet ende në lojë, pas diskutimeve nen për nen që nisin që nga sot në Kuvend. Ndërkaq projektligji për buxhetin e vitit 2015 u votua po ashtu me 77 vota pro. Në seancën e djeshme maratonë, e cila nisi reht orës 11:40minuta e mbylli punimet në 00:25 minuta, nuk munguan debatet, replikat dhe batutat mes anëtarëve të qeverisë dhe deputetëve socialistë.

 

Diskutimi ministrit dhe Braçes

Pas diskutimeve gjatë ditës në mbyllje të seancns diskutimi kryesor i takoi ministrit të financave Shkëlqim Cani dhe kryetarit të komisionit të ekonomisë Erjon Braçe. Nga ana e tij, numri një i financave në vend theksoi se me buxhetin qeveria përmbush premtimet e saj. “Strategjia nuk është shkurtim shpenzimesh, por efiçencë të tyre.Ne investojmë me më pak para më shumë shërbime për qytetarin. Parashikohet rritje e të ardhurave shumë më të larta nga 4 vitet e kaluara. Lufta kundër koprrupsioni, evazionit dhe kontrabandës sjellin rritjen e të ardhurave”, tha Cani. Ndërkaq në diskutimin e tij deputetit Erjon Braçe duke vënë në dukej disa nga pikat kryesore pozitive që sipas tiuj sjell ky buxhet, nuk nuygoir ti bëntë thirjrje direkt kryeministrit për të marrë masa për prishjen e monopolit të koncensioneve. “Qeveria duhet të heqë diskrimin ndaj atij që hyn ëpr herë të parë në treg, ka korrupsionin. Kryeministër kam marrë shqetësim nga disa emigrantë dhe kërkojnë barazi në sektorin ku po investojnë. Nuk është vetëm kromi ajo pasuri që duhet të përpunohet në vend”. Po ashtu Braçe nuk ngruoi të komentonte propozimin e qeverisë për heqjen e akcizës për pijet energjike duke pohuar se,: “nuk e gjej fare me vend këtë propozim, nuk ka standard. Një vend i BE-së ka qartësisht akcizë, ashtu sic vende të tjera kanë kufizime jo vetëm për moshën e përdorimit por edhe për sasitë e përdorimit të tyre”. Ndërkohë deputeti socialist bëri të ditur se qeveria është ende larg mbledhjes së TVSH-së për të gjitha shit-blerjet. Por sipas Braçes problemi kryesor në vend ësht6ë pabarazia. Jam i majtë, po nuk më duhet kjo për të thënë troç që kemi një problem: pabarazia. Vetëm 1 % e depozituesve në sistemin financiar zotërojnë vlerën e depozitave, ka informalitet në ekonomi. Ka pabarazi të thellë dhe paratë e ekonomisë po shkojnë te pakicat. Dy faktorët që sjellin pabarazinë: së pari evazioni fiskal që favorizon pabarazinë dhe i dytë është punësimi. Po shkrihet shtresa e mesme. Evropa po e adreson pabarazinë , ne ende jo, ky është thelbi i krizës”, tha ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency