Presidenti i FSHF-së/ Duka: Synimi i Shqipërisë, Francë 2016

0
140

Jurges Veizaj

 Numri një i futbollit shqiptar, në një intervistë për mediat italiane, është shprehur se skuadra e krijuar nga De Biazi synon të shkojë në finalet e Evropianit

 duka i fshfSkuadra kombëtare e Shqipërisë, pas Kroacisë, është kryefjala e mediave italiane. Një vëmendje, e cila ka në përbërje të gjithë aktorët të cilët drejtojnë këtë skuadër, që duhet thënë këto kohët e fundit po vlerësohet shumë për lojën e saj. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në studion e “Sky Sport Italia”, ku pati një bashkëbisedim, gjatë të cilit preku tema të rëndësishme të futbollit shqiptar. Numri një i futbollit shqiptar bëri një vlerësim për takimin e radhës me Italinë, një miqësore për bamirësi, por nga e cila pritet një tjetër paraqitje e mirë për Shqipërinë. “Është e rëndësishme që luajmë për bamirësi, por lojtarët tanë përgatiten për një ndeshje të mirë. Italia është një skuadër e madhe, madje edhe nëse nuk luajnë ata që ishin ndaj Kroacisë. Nuk e di nëse është më mirë për ne, pasi me 25-30 futbollistë që ka ftuar Konte janë të gjithë njëlloj të zotë. Ndeshja është e vështirë për ne, për Italinë ndoshta jo!” Gjithsesi, ndërsa gazetarët italianë i kujtojnë rezultatet e mira dhe barazimin me Francën, të cilin Duka e vlerësoi pozitivisht, përmendet trajneri De Biazi, duke i dhënë mundësinë kreut të FSHF-së të bëjë një vlerësim për punën e teknikut italian në krye të kuqezinjve. “Prej thuajse 3 vitesh kemi De Biazin, një trajner i mirë, që e ka ndryshuar shumë kombëtaren tonë. Është një person serioz dhe ne jemi shumë të kënaqur me punën e tij”. E ndërsa pyetet se përse u zgjodh italian, përgjigjja e Dukës vjen kuptimplotë, me një batutë. “Nuk zgjodhëm një trajner italian. Zgjodhëm një trajner të mire!” Numri një i futbollit shqiptar la të kuptohej se FSHF është e predispozuar për të vijuar bashkëpunimin me trajnerin e kombëtares, duke u përgjigjur me humor, ndërsa u pyet për mundësinë e rinovimit të kontratës. “Deri tani jam shumë i kënaqur. Të gjithë jemi të kënaqur. Nëse bëhet një sondazh në Shqipëri, mendoj se ai fiton 90%, kështu që është e pamundur ta largojmë tani. Shpresojmë që të jemi bashkë, të vazhdojmë kështu, pasi është mirë për ne, është mirë për Shqipërinë, është mirë për të gjithë”. Ndërsa u sollën në vëmendje ngjarjet e 14 tetorit në Beograd gjatë Serbi – Shqipëri, Duka rrëfeu atë çfarë ndodhi në stadiumin e Partizanit të Beogradit, duke këmbëngulur se në ato kushte, kur i gjithë delegacioni shqiptar druhej për jetën, ishte e pamundur të mendohej për futbollin. Për sa i përket vendimit të pritshëm në Apelin e UEFA-s, ai theksoi se më e rëndësishme se 3 pikët për Shqipërinë, është e ardhmja e lojës, me një vendim që të ndihmojë në misionin për zhvillimin e futbollit si një lojë që luhet në kushte të barabarta. Në këtë këndvështrim, Duka foli edhe për takimin e kthimit me Serbinë. “Për ndeshjen e kthimit kemi një vit kohë. Në fakt, jemi në një situatë paksa jonormale, për shkak të asaj që ndodhi në Beograd, për ndjesitë që kanë tifozët tanë, por kemi një vit kohë. Ne do të bëjmë gjithçka për të organizuar një ndeshje si duhet në Shqipëri e të tregojmë se ne duam futbollin e vërtetë, jo si ai në Serbi”. Një tjetër koment i rëndësishëm i Dukës ishte ai kur u pyet për objektivat e Shqipërisë. “Objektivi ynë është që të luajmë në Francë, në finalet e turneut, por të shohim. Kemi luajtur tri ndeshje, dy e gjysmë në fakt. Ne kurrë nuk kemi luajtur në një Kampionat Evropian apo Botëror, kështu që nëse shkojmë, do të ishte historike. Prej vitesh punojmë për ta arritur këtë. Shpresoj që të shkojmë për gjithë popullin shqiptar. Unë jam i sigurt se nëse shkojmë në Francë, do të jemi skuadra që do të kemi më shumë tifozë atje”. Duka bëri të ditur se pritet që në stadiumin “Luigi Ferraris” të Xhenoas pritet të jenë rreth 3-4 mijë tifozë shqiptarë, ndërkohë që sipas mediave mendohet të jenë 10 mijë në stadium. Kjo ndeshje do të shërbejë për bamirësi kështu që në fund të intervistë u bë edhe një thirrje për të qenë sa më shumë të pranishëm për të ndjekur ndeshjen në mënyrë që të mblidhen sa më shumë të ardhura.

 

Lojtarët nuk duhet të mbajnë mjekër

Bosi i skuadrës turke Genclerbirligi, Ilhan Cavcav, i cili ka prejardhje nga Prishtina, ka kërkuar nga futbollistët e përfaqësueses turke që të largojnë mjekrat, përndryshe do të ketë dënime. ”Unë jam 80-vjeçar dhe rruhem çdo ditë. Ju jeni sportistë dhe duhet të jeni model për të rinjtë”, – ka deklaruar Cavcav. Një ide që ka habitur opinionin ndërkombëtar dhe, sipas një sondazhi të realizuar nga gazeta britanike “Mirror”, 100 për qind e lexuesve votuan kundër mendimit të Cavcav-it. Cavcav është president i klubit turk nga Ankaraja dhe kryetar i Shoqatës së Klubeve Turke të Futbollit.

 

Venger: Varan, vital për Francën

Arsen Venger ka shprehur shqetësimin e tij rreth mungesës së lojës së Rafael Varanit te Reali i Madridit këtë edicion. 21-vjeçari konsiderohet si një nga mbrojtësit e rinj më të mirë në Evropë, ndërsa trajneri i Arsenalit beson se ai duhet të jetë lider i mbrojtjes së Francës në Euro 2016. Megjithatë, francezi ka startuar vetëm në tri ndeshje në La Liga këtë sezon, pasi Karlo Ançeloti preferon të luajë me Serxho Ramosin dhe Pepen në qendër të mbrojtjes. “Nëse nuk lëndohet, Varan do të jetë mbrojtësi kryesor i Francës në Euro 2016. Ai është akoma i ri dhe ka nevojë që të luajë rregullisht te Real Madridi. Në moshën e tij, ai bën akoma gabime që mund t’i kushtojnë skuadrës me gola”, – është shprehur tekniku i “topçinjve”.

 

 Milani hedh sytë nga Shnajderi

Milani në merkaton e janarit është duke provuar si opsion rikthimin në Serinë A të mesfushorit holandez Uesli Shanjder. Kuqezinjtë janë në kërkim të përforcojnë skuadrën në merkaton e dimrit dhe mesfushori i Gallatasarajit është duke u diskutuar nga bordi i klubit. Holandezi do të arrinte në San Siro në formë të huazimit gjashtëmujor, fillimisht për të zëvendësuar Keisuke Hondën, i cili do të largohet drejt Kupës Aziatike gjatë janarit. Më herët pati spekulime se agjenti i lojtarit tashmë është takuar me drejtues të klubeve nga Seria A, përfshirë edhe Juventusin. Kujtojmë se lojtari tulipan ishte shtylla e Interit, kur arritën të fitonin tripletën në vitin 2010.

 

 Simeone: Nuk largohem nga Atletikoja

 Trajneri argjentinas, Diego Simeone, ka mohuar spekulimet se ai mund të largohet nga kampionët e Spanjës, duke thënë se ai është i lumtur në kryeqytet. Simeone mori nën drejtim skuadrën në dhjetor të vitit 2011 dhe i ka sjellë shumë suksese klubit, që kulmoi duke fituar La Ligan sezonin e kaluar për të parën herë që nga viti 1996. Argjentinasi po ashtu çoi skuadrën deri në finale të Ligës së Kampioneve në sezonin 2013/14, ku pësoi vetëm pas kohës shtesë ndaj rivalit lokal Real Madrid. Ai më herët kishte ngritur edhe trofeun e Kupës së Mbretit, Europa League dhe Superkupën e Evropës. Mediat së fundi kanë spekuluar se për të janë të interesuar disa klube të tjera, mes tyre edhe dy super-të pasurit e Mançester Sitit dhe Paris Sent-Zhermenit. Megjithatë, 44-vjeçari është duke u kënaqur te Atletiko. “Ndihem shumë mirë te Atletiko. Gjithmonë kam dashur të vazhdoj të përmirësohem, kurrë nuk jam i kënaqur. Nuk e di se ku janë limitet e kësaj skuadre. Do të vazhdoj të shikoj”, – ka thënë Simeone për “Marca”-n.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency