Dhoma nr. 12

0
116

Nagub Mahfouez

5390484718_b0a482ef98_zI zoti i bujtinës kujton, si një foto që asnjëherë nuk harrohet, se si një ditë, një grua erdhi dhe rezervoi një dhomë, veç për 24 orë. Ora ishte fiks 10:00 paradite.

Pamja kaq trallisëse e pranisë së seksit opozitar që i afrohej, krejtësisht e pashoqëruar, e bënë bujtinarin t’ia mballosë sytë ngultazi, kureshtar.

Njëtrajtësisht, ajo dukej një grua e shkëlqyer mbresëlënëse, me shtatin e shtalbtë, finesën e tipareve, dhe mprehtësinë e shikimit.

Ajo u ndal te sporteli, duke qëndruar trupdrejtë nën mantelin e kuq, dhe kapelën e bardhë. Nuk kishte asnjë dokument identifikimi, nuk punonte gjëkundi, dhe as që ishte e martuar. Për më tepër, dukej si e ndarë nga burri, apo e ve.

Quhej Bahiga al-Dahabi, dhe vinte nga Mansura e Deltës.

Bujtinari regjistroi krejt informacionin e nevojshëm dhe e përqasi drejt punonjësit të sportelit.

Sportelisti në krye të saj, duke mbajtur valixhen, më e rënda që kishte mbajtur ndonjëherë gjatë gjithë karrierës së tij, e orientoi gruan drejt dhomës nr. 12, në bujtinën e tyre të vogël. Pastaj u kthye pas një gjysmë ore, i habitur në fytyrë. Kur menaxheri e pyeti se çfarë ndodhi, ai vegoi hazër-xhevap: “Ajo është një femër shumë e çuditshme!” – “Shpjegohu, çfarë nënkupton me këtë?” u sëkëlldis menaxheri. Sportelisti filloi të rrëfente se si ajo i kishte kërkuar të zbulonte shtratin nga mbulesa, batanijet dhe çarçafët, duke i hedhur në cep të dhomës. Për sa i përket krevatit, i kishte kërkuar ta lëviznin së bashku jashtë dhomës, me justifikimin se kishte fiksim se mos nga hapësira e krijuar poshtë vendit të fjetjes, fshihej një njeri. Ai i tha se frika e saj ishte e ekzagjeruar sepse asnjëherë nuk kishin ndodhur incidente të tilla që nga koha kur hoteli ishte bërë Bismilah. Por ajo këmbëngulte, kështu që iu bind vullnetit të saj. “Duhet të kishe ardhur urgjentisht tek unë, zullap”, tha bujtinari. Sportelisti kërkoi të falur, duke thënë se megjithëse kërkesa e saj ishte e çuditshme, ai nuk kishte përdredhur asnjë nga detyrat që hoteli kishte si detyrim të përmbushë. Më tej e përmbylli historinë me fjalët se si ajo e kishte urdhëruar të hapte të gjitha kanatat e dollapit duke i lënë njashtu. Zëri i saj tregonte se kishte frikë nga dikush që mund të fshihej ose nën krevat, ose në dollap. Kështu që i plotësoi të gjitha urdhrat e saj, i buzëqeshi ashtu si ai di të buzëqesh gjithmonë, dhe u largua. “Pjesa më e çuditshme është se ajo dukej grua azgane dhe trime”, cilësoi bujtinari.

Pas pak e pyeti punonjësin e vet, “A të dha ndonjë bakshish?” – “Një peçe të plotë”, u mburr tjetri. “Natyrisht, ajo nuk është femër e rëndomtë, ndaj nuk besoj se do të kemi ndonjë turbullirë”, plotësoi menaxheri. “Më shpuri rruga përball derës së saj të mbyllur, kur po shkoja për në lavanteri, dhe dëgjova një zë të lartë të hasdisur brenda në dhomë”, tha sportelisti. “Ishte e vetme?” – “Gjithmonë, zëri i saj i dalldisur dëgjohej i vetëm.” – “Gjithë dynjaja bëjnë kështu”, tha menaxheri.”Zaten, vetëm pse ti flet me vete nuk do të thotë se je i lajthitur.” Sportelisti tundi kryet pa thënë kurrgjë. Tjetri e pyeti, “A je në gjendje të rikujtosh gjësend çka thoshte?” – “Jo. përveç shprehjes: Nuk është e rëndësishme!” Menaxheri dha të kuptohej për mbylljen e muhabetit. Një grimë më vonë pasi shënoi diçka në regjistër, shtoi në drejtim të tjetrit, “Duhet të jesh vigjilent, kjo është detyra jonë, për çdo rast.”

Gumëzhinë bubullima, dhe bujtinari e treti vështrimin te qielli përtej dritares ku gjeti mbulesa të dendura reshë. Moti kishte qenë i ftohtë me reshje të kohëpaskohshme. Ekzaktësisht në ora 1:00 të drekës, gruaja telefonoi prej dhomës nr. 12.

“A mundet të porosis diçka për të ngrënë?” pyeti ajo. “Ne nuk kemi ushqim në bujtinë, por është një gjellëtore matanë xhadesë, çfarë dëshironi zonjë?” – “Perime të pjekura me mish pule, plus pilaf me tasqebap, gati nja një kile shishqebap të pjekur, një tas me sallatë orientale, mish qengji të mbështjellë me pite të ngrohta, ëmbëlsira dhe portokall.”

Megjithëse i zoti i bujtinës i porositi të gjitha gjellërat që ajo urdhëroi, gati sa nuk luajti nga fiqiri prej sasisë së ushqimeve. Vetëm mishi i pjekur mjaftonte për gjashtë persona.”Kjo qenka fiksim jo vetëm me frikën, por edhe me llupësinë”, i tha vetes. “Sidoqoftë, do dali gjatë pasdites, e do t’i hedh një sy dhomës.”

Ushqimi mbërriti. Një orë më vonë i zoti i gjellëtores përkarshi erdhi të merrte paratë. Menaxheri nuk i rezistoi tundimit t’u hidhte një sy pjatave. Të gjitha ishin të bëra xixë, përveç disa kockave të kruara mirë, dhe pakë salcë të mbetur. I shkau truri nga e gjithë kjo skenë, asgjë tjetër përveç kësaj gruaje, mënyrës se si ajo vështronte dhe vepronte, e shtynë në ngasje. Nuk mund të thoshte se ajo s’ishte e bukur, përkundrazi ajo zotëronte një forcë tërheqëse jo të zakontë. Ishte diçka e frikshme në raport me atë grua, së bashku me gjërat kurioze, madje nënshtruese, që të ngujonin.

Mbi të gjitha e kishte parë vetëm një herë, momentin e parë, atë ditë kur ajo i kishte lënë ndjesinë familjare që vinte së bashku me fytyrën, që mbartte prushin vetjak të kujtimeve të vjetra.

Drejt tij po vinin një burrë dhe një grua. “A qëndron këtu znj. Bahiga al-Dahabi?” pyeti burri. Bujtinari pohoi dhe telefonoi që të pyes nëse zonja dëshironte që vizitorët të ngjiteshin lart në dhomë. Dukshëm, njerëzit ishin nga sërë e lartë, të kamur nga pikëpamja materiale. Era uturinte fuqishëm përjashta, duke i bërë shandanët të kërcenin në sallën e pritjes. Menjëherë papritur tetë persona të tjerë ja behën, katër gra dhe katër burra, duke përsëritur të njëjtën pyetje: “A qëndron këtu zj. Bahiga al-Dahabi?” Përsëri bujtinari telefonoi për lejimin e vizitorëve të rinj. Grupi, me pamje krenare, që ishin të së njëjtës sërë me çiftin e mëparshëm, u ngjitën drejt dhomës nr. 12. Tash bëheshin dhjetë vizitorë. Ndoshta farefis prej së njëjtës familje, ose thjesht miq, apo gjindja dhe kushërinj të përzier. E çfarëdo qoftë të ishte arsyeja, nuk kishte asnjë dyshim që Madam Bahiga nuk është një zonjë e rëndomtë. “Si përzgjodhi bujtinën tonë xhanëm?” pyeste veten i shqetësuar. Zallamahia u shpërnda menjëherë nga kthina e barit, ndërsa kamerierët e hotelit servirnin si pehlivan, gota çaji lart e poshtë, qyshkur menaxheri po mundohej të fiksonte disa nga fytyrat e të porsaardhurve. Por, mendoi me vete se gjëja më e mirë do ishte ta fshinte nga truri, gjithçka në raport me Bahiga al-Dahabin. Të nesërmen ajo do të ishte veç njëra nga ato qindra fytyra të humbura në kujtesën e bërë lëmsh, të hotelit të vogël.

Përball tij u fanit një grua rreth të pesëdhjetave, që zotëronte një ekuilibër dhe sjellje të tejskajshme.”A qëndron këtu znj. Bahiga al-Dahabi?” Kur ai iu përgjigj po, ajo i tha, “Ju lutem, a mundet ta njoftoni se doktoresha është këtu.” Kontaktoi damën në telefon. Një grimë më tej i shtytur nga një arsye urgjente e pyeti të porsaardhurën, “Cili është tamam profesioni juaj doktoreshë?” – “Gjinekologe”, u përgjigj ajo. Vërejti se tjetra nuk ishte prezantuar me emrin e saj por me titullin e profesionit. A po e viziton damën kinse nga aftësia profesionale? Apo mos vallë Bahiga al-Dahabi vuan nga ndonjë sëmundje femërore? Ose ndoshta është thjeshtë me barrë? Nuk kishte kohë t’i jepte përgjigje të gjitha këtyre pikëpyetjeve që e kishin mbështjellë tërësisht, kur një burrë shkurtabiq dhe i shëndoshë, nursëz, u shpërfaq para tij. Duke u prezantuar si Jusuf Qabil, biznesmen ndërtimi, ai sikurse edhe të tjerët pozoi pyetjen tashmë të ripërsëritur, “A qëndron këtu znj. Bahiga al-Dahabi?” Pasi shushuriti në telefon dhe mori lejen e nevojshme që “bossi” i ndërtimit të ngjitej lart në dhomën e saj, shpërvoli një buzëqeshje të përhumbur sarkastike.

Njëri nga sportelistët u rikthye duke u dridhur nga jashtë, copë-copë nga i ftohti. Errësira, tha i porsa hyri, është mbledhur nga të katër anët e qiellit, dhe së shpejti dita do të bëhet natë. Vështroi jashtë dritares.

Po mendonte rishtas për gruan e dhomës nr. 12. Misterioze. Femër Fatale. Filloi të ndiej se si një rrymë paqëndrueshmërie dhe e pavolitshme ishte shpërndarë nëpër hotel qyshkur ajo kishte mbërritur aty. Rrymë që i lejonte ndjesisë së tij të brendshme, nxitje, të ëndrrave të adoleshencës, madhështinë molisëse të të qenit i pasur, sundimtar mbi botën.

U trondit nga ëndërrimi obskur kur një zë i papritur pyeti, “A qëndron këtu znj. Bahiga al- Dahabi?” Një njeri trupmadh i mbështjellë me xhybe të kaftanët, çallmë të lidhur mbi krye, dorën e shtrënguar në dorezën ngjyrë gri të ombrellës. “I thoni se Blind Sajed, Pastruesi i Kufomave, ka mbërritur.” Gjoksi i bujtinarit brofi nga vendi. Kërcëlliti dhëmbët nga tmerri dhe duke nëpërdhëmbur mallkoi burrin dhe gruan bashkë. Por gjithsesi kreu detyrën duke telefonuar. Për të parën herë mori një përgjigje krejt të kundërt nga të gjitha të mëparshmet. “Ju lutem, mund të prisni në sallën e pritjes, zotëri”, e urdhëroi sipërmarrësin.

Allah-Allah, për çfarë ka ardhur ky edepsëz këtu? Pse nuk pret përjashta por na sjell tersllëk? Punonte për pesëdhjetë vjet në këtë hotel dhe asnjëherë nuk kishte parë diçka të përngjashme me atë që po ndodhte këtë ditë. Ndiente frikë se shiu do fillonte të zbriste poshtë me rrëke e shkulmë dhe do t’i mbante të ngujuar në hotel, kushedi se për sa kohë të ardhurit. Për më tepër që tashmë, midis të tjerëve, ishte edhe sipërmarrësi i Vdekjes!

Myshterinj të rinj mbërritën. Ata erdhën të ndarë, sërë-sërë: pronari i dyqanit të mobilieve të shtrenjta, pronari i supermarketit, pronari i lëngjeve të frutave, pronari i parfumeve dhe asortimenteve kozmetike, zyrtari i lartë i Thesarit të Shtetit, shefi i redaksisë së gazetës më në zë të vendit, biznesmeni i shitjes së peshkut me shumicë, i autorizuari i firmës për mobilimin e shtëpive, këshilltari i një milioneri arab.

Nëpërmendi se mos dama do e zhvendoste bashkësinë e krijuar në sallën e pritjes, por çuditërisht ajo i lejoi të gjithë mysafirët të ngjiteshin lart në dhomë, njëri pas tjetrit. Kamerierët sollën gjithmonë e më tepër gota çaji dhe karrige, ndërsa ai, bujtinari i bujtinës së vogël, mëdyshej se ku do të gjenin vend për t’u ulur gjithë ky kallaballëk. A e njohin njëri-tjetrin qysh më parë? Dhe çfarë i ka sjellë të gjithë së bashku?

Thërriti sportelistin pranë dhe e pyeti se çfarë dinte më tepër për sa po ngjet. “Nuk e di, nuk di asgjë zotëri”, u përgjigj sportelisti. “Duart zgjaten jashtë derës duke marrë karriget dhe çajin, dhe firojnë përsëri brenda portës pa na dhënë mundësinë të shohim së ç’bëhet brenda dhomës.” Menaxheri mblodhi supet. Për aq kohë sa askush nuk ankohej, i tha vetvetes, nuk kishte pse ndihesh keq.

Blind Sajed, Pastruesi i Kufomave, u avit drejt tij. “Dua t’i kujtoj zonjës se jam duke pritur”, tha. “Ajo premtoi se do ju thërrasë në kohën e duhur, zotëri”, i tha menaxheri me një ndjenjë të dukshme mospërfillje. Por tjetri as që lëvizi nga vendi ndaj u detyrua të telefonoj përsëri duke nderur receptorin drejt sipërmarrësit. “Madam, ka kaluar orari i faljes në aksham dhe ju e dini se në dimër dita është e shkurtër”, foli qortueshëm Sajed. U përkul mbi telefon, duke dëgjuar një grimë, dhe më tej e mbylli aparatin e komunikimit duke u kthyer përsëri në sallën e pritjes.

Nga thellësia e shpirtit, bujtinari e nëmi burrin në heshtje. S’kishte dyshim se zonja ishte shkaktarja kryesore që kishte prurë një lugat të tillë në hotel. I mendonte të gjitha këto ndërsa shikimin e kishte ngulur në portën e hyrjes plotë mllef. Disa zonja zbritën poshtë nga dhoma nr. 12. Frika që e kishte zaptuar u duk se u pakësua kur ato u drejtuan drejt portës së jashtme. “Ja, më në fund disa po ikin dhe të tjerë do largohen më vonë, gjersa nata të bjerë plotësisht besoj do të jenë bërë firë të gjithë”, e justifikoi vetveten. Shqetësohej sepse vet pozicioni dhe përgjegjësia e tij mund ta shtynin në konfrontim me ata, dhe gjindja i përkiste një klase të fuqishme. Shqetësimi dyfishohej me erën që fërshëllente dhunshëm jashtë porte dhe ndjenjën e pikëllueshme që kishte mbuluar rrugët.

Përtej këtij pikëllimi të pandalshëm ku zemra e tij hovte prej gjoksi, ai vërejti mu në portën e hotelit, një grup burrash e grash të veshur me mushamatë e shiut. “Për tek madam Bahiga al-Dahabi?” pyeti duke i çuditur të porsaardhurit. Njëri syresh duke qeshur tha, “Po. I thoni zonjës ju lutem, se delegatët e Organizatës Trashëgimtarët e Rilindjes kanë mbërritur.” Kështu që telefonoi dhe pasi ajo e dha pëlqimin e saj, shtoi ngulmueshëm, “Janë dhjetë persona zonjë e nderuar, dhe salla e pritjes këtu poshtë është në dispozicionin tuaj në rast nevoje.” -“Nuk është e nevojshme, ka vend të mjaftueshëm në dhomë”, kundërshtoi ajo.

(fragment)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency