Aktiviteti i qeverisë për çlirimin/ Përkujtimi i 70-vjetorit, rishfaqet portreti i Enver Hoxhës. SHBA, Arvizu: Fyet shqiptarët

0
100

Erneta Shevroja

 Fotot e ish-diktatorit sjellin përplasjen e radhës të politikës, akuza dhe kundërpërgjigje

 rama ne ceremoni eDje u festua 70-vjetori i çlirimit të Tiranës dhe lufta për liri e Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Politika festoi e ndarë në dy ceremoni dhe në vende; kabineti qeveritar zhvilloi ceremoni tek “Ushtari i Panjohur”, ndërsa Bashkia e Tiranës dhe deputetët demokratë përkujtuan të rënët e luftës tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në ceremoninë tek “Ushtari i Panjohur” në qendër të kryeqytetit, krahas aktivitetit qeveritar, nuk mungoi sërish portreti i diktatorit Enver Hoxha dhe brohorimat në emër të tij. Këtë akt e denoncoi ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, që e cilësoi aktin si njollosje e luftës dhe fyerje të shqiptarëve. Po kështu reagoi edhe PD-ja.

 

Përkujtimi

Tirana shënoi dje 70 vjet liri dhe me këtë rast krerët e politikës shqiptare kanë përkujtuar të rënët në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare nëpërmjet ceremonive të homazheve. Si edhe vitet e tjera, politika ka përkujtuar të rënët në ceremoni të ndara. Kabineti qeveritar ka përkujtuar Luftën Nacional-Çlirimtare, duke zhvilluar homazhe tek monumenti i “Ushtarit të Panjohur” në qendër të kryeqytetit, ndërsa Bashkia e Tiranës dhe deputetë të opozitës kanë zhvilluar homazhe te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Nën tingujt e himnit kombëtar dhe të këngëve partizane, përfaqësuesit më të lartë të shtetit vendosën kurora me lule pranë monumentit të “Partizanit të Panjohur” në nderim të dëshmorëve që dhanë jetën në betejën e Tiranës 70 vite më parë, ceremoni e organizuar nga Prefektura e Tiranës. Njëkohësisht, krerët e Bashkisë së Tiranës dhe deputetët e Partisë Demokratike zhvilluan homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Ndërkohë, kreu i demokratëve, njëherësh edhe i PD-së, Lulzim Basha, mungoi në ceremoni, pasi ndodhej në Bruksel, ku po merrte pjesë në asamblenë politike të PPE-së. Ai ka përkujtuar ditën me anë të një shënimi në rrjetin social “Facebook”. Ai shprehu mirënjohje për ata që luftuan dhe dhanë jetën për çlirimin e Tiranës 70 vjet më parë. “Ky përvjetor i gjen qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë para sfidave të mëdha. Sot përkujtojmë 70-vjetorin e çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazifashistë. Mirënjohje përjetë bijve dhe bijave të këtij qyteti që luftuan dhe dhanë jetën për liri. Ky përvjetor i gjen qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë para sfidave të mëdha. Ekonomia në krizë, varfëria dhe papunësia, shpërfillja, dhuna dhe arroganca qeveritare po hapin plagë të thella kudo. Por të frymëzuar nga vepra e atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe zhvillimin e vendit, ne do t’i japim Shqipërisë të ardhmen që meriton”, – shkroi Basha.

 

Portreti i Hoxhës

Ndërsa krerët e qeverisë, Kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, dhe zv.kryeministri Niko Peleshi vendosnin lule tek monumenti, të pranishëm ishin edhe veteranët që në duar mbanin portrete të diktatorit Enver Hoxha. Veteranët e luftës mbanin në duar foto të Enver Hoxhës, por edhe pankarta, në të cilat shkruhej “Rroftë Partia Komuniste!”

 

Reagimi i SHBA-së

Pas zhvillimit të ceremonive, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, denoncoi praninë e fotografive të diktatorit Enver Hoxha në ceremoninë e përkujtimit të të rënëve të Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Në një postim në rrjetin social “Twitter”, Arvizu e konsideron praninë e fotografive dhe brohorimat në emër të diktatorit, si njollosje e festës së çlirimit të Tiranës dhe fyerje të shqiptarëve. “Çlirimi i Tiranës nga trupat nazifashiste më 17 nëntor 1944, shënon aktin më të rëndësishëm politik dhe ushtarak, pasi kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, duke u shkaktuar humbje të mëdha trupave gjermane. Beteja për çlirimin e kryeqytetit ishte operacioni më i madh i shkallës operativo-strategjike, i zhvilluar nga Ushtria Çlirimtare për çlirimin e qyteteve. Fatkeqësisht, fotot e diktatorit Enver Hoxha e njollosën ceremoninë e sotme në varrezat e dëshmorëve. Një fyerje për shqiptarët”, – shkoi Arvizu.

 

Paloka: Me Enver Hoxhën në sfond, Rama dhe Meta provokuan plagët tek shoqëria

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, dënoi ceremoninë qeveritare me fotot dhe koret në emër të diktatorit Enver Hoxha në 70-vjetorin e çlirimit të Tiranës. Ai u shpreh se kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit Meta provokuan tek njerëzit dhimbjen më të madhe të atij regjimi brutal. “Edi Rama dhe Ilir Meta, zyrtarisht sot konfirmuan dhe e vunë në jetë projektin e tyre për rehabilitimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha. Me fotot e Enverit pas shpatullave, me korin e Enverit në sfond, Rama dhe Meta, gjetën mënyrën më të turpshme për të baltosur 70-vjetorin e çlirimit të Tiranës. Duke përkujtuar këtë ditë të shënuar, me diktatorin Hoxha, Rama dhe Meta kanë fyer kujtimin e dhjetëra intelektualëve, heronjtë e vërtetë të luftës, të cilët u vranë dhe u linçuan drejtpërdrejt nga dora e Enverit. Rama dhe Meta kanë fyer sakrificat e dëshmorëve të luftës, të cilët dhanë jetën për lirinë e vlerat evropiane, vlera të cilat i përdhosi diktatori Hoxha, me instalimin e regjimit më të egër dhe më gjakatar në gjithë lindjen. Me Enver Hoxhën në sfond, Edi Rama dhe Ilir Meta, provokuan sot të gjithë shoqërinë tonë, dhe plagët e saj më të dhimbshme të periudhës së shkeljes brutale të dinjitetit njerëzor, të plagëve të urisë që solli diktatori në këtë vend për më shumë se 40 vite. Kjo duhej të ishte dita për të bashkuar gjithë shqiptarët pavarësisht preferencave politike, në nderim të të rënëve, në nderim të luftës së tyre, por Edi Rama zgjodhi kursin e përçarjes, duke provokuar e duke baltosur sakrificat më të larta njerëzore që u bënë në emër të lirisë dhe kombit”.

 

Rama: Keqardhje për të fandaksurit që kapen pas fotos

Pas denoncimit të Partisë Demokratike për praninë me portretin e diktatorit Enver Hoxha dhe brohorimave në emër të tij, Kryeministri Edi Rama shprehu keqardhje për “të paftuarit” në ceremoni. Po ashtu, shefi i qeverisë shprehu keqardhje edhe për reagimin e opozitës. “Keqardhje për të paftuarit që futen si diversantë nëpër turmat e aktiviteteve përkujtimore të çlirimit, për të ngritur fotografitë e Enver Hoxhës. Keqardhje për të fandaksurit që kapen pas fotografive të Enver Hoxhës, për të bërë luftë politike me ne. Të dyja palët janë e shkuara e këtij vendi, i cili s’ka kohë për të humbur me marrëzitë e tyre! Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët”.

 

Bashkia e Tiranës: Sot si 70 vite më parë, mbetet sfida e lirisë

 Drejtues të Bashkisë së Tiranës, deputetë dhe qytetarë u përulën me nderim dhe respekt përpara veprës dhe gjakut të luftëtarëve për çlirimin e Tiranës. Në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit u kryendje homazhe, në nderim të të rënëve për liri. Pas kryerjes së ceremonisë, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, në mungesë të Bashës, përcolli një mesazh. Ai tha se mesazhi i sfidës për liri mbetet edhe sot. Nderojmë sot në këtë ceremoni në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit më shumë se 100 partizanë e partizane, të rinj e të reja që dhanë jetën e tyre për çlirimin e Tiranës, një ndër luftërat e mëdha të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Sot, 70 vite më vonë, sfidat e brezit tonë të ri janë kaq të ndryshme e në të njëjtën kohë kaq të ngjashme me idealet e atyre që ranë për atdhe. Vërtet nuk kemi një situatë si 70 vite më parë por ideali ynë për një vend më të mirë, më të drejtë, për një vend në familjen evropiane, për një demokraci funksionale vazhdon të jetë gjithnjë prezent. Kur shohim shembullin e tyre nuk mund të vetëm të krenohemi por edhe të mësojmë e të reflektojmë se si jeta ia vlen të jetohet vetëm në liri e dinjitet”, – u shpreh nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency