Rrëfehet Kryeministri /  Rama, artisti kundër politikës që ndryshoi mendim

0
137

1_7151

Erneta Shevroja

Rama në Suedi tregon historinë e kalimit nga profesioni i piktorit në atë të politikanit. Pse dhe kur ai vendosi të bëhej politikan

Në një takim në Stokholm të Suedisë, Kryeministri Rama ka rrëfyer disa detaje nga të qenët piktor në të qenët politikan. Ai ka treguar rrugëtimin nëpër këto dy profesione, çfarë i lidh, çfarë i ndan dhe çfarë vizioni ka projektuar në mendje. Fillimisht ai ka rrëfyer dje, në samitin “Creative Time”, se si artis ka qenë kundër politikës, por në kohën ku u bë kryebashkiak i Tiranës, ai ndryshoi mendim, me idenë se edhe politika, ashtu si arti, kanë qëllime të mira. “Kur e kaloja shumicën e kohës si artist, kryesisht në Paris, isha kundër politikës, të paktën kundër asaj të llojit shqiptar e ballkanas. Kështu mendoj se janë shumica e artistëve. Por me kalimin e viteve, si kryetar bashkie dhe, më vonë, si kryetar partie e Kryeministër, u binda mjaft se politika në formën e saj më të mirë është një aktivitet i vlefshëm e kuptimplotë, që e bën botën një vend më të mirë. Të njëjtën gjë bën edhe arti, në të tjera mënyra. Unë jam kaq i lumtur që kam qenë në pozitën që t’i bëja bashkë të dyja”, – u tregoi Kryeministri të pranishmëve.

Ndërsa rrëfente historinë e kalimit nga artist në politikan, Rama është shprehur se tashmë vizioni i tij është një Shqipëri pa korrupsion dhe e integruar në Bashkimin Evropian. “Një Shqipëri tjetër, larg korrupsionit dhe e integruar në Bashkimin Evropian”, – ka thënë ai, ndërsa ka cituar një profil të një politikani: “Edhe pse tashmë ndodhem në fushën e politikës, dëshira ime për të pikturuar mbetet. Nuk po them që të gjithë kryeministrat duhet të jenë artisë. Në politikë është mirë të ketë anëtarë që kanë backgraund-e dhe eksperienca të ndryshme. Shumëllojshmëria e backgraund-eve ndikon pozitivisht në politikë”, – u shpreh Rama.
Hyrja në politikë

Kryeministria treguar edhe momentin kur ka vendosur të hyjë në politikë, duke e lënë prapa profesionin e tij “të vjetër”, që ishte piktura. “Ishte viti 1998 dhe duke iu përshtatur kësaj jete të re, mendova se kisha varrosur piktorin që ishte brenda meje. Por pastaj, dy vite më vonë, kandidova për kryetar Bashkie të Tiranës dhe fitova. Pashë një qytet që përballej me shumë sfida dhe që kishte shumë pritshmëri nga fushata ime. Në atë çast ndjeva impulsin politik – dëshirën për t’u ofruar njerëzve një ardhme më të mirë – të shkrirë me impulsin artistik”, – ka treguar Kryeministri.

 

Debati me një francez dhe një zyrtar të BB-së

Kur u bë kryebashkiak i Tiranës, Rama tregon se ka pasur një debat me një zyrtar francez për çështjen e ngjyrave të ndërtesave. “Zyrtari francez, – tregon Rama, – kishte vendosur të bllokonte fondet për Tiranën. Kur pikturuam ndërtesën e parë, duke hedhur një portokalli të ndezur mbi grinë e zymtë, ndodhi diçka e paimagjinueshme. Një zyrtar francez i BE-së, i ngarkuar për fondet, nxitoi të bllokonte ngjyrosjen. Bërtiti se do bllokonte financimet. “Po pse?” – e pyeta. “Sepse ngjyrat që keni porositur nuk përmbushin standardet evropiane”, – u përgjigj. “Epo”, i thashë, “as objektet përreth nuk i përmbushin standardet evropiane, edhe pse kjo nuk është ajo që duam, por ne do t’i zgjedhim vetë ngjyrat, sepse kjo është pikërisht ajo që duam. E nëse nuk na lejoni të vazhdojmë me punën tonë, unë do mbaj një konferencë për shtyp në këtë çast, në këtë rrugë, dhe do t’u them njerëzve se censorët e vjetër të komunizmit janë mishëruar si financierë të BE-së. Ai u duk disi i shqetësuar dhe më kërkoi një kompromis. Po unë i thashë “jo”. Më vjen keq zotëri, por kompromisi në ngjyra është gjithnjë gri dhe ne kemi aq shumë gri, sa na mjafton për një jetë të tërë. Tani është koha për të ndryshuar. Ngjyrat jeshile dhe të verdha, të purpurtat dhe portokallitë që ne hodhëm anembanë kryeqytetit tonë ish-komunist nuk do t’i bënin njerëzit më pak të uritur ose më të begatë”, – ka rrëfyer Rama. Përveç ngjyrave, Rama u ka treguar të pranishmëve se ka debatuar edhe një zyrtar të Bankës Botërore për rregullimin e një ambienti, ku merreshin certifikata. “Kur, shumë vite më parë, i thashë drejtorit të Bankës Botërore për Shqipërinë se doja që të financonin sallën e re të pritjeve ku qytetarët merrnin shërbime publike, si pjesë e fushatës kundër korrupsionit, ata nuk më kuptuan. Habiteshin mjaft kur u thosha se një hapësirë publike dinjitoze do të ishte një kontribut i madh kundër korrupsionit. Njerëzit prisnin në radhë të gjata në diell e shi për të marrë një certifikatë ose thjesht vetëm një përgjigje përpara sporteleve të vogla të dy kioskave metalike”, – u shpreh Kryeministri. “Përgjigjja për atë që kërkonin u vinte nga një zë diku nga një vrimë e errët dhe, nga ana tjetër, një dorë misterioze u merrte dokumentet duke rrëmuar për ryshfet nëpër dokumentet e vjetra. Sistemi punonte për korrupsionin, jo për njerëzit, të cilët nëse donin të shmangnin radhën, u duhej të paguanin nën dorë. Ne mund të ndryshonim punonjësit e padukshëm brenda kioskave çdo javë, por nuk mund të ndryshonim këtë praktikë korruptive. Fatmirësisht, e binda Bankën Botërore që ta financonte këtë ide”, – ka vijuar historinë e zyrtarit të BB-së.

 

 

Integrimi në BE, Brok: Qeveria të lehtësojë bashkëpunimin mes partive

Shqipëria mund të ketë sukses në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, vetëm nëse qeveria arrin të lehtësojë dhe të garantojë bashkëpunimin mes të gjitha partive politike në vend. Ky ka qenë mesazhi kryesor i kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtëm në Parlamentin Evropian pas takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati. Sipas kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, Elmar Brok, Shqipëria mund të ketë sukses në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, vetëm nëse qeveria lehtëson dhe garanton bashkëpunimin ndërmjet të gjitha partive politike, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë të rëndësishëm. Ky është mesazhi kryesor i përçuar nga Elmar Brok pas takimit me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati. Elmar Brok shprehet qartësisht se qeveria shqiptare duhet të bëjë kujdes me respektimin e parimeve demokratike themelore në vend: “Në një shoqëri demokratike, shumica parlamentare nuk mund të përdoret kurrë kundër së drejtës kushtetuese dhe opozitës politike. Duhet të sigurohet medoemos një sistem i kontrolleve dhe balancave”, – është shprehur Elmar Brok. Gjatë takimit me ministrin Ditmir Bushati, ky i fundit ka theksuar rëndësinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe vazhdimësinë e reformave të integrimit. Sipas Bushatit, konflikti në Ukrainën Lindore ka ndarë Ballkanin Perëndimor dhe vendet e rajonit kanë miratuar qëndrime të ndryshme ndaj Rusisë. Ndërkohë, Shqipëria është vendi i vetëm që ka mbështetur plotësisht linjën e fortë të BE-së kundër Rusisë dhe sanksionet ekonomike që i janë imponuar vendit. Brok dhe Bushati kanë rënë dakord për të mbajtur një linjë komunikimi të hapur dhe për të vazhduar bashkëpunimin në të ardhmen, në mënyrë që të sjellë Shqipërinë më afër BE-së.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency